Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Hipokrizia shtetërore
E merkure, 27.01.2016, 09:58 PM
Hipokrizia shtetërore
Nga Reshat Kripa - Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë
Një zhurmë e madhe mbuloi vendin tonë këto ditë me rastin e pesëvjetorit të vrasjes së katër qytetarëve gjatë protestës që opozita e atëherëshme socialiste zhvilloi në kryeqytet. Kjo zhurmë filloi me shfaqjen që dha kryeministri shqiptar për familjarët e të rënëve në atë ditë të zezë të 21 janarit 2011 dhe me vendosjen e tufave me lule në pllakat përkujtimore për nder të tyre ku kryeministrit gati sa nuk i “rridhnin lotët” nga dhimbja e madhe që ndiente. Çuditërisht, në atë çast mua m’u kujtua kur ky kryeministër, dikur kryetar bashkie i kryeqytetit, këndonte së bashku me një grup të njohur: “Zhurmë, shumë zhurmë”. Atëherë ai nuk e duronte dot zhurmën kurse tani na qenkësh bërë një zhurmërues i madh. Edhe shoqëruesit e tij nuk ishin më grupet e njohura të këngëtarëve por një numër i mediave të shkruara dhe atyre vizive si dhe një numër i madh personalitetesh dhe analistësh.
E gjithë kjo zhurmë më solli ndër mend fjalët e një epitafi që e kisha lexuar dikur në pllakën e një varri:
Këtu prehet hipokriti,
Gojë mjalt e trup përlyer,
Që s’tha fjalë pa lezet,
Që s’u prish në muhabet,
Dhe s’e ndyri kurrë gojën,
Me ata që kish nevojën!
Duke kujtuar këto vargje mua më dukej sikur hipokrizia e nje individi kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme duke u ngritur në sistem dhe duke u shndërruar në hipokrizi shtetërore. A thua u dhimbte aq shumë shpirti këtyre për këta katër fatkeqë që ranë viktimë e një aventure të çmendur të drejtuesve që për vete u fshehën në godinën e një miku dhe vështronin se si vriteshin simpatizantët në vend që të ishin në krye të tyre?
I pushtuar nga këto mendime para syve më dilnin edhe ngjarje të tjera të ngjashme me këtë. Ato kishin ndodhur më parë duke kaluar në heshtje dhe asnjë nuk kujtohet më për to. Më 26 korrik 1996 një dorë e zezë shtiu mbi Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të paharruarin Bujar Kaloshi, birin e një familje të madhe patriotike nga Dibra, i lindur dhe rritur në kampet e tmerrshme të internimit nga regjimi totalitar. Kush e vrau? Kanë kaluar pothuajse njëzet vjet dhe autori ende nuk dihet dhe, sipas gjasave, as që ka ndërmend të zbulohet. Përse? Mos vallë pse ishte i përndjekur politikë? A nuk ishte edhe ai bir nëne si këta të 21 janarit?
Vrasja e Bujar Kaloshit ishte preludi i një ngjarje jashtëzakonisht tragjike që do të ndodhte pas gjashtë muajsh, viti i zi 1997. Dhjetra të vrarë pa llogaritur qindra të zhdukurit nëpër valët e Adriatikut apo rrugëve të emigrimit. Më tepër nga të gjithë, përsëri e pësuan të përndjekurit politikë. Më lejoni të përmend emrat e disave prej tyre: Gjergj Mehmeti, Besim Manoli, Gëzim Shabani, Valter Harizi, Lutfi Rapaj, Ridi Hamzaraj së bashku me nënën e vetë Nadjate Hamzaraj e të tjerë dhe këta vetëm nga vendlindja ime, Vlora. Po në krahinat e tjera? Nuk mund të rri pa përmendur emrat e Bashkim Shkurtit në Lushnje dhe Edi Shehut në Gjirokastër. A u krijua ndonjë komision për zbulimin e fajtorëve të kësaj katastrofe? Asnjë. Edhe një komision paralmentar që u ngrit nuk nxorri asnjë përfundim. Po prokuroria a i zbuloi vrasësit e të siperpërmendurve? Deri më sot ato kanë ngelur enigmë.
14 shtatori i vitit 1998 ishte një ngjarje e ngjashme me atë të 21 janarit. Përsëri të shtëna me armë. Përsëri të vrarë. Skënder Kalenja vritet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me një plumb të ardhur nga Kryeministria, njësoj si kishin vepruar paraardhësit e kriminelëve në ditët e nëntorit 1944 kur i kishin vrarë të atin. Në mbrëmje, jo më shumë se dhjetë metra larg Ministrisë së Brendëshme vritet Adem Shehu i cili lihet i plagosur për minuta të tëra pa i dhënë ndihmën më të vogël. Edhe këtij gjashtëdhjetë vjet më parë komunistët i kishin vrarë të atin, ish komisar i batalionit partizan “Baba Abaz”. Uka nga Macukulli kishte ardhur të shpërndante ftesat e dasmës, por nuk mund të ikte pa marrë pjesë në protestë. Ftesat e dasmës u shndërruan në pluimba që i morën jetën. Përsëri heshtje. Askush nuk u mundua të zbulonte shkaktarët e këtij krimi. Përse? Askush nuk jep përgjigje.
E pra, ja që paska patur edhe ngjarje të tjera kriminale që nuk kanë gjetur zgjidhje. Përse kryeministri nuk kujtohet për to? Përse, si piktor, nuk bënte të paktën një pikturë për nder të Bujar Kaloshit, rënë në krye të detyrës, apo vallë sepse atëherë ai ishte rreshtuar përkrah kundërshtarëve të pushtetit? Përse nuk shkruante dy rreshta për ngjarjet tragjike të vitit 1997 dhe atë të shtatorit 1998 ku edhe të rënët ishin në krye të detyrës? Mos vallë kishte frikë dhe druhesh ta prishte me ata që më vonë do ta thërrisnin nga Franca për ta bërë kryetar bashkie?
Më vjen keq për familjarët e të rënëve që ranë viktimë e hipokrizisë shtetërore. Le ta ruajnë dhimbjen në zemrat e tyre, ashtu si po e ruajnë edhe familjarët e të rënëve të cituar më sipër dhe të mos bien pre e manovrave politikë të demagogëve që kanë pushtuar atdheun.