Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: 10 vjet amëshim rugovian
E shtune, 23.01.2016, 06:50 PM
Aktiviteti për Rugovën në Prishtinë
10 vjet amëshim rugovian
Nga Elvi Sidheri
Dhjetë vite më parë, gjatë një muaji janar po kaq të acartë sa ç’po është ky i sivjetshmi; ndërkohë që moti zhytej edhe atëherë nën zgjedhën e temperaturave ekstreme shumë gradë nën zero; më 21 janarin e vitit 2006, do të ndërronte jetë ish presidenti historik i Kosovës, njëri ndër zërat, mendjet, gjenitë dhe eruditët e politikanët më largpamës të shekullit të XX-ë shqiptar, Ibrahim Rugova.
Ai njeri që neve në Shqipëri ? sidomos atyre të brezit tim që fillimi i viteve 1990-ë, i zuri në kapërcyellin e dy epokave që herë dhunshëm, e herë paqësisht po ia linin vendin me hir e pahir njëra-tjetrës, ndërkohë që monizmi enverist jepte shpirt (nëse një fjalë kaq sublime “shpirt” mund t’i mvishet qoftë edhe për qëllime letraro-gjuhësore asaj periudhe të kobshme dhe zbatuesve të direktivave të atij regjimi gjakatar, gjithmonë...) dhe kërcelli ende i brishtë i demokracisë foshnjore shqiptare, akoma nuk kish nisur t’i gëzonte plotësisht petalet e lules së lirisë – na dukej aq i fisëm, i ndryshëm nga raca “komsomolase”, flokëpërpjetë, syze “fund-kavanozi” dhe plot hije të shtirë si të rëndë e “shtatë atmosferë”... e hierarkëve të shumtë byroistë e pleniumistë, apo kongresistë të diktaturës, të cilët nga “fitorja në fitorje”, e patën “shtirë me krye në hi” atdheun tonë; si dhe shitur trojet etnike shqiptare pikërisht të Kosovës së presidentit Rugova, për t’i ngopur orekset anti-shqiptare të druzhe Titos dhe emisarëve të tij që më 8 nëntor 1941, do të bashkëthemelonin PKSH-në në mes të Tiranës.
Ky njeri ishte Rugova pra...
Një burrë plot energji krijuese, jetësore, vizionare, personalitet i një largpamësie të spikatur dhe rrallëherë të hasur më parë te ndonjë personazh tjetër udhëheqës apo udhë-prijës e udhërrëfyes shqiptar përgjatë historisë sonë të turbullt e plot duhi tufanesh epokale që shqiptarët i patën vërvitur pandalur nëpër këndet më të mugët dhe të akullt të zhvillimeve shekullore europiane.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e krijuar nga hiri i përpjekjeve të pareshtura qindvjeçare të shqiptarëve në ish Jugosllavi, për ta ngritur zërin e tyre politikisht në një formacion të tyrin politik qysh nga agu i zymtë i 1912-ës dhe çizmeve e bajonetave të para serbe që patën përgjakur viset shqiptare anembanë Kosovës e më gjerë; pati qenë pra, bija e parë e mendimit dhe vizionit sa vegimtar, aq edhe tejet realist në thjeshtësinë e dëlirë të qëllimit të çiltër që jetësohej në suazat e synimeve të ardhmënisë rugoviane; pra të mëvetësimit gjer atëherë të papërfytyrueshëm të trojeve shqiptare të Dardanisë së dikurshme ilire, nga pushteti dhe shtypja shekullore serbe me qendër në Beograd.
Dhe; për fat të keq, për një shaka pa kripë të rrethanave, Rugova, megjithëse iu avit fort, nuk arriti megjithatë që t’i përjetonte avujt dehës të pavarësisë “de jure” të atij shteti – themelet, gjurmët e para, muret, mishin dhe kockat e të cilit; u patën ngjizur falë frymës dhe frymëzimit çlirimtar, shtetformues dhe zemër-përçues të këtij njeriu, këtij mendimari vegimor që me plot të drejtë, tanimë mishëron thelbësisht epokën e tij; gjë që aspak rastësisht përputhet edhe me fund-shekullin e XX-ë dhe vitet e ngadhënjimit të ngadaltë, por të pandalshëm, të popullit shqiptar të Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e vet nga Beogradi.
Po, Rugova kish një vizion të tijin, një “dëshirë e një qëllim” siç stoikisht këndon ngaherë edhe himni ynë kombëtar, dhe, përmes blatimit të paepur të vetvetes dhe veprës së tij jetësore për dheun e tij, për Kosovën dhe gjakun e të parëve, ky kolos i shumanshëm i letrave, mendimit, gjuhës, politikës, diplomacisë, shpirtit dhe lirisë shqiptare, vizioni i tij triumfoi, përkundër të gjitha kundërshtive, pengesave, vështirësive, skepticizmave pafund, apo vetë-keqardhjes dhe vetërrënimit tipik shqiptar.
Qysh në fillim të viteve 1990, nëse neve në Shqipëri, i përkushtoheshim “Lirisë dhe Demokracisë”, me mish e shpirt, ashtu si edhe me atë pakëz naiviteti dhe vrulli djaloshar, që injoronte jetëgjatësinë e regjimit monist në vendin tonë; rrënjët e tij fort të thella në truallin shqiptar, të infektuar rëndë përgjatë thuajse 5 dekadash, nga pandemia identitet-rrënuese dhe tjetërsuese komuniste; në Kosovën të cilës i ishte privuar edhe grimca e fundme e mundësive të supozuara të banorëve të saj për ta ndjerë veten sadopak zotër në shtëpinë e tyre, pra autonomia e 1974-ës; presidenti Rugova, predikonte pareshtur, me një vetësiguri gati qartësisht profetike, “Pavarësinë” nga Jugosllavia, dhe më pas vetë Serbia...
Shumëkush nuk i besonte dot këto pohime; shumëkujt mund t’i dukeshin ato synime si të tepruara, si të paarritshme; për shumëkënd, “gogoli” serbomadh, ishte tepër i ashpër, mizor dhe shfarosës, për t’u përballur me të me armë të pabarabarta, në një kontekst gjeopolitik dhe gjeostrategjik global, që nuk e favorizonte në atë periudhë asfare (në Kroaci dhe Bosnje, valonte lufta ndër-sllave dhe gjaku shkonte lumë) çështjen çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës.
Por, 18 vite pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe agimit të parë të formësimit të filozofisë pavarësuese rugoviane, Kosova vërtetë shpalli Pavarësinë nga Serbia; për më tepër, e bashkuar në këtë “dëshirë dhe qëllim” rugovian dhe gjithëshqiptar, me ish krahun e luftës, dhe atë të paqes (së armatosur) me ish pushtuesin shekullor serb, dhe të mbështetur nga tërë faktori demokratik i botës së qytetëruar ndërkombëtare, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Europian.
Vizioni rugovian pra, shkëputja e çdo lidhje me pushtuesin, krijimi i institucioneve të pavarura jashtë sistemit opresiv jugosllav dhe serb në Kosovë, mosbindja civile (sipas shembullit jo vetëm gandist, por edhe të lëvizjes për të drejtat civile të nisura me Roza Parksin në një autobus të Montgomery-t dhe të udhëhequr nga Martin Luter Kingu në SHBA në mes-shekullin e kaluar), denoncimi i papërmbajtshëm i pasojave të shtypjes çnjerëzore serbe në përditshmërinë e Kosovës dhe banorëve të saj; shpunë gjer te krijimi i rezistencës së armatosur kundër pushtuesit, te simpatia ndërkombëtare për kauzën shqiptare, dhe në fund, te vetë ndërhyrja ajrore e NATO-s ndaj anës ushtarake të regjimit të Millosheviçit.
Kështu pra, rrugëtimi i pikënisur tek vegimi parësor, dhe i shpënë përpara plot mund dhe sakrifica mbinjerëzore deri te realiteti i prekshëm i lirisë dhe pavarësisë së faktuar; pati qenë e gjatë, por njëkohësisht, plotësisht e suksesshme deri në detaje, sa i përket ëndrrës thelbësore rugoviane...
Dy vite e pak ditë pas amëshimit të presidentit historik, Kosova do të bëhej vërtetë Shtet i Pavarur më 17 shkurt 2008; një ditë që presidenti i saj vizionar, nuk do ta shihte dhe përjetonte dot vetë për së gjalli, por gjer tek e cila ish arritur duke ndjekur dhe shkelur besnikërisht gjurmët e largpamësisë së tij epike.
Ndërkaq, më datë 21 janar të këtij viti, pra në 2016-ën, në kujtim të veprës së Ibrahim Rugovës, pa dritën e botimit libri “KUJTESA E RUGOVËS”, nën përkujdesën e fondacionit “Ibrahim Rugova” në Prishtinë; një libër i ndarë në tre pjesë, (Kujtesa, Dijetari dhe Prijësi); me kontribute të shokëve të penës dhe mendimit, bashkëpuntorëve dhe miqve personalë të presidentit të ndjerë, si për shembull, Sabri Hamiti, Dom Lush Gjergji, Abdullah Zeneli, Halil Matoshi, Muhamet Hamiti (Kujtesa); Kujtim M. Shala , Fazli Gajraku, Ndue Ukaj, Xhavit Beqiri, Albanë Mehmetaj, Mark Marku, Munish Hyseni (Dijetari); dhe Nysret Krasniqi, Arsim Cenolli, Vehbi Myftari, Edita Kuçi-Ukaj, Agron Gjekmarkaj, Femi Cakolli etj; si dhe një shtojcë finale me kronologjinë e jetës dhe veprimtarisë letrare e politike të Ibrahim Rugovës 1944-2006.
... dhe në ndërkohë, vizioni rugovian, gjallon sërish mes nesh!