Faleminderit
Kujtim Mateli: Kush ishte Niko Tyto
E diele, 20.12.2015, 04:29 PM
IKU DHE SHKRIMTARI NIKO TYTO, AUTORI I RRETH 40 LIBRAVE ARTISTIKË DHE STUDIMORË
NGA KUJTIM MATELI
Shkrimtari i mirënjohur Niko Tyto, autori i 12 librave me letërsi folklorike, 7 libra me studime dhe i 17 librave me letërsi për fëmijë dhe i një numri të konsiderueshëm dorëshkrimesh; u nda prej nesh më 29 nëntor 2015.
Po
kush ishte Niko Tyto, simboli i njeriut popullor, i njeriut të virtytshëm, i njeriut
të palodhur që ishte i pranishëm në bisedat brenda trevës së Përmetit, por edhe
jashtë saj. Për të flet sarandioti e korçari, shkodrani e kuksiani, mjafton ta
ketë njohur sadopak, qoftë dhe në një bisedë të vetme. Po edhe ata që nuk kanë
mundur të takohen me të, janë takuar me punën e tij krijuese. Ndaj për Nikon është
folur gjithmonë me admirim. Njerëzit e identifikojnë kombin, qytetin,
krahinën, fshatin, madje edhe fisin me bijtë më të mirë të tyre. Ndër
këta njerëz me personalitet të spikatur dhe karizmatik ka bërë pjesë dhe Niko
Tyto, që unë desha të shpreh disa mendime, si njohës dhe admirues i
krijimtarisë së tij letraro-artistike. Natyrisht, nuk pretendoj se do të them
gjithçka, por mendoj se do të nënvizoj disa vlera që mua më duken me interes
dhe që plotësojnë këtë personalitet.
Niko Tyto mbeti deri në fund të jetës së tij, një figurë
popullore, i njohur gjerësisht jo vetëm në rrethin e Përmetit, por edhe më
gjerë.
U lind më 1936 në Malëshovë, në një nga fshatrat pranë
qytetit të Këlcyrës. Aty mori arsimin fillor. Shkollën 7-vjeçare e kreu në
Elbasan ku vazhdoi dhe pedagogjiken, të cilën e mbaroi në Gjirokastër, më 1955.
Mbaroi Universitetin e Tiranes, Fakultetin Histori-Filologji, dega
Letërsi Shqipe, më 1961.
Pas 11 vitesh, më 1972, kreu kursin pasuniversitar për letërsi
shqipe, në Tiranë. Ka shërbyer si mësues i ciklit të ulët
në Mbrezhan e Riban, në ciklin 8-vjeçar në Kajcë dhe Ballaban si drejtor
shkolle dhe 30 vjet në shkollën e mesme Përmet, Sukë e Këlcyrë, si mësues
letërsie.
Shpejt u dallua jo vetem si mësues i përkushtuar, po
shfaqi tiparet e një njeriu popullor, i kudondodhur tek njerëzit,
pjesëmarrës në shqetësimet e tyre. Aftësitë e tij do të shfaqeshin në
pesë drejtime kryesore:
****
Përkushtim i i parë ka qenë ndaj punës së
tij si mësues. U dallua shpejt me dhuntitë e tij, sidomos në komentin e pjesëve
letrare, të cilat i përcillte me frymëzim dhe emocion duke rikrijuar
veprën artistikisht në stilin e tij dhe duke nxjerrë në dukje vlerat reale të
veprave. Njihet si komentues i talentuar, sidomos i
autorëve të Rilindjes sonë Kombëtare dhe të atyre të Pavarësisë. Po edhe shumë
veprave të autorëve të huaj, me komentet dhe analizat që u bëri, u dha edhe një
dimension të ri, atë të hapësirës shqiptare. Krijoi një profil të veçantë
dhe u bë model për mësuesit e tjerë të letërsisë. Këtë përvojë kaq të
pasur do ta botonte pjesërisht në librin “Fjala e mësuesit përmetar” nr.8
në vitin 1980 ku u kushtohet komenteve letrare për të gjitha shkollat,
duke komentuar disa nga këngët popullore, sidomos nga ato që këndohen në
rrethin e Përmetit.
Nuk rreshti së dhëni përvojën e tij. A i ka drejtuar punën
metodike në bazë shkolle, zone dhe rrethi, punë të cilën e ka
përgjithësuar edhe në shkrimet e tij në gazetën “Mësuesi”.
Po ashtu duhet të citoj se ka qënë i aktivizuar në
diskutimet që organizonte Ministria e Arsimit për programet e letërsisë
si dhe për hartimin e teksteve shkollore.
Ka referuar materiale letrare e gjuhësore në sesionet
shkencore si: në Përmet, Gjirokastër, Berat, Elbasan e Tiranë. Këto tema
kishin karakter gjuhësor, folklorik, letrar, historik etj.
Ja disa prej tyre:
“Naimi dhe gjuha shqipe”, “Mendimet e Sami Frashërit
në fushën e proverbave”, “Figura e tre vëllezërve Frashëri e
pasqyruar në këngën popullore përmetare” etj.
Ka referuar për figura të shquara të kombit tonë si: Abdyl
Frashëri, Kamber Bënja, Sefulla Malëshova, Dashnor Mamaqi, At Stath Melani
, Mithat Frashëri si dhe për ngjarje të shënuara historike si : “Lidhja
shqiptare e Prizrenit”. Këto shkrime e kanë parë dritën e botimit në shtypin
periodik.
Nikoja ishte i pranishëm në çdo veprimtari. Si veprimtar
shoqëror ka qenë aktivizuar dhe në diskutimet e tij ka dhënë ndihmesë për
problemet sociale, kryesisht në Këlcyrë, në Shoqatën Atdhetare Kulturore
« Përmeti » dhe « Malëshova». Duke qenë respektivisht
anëtarë kryesie i këtyre shoqatave, me penën e tij ka trajtuar një
sërë problemesh. Për përkushtimin e tij ndaj punës nga Kuvendi
Popullor, Nikoja është nderuar me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të
parë me motivacionin “Për nivel të lartë të mësimdhënies, përgatitjen e
lartë të nxënësve dhe studimin e folklorit të Zonës” Dekreti nr 799 viti 1994.
Gjithashtu Niko Tyto ka qenë delegat në Konferencën kombëtare të
folkloristikës shqiptare më 1972 si dhe i ftuar po këtë vit në
Kongresin e Drejtshkrimit, po në Tiranë. Shumë herë ka
qenë i ftuar në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëvë si dhe në
sesione shkencore me karakter gjuhësor apo të letërsisë, organizuar nga
Institut i i Gjuhësisë dhe Letërsisë. Një ngjarje e shënuar ka
qenë, kur më 16 dhjetor 1996, në shtëpinë e kulturës Përmet në “Konferenca e
intelektualeve përmetare” të ardhur nga mbarë Shqipëria, Niko Tyto mbajti
referatin “Të gjallërojmë jetën artistike kulturore përmetare”
****
Përkushtim i i dytë ka qenë krijimtaria
letrare, sidomos ajo për fëmijë.
Në vëllimet poetike për fëmijë, një nga temat më të dashura të
autorit ishte dashuria për atdheun, për të cilin janë krenar jo vetëm të
rriturit, por edhe fëmijët. Malli për vendlindjen, për
prindërit, për shoqërine, janë tema që spikatin ndër këto vjersha që aq ëmbël,
mirë e bukur janë trajtuar për botën fëminore. Duhet të citoj se këto poezi, me
një tematikë të larmishme, të pasqyruara me një larmi formash
metrike, të shkruara me stil të thjeshtë, duke ruajtur muzikalitetin dhe
shumëllojshmërinë e rimave dhe të kadencës, kanë qenë të dashura për lexuesin,
si për fëmijët e kopshteve, si për fëmijët e ciklit 8-vjeçar apo dhe për shumë
kompozitorë që i kanë shfrytëzuar, kryesisht në vitet 70-të,
në festivalet e këngës për fëmijë në shkallë rrethi apo kombëtarë
Në serinë e almanakëvë letrarë që botonte shtëpia e kulturës
Përmet, kryesisht në vitet 60-të-70-të, në çdo numër do të gjeje vjersha të
Niko Tytos si dhe studime në rubrikën “Pasthënie” etj.
Në revistat e kohës si: “Yllkat”, “Fatosi”, “Pionieri” apo
sot, “Cicërimat” , “Kacamici” “Mrekullia”, “Kolopuçët” etj., gjenden me
dhjetra vjersha që nuk janë pasqyruar në vëllimet e botuara.
Shumë nga këto vjersha i gjejmë në antologjitë
poetike për fëmijë, sidomos në vëllimet “Burim i i dijes”,
libër për lexime jashtë klase, numri 1, 2, 3, 4, “Si një lule”, “Kur vjen
prilli”, “Bëri mirë a bër i keq”, “Një këshillë”
etj,etj. Kur u botua vëllimi “Lexikon” (shkrimtarë shqiptarë
për fëmijë) midis autorëve të tjerë kemi dhe poetin Niko Tyto, faqe 228.
Krijimtaria letrare e autorit është e rritur dhe e vlerësuar në
vlerë artistike, ndaj në analizën e Lidhjes së Shkrimtarëve për fëmijë,
ajo është vlerësuar. Si shkrimtar, Niko Tyto ka qënë anëtar i Lidhjes
së Shkrimtarëve të Shqipërisë qysh nga viti 1976. Në gazetën
letrare “Drita” dhe “Obelisku” ka botuar poezi si dhe profile për personalitete letrare.
***
Në fund të vitit 2014 solli
para lexuesve të vegjël përmbledhjen poetike “Vjersha të zgjedhura për
fëmijë”. Janë poezi që autori i ka përzgjedhur nga 16 librat e tij
poetikë, duke na dhënë kurorën e krijimtarisë së tij. Në atë fundviti, fëmijët
morën një dhuratë të çmuar. Libri shquhej për një tematikë të larmishme,
për një depërtim në thellësi të botës së fëmijëve, për edukimin e tyre me
ndjenjat e larta të dashurisë për Atdheun, punën, natyrën e
njëri-tjetrin.
Këtë vëllim poetik e çel poezia “Një tufë të bukur”, shkruar
që në vitet `60. Kjo tufë e bukur, e thurur me lule, me vargje e me zemër, do
t`i dhurohet nënës. Me të vogëlushi do të presë nënën e tij kur të kthehet nga
puna, me këtë tufë do të urojë nënën, në ditëlindjen e saj. Kjo poezi është një
nxitje për të gjithë fëmijët që të shkruajnë. Për nënën mund të shkruaj kushdo.
Për nënën bëhesh poet edhe kur talenti nuk të frymëzon për ngjarje e dukuri të
tjera. Çdo fëmijë bën sprovën e parë në udhën e poezisë duke shkruar për nënën
e tij. Nënë-fëmijë, një lidhje e pazgjidhshme. Një lidhje që të shoqëron gjatë
gjithë jetës. Nëna mban të lidhur brezat me njëri-tjetrin. Nëse shoqëria
njerëzore qëndron e shëndetshme, arsyeja është se nënat dhurojnë aq dashuri sa
fëmijët të ndihen mirë nën përkëdheljet dhe qortimet e saj.
Poeti që në fillimet e
krijimtarisë së tij ka kërkuar që nëpërmjet poezisë të edukojë tek fëmijët
dashurinë për të gjithë njerëzit. Është një dashuri që brezat ushqejnë për
njëri-tjetrin. Poezia “Gjyshes” na tregon se si ajo i mëson
nipërit dhe mbesat e saj:
“Që të di,
të bëj çdo punë,
duarartë,
të jem unë”.
Tek poezia “Motrat” na ka dhënë portretin se
si duhet të jetë një fëmijë. Fëmijët gjithmonë e kanë një model të cilit i
drejtohen dhe duan të bëhen si ai. Cilësitë e mira kultivohen tek fëmijët qysh
kur ata janë në kopësht. Aty mësojnë si t`i drejtohen njëri-tjetrit, aty
mësojnë si të mbajnë dorën e të shkruajnë, Dy vajzat e vogla të poezisë së Niko
Tytos :
“Janë pastërtore,
janë gojëmjalta.
Me sjellje të bukur,
me duar të arta”.
Poezia “Kur vjen prilli” na krijon atmosferën e
bukur të kësaj stine. Pavarësisht se cila është stina, kur e lexojmë këtë
poezi, ndjehemi se ndodhemi në një mjedis ku edhe zemra jonë çel si burbuqet e
luleve. Janë fëmijët e vegjël që krijonë pranverën në çdo vatër familjare. Janë
fëmijët si gonxhet e trëndafileve që mbushin duart tona sa herë i marrim dhe i
përkëdhelim. Cicërojnë fëmijët si zogjtë ndër kopshte e korije. Gëzon cdo vatër
familjare ashtu si dhe natyra ku sapo ka trokitur pranvera:
” Kur vjen Prilli,
vjen pranvera,
na qesh zemra
si nga hera.
Një nga një
vijnë me radhë,
zogjtë e bukur
shtegëtarë”.
Poeti Niko Tyto e njeh mirë botën shpirtërore të fëmijëve. Gjithë
jetën e tij ka punuar si mësues dhe kjo i ka dhënë mundësinë jo vetëm të njohë
mirë kërkesat dhe dëshirat e tyre, por edhe ta dojë dhe dashurojë atë me gjithë
zemër. Ndaj mund të themi se poezia e Niko Tytos para se të dilte nga pena, ka
dalë më parë nga shpirti i tij. Fëmijët i duan ata që ranë për atdheun,
për lirinë dhe pavarësinë e tij. Nëpërmjes penës së autorit vjen e gjallë
figura e Çerçiz Topullit, Fanjo Çiçakut dhe të tjera figura që autori i ka
përshkruar me dashurinë e penës dhe të zemrës së tij, duke i përcjellë qartë e
bukur për lexuesit e vegjël. Bukuria e vargut qëndron tek thjeshtësia e tij, pa
zbukurime artificiale. Poezia e tij përcjell mesazhe të fuqishme që e bëjnë
botën fëminore më të pasur e më të bukur. Bukuria e natyrës ndërthuret me botën
shpirtërore. E mira i kundërvihet së keqes. Njeriu punëtor e duarartë i
kundërvihet dembelit. Fëmijët janë në hapat e parë të jetës së tyre dhe jeta u
ofron modele që ata duhet t`i zgjedhin. Poezia e Niko Tytos i ndihmon ata që të
mos qëndrojnë pasivë në jetë, por të jenë aktivë, të flasin e të veprojnë. Ata
duhet të ecin të sigurtë në jetën e tyre.
Poezia “ Nipi dhe mbesat”, na
jep lidhjen e pazgjidhme midis brezave, ku njëri brez i përcjell
tjetrit jo vetëm njohuritë për botën që na rrethon, por edhe dashurinë për
njëri-tjetrin, dashurinë për të afërmit dhe familjen, për shokët dhe shoqet e
shkollës, për mësuesit, për të gjithë ata njerëz të mirë që na rrethojnë dhe që
e gjithë kjo masë njerëzish përbën atë që ne e quajmë shoqëri. Kjo është
shoqëria njerëzore për të cilën interesohet çdo individ.
Kontributi i gjithësecilit e bën shoqërinë që të ndihet e sigurtë në
rrjedhat e historisë. Njerëzit që investohen negativisht në shoqëri, shpejt a
vonë përfundojnë si pjesa e pavlerë e saj. Ndaj çdo familje mundohet që të
krijojë, brenda anëtarëve që e krijojnë atë, vlera njerëzore; vlera që do ta
mbajnë gjallë vazhdimësinë e saj.
Njërën nga këto familje, që bën të gjitha përpjekjet për të
trashëguar vlerat e familjes së vet dhe të shoqërisë, na sjell dhe poeti në
poeznë “ Nipi dhe mbesat”.
Me vargje të ngrohta, që shprehin dashurinë njerëzore, autori qysh
në vargjet e parë na jep këtë atmosferë që më pas do të rrjedhë natyrshëm midis
tyre:
“Si lum gjyshi
Për dy mbesa
I ka zemra,
i ka shpresa”.
Në çdo hap të tyre ndihet prania e gjyshit, kur shkojnë në kopësht
apo në shkollë, por edhe pasditeve kur ato mësojnë apo ndihmojnë nënën e tyre.
Gjyshi i ka në përkujdesje edhe kur ata luajnë të tre së
bashku.
Poezia “ Si Tedi” na jep portretin e një fëmije shembullor, që nuk e
kalon kohën kot, por përgatit rregullisht mësimet, ndihmon nënën dhe
është i pari në shkollë dhe i dashur me shokët.
I kundërti i personazhit të Tedit, na jepet Agroni
tek poezia “ Pse”.
Kjo kundërvënie e karaktereve të ndryshme të Tedit gojëëmbël
dhe i Agronit që është me shokët grinjar, na jep atmosferën që
ekziston në mjedisin e fëmijëve dhe njëkohësisht shembullin e mirë prej të
cilit duhet të udhëhiqemi në jetë.
Një shembull pozitiv mund të gjendet edhe te bleta, të cilën
autori e ka dhënë bukur artistikisht, si pjesë përbërse e botës fëminore:
“ Bletë e bukur,
Bletë punëtore,
Je për mua shembullore”.
Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e poetit Niko Tyto zënë
dhe gjëagjëzat. Nëpërmjet tyre, na sjellë një copëz nga qielli i kaltër
pranveror a i mbushur me tufa resh që na kujtojnë vjeshtën dhe dimrin, ku
veprojnë personazhet dhe që lexuesi i vogël mundohet të gjejë
nëpërmjet gjëegjëzave se për cilën dukuri atmosferike a mjedis shoqëror bëhet
fjalë. Ato janë të thurura bukur, stinët e vitit alternohen
natyrshëm me njëra-tjetrën, shpendët si shqiponja e thëllëza ia lenë
vendin dallëndyshes dhe harabelit; dhelpra dhe lepurushi ndajnë të
njënjtin mjedis me ariun dhe çakallin. Aty janë të pranishëm sorkadhja, kali,
qeni dhe ujku. Në krijimet e Niko Tytos është e pranishme bota që na rrethon me
të gjithë larminë dhe bukurinë e saj dhe që lexuesi e sheh atë në lëvizje dhe
ripërtëritje të vazhdueshme.
Pasi e lexon këtë vëllim poetik do të shikosh se autori i ka
ndërthurur mjeshtërisht raportet ku fenomenet shoqërore përplasen midis tyre:
njeriu punëtor përballë përtacit, e mira përballë së keqes, virtyti përballë
vesit, e bukura përballë së shëmtuarës, e vërteta përballë gënjeshtrës dhe
mashtrimit, liria përballë robërisë, besa përballë pabesisë, guximi përballë
frikës dhe ngurimit. Të gjitha këto fenomene janë pjesë e shoqërisë. Dhe fëmija
duhet të mësohet që t`i shohë dhe t`i njohë këto fenomene, sepse ato nuk janë
të panjohura për të. Me ato ndeshet çdo ditë, në shoqëri dhe familje. Duhet t`i
njohë e të mbajë qëndrim.
Poeti ka ditur, që nëpërmjet penës së tij të artë, të na japë një
vepër artistike e cila na dhuron e na fal kënaqësi estetike. E bukura në
mjediset shkollore është ndërthurur me bukurinë shpirtërore të fëmijëve dhe me
çiltërsinë e tyre. Ky realitet që krijon muza e poetit i drejton fëmijët drejt
dijes e virtytit. I drejton drejt bukurisë dhe madhështisë, drejt ëndrrës dhe
realitetit për të cilin breza të tërë kanë dhënë kontributin e tyre me të
gjitha format e mundshme që të ofron jeta njerëzore.
Nga krijimtaria e tij për
fëmijë ka të botuar këta libra:
1- O ti yll 1975.
2- Jam krenar 1976.
3- Në fshatin e lumtur 1976.
4- Rritem unë e rritesh ti 1989.
5- Dashuria ime 1998.
6- Të lutem gjyshe dhe një 2000.
7- Tregon gjyshja 2001.
8- Eh,sikur të kisha! 2006.
9- Gazmore, kuriozitete, a e dini se? 2007.
10- Shih moj mami sa u rrita! 2008.
11- 103 gjëegjëza 2009.
12 – Gjëegjëza dhe përralla në vargje 2010.
13- Nipi, mbesat dhe gjyshi 2011.
14- Një tufë gjëegjëza 2011.
15- 222 Pyetje për Gjyshin.2012.
16- Kush e gjen ? 2014
17- Vjersha të zgjedhura për fëmijë 2014 .
Përkushtim
i i tretë ka qenë ndaj pasurisë folklorike.Trevat e krahinës së
Dëshnicës dhe Malëshovës, banorët e së cilës kanë rritur në numër qytetin
e Këlcyrës, janë një pasuri e paçmuar folklorike. Kjo pasuri,
shfaqet si gur margaritari në të gjithë rrethin e Përmetit. Nikos do t` i
lindëte pasionin për ta mbledhur atë. Folkloristi i ri,
në gjurmim të kësaj pasurie popullore, do të mbetej i mahnitur në
mozaikun e këngëve dhe valleve përmetare. Nëpër vargjet e këngëve do të
gjente figura historike të njohura, por edhe të panjohura, që njerëzit i
kishin përcjellë brez pas brezi, në rrjedhë të shekujve. Ato këngë
të çonin larg në kohë dhe hapësirë. Ato shpërthenin si buqeta lulesh në
dasma dhe në festa. U këndohej fëmijëve mbi djep. Po kjo botë shpirtërore ishte
e pasur edhe me fjalë të urta, me gjëegjëza apo shprehje të ndryshme që
shprehnin filozofinë e popullit mbi dukuri të ndryshme të jetës. Ndaj iu
përvesh punës si mbledhës i folklorit.
Niko Tyto ka qenë i aktivizuar në festivale folklorike
që organizoheshin qoftë në bazë shkolle apo Zone, qoftë në bazë Rrethi
apo Kombëtare. Si anëtar komisioni i disa festivaleve folklorike të
Gjirokastrës apo “Përmeti multikulturor” ai ka dhënë ndihmesën jo vetëm
në zbulimin e vlerave folklorike, por edhe në interpertimin dhe botimin e
këtyre vlerave. Duke qenë mbi 40 vjet bashkëpunëtor i jashtëm i
Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë, në vitet 1987, 1989 ka qenë anëtar
i ekspeditës folklorike si në Dëshnicë, Shqeri dhe Dangëlli, të organizuara nga
ky Institut.
Në botimet e këtij Instituti, si në vëllimet e IV, VI, etj.
me emrin e Nikos do të gjejmë me dhjetra e qindra këngë përmetare.
Me interes janë dhe grumbullimi, studimi dhe botimi i
këngës bektashiane përmetare, po nga ky autor, në revistën “Urtësia” me
titullin “Këngët bektashiane si bashkudhëtare”. Shumë shkrime
folklorike i kemi lexuar në gazetën “ Dëshnica” si: “Ëmbëlsia e
këngës dëshnicare”, “Kënga popullore e nizamit në Dëshnicë” etj., ndërsa në
shtypin periodik janë botuar shkrime folklorike si: ” Figura e
Abdyl Frashërit në këngën popullore”, “Shkolla dhe mësuesi përmetar në gojën e
popullit”, ”Flamuri në vargjet e këngës përmetare”, etj. Këto shkrime
folklorike tërhoqën vëmëndjen e lexuesit dhe kanë marrë vlerësime
pozitive.
Për shumë vite në Përmet, Niko Tyto ka drejtuar shoqatën e
folklorit, ku ka organizuar dhe drejtuar sesione shkencore folklorike
edhe në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Popullore si dhe botime
që tani janë të njohura. Disa nga këto sesione si:
“Dëshmorët janë krenaria e rrethit” janë të rregjistruara nga arshiva e Institutit
të Kulturës Popullore.
Për punën e tij si folklorist, Niko Tyto, me dekret të
Kuvendit Popullor nr.5892 viti 1979 ka marrë Urdhërin “Naim Frashëri” kl.III-të
me motivacionin “Për grumbullimin e krijimtarisë gojore popullore dhe përhapjen
e saj në masë” .
Me interes kanë qenë emisionet në “Radio-Tirana” në muajin maj
2008, për vlerat kulturore e folklorike përmetare (katër emisione)
Në fushën e folklorit ka botuar këta libra:
1- Gëzon zemra përmetare 1971.
2- Fjala e mësuesit përmetar 1980.
3- Lule për Atdhe 1987.
4- Këngë popullore nga krahina e Malëshovës 2001.
5- Anekdota 249 në vitin 2005.
6- Këngë popullore të rrethit të Përmetit 2006.
7- Fjalë të urta 6150, në vitin 2008.
8- Fjalë të urta 2009.
9- 336 anekdota 2010.
10- 3333 Fjalë të mençura. 2012.
11- Hajde të qeshim-Anekdota. 2013.
12 Urime, mallkime, fjalë të mençura 2015.
Në të gjitha këto vëllime bie në sy puna këmbëngulëse për të
pasqyruar këtë pasuri popullore në mënyrë shkencore. Në botimin
“Këngë popullore nga krahina e Malëshovës” lënda është e ndarë në kapituj
sipas tematikës. Ajo është specifikuar se në ç`rrethana këndohet kjo
këngë, kush e ka kënduar atë, si dhe plot shënime të tjera që e bëjnë të qartë
për brezat e sotëm dhe ata që vijnë.
Mbi këto kritere shkencore është ndërtuar edhe libri
tjetër “Këngë popullore të rrethit të Përmetit“ 2006, ku Niko Tyto
është bashkautor me një tjetër studiues përmetar, Prof. Agron Xhagolli. Vlen
të përmendet libri “Fjalë të urta 6150”, ku siç thuhet dhe në
titull përmban 6150 fjalë të urta. Autor i punoi me kujdes duke na dhënë një
vepër dinjitoze që qëndron përkrah veprave më të mira të këtij lloji.
Fjalët e urta janë grupuar në 69 kapituj, e cila e bën mjaft të lehtë
studimin e këtij libri dhe të përdorueshëm për të gjithë njerëzit.
Po autori nuk pati të ndalur në punën e tij . Punoi me
kujdes çdo ditë për t`i sjellë këto thesare tek lexuesi. Po të
vërejmë me kujdes të gjithë materialin voluminoz të botuar dhe të pabotuar mund
të themi pa frikë se vepra e Niko Tytos përbën materialin
bazë për një Enciklopedi të rrethit të Përmetit.
****
Përkushtim i i katërt është ndaj punës si publicist.
Puna e Niko Tytos është e njohur ndër vite edhe në fushën e
gazetarisë. Qysh nxënës, në Pedagogjike apo student në Universitet e
sidomos si mësues, ai ka shkruar artikuj me tematikë të larmishme dhe,
pothuaj të botuar në të gjitha organet e shtypit si: “Zëri i
Popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” ,
“Shekulli”, “Republika”, Albania”, “Dita”etj.
Po ashtu ka botuar në organet e shtypit lokal si: ”Prometheu i
Përmetit”, “Qyteti i Jugut”, “Fjala
sot”, “Java”, “Tepelena jonë”, “Zagoria”,
”Përmeti”, “Dëshnica” etj. Ka vlera shkrimi “Sefulla
Malëshova patriot e poet autentik” në gazetën “Rilindja”, tetor 1994,
botim i Kosovës.
Disa shkrime të tjera janë: “Këlcyra në këngët e
L.A.N.Çl.”, botuar tek “Bashkimi” apo “Përse na tërheq vëmendjen
çeta partizane “Koto Hoxhi”, botuar tek “Zër i i Popullit” 2008.
Po aq tërheqëse janë dhe intervistat, dhënë në këto gazeta, kushtuar
personaliteteve shoqërore të cilat kanë hapur debate konstruktive.
Theksojme se Nikoja ka qenë korrespodent i gazetës “Zëri i
Rinisë” i rrethit të Përmetit në vitet
60-të, ndërsa në vitet 90-të tek gazetat “Llajko Dhima” dhe “Fjala sot” që dilnin
në Gjirokastër dhe Tepelenë.
Drejtoi gazetën "Malëshova" që nga themelimi i saj. Në
shkrimet e tij të filluara nga informacioni dhe intervistat, nga portreti dhe
reportazhi, deri tek artikujt recesionerë dhe problemorë, u shqua për një
stil të zhdërvjellët, me një gjuhë të pastër e të pasur emocionalisht, që
tërhoqi vazhdimisht vëmendjen e lexuesit.
****
Përkushtim i i pestë ka
qenë puna studimore shkencore.
Kjo punë e lodhëshme dhe e dobishme ka qenë pasion i
përhershëm i Nikos, sepse ai me laps në dorë, në çdo bisedë apo
diskutim, në cdo takim me prindër të nxënësve apo kur lexonte literaturë, do të
mbante shënime e do të bënte nënvizime. Janë me interes studimet ”Bektash
Shkëmbi mësues këlcyriot”, përpjekje e këlcyriotëve për të fituar dituri në
vitet 30-të si dhe “Të njohim patriotët e Zonës së Këlcyrës” etj.
Po kaq interes ka dhe puna studimore: “Fjala sevda në
erotikën përmetare” që shpreh përdorimin e kësaj fjale në funksion emocional në
92 këngë erotike.
Vlera studimore kanë dhe shkrimet e botuara në shtypin periodik,
për poetin e talentuar Lliko Nano apo për legjendën përmetare të muzikës, Laver
Bariu. Shume recesione si: “Një
antologji dinjitoze”, “Prehër i i
nënës”, “Llukan Qorri njeri dhe poet”, u mirëpritën për vlerat e tyre. Vëmendje tërhoqi në rrethet intelektuale puna studimore dhe
interpretim i i figurës poliedrike, të kalorësit të demokracisë,
përfaqësuesit të denjë të socialdemokracisë shqiptare, poetit dhe shqipëruesit
të nderuar, Sefulla Malëshova.
Ky studim u shqua jo vetëm për grumbullimin dhe sistemimin e
materialit gojor, të grumbulluar nga 107 veta, në kohë e vende të ndryshme, por
edhe nga përzgjedhja, renditja e sidomos nga interpretimi, duke iu larguar
ngjyrimeve politike, pavarësisht se diktatura emërkeqe hodhi baltë dhe
veprën e këtij martiri të demokracisë e krasiti me dorë të trashë.
Nxjerrja e vlerave intelektuale si njeri politik, mendimtar i
shquar, poet e shqipërues i talentuar, polyglot i rrallë,
njohës i 14 gjuhëve, u realizuan nëpër konferenca e sesione
shkencore që u organizuan në Këlcyrë, Përmet e Tiranë, si dhe në disa
artikuj në shtypin e përditshëm, derisa u kurorëzuan me botimin e librit “Për
Sefulla Malëshovën” 2003 dhe "Profesor Sejfulla Malëshova". 2012
Botoi këta libra studimorë:
1- 50-vjetor i i shkollës 7-vjeçare
Mbrezhan 1999.
2- Për Sefulla Malëshovën 2003.
3- Nder për Malëshovën 2004.
4- Vendlimja ime, Përmeti. 2009.
5- Sevdaja 2011
6- Profesor Sejfulla Malëshova. 2012.
7- Mozaik përmetar. 2013.
Pena e tij heshti. Është një humbje e madhe për miqtë e tij shkrimtarë dhe artististë, për studiuesit dhe folkloristët. Po vepra e tij do të na frymëzojë ne dhe brezat që vijnë për arritje të reja në këto fusha.