| E diele, 20.12.2015, 03:08 PM |
Reagim:
Vallja popullore kombëtare shqiptare “Shota” – nuk ka lidhje absolute me heroinën kombëtare shqiptare Shote Galicën
Shkruan: Demir Krasniqi
Këto ditë , na ka rënë rasti që të lexojmë nëpër portale elektronike dhe mjete të informimit publik një temë tepër banale, denigruese , dezinformuese dhe shumë nënçmuese ndaj kulturës tradicionale dhe vlerave kombëtare shqiptare, temë kjo që është gatuar nëpër kuzhinat shoviniste serbe të Beogradit dhe mbanë titullin:
“Serbët duan që të mos këndohet më kënga e Shote Galicës”
Para se të japim komentin dhe reagimin tonë, për hir të realitetit, objektivitetit dhe respektit tonë ndaj lexuesve , po ju sjellim në origjinal tekstin e publikuar të kësaj teme nëpër portalet dhe mjetet e informimit publik:
“Urrejtja e serbëve ndaj shqiptarëve dihet, por prapë ata gjejnë mënyra e mënyra për të na shokuar me deklaratat e tyre të pavërteta dhe tendencioze. Ndoshta shumica nuk e kanë ditur, por qysh herët ekziston në gjuhën serbe kënga :”Shote, mori Shote”, e krijuar enkas për Shote Galicën .
Dhe tani serbët kërkojnë që kjo këngë të mos këndohet më kurrë, pasi heroinën kosovare, e akuzojnë për kryerje të një “krimi monstruoz”.
Edhe pse kënga popullore:”Shote mori Shote”, është mjaftë gazmore, serbët tani thonë se, ajo është krijuar për shkak të një ngjarje të tmerrshme, në të cilën janë djegur të gjallë në zjarr gjashtë fëmijë të një bariu serb.
Në të vërtetë, sipas serbëve , kjo këngë është krijuar për Shote Galicën, gruan e kryengritësit dhe luftëtarit të njohur shqiptar Azem Bejta, e cila thuhet se ka djegur gjashtë çobanët e vegjël, duke kënduar këngën:”Hajde Shote mashalla”.
Dhe tek populli serb është ruajtur në mendje ngjarja sipas të cilës, “Shote Galica kishte kapur 6 fëmijë në bjeshkët e Mokrës, i kishte lidhur, kishte ndezur zjarrin dhe të gjithë i kishte hedhur në të. Dhe kur fëmijët po digjeshin në zjarr, Shota kishte luajtur vallen e saj për rreth zjarrit dhe kishte kënduar këngën:”Shote, mori Shote, Shote mashalla, qysh moti dua Shote, që të vallëzoj ty”!- shkruan më tej “zëri.info”.
Sipas serbëve, në vendin ku ka ndodhur ky “krim”, ishte ngritur një përmendore, e cila kishte qëndruar deri në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe pastaj autoritet komuniste e kishin rrënuar, për të ruajtur vëllazërim – bashkimin !
Në YOUTUBE mund të shikoni videon , ku mund ta dëgjoni këngën në gjuhën serbe:”Shote mori Shote”, të kënduar nga këngëtari serb Nenad Jovanoviç .
Vallen popullore kombëtare “Shota” e kanë kënduar me tekste të ndryshme çoroditëse shumë këngëtarë dhe këngëtare të estradës muzikore serbe , ku disa prej tyre madje kanë pretenduar që këtë valle ta trajtojnë si valle autoktone rome ?!
Unë, si reagues ndaj këtij shkrimi denigrues dhe pa kurrfarë bazash shkencore , kulturore e historike , me përgjegjësi të plotë profesionale dhe morale, pohoj se Vallja popullore kombëtare shqiptare “Shota” , nuk ka asgjë të përbashkët me heroinën kombëtare shqiptare Shote Galicën !
Sa i përket anës muzikore të Valles popullore kombëtare shqiptare “Shota”, unë mund të flas me përgjegjësi të plotë morale e profesionale, por sa i përket vlerave historike të heroinës kombëtare shqiptare Shote Galicës, këtë përgjegjësi e kanë historianët tanë profesionist , e jo unë si muzicient !
Vallja popullore kombëtare shqiptare “Shota” , është po aq e vjetër dhe autoktone, sa është i vjetër vet populli shqiptarë dhe kultura e tij tradicionale .
Vallja popullore kombëtare shqiptare “Shota”, bënë pjesë në grupin e valleve që vallëzohën dhe këndohen me tekst e melodi . Ajo është e sajuar me tekst e melodi nga vet goja e popullit, me tekst lirik dhe melodi gazmore në masën kohore 2/4 .
Karakteri lirik i kësaj valleje është i dedikuar kryesisht për ahengjet dhe motivet dasmore, ku kryesisht luhet nga bota femërore , por edhe në duet femër – mashkull .
Çdo shtet i pavarur në botë i ka simbolet e veta kombëtare si që janë:Flamuri kombëtar, Himni kombëtar , Stema e shtetit dhe Vallja kombëtare !
“Shota” është Vallja kombëtare shqiptare, ashtu siç është Vallja kombëtare ruse:”Kazaçok”, Vallja kombëtare hungareze: “Çardash”, Vallja kombëtare greke:”Buzuki”, Vallja kombëtare turke :”Çyçek”, Vallja kombëtare maqedone :”Tanec”, etj. etj.
Vallen popullore kombëtare shqiptare :”Hajde Shote , mashallah” me tekst autokton dhe melodi tradicionale , ndër këngëtarët e parë popullor shqiptar nga Kosova , e kam incizua vetë unë Demir Krasniqi, në disqe gramafoni në PGP – RTB , në Beograd më 1976, disk ky që në atë kohë ka arritur rekord të shitjes në mbarë botën dhe ka marrë titullin :”E argjendtë”.
Në vazhdim të këtij reagimi, po ju sjellim edhe tekstin integral burimor të Valles popullore kombëtare shqiptare ”Shota”:
Hajde Shote mashallah
Hajde Shote, mashallah –
Fluturo me ata krah !
Lujë Shote, lujë –
Ditën ta pagujë !
Hajde Shote, nëpër jaz –
I ke kthye flokët tallaz !
I ke kthy’, i ke dredhu’ –
Kryet tan e ke hijeshu’ !
Hajde Shote, nëpër ara –
Dimi t’ kuqe, lula t’ bardha !
Hajde Shote, nëpër therra –
Dimi t’ kuqe, lula t’ verdha !...
Hajde Shote, kah xhamia –
Fërr , fërr, fërr, po t’ ban shamia !
Hajde Shote, kah mejtepi –
Fërr, fërr, fërr, po t’ banë jeleki !
Hajde Shote, kah duçani –
Fërr, fërr, fërr, po t’ banë fustani !
Lujma Shotë, bistekin – o,
Ta fali qystekin – o !
Lujma Shote, dorën – o,
Ma hijeshove horën – o !
Lujma Shote, gishtin – o,
Se ma kënaqe shpirtin – o !
Lujma Shote, shtatin – o ,
Se ma shton marakin – o !
Lujma Shotë, mjedisin – o,
Mos ma korit fisin – o !
Lujma Shote, shpinën – o,
Ma hijeshove shpijen – o !
Lujma Shote, kamën –o,
Se ma gëzove nanën – o !
E kam begenisë, oj nanë,
Çikën e kojshisë !
Jo, nanës, jo,
Se e kena n’ fis !
As s’e kena n’ fis, oj nanë ,
As s’e kena n’ farë !
Besën ja kam dhanë, moj nanë,
Kurrë s’e la pa e marrë !
Gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri , një grup këngëtarësh enveristë e patën këndua një këngë kushtuar Shote Azem Galicës , të cilës tekstin ia kishin adaptuar në bazë të melodisë autoktone burimore .
Në vazhdim , po ua sjellim edhe tekstin integral të kësaj kënge të adaptuar, por që autorët e këtij teksti nuk më janë të njohur :
Shota e Azemit
Hajde Shote, mashalla –
Me Azemin, krah për krah !
Shota e Azemit –
Mbesa e Skënderit !
E veshun si burrë –
Nuk u trembe kurrë !
Rrugën që ti ndoqe –
Oh, frymëzoi shokë e shoqe !
Shota nëpër male –
Shqiponjë kosovare !
Shota n’ borë e n’ shi –
Luftoi për Shqipni !
Shotë, moj heroinë,
Nderove Shqipninë !
Ty, dikush te vorri –
Oh, nja dy fjalë ti foli !
Buqetën me lulë –
Ta dhuroi nji burrë !
Ish dora e Enverit –
Ish nipi i Skënderit !
Sot në histori –
Emni yt ka hi !
Të nderon partia ,
Oh, s’ të harron Shqipnija !
Gjilan, më 10.12.2015. Demir Krasniqi