Mendime
Hoxha: A duhet rritur akciza e birrës dhe e verës?
E shtune, 19.12.2015, 03:22 PM
A duhet rritur me doemos akciza e birrës dhe e verës?
Nga Gëzim Hoxha
A janë shqiptarët pijanec? Unë them se jo, pasi këtë e tregon edhe sasia e pijeve akolike të prodhuar në vend. Ky fakt lidhet dhe me traditën e konsumit të alkolit tek ne.
Lidhur me verën thuhet se tradita fillestare ka humbur me shekujt e shkuar, kur Shqipëria mbeti nën pushtimin turk. Nga artikullshkues të ndryshëm është thënë se një traditë e pakët e mbetur në Shqipëri ka qenë prej kryqtarëve në shekujt e shkuar, që kanë kaluar në Shqipëri. Ata në rrugën drejt Jeruzalemit e kanë përcjellë këtë traditë tek vendasit dhe kanë përmirësuar traditën vendase.
Ndërsa për birrën nuk ka të dhëna të sakta rreth historikut të konsumit të saj në shqipëri. Ajo që mësojmë nga faqja enciklopedike Wikipedia është fakti se nuk dihet me saktësi se kur u zbulua birra. Por provat më të lashta për ekzistencën e birrës tregojnë se Sumerët e zbuluan rastësisht procesin e fermentimit, rreth 6 000 vjet më parë, ndoshta nga një copë bukë që u lag dhe u harrua. Pas pak kohe ajo fillojë të fermentohet me ndihmën e disa baktereve të ajrit, u kthye në një masë alkoolike.
Edhe babilonasit e mësuan artin e prodhimit të birrës, duke arritur të krijojnë rreth 20 lloje të ndryshme të saj. Tetë lloje prodhoheshin nga drithi emmer, tetë lloje nga elbi dhe katër të tjera nga përzierja e drithërave të ndryshme. Birra e babilonasve ishte shumë e turbullt dhe e rëndë, megjithatë ata e eksportonin me mjaft sukses deri në Egjipt, i cili ndodhej rreth 1 000 km larg.
Mësohet se prodhimi i birrës, që në shekujt e parë pas lindjes së Krishtit e deri në periudhën e mesjetës mbeti një punë që kryhej vetëm nga femrat. Gjithçka duket se ndryshoi aty nga fundi i mijëvjeçarit të parë. Në atë kohë, prodhimi i saj filloi të bëhej edhe në manastire, prej murgjëve. Prodhimi i saj sa vinte e shtohej dhe mori përmasa të mëdha. Prodhues të tjerë, jashtë manastireve, e morën sekretin dhe filluan t’a përmirësojnë atë. Ata filluan të përdornin mjaft erëza dhe barëra aromatike, për të rritur cilësinë e birrës. Secila punishte birre e asaj kohe kishte recetën e vet sekrete, të cilën e ruante mjaft mirë nga rivalët.
Kjo degë e industrisë ushqimore mori hov fill pas luftës së dytë botërore ku filluan të happen dhe kantinat e para të verës. Kantina e Leskovikut ishte e para qe u krijua ne vitin 1952, pastaj vijoi me atë të Tiranës, Shkodrës, Librazhdit, Milotit etj. Në ditët e sotme, sasi të mëdha të verës prodhohen nga pak kantina, që kanë pasur traditë dhe e kanë shfrytëzuar arsenalin dhe teknologjinë e së shkuarës, si është Kantina e verërave "Skënderbeu" në Durrës, Kantina "Rilindja" në Korçë, Kantina "Luani" në Berat, Kantina e Librazhdit, kantina e Gjirokastrës dhe disa më të vogla. Prodhuesit e verërave, aktualisht numërohen të jenë gati rreth 30 fabrika ose kantina dhe 44 punishte.
Për birrën vendase mund të themi se sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë numërohen si të regjistruara 17 kompani prodhuese në vitin 2014. Ndër kompanitë e para shqiptare prodhuese të saj mund të përmendim birrën Korça që prej vitit 1928 dhe atë të Pejës nga viti 1971.
Të dyja këto nëndegë të industrisë kanë të punësuar me qindra veta që sjellin të ardhura për shumë familje dhe rritja e akcizës për këto pije do të ishte një goditje e rëndë për këtë treg.
Unë e kuptoj se qeveria gjendet nën presion si rezultat i marrëveshjeve me Bashkimin Europian për prodhimet vendase dhe heqjen e taksimit me pragje. Po rritja e akcizës me rreth 11 % do ti faturohej konsumatorit, ose e thënë më shqip kjo do të çonte në rritje të çmimit e cila përkthehet automatikisht në ulje të kosumit dhe të fitimeve.
A duhet me doemos të rritet akciza e birrës dhe e verës? A duhet ta mbrojmë prodhimin vendas? Unë I di përgjigjet e këtyre pyetjeve, por nuk dua të bie pre e të qënit proteksionist, pasi e di se nga proteksionizmi nuk të vjen asgjë e mirë. Shembullin më të mirë e dha Rusia, e cila bojkotoi konsumin e produkteve ushqimore me origjinë evropiane.
E megjithatë unë jam i mendimit se rritja e akcizave mund të çonte në falimentimin e disa kantinave apo fabrikave të birrës. Në një kohë që prodhuesit e rinj përballen me një sërë problemesh nga mungesa e investimeve për përmirësimin e teknologjisë e rrjedhimisht të cilësisë së tij, marketingut, të një tregu jo tërësisht formal dhe të një konkurrence të pandershme, nivelit të kreditimit të ulët si pasojë e një poltike konservative të ndjekur nga bankat e nivelit të dytë, rritja e akcizës do t’i shtonte hallet e tyre.
Falimentimi mund të ndodhi gradualisht. Dhe sipas skenarit më të keq si fillim do të ketë tkurrje të numrit të punësuarve si një munndësi për uljen e kostove të prodhimit në përpjekje për të mos rritur çmimet, më pas zvogëlim të prodhimit e cila mund të shkojë deri në falimentimin e prodhuesve të vegjël si fillim e ndoshta ku i dihet se si mund të vazhdojë kjo punë.