E merkure, 13.11.2024, 06:05 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Ilir Demalia - "Guri i fundit i Dominosë"

E hene, 14.12.2015, 08:28 PM


ILIR DEMALIA: “GURI I FUNDIT I DOMINOSË”

Nga Frank Shkreli

Gjatë ditëve të fundit në fillim të dhjetorit në Shqipëri u shënua 25 vjetori i lëvizjes që çoi në shëmbjen e regjimit të diktaturës komuniste shqiptare.  Ky përvjetor u kujtua, ndër të tjera, me simpoziume, artikuj, kumtesa, botime dhe intervista nga pjesëmarrsit e atyre ngjarjeve historike si dhe prej ekspertëve të ndryshëm nga mbrenda dhe jashtë Shqipërisë. Të gjithë ata, me analizat dhe kumtesat që paraqitën, dhanë  kontributin e vet për të shpjeguar  nga pikëpamja e tyre, lëvizjen studentore të 25 viteve më parë, si një ngjarje të rëndësishëme në historinë e kohëve të fundit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.   Njëri prej pjesëmarrësve kryesor në protestat studentore anti-regjimit komunist të Shqipërisë është Ilir Demalia, i cili një çerek shekulli më parë ishte njëri prej të strehuarve në ambasadën gjermane në Tiranë me më shumë se tremijë të tjerë të rinjë shqiptarë.  Ilir Demalia, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç duket nuk u ftua në asnjë prej organizimeve zyrtare  të Tiranës në përkujtim të  këtij përvjetori, por megjithkëtë ai prapseprap e gjeti mënyrën për të paraqitur ndodhitë, dëshmitë dhe refleksionet e tija si protagonist kryesor dhe si pjesëmarrës aktiv në ato ngjarje të 25 viteve më parë. Ai e dha kontributin tij çmueshëm duke kujtuar ngjarjet dhe lëvizjen studentore të gjysmës së pare të vitit 1990.  Për të shënuar këtë përvjetor, ai ka botuar librin me titull, "Guri i fundit i Dominosë" -- Shqipëria si vendi i fundit komunist në Europë për të bërë ndryshime pas shembjes së Murit të Berlinit -- është një përmbledhje dëshmishë historike nga pikëpamja e Ilir Demalisë, një protagonisti dhe pjesëmarrësi kryesor në të ashtuquajturin "episod i ambasadave".

Fatkeqsisht, shumë prej protagonistëve të tjerë kryesorë të  atyre ngjarjeve të vitit 1990, si dhe mijëra të rinjë që trimërisht hynë në ambasadat e huaja në atë kohë nuk jetojnë më në Shqipëri, por ashtu si edhe autori i librit,"Guri i fundit i Dominosë",  kanë marrë rrugën e gurbetit duke u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vendet e Bashkimit Europian.  Janë këta pjesëmarrës, këta "rebelë'', ata të cilët, "me aktin e tyre diskredituan dhe gjunjëzuan regjimin e fundit Stalinist në Europë”, shkruan autori.  Janë këta pjesëmarrës në ato ngjarje, thekson Demalia, ata të cilët me të drejtë do të mbeten në kujtesën historike në lidhje me ato ndodhi të 25 viteve më pare.  Janë pikërisht këta, së bashku me personelin diplmatik të ambasadës gjermane që bënë aq shumë për të përballuar një situatë tepër të rrezikshme, të cilëve autori ua kushton me mirënjohje këtë vepër.

Në kuadër të 25-vjetorit të lëvizjes demokratike e cila konsiderohet si lëvizja që kontriboi në rrëximin eventual të regjimit stalinisto-komunist të Shqipërisë -- të shembjes së "Murit të Berlinit",mu në mes të Tiranës, thotë autori. Një lëvizje kjo që mund të thuhet se çoi në një sistem pluralizmi me shumë parti politike, -- por jo në një demokraci të mirfilltë, një system politik që në të vërtetë atëherë dhe sot, është dominuar dhe dominohet nga dy forcat kryesore politike, Partia Socialiste, pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Partia Demokratike.  Me këtë përmbledhje dëshmishë, Ilir Demalia jep kontributin e tij të çmueshëm për të zbardhur sadopak të vërtetën mbi ato ngjarje e lëvizje, në të cilat ai vet mori pjesë, ndërsa u dallua si pjesëmarrës guximtar, “një zë intelektual disi i vetmuar në mes atyre që i desha”, do të shprehej ish-ambasadori gjerman i asaj kohe në Tiranë, Werner Daum, për Demalinë.

Ilir Demalia ka përmbledhur kujtimet e tija të asaj periudhe në librin "Guri i fundit i Dominosë",  sidomos kujtimet e tija mbi ato që tani kanë hyrë në histori si  "ngjarje të ambasadave'', kur mijëra shqiptarëve u kishte ikur frika dhe vendosën të hynin me forcë për të kërkuar strehim në ambasadat e asaj kohe në kryeqytetin shqiptar, sidomos në ambasadën e Gjermanisë.  Ai shkruan se u detyrua të botonte librin në lidhje me këtë lëvizje, sepse siç thekson ai, "Kjo ngjarje është trajtuar në mënyrë të njëanshme, si nga armata e njerëzve të regjimit që sot janë pjesë e të majtës qeverisëse", por gjithashtu shton ai, edhe për arsye  të "neglizhencës të ashtuquajturave forca demokratike, gjë që u pa qartësisht në këtë 25-vjetor," nenvijon autori.

Që në fillim, Demalia i premton lexuesit se në këtë liber ai do të gjejë një analizë të një dëshmie historike të ngjarjeve të 1990-së, "me ftohtësinë e distancës kohore."  Në këtë libër kujtimor, autori e bën analizën dhe shënon kujtimet e tija  duke derdhë përvojën e vet dhe të shokëve tij gjatë asaj kohe në Tiranë dhe si protagonisti kryesor i atyre ngjarjeve, do të thosha Demalia e shfaqë këtë jo thejshtë me shënime, por edhe me qëllime morale depërtuese dhe qëndrime të theksuara politike.   Periudha për të cilën shkruan ai, ishte një periudhë e mjerueshme dhe plot turbullira për popullin shqiptar. Autori Demalia shkruan për një numër të larmishëm ngjarjesh duke pasqyruar në këtë vepër, pështjellimin e tyre plot turbullim e fatkeqsi, por edhe me shpresë për një jetë më të mirë, pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri.  Aty, ai shkruan për rreziqe e ndjekje, peripetira diplomatike, madje edhe spiunazhi, flitet për një rini të shëndosh dhe guximtare e cila pakënaqsitë e saj ndaj regjimit të kalbur dhe kriminel gjysëm shekullor komunist, kishte vendosur  t’i shprehte duke “votuar me këmbë”. Kishin vendosur që duke u future nepër ambasada të huaja, të largoheshin një sahat e më pare, nga një sistem në të cilin kishin lindur, ishin rritur e shkolluar madje edhe indoktrinuar. Kishin vendosur, që madje përball rreziqeve të mëdha edhe për jetën të arratiseshin nga një sistem i pa përspektivë dhe zhgënjyes.   Një sistem që jo vetëm mohonte liritë bazë të shtetasve të vet, por i cili nuk i ofronte shqiptarëve plotësimin as të nevojave bazë për një ekzistencë minimale dhe për një jetesë gjysëm normale.

Zoti Demalia me të drejtë shkruan se ngjarjet e dhjetorit sado mbresëlënse dhe serioze që ishin për nga vendosmëria e rinisë guximtare për tu shmangur një herë e mirë nga sistemi komunist që pothuaj kishte dhënë shpirt anë e mbanë Europës lindore -- ato nuk mund të analizohen në një zbrazëti ose në një izolim nga ndryshimet që po ndodhnin anë e mbanë ish-botës komuniste. Ai thotë se ato duhen shikuar "në radhë të parë si një dështim i sistemit komunist", në fushën ideologjike, por çka është më me rëndësi, edhe nga këndvështrimi i dështimit të atij sistemi në fushën politike dhe ekonomike.   "Ngjarjet e korrikut 1990", pohon autori, "çuan në ndryshime që nxorën lakuriq regjimin komunist të Tiranës në arenën ndërkombëtare."  Autori Demalia shkruan se përmbysja e regjimeve komuniste mbrenda një periudhe disa muajshe anë e mbanë Europës Lindore, "tregoi qartë kalbëzimin e sistemit komunist, si një sistem antinjerëzor dhe si rrënim ekonomik moral dhe politik".  Megjithë egërsinë e regjimit komunist të Tiranës, as në Shqipëri nuk mund të ndodhte ndryshe, megjithë pretendimet e Ramiz Alisë së Shqipëria do i mbetej besnike rrugës komuniste të ndjekur deri atëherë, pasi kjo “ishte dëshira e popullit shqiptar”, sipas ish-udhëheqsit komunist dhe se e gjithë kjo përpjekje anti-regjim ishte pjesë e një komploti  ndërkombëtar kundër kështjellës së fundit staliniste në Europë.

Por pa marrë parasyshë se ç'thonte dhe çfarë ëndërronte Ramiz Alia mbi përkrahjen që gjoja gëzonte regjimi i tij komunist, treni i ndryshimeve në Shqipëri e kishte lënë stacionin.  Në lidhje me hyrjen masive të shqiptarëve në ambasadat a huaja 25 vjetë më parë -- si masa fillestare e ndryshimeve -- në librin e tij, autori citon analistin e njohur të çështjeve shqiptare Dr. Elez Biberaj, i cili ka shkruar se përveçse kjo ngjarje zgjoi interesimin e opinionit publik sidomos atij perëndimor mbi ato që po ndodhnin në Shqipëri, episodi i ambasadave, "dëshmonte një mosbesim të thellë ndaj qeverisë dhe ishte një shenjë dramatike e hendekut të thellë që ndante nomenklaturën komuniste nga masat. Ai ishte jo vetëm një goditje e rëndë për Partinë e Punës nga e cila ajo kurrë nuk e mori dot veten, por ishte gjithashtu edhe një dëshmi e qartë se regjimi, megjithë natyrën e tij thellësisht shtypëse, nuk ishte i pamposhtshëm", është shprehur Dr. Elez Biberaj.

Titulli i librit "Guri i Fundit i Dominosë" nënkupton se Shqipëria ishte vendi i fundit komunist në Europë për të bërë ndryshimet që kishin përfshirë Europën lindore. Për këtë Demalia ngarkon me një barrë të rëndë përgjegjësie elitën inteletuale për mbështetjen që u dhanë udhëheqsve të atij regjimi. Autori  i fajëson dhe e dënon rëndë klasën e ashtuquajtur intelektuale duke i cilësuar ata si "intelektualë në shërbim të regjimit", të cilët  me mbështetjen e tyre aktive ose të qetë, ia zgjatën frymëmarrjen regjimit të Ramiz Alisë.   Autori kritikon këtë klasë politike duke thënë se madje edhe sot pas 25 vjetësh, "E ardhmja shtetërore, politike, ekonomike, sociale dhe morale e vendit është e rrezikuar nga oligarkia e krimit që e ka sunduar politikën, median,  ekonominë, shoqërinë me intelektualët, në pjesën më të madhe në shërbim të këtyre oligarkëve -- ashtu si dje me shërbimin ndaj oligarkisë komuniste, na tregon qartë", shkruan Demalia se, "ende udhëhiqemi nga po ajo elitë dhe mendësi që i shërbeu regjimit komunist dhe demokratizimit ramizian në postkomunizmin demokratik."

Në librin e tij,"Guri i Fundit i Dominosë", duke folur për gjëndjen aktuale në Shqipëri, Demalia fajëson “intelektualët”dhe klasën politike, e cila ndonëse 25 vjetë më vonë, gjithnjë vazhdojnë të mjegullojnë ngjarjet e Korrikut të vitit 1990, për qëllime të veta politike të rastit. Ai shkruan se si përfundim i "Fshehjeve të së vërtetës nepërmjet makinerisë së falsifikimit të fshehjes së krimit", komenton mëtej  Demalia, tani "kemi si vazhdimësi një tranzicion me një klasë politike jo vetëm që nuk ka mundur të ngrej një shtet funksional të së drejtës demokratike, por në të kundërt, sot zotërohemi nga një klasë politike injorante, kriminale, kundër interesave kombëtare dhe të qytetarëve të saj”.

Si në dëshpërim përballë situatës së sotëme politike dhe ekonomike në vend -- në 25 vjetorin e një lëvizjeje kur të rinjtë shqiptarë kërkuan lirinë në ambasadat e huaja në Tiranë -- Ilir Demalia bën më në fund pyetjen me ironi dhe cinizëm, se ku po shkon sot Shqipëria!?  Është kjo një pyetje që po e bëjnë shumë veta në këtë përvjetor -- shqiptarë dhe të huaj -- të cilët 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit, dëshirojnë të shohin një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që duhej të zinte vendin që i takon në radhët e kombeve të zhvilluara europiane, me një demokraci dhe zhvillim ekonomik shoqëror të bazuar në vlerat e përbashkëta me vendet perëndimore.  Ku është elita intelektuale shqiptare sot, pyet autori, e cila ndonëse për fat të keq nuk luajti rolin që i takonte dhe që duhej të luante 25 vjetë më parë, të pakën thotë autori, intelektualët të luajnë tani rolin që u takon në shoqërinë shqiptare, për përmirësimin e përgjithëshëm të situatës në të gjitha nivelet politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të vendit, ashtuqë në këtë tranzicion post-komunist 25-vjeçar, Shqipëria të dalë njëherë e mirë nga ky qorrsokak ku e ka mbërthyer trashëgimia enveristo-komuniste. Ashtuqë, të realizohen më në fund edhe aspiratat e lëvizjes së ish-studentëve shqiptarë, përfshirë edhe autorin e librit “Guri i Fundit i Dominosë”, të cilët një çerek shekulli më parë, e donin Shqipërinë si gjithë Europa!

Foto e VOAs - Ilir Demaliaj duke i dhënë intervistë Ilirian Agollit, korrespondetnit të VOAs shqip në Tiranë



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora