Kulturë
Tefik Selimi: Vargje të sinqerta për jetën e dashurinë
E diele, 29.11.2015, 11:57 AM
Një
vepër me vargje të sinqerta për jetën e
dashurinë...
Nga Tefik Selimi
Shpeshherë
lexojmë ndonjë vepër letrare jo vetëm se është e një autori të njohur, i cili
ka bërë emër në jetën letrare, por, shumëherë na tërheq titulli i asaj vepre
për ta lexuar e shijuar atë. Kjo është e vërtetë. Vepra e bukur të lë pa ngrënë
bukë e pa shkuar në punë. Ajo është një “fuqi” e rrallë e artit magjik! Ajo
(vepra) të rrëmben e të shtynë edhe kur nuk e ke vajin në buzë, ta ndjesh
dhembje për të qarë. Arti e ka fuqinë e vet, e cila “fuqi” ti qet të gjitha
“dhembjet” në shesh. Ajo (vepra) hyn thellë në shpirt dhe bëhet vokacion i
mendjes e i zemrës për trazim shpirtëror. Sikur t’mos kishte art të njëmendët
poetik (poezi, prozë...), njerëzit s’di si do ta ndjenin dhembjen. Ku ka
dhimbje, ka varg art poetik e artistik. Por, edhe ku ka dashuri, ka edhe
frymëzim sublimor poetik. Andaj, kur e lexuam veprën e Arta Hysenajt me titull
“Shtigje dashurie”, sikur “gjendja” shpirtërore e njeriut ndryshoi. Pse jo?
Arti i bukur dhe i sinqertë ta “krijon” gjendjen për ndjeshmëri më të thellë.
Këtu është poenta e autores. Art që të trazon nga brenda. Këtë art të ngrohtë e
“gjeta” në veprën “Shtigje dashurie” të autores Arta Hysenaj. Kjo është një
vepër apo tufë vargjesh poetike, të cilat zunë vend brenda shijes sime për art.
Pse jo? Secili lexues, kur i bien të dorë të tilla vepra për dashurinë, ai nuk
e lë pa e lexuar. Kjo vepër e nxit lexuesin që ta shfletojë e ta lexojë me
kurreshtje, për faktin se, aty ka vargje të qiltërta e të “ëmbla” poetike fort
të ngrohta e të sinqerta jete. Duke lexuar vargjet e veprës në fjalë, u bëra
shend e verë. Shtova: Ja çka bën arti?! Bën mrekulli! Thonë, jeta shkruan
romane. Secili njeri ka jetën e tij. Secili mundohet ta përshkruajë atë jetë të
tijën ashtu si e jeton. Pra, jeta, sido që të jetë, është një “jetë” me sfida e
me ngjarje të këndshme. Andaj, ditë më parë, Arta Hysenaj, poete nga
Mallakastra e Shqipërisë, botoi veprën e parë poetike “Shtigje dashurie”
(2015). Është kjo një vepër në vargje, e cila, kryekëput “rrëfen” botën jo
vetëm intime të autores në fjalë, por edhe qiltërsinë e saj ndaj botës që e
rrethon. Pra, vepra “Shtigje dashurie”, është padyshim një vepër e rrallë
poetike, e cila reflekton vargje për jetën, dashurinë, shpirtin, vyrtytet
njerëzore, afron miqësi, por edhe e urren të keqen dhe e afron miqësi për ta shijuar
të bukurën e jetës. Andaj, veprimtaria poetike e kësaj poete meriton vëmendje
të veçantë për dy arsye: e para se, “është e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë dhe
të zgjon emocione të fuqishme, dhe, e dyta: autorja, Arta, kur shkruan, nuk
merr poza, nuk shtiret e as nuk “bezdiset” se ka shkruar. Ajo është e
drejtpërdrejtë, po se kjo ka rrezikun e të sakrifikuarit të nivelit artistik të
poezisë së saj. Ajo shkruan siç dashuron, siç përmallet kur kujton, siç loton
kur vritet në shpirt, siç fisnikërohet kur bashkohet me të mirën, siç bëhet e
fortë kur përballet me etë keqen”, ka shtuar Demir Gjergji në vlerësimin e tij
lidhur me vepren e Arta Hysenaj, poete nga Shqipëria. Me fjalë të tjera, Arta
është një krijuese modeste, e pasionuar pas vargjeve poetike, të cilat ia
zbulojnë shpirtin e saj të ëmbël dhe prekës të jetës ku e shijon. Këto vargje
kumbojnë thekshëm dhe zëshëm, për faktin se, ajo, edhe përball sfidave, qëndron
dhe ngre zërin e urtësisë dhe kërkon ndihmën tek gjethet apo tek nektari i
tyre, që ia ëmbëlson jetën, shpirtin dhe ëndrrën për dashuri jetësore gjer në
adhurimtari. Kjo vepër është një pjesë e jetës së autores, e cila, siç lexohet,
shpreh dhe artikulon vargje të qiltërta, të cilat “rrëfejnë” modestinë e saj prej krijueses. Siç dihet,
Arta Hysenaj është e lindur më 1971 në Greshicë të Mallakastrës, Shqipëri.
Shkollimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme e ka
mbaruar në Ballsh, një qytet naftetarësh ku është kualifikuar si laborante.
Andaj, ajo tash e 10 vjet punon dhe jeton në qytetin e Fierit. Ajo, edhe punon,
por edhe krijon. Ndonëse Arta e pati pasion letërsinë, mësojmë se nuk pati
mundësi të vazhdojë në ato vitë tranzicionit, por dëshira e saj për letërsinë,
ku as sot e kësaj dite asaj nuk iu shua ejta për artin dhe letërsinë që e deshi
pa masë. Poezia e saj është “pjesëza” e jetës që e ka shoqëruar në çdo moment e
në çdo kohë. Ajo shton se, ndonëse më parë nuk e ndaja lapsin nga qanta,
tani tastjera e vogël e telefonit i
është bërë mikja e saj që vargëron e hedh vargje plot frymëzim jete. Vepra e
saj e parë "Shtigje dashurie" është botuar nga Shtëpia Botuese
"ADA". Pra, poezia e saj është
e larmishme. Mandej, në vepër, dominojnë vargje për dashurinë njerëzore e për
botën e saj romantike. Më shpesh tek
kjo vepër poetike e Arta Hysenajt vërejmë
hipokrizinë, varferinë, fallcitetin e “sende” të tjera, të cilat janë tema që e
kanë ngacmuar e brejtur autoren gjatë jetës së saj. Por, aty gjejmë vargje edhe
për vendlindjen, natyrën, qytetin ku jeton, malet, fushat, njerëzit, por edhe
jeta e tyre me të tjerë, që janë pjesë e shpirtit të poetës mallakastre. Edhe
Ilmi Dervishi, vlerësuar, pos tjerash, ka shtuar: “Duke lexuar veprën poetike
“Shtìgje dashurie'' të Arta Hysenaj, shoh në këto vargje se ka jetë, ka
shtigje, ka dashuri, ka dhimbje, siç ka edhe poezi. “Në poezinë e Artës ka art,
arsye, ambient, siç ka “ç’mendjen e hënës që del e zhveshur, mëngjese
“buzëlagur me ves, zjarr ndezur që qel syrin nga dashuria, skuqur buzët nga
lëngu i thënës , siç nuk ngopet me ngjyra dashuria”. I. Drvishi shton edhe
këtë se, në veprën në fjalë ka poezi që
hijezohet nga motivi popullor. Ja shembull: “Mallakastriotja qe një e shërove, oh sa shumë vrave që bie në ujdi
me erën të mos trazoj zemra e të ndez zjarre”. Në poezinë e Artës gjejmë shpirtin
rrebel, duke mos dalë jashtë vetës, nëse nuk përputhen me shpirtin - arrinë t’i
bëjë paralel, me një deklarim artistik të poezia: “Mbahu tek unë/ e të bëhem
freskia e ta letësoj dhimbjen” shton në vargje autorja e veprës.