E shtune, 21.12.2024, 12:31 PM (GMT)

Kulturë

Viron Kona: Naim Frashëri

E premte, 20.11.2015, 07:04 PM


Cikël me poezi nga Viron Kona

 

Naim Frashëri

 

Qindra poetë kam lexuar,

por vjershat e Naimit i mbaj mend më mirë,

si ushqim i nevojshëm i shpirtit dhe dijes,

i sjell në mendje me  kënaqësi e dëshirë.

 

E përmend “Bagëti e Bujqësinë” në biseda,

jo se më nxit apo më detyron kush,

por dua e flas për e veprën e Naimit,

si për ato vepra letrare që dua më shumë.

 

Nuk më detyron askush të përmend,

“Fjalët e qiririt” me zell e ngrohtësi,

mendja më shkon vetiu tek ato “fjalë”,

sa herë flasë për  dritë e  Shqipëri.

 

Ngazëllehem thellë  kur lexoj “Lulet e verës”,

kur mbroj me zjarr Skënderbenë dhe lirinë,

kur shkruaj për të ëmblën “Gjuhën shqipe”,

për “bukuroshen sy mëshqerrë” dhe dashurinë.

 

Dashuria për Naimin nis nga zemra,

nga  vatra e atdheut dhe e lirisë,

nis nga vjersha që fillon me vargun:

“O malet` e Shqipërisë...”

 

Baulja  e nënës sime

 

Mbajë mend që nëna e hapte shpesh baulen,

diçka rrëmonte dhe rregullonte me dorë,

isha i vogël, s`kuptoja se ç`kishte brenda,

veç erës së borzilokut që përhapej në dhomë.

 

Nëna më shihte në sy me dashuri

kushedi pse fshehtas nënqeshte,

mbase  ishte shpejt të m`i tregonte,

sendet në baule që i mbante sekrete.

 

Erdhi një ditë që iu duk se u rrita,

më thirri te baulja e saj  buzagaz,

sapo hapi kapakun erën e njohur ndjeva,

të borzilokut të thatë e fletëmadh.

 

Nëna u përkul në baule,

nxori prej andej një flamur  me shqiponjë:

Ky,- tha,- është flamuri  i dasmën sime,

kur nga Berati erdha nuse me kalë në Vlorë.

 

Kurse kjo sixhade e bardhë prej mëndafshi,

tregon vendlindjen, kalanë me bedena stolisur,

ja hyrja, muret, kullat e larta prej guri,

gjyshja, me ngjyrat e flamurit i ka qëndisur.

 

Këto  rroba, që i ruaj me kaq merak,

janë veshjet e shenjta të nusërisë sime,

i kam  palosur palë - palë e me kujdes,

mes tyre, degëza jasemini dhe trëndeline.

 

E shikon këtë unazë të florinjtë?

Është nga kohë të vjetra që s`mbahen mend,

nusen kur ta marrësh do t`ia vësh në gisht,

kurse ajo, nuses së birit tuaj të shtrenjtë.

 

Kam këtu dhe ca xhingla -mingla të tjera,

ca kujtime, që për ju mbase janë pa vlerë,

kurse për mua dhe babanë,

janë të shenjta sot e përherë.

 

Ja për shembull, këtë kuti prej sermi,

ku është gdhendur një shqiponjë,

thonë se e mbante me vete stërgjyshi,

kur  bënte tregti në Stamboll.

 

Kjo kupë balte, tregon një kalorës,

një vajzë të pambrojtur po shpëton,

atëherë vajzat dhe gratë mbroheshin,

djemtë trima e kishin këtë  zakon.

 

Ja tek është edhe një mulli i vjetër bloje,

mbase që kur në Shqipëri kafeja erdhi,

këtë kanistrën e frutave kaq bukur punuar,

motra ime ma ka dërguar nga Bukureshti.

 

Figurat e luleve që shikon në këtë dërrasë,

janë lule të rralla që rriten në kala,

gjyshja kur ishte vajzë i ka gdhendur e ngjyer,

ta dish, kanë, kuptimet të mëdha.

 

Ja, mimoza, u dhurohej vajzave dhe grave,

kush mbante margaritën, tregonte miqësi,

trëndafili i bardhë, shpirtin e bukur,

kurse ky i kuqi, dihet, shprehte dashuri.

 

Ja dhe borziloku që mbillet në saksi,

ja zambaku, meneksheja, luleshqerra,

manushaqja, lule viola, jargavani,

karafilat lloj-lloj e me radhë lulet e tjera.

 

Siç e shikon, o bir, baulja nuk ka flori,

as argjend dhe kartëmonedha me vlera,

për ne këto  “vogëlima”, shumë të dashura janë,

trashëgim nga koha jonë, për kohët e reja...

 

 

Rrapi i Ujit të Ftohtë

 

Përreth tij venin e vinin autobusët urbanë,

nga trungu i buronte uji i ftohtë,1).

në vite mori toponimin popullor,

te stacioni, te “Rrapi i Ujit të Ftohtë”. 2).

 

Trungun, disa burra me zor ia rrethonin,

i freskët, i bukur, si një mal i lartë,

poshtë kurorës së tij kalimtarët çlodheshin,

pastaj vijonin për Radhimë, Tragjas, Orik e Dukat...

 

Ku do të shkosh zotëri?

Te “Rrapi...”, atje ndale,

pimë, nga një ujë të ftohtë,

ia marrim dhe ndonjë kënge labe.

 

Po patëm kohë, te lokali buzë detit,

e kthejmë nga  një gotë raki,

shoqëruar me mish qengji a keci,

pastaj, edhe ndonjë sy gjumë, si të na vijë.

 

Thuhet se rrapi u rrëzua qetësisht një natë vere,

rënia e tij magjike u komentua gjatë,3).

ditë e natë burimi i lëshoi “lotët” lumë,

deti nga thellësia dërgoi valë me ofshamë.

 

Legjenda u treguan nën kurorën e tij,

derisa ai vetë u shndërrua në legjendë,

e kishte hak, njerëzit e deshën,

njësoj si  trimave, “Rrapit...” i ngritën këngë.

 

Ku do të shkosh zotëri?

te “Rrapi...”, atje ndale,

pimë, nga një ujë të ftohtë,

ia marrim dhe ndonjë kënge labe...


1). Arkitekti kishte sajuar një çezmë në trupin e rrapit, për të krijuar idenë se uji rridhte nga rrapi.

2).Te rrapi ishte stacioni i fundit urban që sillte udhëtarët dhe plazhistët nga Sheshi i Flamurit dhe nga Skela.

3).Astrit Xhaferi, tregimtar i talentuar dhe i pasionuar pas drurëve dhe luleve,  te libri i tij  “Rrëfime për njerëzit dhe për lulet”, ka shkruar një tregim të ngrohtë dhe interesant për rënien e këtij rrapi...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora