Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: 11 Nandor 1990

| E diele, 08.11.2015, 08:15 PM |


ME 11 NANDOR 1990,

DON SIMON JUBANI

25 VJET PERPARA, NA TREGOI SI SHEMBET KOMUNIZMI.

Nga Fritz RADOVANI

Pjesa e II.

RRËMAJI... SHKODER... 11 Nandor 1990, ora 11.00 p. dr...

Ishim mbi 50.000 vetë mbrenda murit rrethues të Vorrezave, kur nder tarraca dhe skuta, në vagona e magazina, sampistët e sigurimit shtetit prisnin urdhën me shkrepë shnajpert mbi kokat tona... Pa asnjë mbrojtje përveç rreth 300 vllazenve Musliman t’ armatosun...

Dhe, “Dorës së Zotit”, që gjithmonë ishte pranë Atyne Çinarëve...

Fjala e Don Simon JUBANIT në MESHEN E PARË...

VLLAZEN DHE MOTRA !

Le t’ i kujtojmë per nji minut në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi nder këto vorreza dhe të gjithë Ata Vllazen e Motrat tona, që kanë ra per nji Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme!..

Në vjetin 1443 kur Heroi i ynë Kombtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe e pershndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë:

“Lirinë nuk ua pruna unë, por e gjeta midis jush!”

Unë i padenjë per ketë mision po Ju tham se Fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun nder zemrat Tueja!

Se kjo Fe ka kenë gjithmonë e flakët nder zemrat tona e deshmon ardhja e Juej sot në ket Vend të Shejtë prej të kater anëve të Shqipnisë, per me adhurue, per me falnderue, per me lavdue të Madhin Zot per ketë Mrekulli të madhe që po shohim sot me sy.

Se ky Besim ka kenë perherë i ndezun në Shpirtnat tonë e verteton restaurimi i kësaj Kishëze vorrezash ku kanë dhanë kontributin e vet me punë e me të holla, edhe vllaznit tonë myslimanë dhe ortodoksë.

Se kjo Fe ka kenë gjithmonë inkandeshente në mendjet e zemrat tona e deshmon edhe ma mirë Shejtnoria e Shna Ndout në Laç, kur midis terrorit mbi ato germadha kanë rrâ mija Shqiptarë per çdo vjetë, sejcili në Fenë e vet, sejcili në gjuhen e vet, vazhdimisht tue Ju lutun Zotit dhe Shejtit Shna Ndue, per të gjitha nevojat shpirtnore dhe trupore, dhe këto lutje u kunorzuen sot me ketë panair plebishitar.

Per të Madhin Zot e per Fenë e Tij, ma bukur se unë flitni Ju, me ato ngushllimet e panumerta që gjeni nga kjo Fe që i ngushllon, i forcon, i zhdrivillon, i zbutë, i qytetnon mendjet e zemrat e të gjithë njerzimit.

Per të Madhin Zot e per Shejtnit e Tij, ma bukur se unë flasin shurdhët që ndijnë, pagojcët që flasin, sakatat që ecin, psikopatët dhe epileptikët që sherohen...

Sikurse ajri që thithim asht i domosdoshem per ekzistencën tonë fizike, njashtu per ekzistencën tonë shpirtnore asht e domosdoshme Nji Kenje e Mbinatyrshme që na ndihmon me perballue vishtirsitë e kësaj jetë me optimizem, entuzjazem, kurajo, dhe Kjo  Kenje e Mbinatyrshme, na ban me e pa me sytë e Shpirtit Lumninë e Parrizit, që na pret mbas kësaj jetë të shkurtë, njashtu sikurse shohim me sytë e trupit bukuritë e rruzullit toksor.

Kudo nëper Botë si nëper qytetet e modernizueme ashtu edhe në katundet ma të harruemet naltohen kah qiella kupola, minare xhamijash, kumonare të cilat janë simboli i kontakteve, i lidhjeve që njerzimi mban perherë me qiellin, me Perëndinë. Majat e Tyne të mprehta u perngjasin heshtave të nji ushtrije në heshtje, që u bajnë roje vlerave morale e kulturore, që rraca njerzore ka krijue nder shekuj.

Çfarë interesash botnore perfaqson Feja?

Kush i zbuti barbarët e Kohës së Mesme, gotët, vizigotët, hunët, vandalët, përveçse Jezu Krishtit, përveçse murgjëve dhe murgeshave që i zbutën hordhitë e egersinave me Kryq në dorë e me lutje në gojë?

Kush ja dha Europës unitetin shpirtnor, kulturor dhe politik përveçse Kristjanizmi?

Krejtë zhvillimi moral dhe intelektual i Europës e ka burimin te filozofia dhe te teologjia kristjane.

Kush i shliroi Vendet Arabe në shekullin e shtatë nga paganizmi, politeizmi dhe i fali monoteizmin, dhe nga fiset primitive u ngritën në shtet të organizuem dhe ma vonë në perandori arabe, përveçse Islamizmit dhe profetit të Tij, Muhametit?

Po në shkallë kombtare çfarë rolit qytetnues ka luejtë Feja?

Në aspektin moral Feja asht nji digë. Diga nuk i lejon ujnat me vershue dhe me shpartallue tokat pjellore e shtëpijat e banimit. Njashtu Feja asht nji digë morale që nuk i lejon veset, perversionet, degjenerimin, korrupsionin, me depertue nëper mendjet e zemrat e njerzimit, dhe në këte drejtim Feja jep kontributin ma të madh per rendin publik. Në aspektin kulturor: Të gjitha shkollat fillore e gjimnazet, të gjitha institucionet kulturore e shoqnore në vendin tonë janë krijue dhe drejtue nga Baziljanët, Benediktinët, Jezuitët, Françeskanët etj. Deri shtypshkronja e parë, deri ferma e parë moderne në Bardhaj asht themelue prej murgjëve të Shën Injac Lojolës.

Por Feja asht determinante edhe në mbrojtjen e Atdheut.

Në pamundësi idetë e shekullit me ua dhanë Shqiptarëve Bashkimin Politik, vetem Feja dijti me i bashkue Princat Shqiptarë të Shekullit Pesmbdhjetë kunder anmikut tonë të përbashkët të Perandorisë Osmane. Të gjitha mbledhjet janë zhvillue në Kishen e Shenkollit të qytetit Lezhë, dhe në ketë Kishë janë marrë të gjitha Vendimet për të gjitha operacionet politike dhe ushtarake që ka zbatue Beslidhja. Por Bota e qytetnueme na njeh edhe famëmadhen Lidhja e Prizrendit. Kryetari i Lidhjes, Haxhi Ymer Efendi Prizrendi, s’ bashkut me krenët e tjerë muhamedanë, ortodoksë e katolikë si, Eljaz Pashë Dibra, Vaso Pasha e Abdyl Frashëri, të gjitha mbledhjet i kanë zhvillue në Xhaminë e Prizrendit e prej kësaj Xhami, kanë dalë të gjitha direktivat.

I Madhi Zot per t’ i ushqye Shqiptarët me bollek e ka paisë Shqipninë tonë me dy mushkni, me tokë e me det. Per ketë frymëmarrje të shndoshtë me token e me detin jetuen, luftuen dhe vdiqën Princat Shqiptarë të Shekullit XV, si edhe Fatosat e Kreshnikët e Lidhjes së Prizrendit.

Vjeti 1989 ka kenë Vjeti i Paqës dhe i Lirisë per të gjithë Boten, sepse në ketë Vit u shemben të gjitha muret dhe perdet e hekurta që ndanin vende dhe popuj, por ma teper ndanin zemrat e njerzve. Në ketë vit pushoi së rrjedhunit gjaku, po fshihen lotët, mbaroi djersa e pashperblyeme e mori fund lufta e të gjithëve, dhe njerzimi ka hy në nji Epokë të Re paqëje, lirije, mirësije, armonije, begatije. Begatia dhe armonija e nji Populli mvaren nga Liritë që u akordohen qytetarëve.

Lirija në kuptimin filozofik të fjalës asht progresi gradual i ndergjegjes dhe i kulturës njerzore.

Këto Liri e këto të drejta po na epen gradualisht dhe me rrugë paqësore.

Rruga paqësore asht tipar i nji Populli të qytetnuem. Dhuna e brutaliteti s’ kanë zgjidhë kurrë probleme kombtare as familjare.

Duhet t’ i qendrojmë tundimit e s’duhet të perdorim dhunen, as brutalitetin kunder njeni – tjetrit per me kerkue të Drejtat e Liritë që na tokojnë, sepse të gjitha këto Liri e të Drejta, po na epen gradualisht e me rrugë paqsore.

Vetem kështu do t’ ua mbyllim gojen atyne që na quejnë shprehje gjeografike, tokë e pazbulueme, tokë e askujt, vetem kështu, do t’ ua mbyllim gojen anmiqëve tonë, që na konsiderojnë nji popull kopil i gjetun midis katër rrugëve nga Nana Histori.

Shkodra qytet me nji Histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur Kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit e Teutës dhe Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë Shqipnisë tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, Kjo Shkoder, asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse, trashigimtarët e Gjergj Balshës së Madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësat e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu, në këta Troje Shqiptare, të gatshem me e ripertrij edhe njiherë traditen dhe autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.

***

Shenim nga FR: Ky material historik asht marrë nga origjinali, pa asnjë ndryshim.

Botohet me rasen e 25 vjetorit të Meshës së Parë, mbas “Revolucionit Kulturor të 1967”.

Një Pllakë përkujtimore tek Kapela e Vorrezave të Rrëmajit, asht shumë pak per me Perjetsue Vepren e një Atdhetari të Madh si Don Simon Jubani, me 4 e 11 Nandor 1990.

Melbourne, Nandor 2015.