Mendime » Xharra
Fahri Xharra: Për fenë apo Kombin?
E merkure, 04.11.2015, 08:40 PM
Dilema: ”Të punojmë edhe për fenë apo të kultivojmë vetëm ndjenjën për kombin dhe shtetin?“
(Reagim ndaj shkrimit “Mësimi fetar dhe arsimimi në shkollë” shkruar nga Dr. Mustafa Bajrami , drejtor i Institutit për Hulumtime Shkencore “Victory )
Nga Fahri Xharra
Historinë tonë duhet të shkruajmë drejt, shqip dhe si shqiptarë. Jo vetëm historianët që dinë të shkruajnë vetëm histori, por të gjithë, politologët, sociologët, psikologët, arkeologët, teologët e shumë të tjerë, së bashku, shkencërisht dhe për të mirën e këtij populli.- e thotë Dr. Mustafa Bajrami .
Këto ishin te shkruara ne artikullin e përmendur ; fjalë të cilat kisha dashur që të fliteshin në ligjëratat nëpër xhami . Por autori e kërkon domosdosmërisht mësimin fetar nëpër shkolla duke e trajtuar këtë temë në mënyrë të rrjedhshme .
Të punojmë edhe për fenë apo të kultivojmë vetëm ndjenjën për kombin dhe shtetin? - pyetja që e ngritë autori , por pa e precizuar se për cilën fe të punojmë. Sigurisht që autori qëllimisht e harron se ne shqiptarët i përkasim të dy feve abrahamike apo katër konfesioneve kur thotë: “Shqiptarët, përveç tjerash, kanë dy të mira mjaftë të rëndësishme; Për fe, në shumicë, kanë Islamin “oriental”, dhe janë evropian që për fe në shumicë Evropa është e krishterë.” ( krenari apo imponim i domosdoshëm
fetar !?!? )
Sipas autorit; “të qenit evropian dhe si popull me shumicë myslimane është sfidë e dorës së parë për neve shqiptarët.”- habitet profesori . Ne nuk kemi asnjë ballafaqim (sfidë ) me Europën as që jemi sfidim ( ballafaqim ) për Europën. Pjesa muslimane e popullit shqiptar ( ashtu si musliman të lehtë që ishim , por edhe jemi përveç disa ekstremeve të porositura ) nuk paraqet asnjë pengesë .
“Edhe Orienti islamik tepër i ideologjizuar, edhe Oksidenti i krishterë së tepërmi i materializuar janë edhe të dobishëm edhe të dëmshëm për ne. Të dobishëm për aq sa i kontribuon qenies shqiptare dhe i dëmshëm për aq sa qenia shqiptare e keqkupton dhe keqinterpreton edhe orientin islamik edhe oksidentin e krishterë “ - një pyetje me mëdyshje dhe ç`orientuese .
Ne e pamë në këto vitet e fundit që “Orienti islamik tepër i ideologjizuar” na sollin një dezorientim shoqëror bukur shumë me pasoja; e zhvilluam antiamerikanizmin dhe anti europianizmin , u bëmë treg i pazareve më të pa skrupullta politike-ideologjike dhe e gati e filluam urrejtjen të çdo gjëje perëndimore.
Autori paska ardhur në përfundim që : “Në Perëndim, liritë individuale janë thuajse të pafund, arsimimi dhe teknologjia kanë arritur zenitin, por fare pak i jepet rëndësi anës shpirtërore të njeriut.” Dhe është e vërtetë ajo që e thotë. Në kë rast ne si të reagojmë ? të shkojmë pas perëndimit apo ta bishtërojmë atë dhe ti qasemi “anës shpirtërore islamike “ ? Pse Perëndimi po “vuan ” shumë që e paska lënë anash edukimin fetar ? Sa është i nevojshëm për popullin shqiptar edukimi fetar , pëderisa me shkolla , industri dhe teknologji jemi aq mbrapa botës. ? ( ne nuk dimë as që mundemi të prodhojmë vetë as më të thjeshtën , fijet e shkrepses ( kibritit ) .
Autori shkruan : “Shqiptar, mysliman apo i krishterë, me gjithë specifikat tepër të veçanta si qenie historike dhe si pjesë e gjeografisë evropiane, është diçka që nuk e kanë popujt tjerë të Evropës.” , mirë e thotë por e tepron kur i jep përgjigje vetvetes duke thënë : “Nuk bënë të çuditemi ku disa herë biem pre e xhelozive dhe mërive që mund të kenë të tjerët neve, pikërisht pse jemi të këtillë.” . Cilave xhelozi? Kush po na xhelozon ? ( Gabim e keni dr. Mustafa Bajrami ! )
“Aty edhe mund të gjenden fillesa të armiqësive që të tjerët kishin, kanë dhe vazhdojnë të kenë kundrejt kombit shqiptar. “ Jo , Profesor Bajrami , jo ! askush nga Europa nuk na xhelozon për këtë ,por janë çarqet e caktuara që po mundohen që për mjet të “pastrimit të shpirtit : të na e prishin këtë harmoni fetare që e kemi. E se kush janë ata , ju fort mirë e dini.
Qenia shqiptare si produkt i historisë dhe themel i gjeografisë ku jetojnë! “Ne duhet të jemi më origjinal, të hulumtojmë në vetvete çka është jona dhe çka e huaja. Tonën ta promovojmë, ndërsa të huajën në ne ta përdorim vetëm për aq sa është në dobi tonën. Asgjë më shumë. “ dhe unë po të plotësoj që nuk duam asgjë orientale as fetare , as ideologjike e as sahanprishëse . Nga Lindje kemi vuajtur shumë; t`iu numëroj?
Mësimet e fesë dhe ligjërimi fetar, në mënyrë institucionale nuk na na nevojitet; ato le të mbesin thjeshtë individuale , thjeshtë të mbyllura por të kontrolluara nga shteti dhe t`i grahim shkollës përpara .
“Në këtë kontekst, realiteti ynë shoqëror-shpirtëror, duhet të kundrohet pikërisht nga këto dy dimensione: Si ju flasim të tjerëve dhe si sillemi para të tjerëve!”- Shumë thjeshtë , t`iu flasim si europian , t`iu fusim në gjak shkollimin e mirëfilltë dhe të kultivojmë vetëm ndjenjën për kombin dhe shtetin dhe mësimin fetar nëpër shkollat tona laike ta harrojmë. Ta harrojmë përfundimisht !