E shtune, 21.12.2024, 12:30 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Çeliku: Hakmarrja e kaçakut për burrin e pushkës

E diele, 06.09.2015, 07:10 PM


HAKMARRJA E KAÇAKUT PËR BURRIN E PUSHKËS

NGA KALOSH ÇELIKU

Im Atë, Emin Çeliku pranë oxhakut rrëfente shumë ngjarje historike interesatne për atë kohë qorre, kur Zonja Vdekje na ecte këmba - këmbës përpmbrapa si hije pas shpine. Nuk e dije se, ku ta ka vënë pritën: pas Çuke, te xhamia, në Çarshi të Kërçovës... Livadhi i xha Nefruzit... Apo, në lëmë para shtëpie...

Gjyshi im, rrëfente im Atë plot krenari: ka qenë trim mbi trima. Unë, si pasardhës i tij jo vetëm që trashëgova emrin e tij, por edhe mësova shumë në jetë nga strategjia e tij luftarake kaçake. Vërtetë ishte, një shkollë lufte. Jetën e kaloi maleve. Mallë e kishim ta shohim në Shtëpi. Edhe, kur vinte për vizitë, vinte pasmesnate. Askush nuk e dinte se kur vinte në Shtëpi, cilës rruge. Vetë, apo vetë i treti.

Strategjia e tij luftarake, mua ma shpëtoi jetën si ballist. Ecja në jetë gjurmëve të tij të kaçakut me dy “nagantë” në brez. Shkaku, se mund të ndodhë, ndonjëri të mos shkrep. Bir, miku më i mirë besnik i burrit, është arma në brez, ose hedhur krahut nën struke. Dita, ose nata vjen më këmbë, kur ajo nuk paguhet me para. “Dardhat” turke, gjithmonë duhet t’i kesh me vete në xhepat e strukes. Kurrë, nuk i bija të njëjtës rruge. Herë pas Çuke, herë nga xhamia e herë nga Kolibaret, teposhtë Përronit të Thanës përmes Dardhave Gorrice, ende të pashartuara të Xha Derallës, te Përroni i Thanës. Mrizet e Zanave, siç u ka kënduar Gjergj Fishta. Dhiare të cilat edhe ma shpëtuan jetën. Pak vetave u zija besë asaj kohe. Porosia e gjyshit: Besë ki, por besë mos i zi askujt! Edhe këmishës tënde, që e ke veshur në trup. Rrëfente plot krenari im Atë, i thelluar në mendime pranë oxhakut, dromaxhakut me kokë gjarpëri, në mes të Shtëpisë.

Im Atë, në mesin e atyre rrëfimeve historike, padashtas një ditë ma rrëfeu edhe vrasjen e Vojvodës, ulur mbi një shkam me tri këmbë. Ende e kam parasysh atë shkam me lëkurë dashi. Ende e mbaj mend, e kam në kokë sesi e ndreçi vetë atë shkam me tri këmbë nga druri i lisit, që e preu në fund të Livadhit për Dimër. Ishte shkami i tij personal. Nuk ishte mbretëror nga ari, por ishte i kaçakëve të malit me lëkurë ogiçi. Askush nuk guxonte të ulet në atë shkam. Nëna ime e ndjerë, shpeshëherë thoshte pas ikjes së tij nga mesi ynë familjar: Po, t’i thoshe se do të jetosh sa ky shkam, me siguri do të zemerohej, nxirrte “nagantin “ nga brezi.

Kurrë nuk shtriheshte në shtrat pa “nagantin”, një hanxhare nën jastëk dhe mauzerrin mbi krye. Nata, thoshte nuk ka besë. Edhe, muret e shtëpisë kanë sy e veshë. E përsëriste shpesh këtë nga përvoja e tij si kaçak mali. Ngjarjen e filloi ashtu papritmas: Një vojvodë bënte shumë dëme në anën e Dibrës. Askund, nuk mund ta zenim në pritë. Unë dhe shoku im i pushkës, Halil Reka nga Dibra, vendosëm që ta vrasim natën në shtëpi. Pasmesnate, kur i gjithë fshati ishte në gjumë, ne i hymë për baxhe të çatisë në shtëpi. Por, kur arritëm te dhoma e gjumit, përçudi ishte e mbyllur me reze. Nuk mund të hynim brenda, kryejmë porosinë e Atdheut. Papritmas, mu kujtua, se: shkina herët në mengjes do ta hap vetë derën, ngrihet të gatuaj bukën. Ashtu edhe, ndodhi para se të zbardhë agimi. Shkina u zgjua nga gjumi, e hapi derën dhe shkoi në dhomën tjetër ta gatuaj bukën. Ne tinëz, u përvodhën nëpër çardak dhe hymë në dhomën e fjetjes të vojvodës. E vramë vojvodën, në gjumë. Vrik e vrik u ngjitëm në tra, përsëri të dalim nga kishim hyrë për baxhe. Në ndërkohë, shkina kur kthehet në dhomë dhe e sheh vojvodën e larë në gjak, e rrëmben pushkën e tij dhe delë në çardak. Unë më veç kisha dalë mbi çati, Halil Reka pas meje dilte për baxhe. Përçudi, papritmas shkina e shkrepi pushkën. Edhe, në krahët e mi e vrau Halil Rekën. Kohë, nuk kisha që të kthehem pas shkinës. Shkaku se, zbardhi agimi maleve. Fshati po zgjohej nga gjumi. Ika me Halil Rekën e pajetë mbi  shpinë përmes lisave. Në malet e Dibrës, pranë një burimi e varrosa nën një hije lisi.

Hakmarrja për shokun e luftës nuk më lente të qetë as në gjumë. Një ditë, vendosa që t’ia marr hakun. Por si, dhe kur?! Shkinën si ta vrisja, merrja hakun shokut të pushkës. Aty për aty, mu kujtua: Shkina, patjetër një ditë do të shkoj te varret, vizitojë vojvodën. E ruajta, gjithë natën. Dhe, ditën e dielë, erdhi shkina te varri. E nxorra thikën dhe ia preva kokën. E mora hakun e Halil Rekës. Tashti, rehat mund edhe ta vazhdoja luftën kundër turqve. Ditën e nesërme iu bashkangjita Kryengritjes të Dervish Carës.

Im Atë, rrëfente se: Gjyshi i tij, Emin Çeliku krah për krahu me Dervish Carën e çliroi edhe Shkupin. Betejën e përgjakshme luftarake e vazhduan në Katllanovë, për të vazhduar pastaj me çlirimin e Velesit, Manastirit dhe Prilepit. Por, nuk u eci fati. Papritmas, krynegritja e Dervish Carës shpartallohet. Gjyshi me disa shokë delë në Kosovë e mal të Zi për ta vazhduar luftën kundër turqëve.

Vite më vonë, pas gjithë atyre betejave të përgjkashme për Liri, një ditë kthehet në Katund, shkaku pleqërisë me mbiemrin e vërtetë si Emin Çeliku. Turqëve, edhe kësaj radhe ua hodhi si kaçak mali. Ato e kërkonin si Emin Xhambazi, e Kaçaku i maleve bënte jetë të qetë si Emin Çeliku, në Katund.

Turqit mëkot e kërkonin Emin Xhambazin te familja Xhambaze, kur kjo familje e fshatit Cërvicë edhe sot e kësaj dite nuk ka një person me një emër të këtillë në mëhallë.

Emin Çeliku – Xhambazi ndërroi jetë në moshën 93 vjeçare në Katund nga dita e vet, e jo nga dora e turkut, ose shkaut ballë për ballë në luftë.

Sot për sot, ai burrë i pushkës pushon mes varreve, pranë Tyrbes të Babashehut, në Katund. Babai, si i vogël shpesh më merrte për dore dhe më dërgonte te ai varr, nën një hije lisi me një pllakë të madhe guri. Bir, ky është varri i kaçakut të maleve Emin Çeliku, më rrëfente Babai. Kaçakut të maleve që gjithë jetën luftoi me armë në dorë  kundër turkut. E, mua si fëmijë, në atë kohë më mundonte realiteti që e shihja me sy mbi varr: Si është e mundur gjithë këtë pllakë guri, Babai ta sillte nga malet mbi varr?!

Histori tjetër më vete është ajo se, sot: dudumët e Shkupit përpiqen ta heshitn Kryengritjen Shqiptare të  Dervish Carës, i cili asaj kohe hyri i pari me shokë në Shkup. Betejat e tij të përgjakshme në Katllanovë.  Marshimin e tij luftarak drejtë Velesit dhe Manastirit. Ditën e nesërme në Kosovë dhe mal të Zi. Përfshirjen e gjithë shqiptarëve në Kryengritje kundër Turqisë dhe shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë. Vallë, a nuk ka një vend në Shkup edhe për Dervish Carën, sheshe kur sot përmendoret e “vëllezërve” të Njerkës na lindin si këpurdhat pas shiut?! Thirrja, u bëhet vetëm Partive politike shqiptare. Ideologëve të tyre “strategjik”, që gjithë jetën mbetën duke u fotografuar para kamerave televizive nëpër poste politike në Qeveri dhe varre të dëshmorëve të Luftës.

Nuk prish punë. E kanë thënë moti Rilindasët tanë që e shkrinë pasurinë dhe trurin për Atdheun. Imzot, mos ua marr për të madhe! Nuk është puna, që nuk duan, por nuk dinë, aq e kanë fuqinë  e trurit në legen. Ose, Filip Papajani do të shkonte edhe më larg:   “Njeri i soçëm me tru të moçëm”. Nateditë fotografohemi para kamerave telelvizive duke u vënë lule mbi kokë të vdekurve. E, shumë pak merremi me të gjallët. Kulminacioni i ironisë: sot kur përditë shpallim dëshmorë e heronj lufte: familjarët, miqtë, hajdutët, farefisin e spiunët. Trimat pas lufte, që deri më sot nuk e shkrepën asnjë fishek për Liri. Pikëpyetja, si na durojnë ato dëshmorë lufte, nuk çohen nga varret si burra pushke dhe me dy-tri shpulla të na përzënë në Katund?!

Dëshmitari vetëm i bandave serbe që masakruan katundarët e fshatit Cërvicë, te dëllinjat, është Emin Çeliku. Ose, siç i pagzuan më vonë pasardhësit e tyre: “Te të vramët”. Varri i tyre masiv i përbashkët, edhe sot rrëfen histori. Gjaku i tyre,  ende vazhdon të rrjedhë damarëve teposhtë Përronit të Thanës për në Katund. Lugut të Ymerit bartë me vete mbi shpinë histori. Rrugës nëpër Katund, përcjellë porosi: Fusha jonë nëpër shekuj nuk u mbollë vetëm me grurë, misër dhe djersë, por edhe me gjak. Lulekuqe, që sot shpërthejnë për çdo pranverë mes fushës dhe ngrejnë kryet në qiell përkarshi Diellit që zbret më këmbë teposhtë nga mali Çelvjollca. Vendlindja e kaçakëve.

Stërnipërit e tij, vitin e ardhshëm (2016) mes varreve, pranë Tyrbes të Babashehut, Kaçakut maleve të kësaj ane, që luftoi krah për krahu me Dervish Carën për çlirimln e Shkupit  do t’i ngrisin edhe përmendore, rrëzë Çukës Ilire. Porosinë e tij për Ditën e Nesërme do ta përcjellim deri në fund mes këtyre maleve:

Brez pas brezi t’i dalim zot Atdheut...

Kryengritja e Dervish Carës, krah për krahu me kaçakun e maleve Emin Çeliku – Xhambazi  hyjnë në Shkup (1844).



(Vota: 53 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora