Faleminderit
Murat Gecaj: Nderim për Akademikun Pajazit Nushi
E hene, 07.09.2015, 05:34 PM
Ndahet nga jeta:
NDERIM PËR AKADEMIKUN PAJAZIT NUSHI…
Nga: Prof. Murat Gecaj*, publicist e studiues-Tiranë
Dje pasdite, u dha në Internet e TV lajmi i hidhur, se është ndarë përgjithnjë nga jeta prof. Pajazit-Nushi-Akademik, personalitet i shquar i shkencës, arsimit e kulturës mbarëkombëtare shqiptare. Me këtë rast, publikova në FB një mesazh të shkurtër ngushëllimi.
Më poshtë po jap disa shënime e mbresa, nga njohja dhe takimet e mia me Akademikun Pajazit Nushi.
x x x
Në fillimin e viteve ’90-të, të shekullit të kaluar, vazhdoja të shërbeja në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Shkencës. I njohur e i miqësuar, që në kohën e studimeve universitare, mbaja lidhje të pandërprera me pedagogun e lëndës së psikologjisë dhe, më pas, me mikun e kolegun tim, prof. Bedri Dedjen-Akademik. Takoheshim herë pas here dhe, sidomos, na lidhte dita e mërkurë, kur dilte numri i ri i kësaj gazete. Sigurisht, bisedat tona silleshin edhe për letërsinë, botimet pedagogjike, çështjet sociale e tjerë. Por një fushë e rëndësishme e këtyre bisedave ishte psikologjia, të cilën ky pegagog i imi e kishte studiuar në Universitetin e Moskës dhe që më pas e kishte dhënë, për vite të tëra, në auditorët e Universitetit të Tiranës. Duke mos e ndërprerë pasionin në këtë fushë, prof. B.Dedja ishte ndër nismëtarët e parë të formimit të Shoqatës Mbarëkombëtare të Psikologëve Shqiptarë. Prandaj e dëgjoja me vëmendje edhe për dëshirat e shqetësimet, që ai kishte pasur në këtë drejtim.
Është e
kuptueshme se, që nga emërtimi, dihej që kjo shoqatë përfshinte në gjirin e saj
edhe psikologët e Kosovës. Kështu, në shoqërinë e prof. Bedriut, ndodhi që një
ditë u takova e u njoha nga afër me një ndër personalitetet e shquara të
shkencës, pedagogjisë dhe psikologjisë kosovare, prof.dr. Pajazit
Nushin-Akademik. Me atë natyrën e tij të butë, të qeshur e dashamirëse, shpejt
u miqësuam dhe kisha kënaqësi të veçantë të rrija e të bisedoja me të. Më
kujtohet se, sipas “kontratës” që ne kishim “nënshkruar”, pra për të më
lajmëruar për mbërritjen e tij në Tiranë, menjëherë mora njoftim se prof. Nushi ndodhej në hotelin “Kruja”, në
Rrugën “Mine Peza” të kryeqytetit. Sapo shkova aty, ai, bashkë me prof. Bedri Dedjen, kryetar i
Shoqatës Mbarëkombëtare të Psikologëve Shqiptarë, më pritën buzagas. Me atë
rast, pimë kafe dhe bëmë biseda të lira e të këndshme, si për çështje të
zakonshme të jetës, por dhe për studimet e botimet e ndryshme, sidomos në
fushën e psikologjisë. Vërejta se meraku e shqetësimi i tyre i përbashkët ishte
që të organizonin dhe të zhvillonin një Kongres
Mbarëkombëtar të Psikologëve Shqiptarë, ku Akademiku Pajazit Nushi ishte
zëvendëskryetar i kësaj Shoqate.
Por me Akademikun Nushi jam takuar, gjithashtu, në vitet pasuese, pra edhe kur prof. Bedri Dedja u nda përgjithnjë nga jeta. Me rastin e 5-vjetorit të këtij, më 9 prill 2009, në mjediset e Universitetit jopublik “Ufo” të kryeqytetit Tiranë, u organizua një veprimtari përkujtimore dhe u përurua vepra e tij e fundit, romani “Presidenti i Planetit të Kuq”. Ndër pjesëmarrësit e njohur, studiues dhe botues të ndryshëm, ishte i pranishëm edhe prof. Pajazit Nushi. Me atë korrtektësinë dhe aftësinë e tij përgjithësuese, ai solli në kujtesën e të pranishmëve ndihmesën e çmuar të Akademikut Bedri Dedja, jo vetëm në fushën e arsimit, letërsisë, pedagogjisë etj., por dhe në studimet e thelluara psikologjike. Tema e tij ishte: “Akademik Bedri Dedja, integrues i mendimit psikologjik mbarëshqiptar”. Duke manifestuar atë çiltërsinë e dashamirësinë e tij, Akademiku Nushi u takua me mjaft të njohur. Sigurisht, pata kënaqësinë që dhe unë të bisedoja ngrohtësisht me të dhe të bënim fotografi së bashku.
Në tetor
të vitit 2010, bashkë me djemtë e mësuesit veteran Salih Myftar Kolgeci,
Afrimin e Shpëtimin, udhëtuam nga Tirana për
në qytetin e Gjakovës. Aty morëm pjesë në paraqitjen e librit tim
jetëshkrimor, “Salih Myftar Kolgeci-Një jetë për Atdheun e arsimin tonë
kombëtar” (Tiranë, 2006). Ndër të ftuarit e shumtë, që na nderuan me
pjesëmarrjen në atë veprimtari, ishte edhe prof. Pajazit Nushi, që kishte
ardhur posaçërisht nga Prishtina, në qytetin e tij të lindjes. Si gjithnjë,
korrekt e i papërtuar, solli në kujtesë dhe u tregoi pjesëmarrësve mbresat e
paharruara për ish-mësuesin e tij, Salih Kolgecin. Ai u bashkua me mendimin, se
e meriton plotësisht që, ky mësues veteran, të ketë një vlerësim më të lartë se
deri tani dhe, ndoshta, një shkolle t’i vihet emri i tij, në Shqipëri ose
Kosovë.
Por lidhjet tona nuk janë ndërprerë as në periudhën e mëvonshme. Mbaj mend se, kur punoja për përgatitjen e një libri me kujtime për prof.Bedri Dedjen-Akademik, në 80-vjetorin e lindjes së tij, prof. Pajazit Nushi u tregua shumë i gatshëm për përgatitjen dhe dorëzimin me korrektësi të kujtimeve të veta, sigurisht me anën e e-amilit: “Psikologjia, në Shqipëri dhe në Kosovë, në mendimin akademik të prof. Bedri Dedjes”. Por jo vetëm kaq, se edhe në përurimin e librit “Bedri Dedja, në kujtesën tonë” (Tiranë, 2010), ai ishte i pranishëm në mjediset e Akademisë së Shkencave, në Tiranë dhe foli e përshëndeti në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Pak vite më parë, Akademiku Alfred Uçi festoi 80-vjetorin e lindjes së tij, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin Tiranë. Me këtë rast, Akademiku Pajazit Nushi, përmes adresës sime të Internetit, i dërgoi një mesazh të bukur urimi, kolegut të tij të fushës së studimeve e botimeve shkencore.
E, kështu, nuk u ndërprenë takimet e bisedat tonë edhe më vonë. Se kisha patur nderin e kënaqëesinë dhe fatin, që u njoha e u miqësova me një personalitet të tillë të shquar të jetës arsimore e shkencore, pedagogjike dhe shoqërore të Kosovës, siç ishte dhe do të mbetet në kujtesën e të gjithëve, prof. Pajazit Nushin-Akademik.
U kërkoj ndjesë lexuesve, që këtu nuk do të jap hollësira për jetën dhe veprimtarinë e gjatë dhe të begatë të Akademikut Pajazit Nushi. Por vetëm shënoj se, në janar 2015, ai festoi 82-vjetorin e lindjes dhe, deri në fund të jetës, mbeti i palodhur e i përkushtuar,plot vitalitet, në tërë jetën aktive të përditëshme të tij.
Përsëri, me anën e këtyre radhëve, u dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve, kolegëve e miqëve të shumtë të prof.Pajazit Nushit-Akademik, për ndarjen e tij përgjithnjë nga jeta!
---------------------
*Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare.