E merkure, 12.03.2025, 11:05 AM (GMT)

Mendime

Visar Duriqi: Kriminelë kosovarë drejt Europës

E premte, 04.09.2015, 06:24 PM


Kriminelë kosovarë me pasaporta diplomatike drejt Europës

NGA VISAR DURIQI

Nëse BE-ja po e sheh izolimin si zgjidhje për të penguar ardhjen e kriminelëve nga regjioni i Ballkanit, dhe në veçanti nga Kosova, kuptojeni këtë: nëse kriminelët duan të vijnë në Europë, ata do të vijnë shumë lehtë. Ata do të vijnë ose në rrugë ilegale, ose me pasaporta diplomatike

Dy javë më parë Zyra e Kryeministrit aktual të Kosovës, Isa Mustafa, i dha tender (kontratë publike) për riparimin e një veture të po kësaj zyre djalit të tij. Djali i kryeministrit të Kosovës është përfaqësues zyrtar i kompanisë gjermane “BMW” për Kosovë.

Kryeministri Mustafa, një profesor i ekonomisë që njihet për nivelin e lartë të korrupsionit në kohën kur ishte Kryetar i Kryeqytetit (Kryetar i Prishtinës 2008-2014), e mbrojti këtë veprim korruptimi në mënyrë të egër: Gazetarëve që raportonin për këtë skandal iu tha që janë të çmendur, kurse opozitës që tentonte të fliste për të i quajti me emra shtazësh. Liderit të Lëvizjes nacionaliste “Vetëvendosje” i tha “Gomar” dhe një ditë më vonë tha “I kërkoj falje gomarit që e kam ofenduar duke e krahasuar me atë politikan”.

E frikësuar nga protestat, Qeveria e Kosovës tash ka filluar ta rrethoj veten me hekura, derisa kanë bërë një plan të evakuimit në rast rreziku, pra nëse dikush e sulmon ndërtesën e Qeverisë.

Kjo është Kosova e Shekullit XXI, një shtet i vogël me 1.8 milionë banorë që e deklaroi pavarësinë njëanshëm në vitin 2008. Ne e quajmë veten “europianët e rinj”, por zyrtarisht jemi shteti më i izoluar në Evropë. Ndoshta edhe në botë. Pa viza në mund të udhëtojmë vetëm te shtet fqinje dhe në Turqi, por për këtë do të flas shkurt pak më vonë.

Si gazetar për krejt këto vite punë mund të them që: Kosova është një shtet ku korrupsioni është mënyrë jetese, kurse njerëzit e pakorruptuar janë specie në rrezik për t'u zhdukur. Në këtë shtet edhe kryegjyqtari i vendit (kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ) është zyrtarisht i akuzuar për korrupsion. Hasani akuzohet se ka shpërdoruar së paku gjysmë milioni euro në vetëm një kontratë publike sa ishte Rektor i Universitetit Publik, një hetim që bazohet në një tonin në gazetën Express të publikuar në vitin 2014.

Është shteti unik në botë ku të gjitha partitë politike kanë pushtet dhe të gjitha deri sot kanë abuzuar me pushtetin dhe paranë publike. Madje edhe partia e zotit Kurti, që nga mediat botërore cilësohet si opozitar, është në pushtet në Kryeqytetin e Kosovës për dy vite dhe ku nepotizmi dhe punësimi i anëtarëve të partisë së tij pa kritere tashmë është diçka normale.

Në këtë shtet që pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, elita politike është thjesht : E Pasur. Se si u bënë të pasur, kërkosh nuk e ka përgjigjen, por ata janë të pasur. Dhe kjo duket që është traditë e vjetër, që politikanët të jenë të pasur, pa ndonjë arsye. Ali Asllani, një poet shqiptar shumë dekada më parë kishte shkruar një poezi të gjatë dhe ku ndër të tjerë për elitën politike thotë: “në drekë ishit pa të brendshme, kurse në darkë u bëtë milionerë”.

Dhe ju besoj dëshironi të dini se si është të punosh si gazetar në këtë ambient?

As më pak e as më shumë se sa e tmerrshme. Si gazetar, duhet shkruar për krimin e organizuar, por me të janë të lidhur të gjithë. Është një lojë “Ti kundër të gjithë botës”, apo sikur karakteret e romanit “Don Kishotit” të Miguel de Cervantes. Në rastin tonë, lufta është reale, por shpeshherë e pyesim veten: Nëse të gjithë po korruptohen, pse ne raportojmë kundër korrupsionit? A mos jemi ne gabim dhe njerëzit e korruptuar kanë të drejtë?

Kjo dilemë behët edhe më e fuqishme kur në korrupsion janë të përfshirë edhe komuniteti ndërkombëtar në Kosovë. Kur të korruptuar janë edhe prokurorët europianë, prestarët e misionit më të shtrenjtë të EU-së, misionit EULEX.

Kjo ndjenjë e dyshimit: Nëse ne gazetarët që raportojmë korrupsionin jemi duke vepruar drejt bëhet më e fuqishme kur komuniteti ndërkombëtar vendos t'i përkrahë njerëzit e korruptuar, sikurse që ishte rasti i fundit kur kryeministri i korruptuar i Kosovës (që i jep kontrata publike edhe djalit të tij) u prit me nderime të mëdha nga Kancelaria Gjermane Angela Merkel.

Kjo ndjenjë bëhet edhe më e rëndë kur ne si gazetarë jemi në rrezik dhe askush nga zyrat përgjegjëse të EU-së në Kosovë nuk na mbron.

Vitin që shkoi, për shkak të hulumtimeve të mia në lidhjet që Bashkësia Islame e Kosovës, imamët e Kosovës dhe partitë islamike në Kosovë kanë me xhihadin dhe organizatat terroriste ISIS dhe Al-Qaeda, isha kërcënuar për vdekje. Prokuroria e Kosovës i nisi hetimet kundër atyre që kërcënonin vetëm pas intervenimit të disa njerëzve të mirë që më njohin personalisht, por askush nga zyrat e BE-së nuk reagoi. Vetëm pasi që Reporterët pa Kufij reaguan, unë mora një telefonatë nga një organizatë europiane me emrin OSCE, që vetëm bënë një reagim me shkrim, por asgjë konkrete për të na mbrojtur.

Por, Prokuroria e Kosovës, ky institucion, që supozohej që të na mbronte, vetëm vitet e fundit ka hapur dy hetime penale kundër meje për të më burgosur mua për shkrimet e mia. Këto shkrime të mia ekspozonin korrupsionin dhe shpërdorimin e pushtetit nga Zëvendësdrejtori i bankës Qendror dhe një kompani e Sigurimeve. Prokuroria e Kosovës po tenton të më fusë në burg mua që kam raportuar për aferat e tyre, por nuk ka hapur asnjë hetim kundër tyre.

Thamë që do të flasim edhe për regjimin e vizave, dhe kjo është arsyeja e tretë që neve si gazetar që raportojmë kundër korrupsionit na bënë të dyshojmë nëse ne jemi gabim, dhe elita jonë e korruptuar është drejt. Bashkimi Europian e di mirë që arsyeja që kosovarët po i bashkohen ISIS-it është korrupsioni (edhe pse ka edhe faktor të tjerë, siç janë ligjëratat e imamëve wahabi të paguara nga Arabia Saudite) dhe po ashtu e dinë që përgjegjës dhe fajtor për këtë korrupsion është elita e korruptuar e Kosovës. Megjithatë, Bashkimi Europian ka vendosur që ta dënojë popullin e Kosovës dhe t'i favorizojë politikanët tanë të korruptuar.

Ndoshta ju dëshironi të dini se si bëhet kjo? Thjesht, elita e korruptuar e Kosovës, ata kanë pasaporta diplomatik, kurse të rinjtë e Kosovës kanë regjim të vizave për çdo vend në Europë. Të rinjve nga Kosova iu duhet vizë për të shkuar kudo në botë, përveç te fqinjët dhe në Turqi. Dhe nëse dikush pyet pse të rinjtë e Kosovës po shkojnë në ISIS, atëherë unë do të ju pyes juve: Ku tjetër ne mund të shkojmë? I vetmi vend ku mund të shkojmë pa viza është Turqia, dhe nga Turqia për në ISIS është aq lehtë sikur të udhëtosh nga Hamburgu në Berlin me atë ofertën speciale të autobusëve, vetëm për 9 euro.

Dikush nga ju që jeni këtu, në të ardhmen do të bëheni liderë të këtij vendi. Dikush nga ju do të bëhet gazetar e dikush aktivist i të drejtave të njeriut. Kjo botë është e vogël dhe Përgjegjësi për të Mbrojtur (RTP) iu takon kombeve të mëdha.

Ne që përballemi me të keqën në vendet tona kemi nevojë për përkrahje, dhe jo që kombet e mëdha të përkrahin të korruptuarit tanë, siç po ndodh aktualisht. Mos të keqkuptohemi, ne nuk po kërkojmë para, por përkrahje të dinjitetshme. Nëse politikanët evropian duhet patjetër që ta takojnë Kryeministrin e korruptuar të Kosovës, të paktën mos të i organizojnë ceremoni sikur po e mirëpresin në takim Nelson Mandelen.

Të rinjtë e Kosovës janë të pafat se në këtë shtet sistemi arsimor është po thuajse i shkatërruar, dhe atyre u duhet shkollim në Europë, por këtë e pamundëson regjimi i vizave. Të rinjve kanë nevojë për ta parë civilizimin europianë, por i ndalon regjimi i vizave, prandaj ata e përqafojnë barbarizmin e ISIS-it.

Në të ardhmen ju do të drejtoni me këtë komb, por edhe sot mund të flisni me prindërit tuaj që drejtojnë me kombin dhe atyre t’ua tregoni këtë fakt: Nëse izolimin po e shihni si zgjidhje për të penguar ardhjen e kriminelëve nga regjioni i Ballkanit, dhe në veçanti nga Kosova, kuptojeni këtë: nëse kriminelët duan të vijnë në Europë ata do të vijnë shumë lehtë. Ata do të vijnë ose në rrugë ilegale, ose me pasaporta diplomatike.

Fjalim i mbajtur në Berlin (4 shtator 2015), në kuadër të aktiviteteve për lirinë e shprehjes të organizuar nga shoqëria civile në Gjermani.

http://www.gazetaexpress.com/oped/kriminele-kosovare-me-pasaporta-diplomatike-drejt-europes-127552/



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx