Kulturë
Gjon Keka: Imazhi dhe jeta reale e Gjergj Kastriotit
E hene, 17.08.2015, 08:02 PM
Imazhi dhe jeta reale e Gjergj Kastriotit Skënderbeut
Nga Gjon Keka
Edhe pse shumë studiues nuk kanë qenë shumë të fokusuar në detajet e jetës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë qenë të interesuar, por mbi të gjitha ata e kanë njohur Gjergj Kastriotin si një personalitet të madh, vizionar dhe trim e mbrojtës të civilizimit të përbashkët europian.
Prandaj detajet se sa ka qenë i madh, cfarë imazhi apo si ka ngrënë e si është vesh nuk i ka interesuar aq shumë autorëve që kanë shkruar për të se sa vepra dhe gjurmët që ai ka lënë gjatë lidershipit të tij dhe luftës kundër pushtuesit barbar osman. I vetmi që ka shkruar ka qenë Marin Barleti në veprën e tij me disa detja për shkak se ai ishte bashkëkohës, dhe se vetëm bashkëkohësit mund ta dinë se si ishte në tërësi ai personalitet. Dhe tani që po sjell këtë gjetje interesante (një skicë biografike e jetës së Gjergj Kastriotit të vitit 1828) nga kjo letër edhe të një bashkëkohësi tjerë i cili na e sjell një imazh real dhe madhështor të heroit, strategut dhe avokatit të qytetërimit tonë europian.
Për të parë më mirë imazhin e plotë të këtij personaliteti mbikohor të kombit tonë do të vecoj këtu fjalët e një nga bashkëohësit e tij i quajtur Petruzi nga letra dërguar Senatit Venecian, këtu janë përzgjedhur disa nga karakteristikat që i nenvizon mbi Gjergj Kastriotin dhe jetën e tij si më poshtë :
“Një hundë butësisht e lakuar si shqiponjë, një fytyrë të bardhë e përzier me pamje të skuqur dhe të shëndetshme , si rezultat i aktiviteteve te tij në diell, ballë të lartë të gjerë, sy të zi në të kaftë dhe mjekër të stilit të heronjëve të vjetër me reputacion...
Kastrioti është i madh më tepër se madhësia e zakonshme e njeriut, i fuqishëm,muskuloz...me dhunëti dhe fisnikëri që nga lindja e tij...
Ai ka një trup të fuqishëm dhe të pazakontë fizik, dhe unë e kam pare disa herë atë ne beteja...
I veshur me të gjelbër me një rrip shumë të mirë në mes... pantallona të gjera me shtrese tek kembet te corapeve ne të kuqe dhe çizme te verdha janë stolia e tij e zakonshme.
Natën shpata e tij gjithmonë duhet të qëndrojë tek shtrati.
Në paqe ai shkon shpesh i veshur, në bazë të veshjes kombetare (artit te veshjes se vendit)...
Ai është jashtëzakonisht i masës në te ngrënë dhe në të pirë... ndersa për nga morali ai mund të shërbejë si shembull(model)...
I pastër, i devotshëm, i butë, orator dhe bujar.
Me pak fjalë, bota është shpirti i tij, nga zemra e tij njihet vetë ai.
Ai zotëron një kujtesë të paimagjinueshme, në mënyrë që ai si Pirro, paraardhësi i tij i madh, emrat e pothuasje të gjithë luftëtarëve të tij i njeh.
I urtë dhe i kujdesshëm në këshillat e tij, ai i shqyrton planet e sukseseve ose dështimeve të tij, por kur ai i dizajnon planet një herë, ai i ekzekuton ato me vendosmëri dhe shpejtësi si rrufeja.
Përveç gjuhës së tij amtare, ai flet plotësisht turqishten, tatarishten, sklavonishten, latinishten, persishten dhe Velshisten;poashtu ai e njeh mirë historinë e lashtë greke dhe romake, librat më të preferuar të tij janë jetëshkrimet e Plutarkut dhe komentaret e Cezarit.
Ai përdori historinë e vjetër të Livit dhe përshkrimet (direksionet) e tij duke i nxjerrë ato si rregulla për qeverinë e tij dhe mënyrën e jetës prej tyre...”