Shtesë » Lajme
Hajdin Islami: Varfëria, stopon numrin e foshnjeve në familjet e kosovarëve
E marte, 29.07.2008, 06:50 PM
Varfëria, stopon numrin e foshnjeve në familjet e kosovarëve
Shkruan: Hajdin ISLAMI*
Kosovë, korrik 2008 - Realiteti i zymtë ekonomik që po e përcjellë Kosovën,ka bërë që njerëzit që jetojnë në Kosovë të shprehen të pakënaqur, të revoltuar dhe indinjuar me këtë që po ndodh.Varfëria është prezent në çdo pjesë të vendit,shumica e banorëve të Kosovës janë të varfër, përjashtuar këtu disa politikanë.
Për sa u përket statistikave në lidhje me shkallën e varfërisë në Kosovë ka kundërthënie të ndryshme. Por një gjë është e vërtetë Kosova është vendi më i varfër dhe më i pazhvilluar në Evropë, madje ka edhe të atillë që vendin tonë e krahasojnë me vendet që kanë ngecje në zhvillim dhe edukim si: Bangladeshin, Afrikën dhe vende tjera të prapambetura. Qeveritë e njëpasnjëshe të Kosovës deri më tani nuk kanë qenë në gjendje që të bëjë diç për ta zbutur sado pak këtë gjendje e cila shumë herë nga analist vendorë dhe ndërkombëtar është konsideruar se do të mund të destabilizonte Kosovën, ky fenomen që për më të varfrit e Evropës (kosovarët) është bërë sëmundje,sëmundja e varfërisë i ka prekur gati të gjithë, por kuptohet me disa përjashtime. Për derisa dikur Kosova, kishte tri shtresa të shoqërisë: të pasur, të mesëm dhe të varfër,tash në vitin 2008, e sipas të gjitha gjasave edhe në vitet vijuese do të kemi dy shtresa: të pasurit që nënkuptojmë me politikanët dhe biznesmenet, dhe të varfëritë që nënkupton me popullin. Për një jo kosovarë i cili për herë të parë shkelë në tokën e Kosovës, do të ishte jo e besueshme që Kosova e cila në hartën gjeografike të pasurive ka mjaft resurse ekonomike por edhe më kryesorja ka edhe resursin njerëzor,ky vend i vogël të jetë i varfër nuk ka shpjegim. E vërteta e hidhur sot qëndron se papunësia është në rrintje, privatizimi ka lënë shumë punëtor jashtë fabrikave,lypsit janë prezent në çdo pjesë, problemet mendore dhe vetëvrasjet janë duke u shfaqur çdo ditë në shoqërinë tonë. Zhvillimi i ngadalshëm ekonomik si dhe ai i rënjes së shtimit të popullsisë në këto dy-tri vitet e fundit që sipas indikacioneve kjo e fundit rënja e lindjeve në shoqërinë kosovare, qëndron edhe tek varfëria dhe zhvillimi i dobët ekonomik.Të punësuarit në Kosovë veçanërisht ata në arsim dhe shëndetësi kanë paga dekurajuese për punën që e bëjnë. Edhe të moshuarit në Kosovë kanë problem me mbijetesën pasi pensionet e tyre janë mjaftë të vogla. Kjo gjendje e keqe do të ishte rrezik për Kosovën sepse Kosova deri më tani e ka mbajtur primatin si vendi me popullësinë më të re në Evropë dhe nga mos lumturia,varfëria dhe paperspektiva që i ka kapluar gati të gjithë Republika e Kosovës do të mund të quhet “vendi i jetëshkurtëve”. Edhe qendrat për punë sociale pohojnë se çdo ditë po rritet numri i atyre që kërkojnë asistencë sociale. Papunësia po i shkatërron çdo ditë e më shumë kosovarët çoftë në familje apo edhe në psikikën e tyre, madje ka shumë kryefamiljar në Kosovë që bëjnë “luftë” titanike vetëm që të sigurojnë një copë bukë. Kurse një fenomen shqetësues që do të mund ta kërcënonte interesin nacionale të Kosovës është se nëse vazhdon kjo gjendje Kosova, brenda disa vitesh do të humb namin që e kishte për shtim natyror(natalitet). Shumë qifte kosovare planifikimin familjar janë duke e reduktuar në më pak fëmijë e gjithë kjo në pamundësi të krijmit të kushteve elementare si:sigurimi i ushqimit dhe vendbanimit,librave,transportit e gjërave të tjera të nevojshme kanë detyruar shumë famijle që të lindin një ose dy fëmijë e në disa raste edhe më shumë. Ka pasur raste por edhe sot ka kur disa familje fëmijët e tyre është dashur t’i ndalin nga shkollimi, e mos të flasim për një të varfër, i cili as në ëndërr nuk do të mund ta imagjinonte që të jetë student, pasi që të ardhurat në familjen e tij janë të pakta apo nuk ekzistojnë fare, shumë të rinj nga mos perspektiva e tyre në Kosovë bëjnë veprime nga më të ndryshmet, ndonjëherë edhe bien në kundërshtim me ligjin, të gjithë këtë e bëjnë vetëm që të largohen nga Kosova dhe të sigurojnë një jetë më të mirë në Evropë apo në ndonjë vend tjetër të botës.
*Prof dhe gazetar nga Vushtria, Kosovë