E enjte, 14.11.2024, 06:27 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Dr. Sami Repishti - veprimtar i shquar

E enjte, 23.07.2015, 08:48 PM


DR. SAMI REPISHTI - VEPRIMTAR I SHQUAR I TË DREJTAVE TË NJERIUT

(Fjala e mbajtur në simpoziumin me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Profesor Sami Repishtit)

Nga Frank Shkreli

Është kënaqësi të jem me ju këtu për të festuar 90-vjetorin e lindjes së Profesor Sami Repishtit. Natyrisht se ky është një jubile i gëzueshëm, në të cilin jam krenar të marrë pjesë - për të shënuar këtë moment të rëndësishëm në jetën e Profesorit në rrethin familjar dhe me miqët e dashamirët e tij. Por njëkohsisht edhe për ta falenderuar atë për kontributet e shumëta në fusha të ndryshme të veprimtarisë së tij patriotike, akademike dhe humanitare gjatë viteve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut.

Për dekada, Profesor Repishti ka qenë një shtyllë e fortë e komunitetit shqiptaro-amerikan.   Autori dhe historiani Peter Prifti, një anëtar tjetër i dalluar i Komunitetit shqiptaro-amerikan ka shkruar se, “…Prof.Dr. Sami Repishti qëndron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane.  Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta”. Për më tepër, unë do të thoja se ai në të vërtetë është ndërgjegja e kombit.

Profesor Repishti i ndoqi dhe i zbatoi këto ideale të larta në të gjitha veprimtaritë e tija, por mbi të gjitha duhet theksuar se përpjekjet e tija, për të promovuar, për të zhvilluar dhe për të mbështetur të drejtat e njeriut për të gjithë, sidomos për shqiptarët kudo, para dhe pas shëmbjes së komunizmit, janë të pakrahasueshme me ndonjë tjetër në botën shqiptare.

Prandaj, kemi ardhur këtu sot për të nderuar një ikonë shqiptaro-amerikane të të drejtave të njeriut dhe për të celebruar një trashëgimi të një mbështetsi të idealeve të të drejtave të njeriut, si vlera njerëzore për të gjithë ne - vlera këto të cilat Profesor Repishti i ka jetuar, i ka mbështetur dhe i ka zbatuar gjithë jetën e tij, deri në ditët e sotëme.

I përket një personi të veçantë që t’ia dedikojë jetën mbrojtjes dhe promovimit të   drejtave të njeriut.  Një person i tillë duhet të jetë një individ vlerash dhe virtytesh! Gjithë jetën e vet, Profesor Repishti ka treguar një forcë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe ka pasqyruar vlerat dhe një besim të fortë, për t’ia pasur gjithkush lakmi, të pakën nga ata që i respektojnë këto vlera.

Ai kurrë nuk është dorëzuar në luftën për të drejtat e nejriut.  Madje edhe në moshën 90-vjeçare, asgjë dhe askush nuk e ndalon atë që të shprehet dhe të shkruaj në mbështetje të të drejtave të njeriut, të vlerave dhe të drejtave universale dhe të integritetit të individit.  Kjo, për arsye se Profesor Repishti nuk ka pasur kurrë frikë të merrte qendrime të prera dhe të vendosura në mbështetje të parimeve në të cilat ai beson.  Madje edhe në rrethanat më të vështira në burgjet e komunizmit shqiptar dhe jugosllav, ai nuk mund dhe nuk dëshironte të heshtë.   Gjatë gjithë jetës së tij, Profesor Repishti ka besuar se kur kemi të bëjmë me respektin për të drejtat e njeriut, pa marrë parasyshë rrethanat, njeriu nuk mund të mbetet asnjanës, sepse siç ka thënë aktivisti i të drejtave të njeriut dhe fituesi i Çmimit Nobel, Elie Wiesel, “Të jeshë asnjanës, vetëm ndihmon shtypësin dhe kurrë viktimën dhe heshtja inkurajon gjithmonë torturuesin dhe asnjëherë të torturuarin.”

Të nderuar miqë, Profesor Repishti, pa marrë parasyshë rrethanat dhe rreziqet, ai nuk ka qëndruar kurrë larg interesimit dhe mbështetjes për të drejtat e njeriut.

I nderuar Profesor, Perëndia u ka bekuar me një jetë të gjatë dhe me shëndet për një arsye – dhe ju nuk e keni tradhëtuar atë.   Jeta juaj është një jetë shërbimi ndaj të tjerëve.  Ju keni punuar gjtihë jetën dhe vazhdoni të jepni kontributin tuaj ndaj njerëzimit, i bindur se misioni i jetës suaj nuk ka marrë fund, se ju gjithnjë mund të frymëzoni të tjerët dhe se pa marrë parasyshë rreziqet me të cilat mund të përballeni, ju nuk keni qëndruar atëherë dhe nuk qëndroni asnjanës as tani, përball shtypjeve e terrorit.  Mbi të gjitha, ju jeni kujdesur për të drejtat e njeriut dhe për mirëqenjen e të gjithë njerëzve, qofshin ata shqiptarë ose të tjerë kudo në botë, të drejtat e të cilëve janë shkelur historikisht nga regjimet komuniste në trojet shqiptare për një gjysëm shekulli ose nga diktatorë të tjerë të ngjyrave të ndryshme, anë e mbanë botës.

Profesor Repishti është dëshmitar i cili ka përjetuar regjimin brutal të Enver Hoxhës – njërit prej regjimeve më totalitare të shekullit 20.  Por, ai njëkohsisht është edhe dëshmitar i gjallë i heroizmit të atyre shqiptarëve, viktimave të atij regjimi, të cilët së bashku me Profesorin rezistuan forcën brutale të të ashtuquajturit “pushtet popullor”.   Ne jemi të privilegjuar që Z. Repishti vazhdon të shkruaj dhe të flasë për vuajtjet e veta dhe viktimave të tjera të komunizmit, të    cilët kundërshtuan komunizmin së bashku me të.

Ndërkohë që propaganda dhe terrori i komunizmit shqiptar kishte përfshirë vendin, duke filluar nga viti 1945, ishte e pamundur që Z. Repishti të heshtë për ato që kishte parë.  Megjithë rreziqet që i kanoseshin atij dhe familjes së tij, ai vendosi të mbante një qëndrim të prerë kundër diktaturës komuniste dhe të mbronte të drejtat e njerëzve të pafajshëm.

Siç ka ndodhur edhe me mbështetës të tjerë të mëdhej të të drejtave të njeriut gjatë 50-viteve të fundit, Profesor Repishti kishte filluar të interesohej për të drejtat e njeriut, në një periudhë kur po përballej vetë, drejtë për drejtë me të keqen – dmth., me rendin e ri komunist në Shqipëri – regjim i cili e torturoi për 14 muaj dhe e burgosi atë për 10-vjetë, vetëm e vetëm se e kundërshtonte atë regjim.

Kjo rezistencë e tij ndaj komunizmit, ka shkruar Profesor Repishti, “Më ka obliguar moralisht për të ndarë me të tjerët ato që kamë parë, sidomos krimet e diktaturës së proletariatit, duke venë në dukje, jo vetëm vuajtjet e popullit tonë, por edhe karakterin e popullit shqiptar, i cili i qëndroi besnik vetvetes, përball kërcënimeve të ndryshme, përfshirë edhe kërcënimet me vdekje.”

Kështuqë, interesimi i Profesor Repishtit për t’iu dedikuar mbrojtjes së të drejtave të njeriut nuk kishte filluar në 10-20 ose 30-vitet e fundit, kauza e të drejtave të njeriut ishte bërë pasion i jetës së tij qyshë në fillim.  Angazhimi i tij për të drejtat e njeriut e ka zanafillën atje, në vitet e vuajtjeve të tija në burgjet komuniste, si i burgosur politik në Shqipëri, ku vuajti 10-vjetë burgim, së bashku me intelektualët më të dalluar të Shqipërisë së asaj kohe, përfshirë edhe klerikët katolikë shqiptarë më të shquar, ndërkohë që kishte qenë dëshmitarë i tmerreve që ata vuajtën në duar të torturuesve komunistë.

Në lidhje me vuajtjet e klerikëve katolikë shqiptarë, Profesor Repishti ka shkruar në vitin 1966, pasi kishte arritur në Amerikë se, “I ndjeja thellë mizoritë e ushtruara mbi ta: masakrat dhe torturat, shpifjet e organizuara dhe trajtimet poshtëruese ndaj tyre ishin aq të rënda, sa që nuk mund të pranoheshin,  të harroheshin dhe as të faleshin”.

Profesor Repishti ka shkruar se ai është frymëzuar nga, “dashuria e tyre fisnike për bashk-të-burgosurit, për faljen dhe mëshirën që ata treguan ndaj torturuesve të tyre të verbër, nga shpresa e tyre që buronte nga ndjenjat e shëndosha se aspiratat tona,   për liri, drejtësi dhe paqë, hereto se vonë, do të realizoheshin.  Këto ishin të vërteta aq të qarta!...” ka theksuar Repishti.   “Këto të vërteta”, ka pohuar Profesor Repishti, “më kanë prekur thellësisht në zemër, më kanë ushqyer mendjen dhe më kanë ndihmuar shumë që të kuptoj madhështinë e natyrës njerzore. Është kjo një ndjenjë që unë e ruaj dhe e kultivoj sot e kësaj dite”, ka deklaruar Profesor Repishti me rastin e 20-vjetorit të tragjedisë së viktimizimit të klerit katolik shqiptar.

Është e qartë se kleri katolik shqiptar, të burgosur, të vuajtur e të masakruar nga regjimi komunist enverist – jo vetëm sa ishin gjallë por edhe të vdekur, gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij, Profesor Sami Repishti e ka provuar me fjalë dhe me vepra se - ata nuk kanë pasur as nuk kanë një mbështetës më të madh për të drejtat e tyre njerzore dhe fetare, se sa këtë kampion të të drejtave të njeriut, Prof. Dr. Sami Repishtin - këtë bir të një kleriku të shquar e të nderuar mysliman nga Shkodra jonë.

Lufta e dytë Botërore dhe komunizmi kishin lënë një ndikim të madh moral dhe filozofik në personin e këtij mbështetësi të ardhëshëm të të drejtave të njeriut.  Pasi mbijetoi vuajtjet në burgjet komuniste të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, ai emigron në Shtetet e Bashkuara në fillim të 1960-ave.  Përvoja e Z. Repishti në ato burgje duket se kishte lëkundur qëndrimin e tij në besimin ndaj mirësisë së njerëzve, por megjithëkëtë, ai kurrë nuk humbi besimin në shpirtin njerëzor.

Në një letër që ai i ka dërguar, Fondacionit Woodrow Wilson në vitin 1964, në lidhje me këtë, Repishti bën pyetjen: “A është e keqja me të vërtetë aq e thellë e rrënjosur në shpirtin e njeriut, sa që njeriu të identifikohet me të keqën?”

Komunizmi, ka shkruar ai, kishte këthyer për së mbrapshti një numër parimesh të jetës sonë, duke an kërkuar që të hiqnim dorë nga individualiteti ynë personal, me qëllim për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, një njeri të ri. Përballë kësaj situate, ka pohuar ai, ne ishim të detyruar të vendosnim nëse të pranonim ose jo këtë drejtim të ri.  Ishim para një alternative të pa evitueshme, për të dëmtuar të tjerët (fizikisht dhe moralisht) ose për të pësuar sulmet nga të tjerët.  Në lidhje me këtë nuk kishte kompromis”, ka nënvijuar Profesor Repishti, duke shtuar se ai vet kishte vendosur që të mos dëmtone të tjerët, por të pësonte kritikat dhe sulmet nga të tjerët, dmth. nga kundërshtarët e tij.

Profesor Repishti ka pohuar gjithashtu se përvoja e tij në burgjet komuniste, jo vetëm që e ka bërë atë të identifikohej më mirë me problemet e përditshme të bashkatdhetarve të vet, por njëkohsisht e kishte detyruar të përballohej me disa pyetje morale, për të mos thënë teologjike, në lidhje me natyrën njerëzore dhe mbi të drejtat e njeriut në këtë botë.  “Cila është gjëndja shpirtërore në ditët tona? Cili është reagimi ndaj tendencave për ta bërë njeriun si një frymë pa bazë morale, thjeshtë për ta shëndërruar atë në një objekt?  Si lufton njeriu për sigurinë e vet, për afirmimin e tij, për lirinë dhe pavarësinë personale dhe më në fund për ekzistencën e vet, për një ekzistencë kuptimplotë?”   Z. Repishti ka shkruar që nga viti 1964 se, “Për të zbuluar përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve të vështira dhe të ndërlikuara të ditëve tona, unë kam vendosur t’i kushtohem kauzës së të drejtave të njeriut, me qëllim për të kontribuar diçka më të vlefshme dhe më fisnike ndaj fjalës “njeri”, sepse kjo kauzë do të bëhej një ideal dhe shpresë për mua”, ka thënë ai.

Për ne që e njohim Profesor Repishtin dhe për ata që ndjekin shkrimet e tija rregullisht, nuk është vështirë të vihet re se ai nuk ka devijuar asnjëherë nga ky qëndrim. Pothuaj në çdo artikull, në çdo ese ose intervistë, subjekti i të drejtave të njeriut është gjithmonë dominues në fjalorin e Profesorit, siç është edhe angazhimi i tij real në mbrojtje të këtyre të drejtave, jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë njerëzit kudo, pasi të drejtat e njeriut janë të drejta universale për të gjithë njerzit në mbarë botën.

Si rrjedhim, Profesor Repishti ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetës dhe aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo që ata jetojnë në trojet e veta në Ballkan.  Profesori është dalluar gjatë dekadave të kaluara sidomos me aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta autoktone në Kosovë dhe trojeve të tjera në ish-Jugosllavi, por pa harruar gjithashtu as të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë.  Ai e ka zhvilluar luftën në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët me mënyra të ndryshme si individ dhe si anëtar i organizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International, por mbi të gjitha ai është aktivizuar si qytetar i lirë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ushtruar të drejtën e tij, me shkrime dhe në kontakte personale, gjithmonë me qëllim për të influencuar përfaqsuesit politikë amerikanë që polikisht, diplomatikisht dhe më në fund edhe ushtarakisht me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, të ndihmonin shqiptarët  dhe të mbronin të drejtat e tyre.

Sa herë gjatë viteve, ka udhëtuar Profesor Repishti nga New Yorku në Washington për takime zyrtare me udhëheqsit më të lartë të qeverisë dhe të Kongresit amerikan për t’i sensibilizuar ata mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta anë e mbanë Ballkanit.  Kontaktet e tija me Washingtonin zyrtar kanë qenë të shumëta dhe të vazhdueshme, ndërkohë që ai konsiderohej si një këshilltar i besueshëm dhe i drejtë në marrëdhënjet e tija me Departamentin Amerikan të Shtetit, me përfaqsues të Shtëpisë së Bardhë dhe sidomos me udhëheqës të Kongresit amerikan të dy partive kryesore amerikane, republikanë dhe demokratë.

Marrëdhënjet e Profesor Repishtit me Kongresin Amerikan kishin filluar menjëherë pas arrijtjes së tij në Amerikë.  Në të vërtetë, ai ruan nderin e shqiptaro-amerikanit të parë që është paraqitur në Kongresin Amerikan për të dëshmuar mbi gjëndjen e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë.  Ka qenë 17 dhe 18 maji i vitit 1965 kur Nënkomisioni për Punët Europiane i Dhomës së Përfaqsuesve ka mbajtur një sesion mbi gjëndjen e atëhershme në vendet komuniste të Europës Lindore dhe të Baltikut.  Gazeta “Shqiptari i Lirë” ka dokumentuar dëshminë e parë të një shqiptari në personin e Sami Repishtit, me kryeartikullin: Marrëdhënjet e Tiranës me Moskën e me Beligradin dhe Problemi Kosovar: Një dëshmi shqiptare në Parlamentin e Shteteve të Bashkuara”.  Ishte ky një shkëmbim mendimesh mbi gjëndjen e shqiptarëve midis Profesor Repishtit dhe anëtarëve të Komisionit në fjalë, përfshirë edhe kongresistit Lee Hamilton, njërin prej ekspertëve të politikës së jashtëme për shumë vjetë në Kongresin amerikan.  “Shqiptari i Lirë” theksonte në atë kohë se dëshmia e Profesor Repishtit, përbënte, “Deklaratën e parë të qartë mbi të drejtat e shqiptarëve nën Jugosllavi, para Kongresit të Shteteve të Bashkuara.”

Paraqitja e tij para Kongresit amerikan më 1965 ishte vetëm fillimi i kontakteve të Dr. Repishtit me autoritetet amerikane.  Ç’prej asaj dite, ai nuk i është ndarë paraqitjes së çështjes shqiptare në qarqet më të larta politike dhe akademike amerikane.  Profesor Repishti gjithmonë ka gëzuar respektin më të madh në këto qarqe si njeri i besueshëm dhe i drejtë, por është njohur edhe për angazhimin e tij të fortë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, këshillat e të cilit duhej të merreshin parasyshë.

Në një letër që Zëvendës-Presidenti Al Gore i kishte dërguar Profesor Repishtit me rastin e 75-vjetorit të lindjes, duke i  dërguar atij “urimet më të përzemërta për ditëlindjen”  i shkruan:  “Jeta jote është një shëmbull i shkëlqyer, e asaj që është e madhërishme në Amerikë… E dijë se familja dhe komuniteti i juaj, me të drejtë janë krenarë për karierën tuaj të profesorit prej 25 vjetësh, për guximin tuaj të papërkulshëm dhe për aktivizmin tuaj në fushën e çështjeve shqiptare.”

Ndërsa nga ana tjetër e spektrit politik amerikan, Kongresisti republikan nga Long Island e New Yorkut, Peter King në të njëjtin rast shënon në gazetën zyrtare të Kongresit, “Congressional Record”, lavdërime për Sami Repishtin, të cilin ai e cilëson si një “bashkqytetar shëmbullor”, duke theksuar se, “Gjatë gjithë jetës së tij, Dr. Repishti i është dedikuar luftës kundër shkeljes së të drejtave të njeriut, shkelje të cilat ai vet i kishte përjetuar për një kohë të gjatë.” Kongresisti King thekson rolin që ka luajtur Profesor Repishti në udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), “një organizate e dedikuar për të luftuar shkeljet e të drejtave të njeriut të shqiptarëve”, ka shkruar ligjvensi amerikan Peter King në “Congressional Record”.

Por, 90-vjetori i lindjes së Profesor Repishtit, ka një domethënje sa për të kaluarën aq edhe për të ardhmen.  Nga përvoja e tij e urtë si mbijetues i ferrit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, por edhe nga përvoja e gjatë në fushën e të drejtave të njeriut gjatë 50-viteve të kaluara, jam i sigurtë se Profesori, secilit prej nesh kudo që jemi në Shqipëri, në Kosovë, këtu në Shtetet e Bashkuara – besoj që dëshiron të na bëjë thirrje sot, të na nxisë me fjalën e tij bindëse duke na kujtuar detyrën dhe obligimin tonë si individë, për të folur dhe për të vepruar në mbështetje të të drejtave të njeriut për të gjithë dhe pa dallim, për të folur dhe për të mbajtur qëndrim kundër padrejtësive, sidomos padrejtësive dhe keqtrajtimeve nga qeveria dhe nga autoritetet që duhet të jenë në shërbim të popullit – madje edhe në raste kur bota rreth nesh duket se futet në fshehësinë e heshtjes së historisë.

“Historia shkon e vjen”, ka pas thënë ish presidenti amerikan Ronald Reagan, “por parimet qëndrojnë, ato mbijetojnë si garanci që brezat e ardhëshëm të mbrojnë të drejtën e lirisë – e cila nuk është dhuratë nga qeveria – por një bekim nga Krijuesi ynë.”

Miku ynë i nderuar – ju jo vetëm ishit dëshmitar i një historie të tmerrshme, për të cilat ka folur shpesh Ronald Reagan, por për më tepër, ju edhe keni vuajtur nga krimet e asaj histori, nga krimet më çnjerëzore që mund të ndërmerrte një regjim  kundër qytetarëve të vet. Por ju, megjithë vuajtjet kishit forcën, vendosmërinë dhe guximin për të mbrojtur parimet e lirisë dhe të drejtat e njeriut, si shëmbull për brezat e ardhëshëm.   Kjo është tepër e rëndësishme, sepse për shumë shqiptarë, siç e dini, pasojat nga abuzimet e të drejtave të tyre të njeriut në të kaluarën, mbeten ende plagë të gjalla jo vetëm në kujtimet e tyre personale por edhe në shoqëri, në përgjithësi si shënja të pashlyeshme të krimeve dhe abuzimeve nga regjimet diktatoriale nën të cilat ata kanë jetuar – madje edhe 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit.

Siç tha edhe Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulc në fjalimin e tij këtë javë në Kuvendin e Shqipërisë, është e rëndësishme që të kujtohet historia, ashtuqë të mos harrohen ngjarjet tragjike të historisë së kaluar, pasi nuk mund të ketë pajtim, pa kujtesë. “Pajtimi”, u tha deputetëve shqiptarë udhëheqsi europian nga Gjermania, “nuk mund të ndodhë nëqoftse nuk pranohen dhe nëqoftse nuk flitet për vuajtjet dhe dhimbjet e së kaluarës dhe nëqoftse nuk pranohen si të tilla.”

Të nderuar Zonja dhe Zotëri –njeriu që ne nderojmë sot, ky mbështetës i shquar dhe luftëtar për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut – miku i ynë Profesor Sami Repishti, jo vetëm tashti, por me fjalët dhe veprat e tija, ai gjithmonë na ka ftuar dhe kujtuar dhe ka bërë thirrje shpesh që jo vetëm të mos harrojmë abuzimet e së kaluarës, por është e rëdnësishme për pajtimin shoqëror dhe kombëtar ka thënë ai, që ato të korrektohen, me qëllimin dhe shpresën që të mos përsëriten më. Mendoj se Sami Repishti do na porositë sot që të bëjmë më shumë në mbështetje të drejtave të njeriut – duke thënë se megjithëse anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, shqiptarët kanë shënuar përparim të dukshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë - si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë shumë për të bërë në këtë fushë dhe në fushë të tjera, - sidomos në fushën e pajtimit shoqëror - për të siguruar që të drejtat e njeriut, dinjiteti njerëzor për secilin person, barazia para ligjit dhe liria për të gjithë, të nguliten njëherë e mirë dhe përgjithmonë anë e mbanë trojeve shqiptare.

Ky është një objektiv, për realizimin e të cilit ka punuar gjithë jetën e tij Profesor Sami Repishti dhe nga i cili nuk e besoj se ka në mend të heqë dorë.  Ai na këshillon sot se puna për sigurimin e të drejtave të njeriut nuk kryhet kurrë, por do të thoshte se shqiptarët kanë çdo arsye që të kenë shpresë, se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më e sigurt se e kaluara e tyre e hidhur dhe më e mirë se e tashmja zhgënjyese.

I nderuar mik dhe koleg, të falenderoj dhe të uroj nga zemëra për një jetë plot veprimtari, në mbështetje të të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo dhe kurdoherë gjatë 50-viteve të fundit të një historie të hidhur për ta.  Më lejoni ju lutëm, nëqoftse kam mundësi, që tu paraqesë një falenderim të veçantë për mbrojtjen dhe kujtimin e vazhdueshëm që keni treguar dhe tregoni për bashkvuajtsit tuaj në burg, klerin katolik shqiptar, të cilët siç keni shkruar shpesh ka “pësuar mizoritë, masakrat dhe torturat” e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si asnjë pjesë tjetër e shoqërisë shqiptare.  Ju nuk lini asnjë rast të volitshëm pa përmendur sakrificat e tyre, përfshirë edhe intervistën e fundit që patët me rastin e 90-vjetorit, me kryeredaktorin e gazetës Illyria, Ruben Avxhiu.  Ata bashkvuajtës tuaj ishin atëherë të pambrojtur, të abuzuar dhe të torturuar nga regjimi komunist, por është merita juaj, i nderuar Profesor, që kujtimi i tyre nuk është harruar kurrë nga ju, e si rrjedhim as nga të gjithë ne, ndonëse nuk i kemi njohur.

Edhe njëherë falenderimet tona më të përzemërta për përpjekjet tuaja shëmbullore në favor të të drejtave të njeriut për shqiptarët, e sidomos për luftën tuaj të pa ndërprerë dhe këmbëngulëse prej dekadash për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.  Të jeni të sigurtë se shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri si edhe komuniteti shqiptaro-amerikan  jemi tepër krenarë për arrijtjet tuaja në fushën e të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët në veçanti, dhe për njerëzimin në përgjithësi.

Me respekt dhe mirënjohje të thellë ju dëshirojmë: Ad Multos Annos!



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora