Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Kongresi i Dibres, Kongresi i Turpit

| E shtune, 11.07.2015, 05:02 PM |


Pse po na e perserisni kohën e tradhtisë ?  ose

Kongresi i Dibres , Kongresi i Turpit  kombëtar 1909 !

Nga Fahri Xharra

I nderuar lexues! Kongresi i Dibrës (1909) ishte mbledhje e organizuar nga Komiteti Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim” me karakter të përgjithshëm osman. Kishte për qëllim të bashkonte, nën flamurin e osmanizmit, vendet e Turqisë evropiane, e veçanërisht klasat drejtuese të Shqipërisë. Morën pjesë 325 delegatë nga qytetet e ndryshme të vilajeteve të Turqisë evropiane, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Kongresi miratoi një program prej 17 pikash. Pjesa e parë prej 5 pikash, përfaqësonte programin osman të paraqitur që në fillim nga xhonturqit. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë prej 12 pikash që iu imponua Kongresit prej atdhetarëve shqiptarë, u përfshinë edhe disa nga kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me karakter kulturor. Atdhetarët shqiptarë e shndërruan Kongresin në një arenë të luftës kundër reaksionit xhonturk për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.

Kongresi i Dibres , Kongresi i Turpit  kombëtar 1909 !

Kongresi i Dibrës, i quajtur gjithashtu Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman u mbajt në 23-29 korrik 1909 në qytetin e Dibres Kongresi u sponsorizua nga qeveria osmane xhonturke nëpërmjet Komitetit Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim” me qëllim që të ndikonte me mjete paqësore te shqiptarët për një qëndrim sa më besnik të këtyre ndaj qeverisë osmane.

Kongresi qe i organizuar nga qeveria xhonturke osmane, i cili kishte për synim ndikimin me mjete paqësore te shqiptarët për t’i qëndruar besnik kushtetutës dhe qeverisë osmane. Kongresi kishte si qëllim forcimin e lidhjes së qeverisë osmane me parinë e Shqipërisë dhe krijimin para botës së jashtme te përshtypjes se turqit e rinj dhe shqiptarët kishin qëllime të përbashkëta. Ftesat u shpallen vetem 5-6 dite para kongresit dhe u ftuan 325 delegate, ndërmjet të cileve shumica ishin shqiptarë myslymanë dhe të krishterë, po edhe turq, 16 sllavo-maqedonë, 15 grekë, si dhe disa serbë e vllehë.

Duke qenë i organizuar nga xhonturqit dhe duke pasur në përbërjen e vet një shumicë delegatësh turkomanë, si edhe delegatë nga kombësitë e tjera të Turqisë Evropiane, Kongresi i Dibrës, me gjithë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë, sikurse theksohet në dokumentet bashkëkohëse, nuk arriti të kthehej në një manifestim të pavarur dhe kombëtar shqiptar.

Për më tepër, Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” dhe ithtarët e tij në Shqipëri, si myftiu i Manastirit, Rexhep efendi Tetova etj., i dhanë popullaritet, me anën e shtypit, të mitingjeve e të mjeteve të tjera, asaj pjese të vendimeve që bënte fjalë për unitetin e shqiptarëve, si “osmanllinj”, me turqit dhe nuk përfillën aspak masat që parashikonin mësimin, qoftë edhe me kufizime, të gjuhës shqipe në shkolla .

……"Pikë së pari Komiteti i turqvet të rij filloi të fusi në dorë hoxhallarët fanatikë edhe civilët e korrompuem, të cilët i shtytën që të pranojnë shkronjat arabishte, për gjuhën shqipe. Me qenë se shkronjat arabishte, përveç që nuk kanë zanore, por edhe si gjuhë semitike, nuk përfshijnë as bashktingëllore, me një fjalë ky ishte një mjet mashtrues për me i ndalue shqiptarët në fushën e kulturës. Në të gjithë Shqipërinë bota u nda në dy anë: partizanët e shkronjave latine edhe partizanët e shkronjave arabe. E para përfaqësonte kulturën evropjane edhe e dyta kulturën orientale, e para përfaqësonte nacionalizmën shqiptare, e dyta fanatizmën fetare; e para gjallninë, e dyta vdekjen. Në këtë luftë grekërit edhe serbërit ndihmonin propagandën e turqve të rij (Mendim i lire i lexuesve )

REAGIMET e verteta shqiptare

Shtypi patriotik shqiptar i kohës (si p.sh. Gazeta Dielli, organi i shoqatës Vatra që dilte në Amerikë  në nr. 22. të dt. 27.8.1909, d.m.th. një muaj pas mbajtjes së Kongresit të Dibrës), shkruante: “Lodër më të turpshme se ky Kongres nuk mund të lozin xhonturqit në kurrizin e shqiptarëve. Kongresi u quajt shqiptar vetëm që të gënjehet bota”

Një reagim ndaj kongresit te Dibres qe Kongresi i Elbasanit, i mbajtur një vit më vonë, i cili i parapriu themelimit të Shkolles Normale te Elbasanit, e para shkollë shqipe e arësimit të lartë, e cila do ishte e rëndësishme në formimin e mësuesve të gjuhës shqipe.

Edhe sot , a mos po gënjehemi me lodrat neoosmane  ?

Referencat:

Avzi Mustafa: Kongresi i Elbasanit, vepër me rëndësi për historinë e arsimit dhe të gjuhës shqipe. VOA.

Avzi Mustafa: Kongresi i Dibrës ne raportin e diplomatit anglez.

Fatos Daci :       KUVENDET E DIBRES

Rexhep Torte Përfundoi shënimi i 100-vjetorit të Kongresit të Dibrës. Albaniapress.

http://www.yllpress.com/4277/ademi-kongresi-i-dibres-ngjarje-me-rendesi-per-shqiptaret.html

Gjakovë, 09.07.15