E premte, 27.12.2024, 12:54 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Mos ia prisni krahun Osman Haxhiut!

E merkure, 08.07.2015, 06:59 PM


Mos ia prisni krahun Osman Haxhiut!

Nga Reshat Kripa

Në median elektronike lexoj njoftimin e mëposhtëm:

“Kreu i Shtetit shqiptar në vlerësim të shembullit të tyre frymëzues në organizimin, drejtimin e luftës si dhe në mbrojtjen të lirisë e të Pavarësisë së Atdheut, vlerësoi institucionalisht me Dekoratën “Nderi i Kombit”Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” e Luftës së Vlorës 1920, anëtarë të së cilit ishin: Osman Haxhiu, Duro Shaska, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Qazim Kokoshi, Beqir Sulo Agalliu, Hamit Selmani, Hysni Shehu, Myqerem Hamzarai, Murat Miftari, Sali Bedini, Hazbi Cano.

Në këtë ceremoni solemne  Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu  me Dekoratën e lartë “Nderi  i Kombit” (pas vdekjes), edhe Osman Haxhiun, Selam Musain, Zigur Lelon,  Sali Muratin,  Sado Koshenën, Kanan Mazen dhe Ahmet Cane (Lepenicën) me motivacionin: “Për veprimtari të shquar në luftërat për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, si dhe trimërinë e vetëmohimin në organizimin e luftës epope të Vlorës të vitit 1920”.

Ky dekorim u krye ne bazë të propozimit të dy shoqatave patriotike “Labëria” dhe “Ismail Qemali”. Të them të  vërtetën një njoftim i tillë, mua si vlonjat, më gëzoi pa masë pasi, megjithëse me shume vonesë, u arrit vlerësimi i duhur për shumë figura të shquara që historia komuniste i kishte lënë në heshtje, madje i kishte vlerësuar me atribute fyese si gjoja “tradhëtarë”, “Kolaboracionistë” e të tjera.

Por shpejt ky entusiazëm m’u shua pasi konstatova se drejtuesit të Luftës së Vlorës, të paharruarit Osman Haxhiu, ia kishin prerë njerin krah. Nuk ka në Vlorë qytetar që nuk e di se Osman Haxhiu kishte dy krahë të fuqishëm në këtë luftë të madhe, dy Qazimët, Qazim Kokoshin dhe Qazim Koculin. Ndërsa i pari ekzistonte në listën e të dekoruarve, i dyti ishte fshirë krejt. Përse? e tij  në fletet e medias elektronike lexoj:

Kush ishte Qazim Koculi? Nuk jam  historian por duke shfletuar Wikipedian e tij lexoj:

Lindi më 22 gusht 1887 në fshatin Kocul të Vlorës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje ndërsa atë të mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Studimet e larta i përfundoi në Akademinë e Lartë Ushtarake të Stambollit  pas të cilës fitoi gradën/Nëntoger. U emërua më pas në Marinën Ushtarake të Perandorisë Osmane, ku fitoi gradën e Togerit. Më 1909 nuk i bindet një urdhri ushtarak të një eprori të tij gjatë një beteje detare në Prevezë, për t`iu dorëzuar flotës italiane, ku luftoi heroikisht me torpendierën e tij të vjetër.

Pas nxjerrjes së urdhër-arrestit nga komanda perandorake, Koculi arratiset për në Argjentinë, ku qëndron deri në vitin 1912. Kthehet këtë vit në Vlorë, pasi iu përgjigj një thirrjeje të Ismail Qemalit. Ky i fundit e cakton drejtor të portit të Vlorës, detyrë të cilën e kreu deri në çastin që porti u mor në administrim nga italianët në tetor të vitit 1914. Deri në vitin 1917 ishte kryekatundar në Brataj të Vlorës. Nga ky vit e deri më 1919 ishte nënprefekt i Tepelenës. Më 21-31 janar 1920 merr pjesë si delegat i Vlorës në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, nga i cili u emërua edhe senator.

Është aktiv në Luftën e Vlorës të vitit 1920 dhe njihet si një ndër organizatorët e Kuvendit të Barçallasë. Meqë Gjenerali Piacentini i cili i komandonte ato nuk denjoi t’i përgjigjej ultimatumit të drejtuar atij nga komisioni i dalë nga Kuvendi i Barçallasë që brënda 48 orëve të largoheshin trupat italiane nga Vlora, më 29 maj 1920 në Beun u zgjodh Komiteti i Luftës së Vlorës me Komandant të Përgjithshëm Qazim Koculin. Hyri në Vlorë në krye të trupave shqiptare, pas një beteje të zhvilluar më parë, më 3 shtator 1920. Pas kësaj lufte kreu detyrën e prefektit të Vlorës.

Zgjidhet deputet i Vlorës në zgjedhjet e para të 5 prillit 1921. Ishte mbikqyrës i qeverisë së Pandeli Evangjelit së bashku me Bajram Currin dhe Avni Rustemin në periudhën tetor-nëntor 1921. Kriza e dhjetorit 1921 e gjeti në krahun e forcave që ishin për rrëzimin e qeverisë së Evangjelit. Nga kjo krizë ai u bë protagonist jo me ndonjë dëshirë të madhe, duke hyrë në histori edhe si kryeministri njëditor i Shqipërisë. Ai më 6 dhjetor u ngarkua nga Këshilli i Naltë për një kabinet prej 8 anëtarësh. Paraqiti dorëheqjen me argumentimin se nuk ia thoshte administrimit si i ndershëm që ishte. Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923, Qazim Koculi u zgjodh sërish deputet i Vlorës në Kuvendin Kushtetues. Gjatë kësaj kohe vazhdoi të përkrahte po atë linjë politike që ishte për rrëzimin e qeverisë.

Koculi ishte ndër pjesëmarrësit dhe përkrahësit e Lëvizjes së Qershorit 1924. Në qeverinë e dalë nga kjo kryengritje, Koculi ishte ministër i Punëve Botore. Me dështimin e kësaj qeverie dhe me Triumfin e Legalitetit, Qazim Koculi emigroi jashtë Shqipërisë bashkë me politikanët e tjerë.

Emigracionin politik Koculi e kaloi në Vienë dhe Paris. Gjatë kësaj kohe ai pajtohet me Mbretin Zog dhe pranoi që të ishte kryetar i Komitetit të Kosovës në mërgim. Ishte për kthimin në atdhe para 7 prillit 1939, por një gjë e tillë u kundërshtua nga shokët e tij. Pas pushtimit fashist, Koculi u kthye në Shqipëri, dhe në dhjetor 1939 emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit. Në qeverinë e Mustafa Krujës ishte Ministër Shteti dhe në çastet e fundit të kësaj qeverie u emërua Komisar i Lartë në Vlorë, në kohën kur qe rritur lëvizja komuniste atje. Më 2 janar 1943 Qazim Koculi vritet në Vlorë nga batalioni mercenar dibran i Halil Alisë si hakmarrje për 1920-ën. Mustafa Kruja në shënjë proteste si edhe indinjate ndaj italianëve si edhe personalisht ndaj Mëkëmbësit të Mbretit Jacomoni që nuk pranoi që të arrestoheshin e të çoheshin në gjyq vrasësit e Qazim Koculit, paraqiti menjëherë dorëheqjen nga posti i kryeministrit.

Përshkrimi ishte i plotë. Një jetë e tërë e vënë në shërbim të atdheut. Por nuk u mjaftova me kaq. Vazhdova shfletimin e fleteve te medias. U ndala në një studim kushtuar kësaj ngjarje historike nga studiuesi i njohur vlonjat Profesor Albert Habazaj:

Teksti i Historisë së Shqipërisë, vëll. 2; 1965 na informon me gjuhën e kohës, se disa rrethe politike të vendit të bindura se bisedimet shqiptaro – italiane nuk po jepnin ndonjë rezultat, kërkonin të organizohej një veprim energjik, që mund të arrinte deri në luftë të armatosur kundër ushrive italiane në Shqipëri. Zëdhënësit më aktiv të kësaj rryme ishin Qazim Koculi dhe Spiro G. Koleka, deputet të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Sipas tyre, një veprim i tillë jo vetëm do t’i tregonte opinionit publik botëror vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të atdheut të tyre, por, po të realizohej me sukses, do t’u jepte shqiptarëve një armë më të fortë për të kundërshtuar pretendimet tokësore jugosllave e greke në kurriz të Shqipërisë.

Emrat e tyre janë “emblema e Luftës së Vlorës” dhe përderisa Lufta e Vlorës është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e Kongresit Kombëtar të Lushnjes dhe me qeverinë e Tiranës, edhe Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Vlorës, 29 maj 1920 me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaskën, Hazbi Canon, Beqir Sulon, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Hysni Shehun, Qazim Kokoshin, Murat Miftarin, Myqerem Hamzarajn, me komandantët e Luftës së Vlorës major Ahmet Lepenica që dha dorëheqjen pas gjashtë ditëve e kapiten Qazim Koculi që e kreu këtë detyrë deri në fund të luftës, si dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se i bëjnë më shumë dritë çdo botimi të Historisë së Popullit Shqiptar, sepse qenë pikërisht ata që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. Nuk i përmend Historia e Shqipërisë, 2 –  këta emra që i ngritën Shqipërisë Pavarësinë e ulur, që ia grisën “esnafët e mëdhenj të mëmës plakë”. Duheshin përmendur, të paktën emrat dhe gjykojmë kështu se historia është histori, nuk është ideologji, sepse na kujton një shprehje të prof. Luan Malltezit: “Politikanët kanë të drejtë të japin mendime, por jo të ndikojnë mbi historianët”.

Lerxoj këto shkrime dhe, me të drejtë pyes:

-     Përse  e  sakatosët  Osman  Haxhiun?  Përse  ia  pret  njërin  krah? Përse  duhej 

mungonte Qazik Koculi në këtë ceremoni?

Dhe mua më dukej sikur Osman Haxhiu ngrihej nga varri dhe ua kthente dekoratën inspiruesve të saj, pasi ai nuk mund të jetonte me një krah të prerë. Kishte lindur i lirë dhe duhej të jetonte i tillë. Deri kur do të vazhdonte mentaliteti komunist në gjykimin e ngjarjeve historike? Harrojeni, o nostalgjikë të sistemit të përmbysur, të grumbulluar në lloj lloj “shoqatash patriotike”, harrojeni kohën e perënduar përgjithmonë. Qytetarët i njohin bijtë e tyre të vërtetë dhe ata nuk mund t’i shuani dot nga kujtesa e tyre. Këtë mos e harroni.

Çuditërisht para syve më dalin vargjet e bashkëluftëtarit të Qazim Koculit, të pavdekshmit Fan Noli që shkruante:

Allallah, o rezil e katil Allallah,

Shtroni udhën me hithër e shtok turfanda,

Gumëzhit o zinxhir e  kamzhik batërma

Lehni, laro kaba:

Hosana Baraba!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora