Kulturë
Kadri Tarelli: Kohën e ndali dashuria
E marte, 07.07.2015, 07:06 PM
KOHËN E NDALI DASHURIA
Ese kushtuar librit “Kohë që s`dashuron”, të poetit Agim Bajrami.
Nga Kadri Tarelli
I
çuditshëm ky titull libri me poezi, shkruar nga Agim Bajrami dhe publikuar
kohët e fundit. U nguta kur shkrova fjalën i çuditshëm, pasi çfarë nuk pret nga
poetët, që nga titujt më të bukur e deri tek ato më të habitshmit, sepse kanë
brenda frymëzimin, artin dhe magjinë e fjalës. E them këtë pasi nuk besoj se ka
ndodhur që koha është lodhur e po bën pushim, ndaj nuk po lejon dashuri. Nuk
besoj edhe për një arrësye tjetër, në të gjitha poezitë e këtij libri, që nga
fillimi e deri në fund, kanë brenda lëng jete dhe dashuri, diku me nota e
ngjyra të zbeta e diku të ndezura prrush. Në fakt ky titull kaq ngacmues është
një varg i huazuar me goxha fantazi nga poezia “Meditim”, pjesë e këtij libri,
ku autori na e thotë mrekullisht atë që dijetarët e të mençurit e kanë thënë
prej kohësh dhe ne e ujdisim për ta përsëritur sipas qejfit tonë: “pa dashuri
nuk ka jetë”, ose “jeta pa dashuri nuk ka vlerë e bukuri”, etj, etj.
“Dhe sot më dalin mangut vitet.
Sa herë i mbledh diçka mungon.
Një pjesë ma vodhën hipokritët
Një pjesë kjo kohë që s`dashuron”.
Ajo që bie në sy për çilindo lexues, është frymëzimi i çastit që e godit poetin dhe shtyn të mendojë e të shprehë mendimet, ndjenjat, filozofinë dhe hyjnoren dashuri. Pa bërë mëkat, dashurinë e gjen dhe e stis edhe pa shkak, si krijesë të brishtë të ndjesive të tij të holla që dalin nga shpirti i trazuar, i hazdisur, i turbulluar, shpesh i përmbajtur, mbase i trishtuar nga zhgënjimet, por i vendosur pa mëdyshje. Ja gjykoni vetë këto vargje të poezisë, “Dallëndyshja e shtëpisë së vjetër”, me të cilën pimë gllënjkën e parë të shurupit erëmirë:
“Mos ki frikë prej meje
dallëndyshe,
Zogu im i shenjët, i adhuruar.
Fundi asnjëherë mos më gjettë
ndryshe,
Veç në krahët e tu
i përqafuar”.
Ka një mision letrar, artistik dhe human në këtë libër, që e bën të këndëshëm e të dobishëm për këndonjësin e moshave rinore, të pjekura e më tej të thinjura, sepse dashuria nuk është pronë vetëm e djalit dhe vajzës, që dalldisen e marrosen në puthje e përqafime, siç jemi mësuar t`i lexojmë e vlerësojmë së shumti në poezitë dhe librat. Te Agimi, dashurinë e gjejmë të shpërndarë kudo, në kohë e hapsitë, madje edhe tek gjërat e vogla që hasim, prekim dhe shkelim në jetë. Shkon njësoj si uji në enët komunikuese, që nga shkelja e syrit e tek puthja e vajzës biondine, te gruaja, shoku, pulbardha, valët e detit, shiu që lag rrugicat e qytetit dhe këpucët e poetit, tek qyteti i vogël sa një thua, vazhdon tek cigarja e dollia e rakisë e deri tek vjeshta veshur me të verdha, tek dimri i acartë, tek era e çmendur dhe rrjedha e lumit që përmbyt fushën me inat.
Nuk do shumë kujdes për të vënë re, një përmbajtje të vetvetes edhe në rrethana e çaste të “vështira”, kur fare lehtë mund ta humbësh toruan e të bësh prapësira, për të mos thënë marrëzira. Është me mend në kokë e këmbë në tokë poeti ynë, ndaj ka një elegancë fine për të dalë njerëzishëm, fisnik e me kokën lart, pa u skuqur e zverdhur nga situatat dashurore të hasura jo rrallë. Besoj se lexuesi është në një mendje me mua, kur të lexojë e të japë gjykim, se si edhe mjeshtrit e mendimit e të fjalës, e kanë çarë gardhin për të dalë nga situata të tilla delikate:
“Mollë e ëmbël majë degës,
Jo! S`e harruan, por s`e arritën dot”.
Kështu
shkruan këtu e mijëra vite më parë, poetesha e antikitetit Safo. Kjo është
zgjidhja që i dha mosarritjes së dashurisë, duke e lënë shigjetën me harkun
ngrehur tek pamundësia. Ndërsa Ezopi i lashtësisë, në fabulën “Dhelpra dhe
rrushi”, rrudh buzët e tharton fytyrën nga inati e thotë me përçmim: “Rrushi i
papjekur s`është për mua. Nuk e dua”.
“Si t`ua them vallë se jam i bukur
Dhe brenda rris kaq poezi,
Ta dini vajza ç`keni humbur,
Do zinit radhën që tani”.
…….
Dhe inati i tij nuk soset këtu, ndaj vazhdon me flakërima zjarri:
“Me flokët kërleshur si në garë
Do linit djemtë e shkretë qyqarë”.
“Me zor kanë pritur të zbardhë dita
T`i shtojnë asaj ca puthje rozë”
……………….
“Kur i ke pranë të ikën truri
Dhe do dy javë të vish në vete”….
Agim
Bajrami në të gjitha poezitë e këtij libri, si mjshtër i fjalës, është kujdesur
t`i përcjellë vargut forcë e tingull muzikor, që ta lexosh duke kënduar! Ky
është stili i tij që buron së brendëshmi. Kështu them unë.
Vetëm poeti ka fuqi që me pak fjalë të thotë atë që të tjerët harxhojnë kohë, bojë e letër pa hesap. Agimi në të gjitha shkrimet e tij, me pak vargje, apo me një poezi, jep mesazhe jete sa dhjetra romane bashkë. Nuk e teproj kur shprehem kështu. Mjafton t`i hidhni një sy poezisë “Stacioni i vjetër në Athinë” e të bindeni në të vërtetën dhe njerëzoren bashkë, për çka provojnë të gjithë mërgimtarët e mjerë, kur ndjejnë shikimin, zerin, prekjen dhe dorën e dhembsur të një nëne:
“Një nënë e panjohur më qëndronte përballë,
Me rrudhat e moshës ngarkuar me mall.
Më shihte pa fjalë me sytë e menduar,
e një gjysëm koromane ma vuri në duar”…….
“Nuk është e nevojëshme të pish tërë butin, për të provuar verën. Mjafton vetëm një gotë”, thotë i mençuri. Ndaj unë qëmtova vetëm pak vargje, duke qënë i bindur se libri thotë shumë. Duke e lexuar, kemi mundësi të ndjejmë e shijojmë bukurinë e vargut, muzikën e rimave dhe thellësinë e mendimit.
Libri “Kohë që s`dashuron” është një prurje me vlerë në dorën e lexuesit dhe në poezinë e letërsinë shqipe.
Urime poetit Agim Bajrami dhe suksese e libra të tjerë po kaq të bukur në të ardhmen.