Kulturë
Përparim Hysi: Kur rrëfen Resmi Osmani
E merkure, 01.07.2015, 06:16 PM
Kur rrëfen Resmi Osmani
(ese)
Nga Përparim Hysi
S'ke si mos ndalesh dhe të thuash qoftë dhe dy fjalë, kur lexon nga Resmi Osmani.
Nëse ndodh kështu, ndodh se nuk shkruan pena, por shkrimtari. Kur them shkrimtari, këtë e them me gojën plot se, tanimë, ai ka peshën e vetë në fushën Letrave Shqip. Vërtet që nuk vjen nga një fakultet letërsie, por nga fusha e bujqësisë ku e ka ballin të bardhë dhe emrin të lauruar me gradën e doktor- profesorit që, nga një modesti e tepruar,as që e zë në gojë. Është vërtet një njeri me vlera që as nuk mbahet dhe as nuk hiqet. Në fushën e bujqësisë, në degën e frutikulturës ai ka një kontribut aq të madh,sa nuk e teproj, po t'i ndryshoj mbiemrin nga OSMANI në RESMI ULLIRI. Një tjetër atribut i bukur i tij është se dhe në postdemokraci, ai i pati të gjitha mundësitë që të ishte në hierarkinë shtetërore, por qe nga ata që dha dorëheqje të parevokueshme dhe si "valencë e lirë", u fut guximshëm në fushën e letërsisë.
Po të shohësh me një vështrim kalimthi biografinë e tij letrare, ai e ka filluar këtë "valle" në moshë të vonë: në vitin 2004. Kur thotë në vitin 2004, mos kujtoni se ka qenë një fillestar apo një i ndrojtur që mezi pret t'i hapet drita jeshile në fushën e letrave. Jo. Nuk ka ndodhur kështu. Janë faqe e faqe të tëra, artikuj dhe broshura shkencore që kanë dalë nga pena e tij. NJë penë,që , po ta vlerësosh se sa ka shkruar, është kthyer në plug që nuk di të zërë ndryshk. Por ky plug që kish çarë plot "ara" me agrume, erdh një kohë që zuri të "plugonte" ara letërsie. Herë- herë ky"plug" plugonte lehtë në lirishte poezie dhe, kur duhej të plugonte rëndë, bënte qilizëm. Qilizmi e do plugun të rëndë, dhe, kur ndodh kështu, ky"lloj qilizmi" ka sjell romane historikë me autor Resmi Osmanin. Të tillë janë romanet "Aleksandri i Madh"(2011),"Mbretërimi i Piros së Epirit"(2010),"Mbretëresha Olimpja" (2012),"Teuta e Ilirisë"(2014),"Ditët e sprasme të Mbretit Gent"(2014),"Kthimi i Agamemnonit"(2015) dhe, ruajna Zot, në kam harruar ndonjë libër tjetër me temë nga historia. Aq i pasionuar dhe skrupuloz është mbas historisë, sa nuk është se gaboj, po t'i them:Resmi Historia. THem kështu se nuk është nga ata që shkruan me apriori: përkundrazi shfleton arshivave dhe mend i bren ato. Mbushet plot dhe është i gatshëm të replikojë me cilindo që është marrë me historinë dhe të mbrojë guximshëm punën e tij aq shkencore. E bukura qëndron që, pasi ka shfletuar qindra e qindra faqe dhe autorë, ai tak nxjerr "limën" nga trasta a ia "monton" atë penës dhe me mizura zbutëse na dhuron romane historike të kërkuara nga lexuesit dhe, shpesh herë, romanet e tij historikë kanë atë fuqinë dhe dikimin mbi lexuesit,siç ka patur në letërsinë angleze, Walter Skoti.
* * *
Në u zgjata paksa për romanet historikë të Resmi Osmanit, kjo ndodhi se nën atë trysninë e historisë jam dhe tani, pasi përfundova librin me tregime "Letër Mbretit". Ky libër është i mbushur me tregime me tema të ndryshme. Sidoqotë, edhe këtu, tregime ku është historia në mes, kanë një shije të veçantë. Ato janë, si të thuash, arkitrau që mban tërë librin.
Sikur të mundohesh që t'i rreshtosh tregimet sipas tematikës, nuk është dhe aq e lehtë. Se legjenda që do hedhur në hartën e tij krijuese, është shumëngjyrëshe. Hapet me një tregim hstorik në qendër të të cilit është një personazh historik siç është SHota e Azem Galicës dhe,sa e hedh atë në hartë, tak vjen një tregim lirik si "Një kafe me Xhulin". Në midenë time si lexues, ky tregimi "Një kafe me Xhulin" është as më pak dhe as më shumë, por antologjik. Ka shumë poezi dhe shumë lirizëm në të,sa mua që" më ha hunda për sherr", plas nga zilia kur e lexova. Këtu nuk ka pse t'i bjerë hunda askujt. Lexojeni dhe do shihni, në kam të drejtë. Tek shkruaj për këtë tregim, nuk kam se si mos bashkohem me dikë që thotë: "Proza më e mirë është poezi"
* * *
Duke
ia marr dorën, si prozës së gjatë dhe
asaj të shkurtër, shkrimtari Resmi Osmani nuk është se qëndron larg temave
aktuale. Ai, duke trajtuar tema të tilla, bëhet aq i pëlqyeshëm për lexuesit,
sa e vendos atë në një pozicion çlodhës dhe relaksi. Më duket sikur e vërej që
lexuesi e ka çuar buzën vesh më vesh,
kur lexon "Macja e bradhë"," Veza e artë","Lakja në
treg".
Tek tregimi "Mina", në qendër të të cilit është lufta për pavarësinë e Kosovës, autori do që ta bindë lexuesin, se pavarësia nuk erdhi si dhuratë. Pa luftën me armë, nuk kishte Kosovë të lirë. Lufta si lufta. Pagëzohet me gjak dhe artistikisht ky mesazh me vlera të paluajtshme, është dhënë me një mjeshtëri dhe dramacitet: shkelja mbi minë ka domethënien e madhe, se rruga drejt fitores nuk është shtruar me lule, por e mundimshme, me sakrifica dhe vetmohime. Ndryshe, nuk ka fitore.Tek e lexon, dukesh edhe ti, sikur ke shkelur mbi atë minë vdekjeprurëse.
* * *
Lexon "Admirali dhe Kapedani" dhe nuk ke se si mos bindesh për pasionin e Resmi Osmanit për historinë. Sado që ngjarjet datojnë dy shekuj më parë, ai e çon lexuesin atje në brigjet e Marsejës franceze dhe duket sikur është atje ku debatojnë një Aadmiral i shquar siç ka qenë Nelsoni i famshëm dhe një Kapedan shqiptar, ujk i vjetër deti. Bëhesh si me krahë, kur vëren qëndrimin burrëror të Kapedan Andreas. Dhe ca më tepër, ndjen kënaqësi, kur burrë për burrë, admirali i madh e lë të lirë Kapedanin trim.
Tek "Brengat e Nanëzonjës" trajton temën e emigracionit me gjithë dramacitetin evetë: shqetësimi se po humb gjuha jonë në vendbanimet e hershme shqiptare dhe, po këtu, nëpërkëmbja e shqiptarëve në Greqi.
"Ulërimae kukuvajkës",Nanë Dajeja","Burrat shkojnë në luftë" janë metë vërtetë tregime që të rrënqethin.
Nuk kisha se si mos qëndroja tek tregimi"Gjëma". Është si një baladë a si një kumt: ajo nënë shqiptare që qan mbi të vrarët e huaj, është një evenimet historik. Ajo prish çdo shkrim historik si një dëshmi se nënat, kudo në botë, lindin fëmijë për paqe dhe jo për t'u vrarë. Ligjërimi elegjiak i saj, është një klithmë a një britmë mallkimi mbi shkaktarët e luftërave.
Dhe prapë nga një elegji, tek një humor shpotitës." Gogoli" ta çon buzën vesh më vesh. "Gogoli" ka hapur gojën dhe po ha drejtorin partiak.
Tek "Sirena e trenit të fundit", Resmi Osmani, orvatet të japë portretin e një poeti dhe një shkrimtari që i vranë jo vetëm rininë, por dhe të ardhmen. Sa qe në Shqipëri, u trajtua si raja,se sulmoi kupolën dhe, kur u arratis në Amerikë,e vranë. Edhe sot e kësaj dite, Bilal Xhaferi, në vizionin tim, ka mbetur një person më tepër i zhytur në mjegull. Ende nga asnjë shkrim nuk është dhënë i plotë ky shkrimtar dhe poet aq premtues. Humbja e tij, para kohe, është humbje e madhe për letërsinë mbarëshqiptare. Herë-herë, tek lexoj për të ndjerin Bilal Xhaferi, më ravijozohet një ajzberg që kurrë nuk i duken përmasat e plota. Ndërsa ajzbergut, përmasat ia fsheh ujë, Bilal Xhaferrit, ia fsheh mjegulla e dëndur e kohës. Shumë nga shkrimet e tij, o humbën sepeteve të miqëve e dashamirëve, o i dogji dega e brendshme. Natyrisht, në ndalem kaq shumë tek Bilal Xhaferri, ndodh se jam nga ata që e kam dashur. Por nuk mund të bëj me faj askënd që, nga frika, mund t'i ketë asgjësuar. Kur them kështu, unë jam vet një nga ata që kam djegur letra,po se po, por dhe libra. Nuk them se kam djegur shkrime të të ndjerit Bilal, por të miqëve apo dhe të autorëve, që, megjithëse i kam dashur, i kam djegur.
Tek i mbyll këto përshtypje për librin me tregime "Letër Mbretit" nga Resmi Osmani, nuk më mbetet tjetër veç t'i uroj: me tregime të tjera!