E enjte, 26.12.2024, 11:07 AM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Fluska e sapunit të Editës

E hene, 22.06.2015, 06:37 PM


Fluska e sapunit e Editës e shëndrruar në akullnajë !

Shkruan: Florim Zeqa

Përgjatë këtyre viteve i "provuam" të gjitha mundësitë tona për të bindur (frikësuar) pushtuesin tonë verior të na lë Mitrovicën, por kot !

Atë që nuk mundi ta bëjë shumë vite më parë ylli i muzikës shqiptare, e madhja Shkurte Fejza me këngën; "Jo nuk ndahet Mitrovica",...provuan ta bëjnë edhe liderët tonë përmes fushatave zgjedhore disa herë në vazhdimësi, derisa u  konsumua në tërësi kjo çështje në fjalorin e tyre politik.

I kaluam 16 vite duke ëndërruar, duke kënduar e vajtuar, duke gënjyer  e zhgënjyer vetveten se një ditë do të bashkohet qyteti i artë i Kosovës.

Po i kthehem edhe një herë mesazhit të fuqishëm që shpërndau këngëtarja jonë  e mirënjohur, në vargun më kulmor në këngën e saj; "pa u farue me djem e qika, jo nuk ndahet Mitrovica".

Ky varg, për më tepër se mesazh, duhej të ishte si kushtrim mbarëkombëtar, mirëpo në kohën kur u lansua kjo këngë, mesazhi i saj duket të ketë qenë pak sa i vonuar, madje do të thosha edhe shqetësues për "bartësit" e luftës, tashmë të akomoduar mirë nëpër institucione shtetërore, të zhytyur thellë në luksin përrallor që u solli liria!

Një situatë e tillë e krijuar e komandantëve (varfanjak) të shëndrruar në milionera, u bë shkak për irritim dhe thyerje shpirtërore e shumicës së ish luftëtarëve të lirisë, të cilët 16 vjet nga përfundimi i luftës të vetmin shpëtim ekzistencial për familjet e tyre e shofin tek përfitimi nga ligji për veteranët.

Ndarja e planifikuar e Mitrovicës !

Ashtu siq nuk ishte e rastësishme ndarja e Mitrovicës, edhe veprimet e mëpastajme të pasluftës ishin të planifikuara dhe të koordinuara nga Serbia, Rusia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.

Me të filluar bisedimet "teknike" me Serbinë në Bruksel, udhëheqësja e delegacionit kosovar, zonj(ush)a Edita Tahiri rreth heqjes së barrikadave mbi lumin Ibër pat deklaruar kështu; "heqja e barrikadave është çështje ditësh,...ajo është një fluskë sapuni e cila së shpejti do të zhduket" !

Përkundër premtimeve të Editës; se pa hjekjen e "Parkut të paqes" nuk do të ketë vazhdim të bisedimeve me Serbinë,...ato vazhduan me ritëm edhe më të theksuar ashtu siq vazhdon të rritet i papenguar parku mbi Urën e lumit Ibër, duke penguar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptar në drejtim të pjesës veriore të qytetit.

Përderisa Qeveria e Kosovës vazhdon të mos ketë ndonjë politikë aktive për largimin e barrikadave mbi Urë, çdo gjë mbetet në "vullnetin" e serbëve lokal, Beogradit dhe Brukselit zyrtar.

Me një fjalë, jo që nuk u zhduk "fluska e sapunit", ajo u shëndrrua në një akullnajë të vërtetë, duke e bërë veriun e vendit "mollë të ndaluar" për shqiptarët e pjesës jugore të Mitrovicës dhe Kosovës !

Në anën tjetër, serbët me modifikimin (ndryshimin) e pamjes së barrikadave mbi Urën e lumit Ibër (nga gërmadha në "Park të paqës") na rikujtuan se aty përfundon sovraniteti i shtetit të Kosovës.

E gjithë loja e serbëve me barrikada po bëhet para syve të opinionit vendor dhe ndërkombëtar. Janë serbët, varrëmihësit e shqiptarëve që ska kush ti ndalë me lojërat djallëzore të tyre,...që për më tepër se lojë është provokim dhe tallje me  shqiptarët  e anës tjetër, të ndarë dhe përqarë në luftën për pushtet në gjysëm shtet!

Në bisedimet e Brukselit liderët tonë, nuk e trajtuan asnjërë Kosovën si atdhe të tyre por si "plaçkë" lufte me të cilën dhe për të cilën negociuan pamshirshëm, duke tkurrur territorin dhe sovranitetin e vendit të tyre sikur ky të ishte territor i një vendi tjetër!

Problemi i "Parkut të paqës" mbi Urën e lumit Ibër, përveq se një simbolikë,  mbetët edhe pikë reference e ndarjes së sovranitetit mes serbëve dhe shqiptarëve, mes veriut dhe jugut të Mitrovicës, dhe pikë reference e ndarjes së interesave të fuqive të mëdha...

Ndalimi i Ramushit, eksperiment në prag të speciales !

Rasti i fundit i ndalimit të zotit Ramush Haradinaj nga autoritetet sllovene nuk është aksidental siq u mundua ta paraqesë kryediplomati (kryeministri) në Kuvendin e Republikës së Kosovës,...i rastësishëm apo i qëllimshëm paraqet talljen dhe provokimin e radhës ndaj të gjithë shqiptarëve.

Në prag të themelimit të Gjykatës Speciale është më tepër se lojë politike,...është një testim i radhës për të provuar reagimin e shqiptarëve në vargun e gjatë të arrestimeve, që pritet të ndodhin  javëve dhe muajëve në vazhdim.

Ky rast përveq se nxori në shesh shumë të vërteta lidhur me debolencën (plogshtësinë) e institucioneve tona shtetërore, varësinë e tepruar të liderëve shtetëror ndaj ndërkombëtarëve,...nxori në shesh edhe një të vërtetë tjetër të hidhur që ka të bëjë me dialogun e Brukselit; tregoi qartë se kryeministrat tonë (THaçi-Mustafa) nuk janë pjesë a barabartë e bisedimeve,...sikur të ishin të tillë, ata do të duhej ngritur çështjen e heqjes së aktakuzave të Serbisë ndaj pjestarëve të UÇK-së (në momentin kur u aprovua ligji për amnisti në Kuvendin e Republikës së Kosovës), çështjen e heqjës së Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, akt ky që do t'i hapte rrugë njohjes reciproke mes dy shteteve, zbatimin e reciprocitetit ndaj pakicave minoritare (të njëjtat kritere që zbatohen për serbët në Kosovë, duhet të vlejnë edhe për shqiptarët e Luginës), zbardhjen e fatit të rreth 1700 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës, heqjen e barrikadave mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë dhe shumë e shumë çështje të tjera me interes për vendin.

Përderisa liderët kosovar nuk e kanë guximin t'i shtrojnë këto tema në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, atëherë i bie se ata më tepër janë akter të bisedimeve,...që u ngjajnë "pëngjeve" të politikës së Beogradit dhe Brukselit se sa përfaqësues të një shtetit të pavarur !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora