Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sylejman Salihu: “Kosova 81” festoi 35 vjetorin

| E diele, 14.06.2015, 09:33 AM |


Shoqata “Kosova 81” në Bielefeld festoi 35 vjetorin e saj

Nga Sylejman Salihu

Klubi shqiptar”Kosova”në Bielefeld të Gjermanisë , në Landin e Rajnës Veriore me 13. 06. 2015 kishte festë:festonte 35 vjetorin e themelimit. Ky përvjetor u vlerësua si një arritje e madhe për kohën dhe rrethanat, në të cilat u zhvilluan aktivitete patriotike dhe kulturore. Pas intonimit të himnit kombëtar dhe pas mbajtjes së një minutë heshtje për të rënët dëshmorë, kryetari i klubit , Sali Berisha, foli në fillim për rëndësinë e klubit në këto 35 vite të ekzistencës së tij, aktivitetet patriotike, kulturore, sociale, sportive, problemet dhe sfidat që kishin pasur përpara dhe veçanërisht përpjekja për  mbikëqyrje dhe kontroll që pushteti jugosllav përpiqej t’i bënte këtij klubi, për të diktuar politikat projugosllave dhe antikombëtare ndaj shqiptarëve. Berisha përmendi punën e palodhshme të shoqatës, lidhjet e vazhdueshme të saj me atdheun dhe përpjekjet e saj për ta ndihmuar në forma adekuate në atë kohë. Demonstratat antijugosllave, organizimi i ndihmave materiale, shkuarja e anëtarëve të shoqatës në radhët e UÇK-së dhe rënia e tyre dëshmorë si:Zejnullah Zejna e Milazim Mavraj, pastaj organizimet dhe manifestimet kombëtare, kulturore,  sportive e të tjera, të cilat ishin zhvilluar me mjaft entuziazëm dhe guxim qytetar e kombëtar. Pra kryefjalë e shoqatës dhe anëtarësisë së saj në këto vite dhe në këto aktivitete ishte identiteti kombëtar.  E si mund të ruhej dhe si mund të kultivohej ky identitet ndryshe pa aktivitete dhe veprimtari të mirëfillta kulturore e  kombëtare?Për këtë , prandaj shoqata “Kosova” kishte në programin e saj pikërisht këtë synim:që ta mbajë të gjallë ndjenjën e atdhedashurisë ndaj atdheut, gjuhës, flamurit, kombit. Përgjatë këtyre viteve shoqata kishte bashkëpunuar me amën e vetë Kosovën  dhe Shqipërinë dhe ky bashkëpunim ishte konkretizuar edhe me vizitat që kishte  pasur nga njerëz e shoqata mysafire të saj. Emra të njohur të politikës, atdhetarisë, kulturës dhe estradës shqiptare ishin në këtë shoqatë duke u bërë udhërrëfyes të denjë të tyre dhe duke sjellë mesazhe atdhedashurie si:Jusuf Gërvalla, Adem Demaçi, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Daut Demaku, Ibrahim Makolli,  Marjan Tunaj, Hafiz Gagica e të tjerë. Me veprimtari  muzikore  ishin të pranishëm Ansambli i Këngëve dhe Valleve i Shqipërisë, që kishte ngritur lart emocionet e shqiptarëve mërgimtarë me performancat e valleve dhe këngëve patriotike. Aktorët Zef Deda, Benon Lopari, aktori dhe regjisori Bekim Lumi me shfaqjen “Zogu i gomarit”nga Gjergj Fishta ishin shfaqur para publikut shqiptar bilefeldas duke fisnikëruar dhe duke pasuruar  ndjenjat e tyre atdhetare. Këngëtarët :Arif Vladi, Sabri Fejzullahu, Shkurte Fejza, Ramadan Krasniqi-Dani, Corona, Veli Sahiti, Osman Shehu, Naim Abazi e të tjerë kishin ndezur sallat në koncertet e tyre, që ishin organizuar në Bielefeld dhe në rrethinat e tij, duke krijuar kështu një lidhje të fortë emocionale të mërgimtarëve me atdheun. Pra një rikthim në retrospektivë, tregonte se puna e shoqatës ishte shumë e pasur dhe madje edhe dinjitoze.

Shumë veteranë nga qytetet e Dyseldorfit, Paderbornit, Gyterslohit, Bilefeldit, të cilët kishin marrë pjesë në themelimin e këtij klubi , kishin ardhur enkas për të festuar dhe për të evokuar kujtimet e tyre, përmes të cilave tregonin momentet e tyre herë-herë me nostalgji kur atyre ditëve kishin vendosur të pavarësosheshin nga ndikimet dhe organizimet e politikave jugosllave, që në atë kohë ishin mjaft aktive dhe kontrollonin klubet dhe shoqatat e puntorëve të Jugosllavisë, e në mënyrë të veçantë sjelljet dhe veprimtaritë e shoqatave shqiptare. Berisha pastaj tha se sot klubi vazhdon traditën e punës dhe pjesë e klubit është edhe Forumi i grave shqiptare, të cilat bëjnë aktivitete të shpeshta në shërbim të çështjes familjare e kombëtare. Në ambientet e shoqatës edhe Shkolla Shqipe në Bielefeld ka zhvilluar dhe zhvillon aktivitete kulturore dhe përgatitore për festa kombëtare si: 28 nëntorin, pavarësinë e Shqipërisë, 17 shkurtin, pavarësinë e Kosovës. Bashkë me shoqatën Shkolla Shqipe kishte marrë pjesë në manifestimin e madh të 800 vjetorit të themelimit të qytetit të Bielefeldit me këngë folklorike dhe valle popullore shqiptare. Poashtu shoqata dhe shkolla shqipe kanë ofruar mikëpritje në takimet e shoqatës së mësuesve shqiptarë KASH “Naim Frashëri”në Gjermani dhe kanë qenë nikoqire të konkursit të diturisë”Bielefeldi 2013”, me ç’rast Shkolla Shqipe e Bielefeldit zuri vendin e parë.

Për këtë përvjetor dhe këtë ngjarje pastaj foli bashkëthemeluesi i klubit “Kosova 81”ish kryetari i saj Xhavit Ramabaja, i cili në fjalën e tij përmendi rrethanat , nxitjet dhe shtysat kryesore që i detyruan ata për themelimin e shoqatës”Kosova”. Ai tha se bashkëpunimi me partitë e majta gjermane , të cilat ishin të afërta edhe me programet dhe prirjet politike të Partisë së Punës së Shqipërisë ishin faktorët kryesor që na ndihmuan shumë për t’i hyrë këtij aktiviteti, që për kohën ishte i një rëndësie të madhe për diasporën tonë. Pastaj bashkëpunimi me klubet e tjera shqiptare e në mënyrë të veçantë me klubin shqiptar “Emin Duraku”të  Dyseldorfit  kishin bërë që puntorët shqiptarë të merrnin përvoja dhe të tregonin guxim në rrugën e pavarësimit  nga diktatet dhe politikat e ndjekura jugosllave , duke kërkuar kështu një formë tjetër me taban politik kombëtar shqiptar, që shkonte paralel edhe me ngjarjet e sapofilluara në Kosovë, pra me demonstratat e vitit 1981, nga të cilat ata u frymëzuan dhe morën krahë të veprojnë kombëtarisht. Formimi i shoqatës”Kosova  ishte edhe një sfidë më vete në Bielefeld, për vetë faktin se në Bielefeld vepronte edhe shoqata e fuqishme  jugosllave“Domovina”(Atdheu), të cilën e kontrollonte kryesisht konsullata jugosllave!Ramabaja përmendi pastaj se në  kuadër të shoqatës “Kosova” ishin formuar edhe  grupi folklorik dhe klubi futbollistik me të njejtin emër”Kosova”, i cili vepron edhe sot dhe në historinë e vet ka shënuar rezultate të mira sportive. Anëtarë të shoqatës “Kosova” me entuziazmin e tyre kishin arritur që të nxirrnin edhe disa numra të revistave periodike “Mërgimtari”dhe”Kosova report”nga gazetarët e rinjë atëherë:Naser Dermaku, Hamdi Kurteshi, Sakip Vojvoda  dhe Shefket Ramabaja, për të përplotësuar  kështu vakumin  informativ të atyre viteve, kur pushteti serbojugosllav kishte mbyllë të vetmen gazetë ditore në Kosovë “Rilindja”. Veprimtaria e klubit në fillimet e para lidhet ngusht edhe me organizimin e demonstratave antijugosllave që shqiptarët organizonin gjithandej nëpër Europë , për të cilat veprimtari edhe ishin ndjekur nga shërbimet konsullore dhe shërbimet sekrete jugosllave, madje disave u ishte pamundësuar edhe shkuarja në vendlindje. Kujtimet e tyre i evokuan edhe Musa Daka e Hasan Shaqiri, të cilët rrëfyen për ngjarje  dhe momente konkrete të atyre viteve, të cilat ata i mbajnë mend mirë dhe ndjehen edhe krenarë.  Për t’i dhënë karakter solemn dhe festiv  këtij përvjetori,  në vazhdim të mbrëmjes festive rapsodët e rinj Edon, Kreshnik dhe Florian Maxharraj kishin ardhur enkas  për këtë manifestim dhe , të cilët kënduan këngë me motive patriotike shqiptare. Shoqata me këtë rast ofroi për të pranishmit edhe një darkë simbolike, kurse Xhavit Ramabajës iu dhurua një shqiponjë e gdhendur në dru, për kontributin e dhënë.