E merkure, 13.11.2024, 06:20 AM (GMT)

Kulturë

Habib Mustafa: Një libër i çmuar për historiografinë

E diele, 31.05.2015, 02:31 PM


Këto ditë, në përkujtim të 17-vjetorit të Betejës së Hamidisë, doli nga shtypi libri më i ri  i Bedri Tahirit ( i 30-ti me radhë) “JASHAR JASHARI- Komandant DURAKU”.

Një libër i çmuar për historiografinë tonë

(Bedri TAHIRI, JASHAR JASHARI- Komandant DURAKU, Meshari, Prishtinë, 2015)

Nga Habib MUSTAFA

Bedri Tahiri, tashmë është bërë i njohur si emër që ka bërë shumë  në ndriçimin e historisë sonë në përgjithësi, e të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në veçanti. Këtë punë fisnike e të shenjtë, ai e ka filluar me librin  monografik  për komandantin legjendar të UÇK-së Adem Jasharin, duke vazhduar  me botimin e shumë biografive  të dëshmorëve dhe ngjarjeve historike të viteve 1998/99 dhe së fundi duke botuar edhe monografinë “Jashar Jashari- Komandant DURAKU”.

Duke vlerësuar veprimtarinë botuese të deritanishme të prof. Bedri Tahirit, mu kujtuan mësimet në Shkollën Normale për Leonardo De Martinin, i cili për Jeronim De Radën kishte shkruar: Atë që e bëri Skënderbeu me shpatë, Ti e bëre me penë, o i madhi De Radë”. Edhe unë, ka kohë që kam bërë një krahasim në mes dy galicasve: Azem Galicës dhe Bedri Tahirit. Derisa Azem Galica, gjatë viteve 1912- 1924, me pushkë dhe me trimëri, u bë i njohur në Galicë, në Drenicë, në Kosovë, në Shqipëri dhe në të gjitha viset e banuara me shqiptarë, Bedri Tahiri u bë i njohur me penën e tij, duke botuar mbi 30 vepra, kryesisht me tematkë historike atdhetare.

Monografinë “Jashar Jashari- Komandant DURAKU”, autori Bedri Tahiri, e fillon me një historik të shkurtër për Vushtrrinë e lashtë, për Artakollin dhe për  Strofcin.  Pastaj, ai vazhdon me përshkrimin e rrënjëve të familjes së dëshmorit, Jashar Jashari, me veprimtarinë e tij  atdhetare, organizative e luftarake, duke filluar që nga fëmijëria e tij e hershme e deri me aktin heroik përfundimtar,  rënien në Altarin e lirisë.

Autori thotë se te Jashar Jashari vërejta dashurinë ndaj vendlindjes, ndaj shkollës shqipe, ndaj atdheut dhe ndaj popullit, e cila u shndërrua në ideal të pashuar jetësor. Jashari ishte strateg i madh, trim, organizator i dalluar, por, mbi të gjitha edhe humanist e zemërmirë. Strategjia e tij ushtarake u pa me rastin e marrjes së vendimeve, qysh në fillimin e luftës. Ai urdhëroi që të shkatërroheshin bunkerët e ndërtuar qysh moti nga ushtria jugosllave, në Zabel të Saraçit, rregullimin e rrugëve në malet e Qyqavicës, që lidhin fshatrat e Artakollit me ato të Drenicës, armatosjen e ushtrisë me armatim të nevojshëm dhe caktimin e pikave të luftës.

Trimëria e tij u pa në shumë beteja, por, ajo në betejën e lavdishme të Hamidisë, ku  fitorja e Ushtrisë Çlirimtare, nën komandën e tij, kundër forcave policore serbe, e benë më të veçantë, e bënë hero të përmasave biblike. Beteja e Hamidisë, beteja e parë frontale në mes UÇK-së dhe forcave serbe në ZOSH, ka mbetur faqja më e ndritur e luftës sonë çlirimtare.

Autori, më fakte dhe argumente, me një mjeshtri të rrallë artistike e rrëfimtare, ia ka dalë të shndrisë gjerësisht figurën e Jashar Jasharit, idealet e tij, luftën humane e veprën heroike, politikën kombëtare e patriotike të tij dhe të bashkëluftëtarëve sypatrembur.

Burimet autentike, të mbështetura në të dhëna arkivore, historiografike e në rrëfime të bashkëluftëtarëve dhe të mësueseve të tij, të radhitura e të shtjelluara në një strukturë të veçantë e me një stil të rrjedhshëm, e bëjnë monografinë të gjallë dhe tërheqëse për lexuesit e të gjitha moshave e niveleve.

Një kaptinë të veçantë dhe shumë me vlerë e përbëjnë edhe shkrimet e të tjerëve, kushtuar kryepersonazhit të monografisë- Jashar Jasharit, të cilat autori i ka gjurmuar nëpër revista e gazeta dhe i ka vënë në vendin e duhur. Pastaj vijnë këngët dhe krijimet poetike për dëshmorin dhe një fotoalbum i pasur ilustrues që e begatojnë librin.

Për më tepër, libri monografik “Jashar Jashari- Komandant DURAKU”, është një kontribut i rëndësishëm  për historiografinë tonë, e cila ka nevojë për studime të tilla të figurave të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora