E shtune, 21.12.2024, 12:00 PM (GMT)

Mendime

Jon Leka: Do të ndodhë Kumanova e dytë?

E diele, 10.05.2015, 03:45 PM


DO TË NDODHË KUMANOVA E DYTË?

Varret nga shqiptarët!

Nga Jon LEKA

Nuk ka alternativa tjera për Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin: ose të ikin jashtë ose të braktisin të gjitha institucionet e shtetit ku marrin pjesë dhe udhëheqjen e partive. Dështuan për t’i mbrojtur ata që ua kanë votën. Dështuan si njerëz dhe politikanë duke shikuar në televizor se si u vriten qytetarët, si artilerohen civilët dhe vriten fëmijët. Ata nuk iu duhen më shqiptarëve të Maqedonisë. Nuk iu duheshin as dje.

Kristalizohet se një grup i ish UÇK “paska planifikuar të bëj sulme datën 12, por i paska spiunuar dikush”. Kjo i bie njëjte sikur t’i japish Gruevskit alibi për nesër kur do të fillojnë proceset e montuara.

Atë që pamë ishte luftë e Gruevskit me shtëpitë, civilët. Ato çka dëgjuam ishin rafalë “nga ana tjetër” që vinin nga shtëpi, kodrina. Kush luftoi, për çka dhe me kë u mor vesh?

Versionet, rrëfimet janë nga më të çuditshmet. Nëse ndonjë grup i ish UÇK të përgatitej për luftë cila ishte strategjia: rrëzimi i Gruevskit apo krijimi i Shqipërisë Etnike siç shkruanin komunikatat kontradiktore me logon e ish -ushtrisë, të cilat sipas të gjitha gjasave u shkruan në emigracion nga disa “ballistë” të vonuar e dërgoheshin po nga ato kanale elektronike me adresa të rrejshme. Ishin nga filialet e shërbimit sekret maqedonas në perëndim?

U pa se sa keq është një masë pa media të vetat. Po mos të ishin mediat e Kosovës dirigjimi i Gruevskit me opinionin do të bëhej i përkryer. Ato pak media në Maqedoni si INA, LAJM, KOHA shihej se nuk funksiononin si duhet pasi bërësit e tyre ishin vetë në Kumanovë duke lutur njerëzit të rrinë shtëpive ose përpiqeshin ta kuptojnë situatën që u ndodhte parasysh.

Institucionet ndërkombëtare ishin të njoftuara ditë më parë se ç’ mund të ndodhte në Maqedoni. BE si gjithmonë më shumë hutohet se mund të veprojë diçka pozitivisht. Ndërmjetësimet e saja, respektivisht përpjekja e saj idioteske që nëpërmjet negociatave të pajtojë opozitën dhe pozitën në Bruksel e nxjerr si bashkëpunëtore në ruajtjen e pushtetit të Gruevskit. Dialogu me çdo kusht edhe me kriminelë të dëshmuar siç janë punët me Gruevskin dhe asistentet e tij shqiptarë tregon se BE as nuk di vërtet çka ndodhë në atë vend, por vetëm llafon pa krye zyrave të burokracisë së vetë.

NATO nuk mund të intervenojë sepse nuk bindet të përballen dy ushtri, por një me qytetarë civilë. SHBA - të presin sinjale nga Obama i lodhur me vetveten dhe që në fakt është edhe më i mërzitshëm se BE kur duhet marrë vendime akute.

Zërat e rrallë që kërkonin që shqiptarët e Maqedonisë tu bashkëngjiten protestave duket të kenë ditur për inskenimet e Gruevskit, i cili nëpërmjet rrugës së dramave të Kumanovës synon sabotimin e opozitës si antikombëtare, të tillën pra "që nuk ia ndien për rrezikimin e atdheut", kështu për të fituar masat dhe për të eliminuar ndikimin e kundërshtarëve. Me involvimin e shqiptarëve në protesta qytetare apeluesit shqiptarë donin ti strehojnë shqiptarët aty nga krimi i mundshëm. Nëse në Kumanovë do të protestohej në vijën e opozitës dhe qeveria do të vriste apo sulmonte, perëndimi dhe opozita nuk kishin asnjë mundësi që mos intervenonin ndryshe dhe në favor të eliminimit sa më të shpejtë të pushtetit të Gruevskit me partnerët e tij.

Këtë plan “mbrojtjeje” e prishën edhe analistë e media të shumta që duke përzier çaj e shtrydhur limon apelonin që shqiptarët të mbeten ndaras, etnikisht, mos të përzihen, që të sulmohen dhe vriten më lehtë – për ta shpëtuar Gruevskin? Po të dinin shqiptarët t'i përdornin protestat e Zaevit për kauzën e vetë nuk do të ngjante kjo dhe po të ndodhte do të ishte ndryshe sepse opozita do të mbronte të vetët e jo duke kërkuar sqarime nga Gruevski dhe Ahmeti.

Çka do të ndodhë në Maqedoni në vijim? Ka zëra që ftojnë të vdekurit në jetë. Madje edhe të tillët që vëzhgonin dikur nga kombit e policisë (Thaçi -PDSH) se si rrahen dhe brutalizohen nxënësit në Gostivar dhe nuk reagonin po si Ali Ahmeti me miq sot, të njëjtët që u përkthenin shtrembër ndërkombëtarëve gjatë luftës së 2001 vetëm për të ruajtur pozitat ne koalicionin e atëhershëm. Ka zëra që thonë të rimobilizohet UÇK pa strukturat e Ali Ahmetit. Dilema esenciale në këtë krizë mbetet mirëpo: për çka? Nuk ekziston asnjë strategji, program, plan konkret. Nga askund. Prej askujt.

E vetmja rrugë mbeten protestat, demonstratat paqësore deri në rrëzimin e kësaj garniture sunduese politike. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë rrugë tjetër se sa më shpejtë të krijojnë përfaqësuesit e tyre nga katunde e qytete që fillon dialogun me opozitën, kërkon marrëveshje konkrete me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe inkuadrohet në proceset politike ndryshe pa partitë. Ndryshe luftë. E luftën nuk e don kush.

Partitë e krijuara deri më tani as që duhet lejuar afër sepse janë të korruptuara strukturalisht nga segmente tjera. Sela i reformës në PDSH duket jo më tepër i zgjuar si të deritanishmit, pasi nuk bëhet i gjallë për të vepruar dhe për të kërkuar alternativa për parandalimin e viktimave shqiptare në favor të politikës së Gruevskit.

Askush nuk mund të bëjë më shumë. As ndërkombëtarët e as vëllezërit e shteteve shqiptare, pa iniciativën e vetë këtyre që janë brenda dhe që duhet të vendosin: viktima edhe më apo veprime të mençura për të evituar një Kumanovë të dytë, të tretë dhe deri në pafundësi.

https://www.facebook.com/ahmeti.xhemal



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora