E shtune, 21.12.2024, 12:25 PM (GMT)

Kulturë

George Seldes: Ludendorff dhe Hitleri

E diele, 03.05.2015, 03:00 PM


Ludendorff dhe Hitleri

Nga George Seldes

Para se të shkoja unë, Ludendorff u kishte dhënë një intervistë korrespondentëve amerikanë në Berlin më 1919. Ai kishte thënë, “Ne duhet të heqim dorë jo vetëm nga Jehovai, Krishti dhe Krishterimi, të cilët e kanë katandisur popullin në qaraman e të përvuajtur, ndërsa njëherë e një kohë ka qenë i fortë dhe i fuqishëm. Ne duhet të kthehemi prapë e të adhurojmë Wotan:”

Megjithatë, më 1920-tën kur e pyeta për të njëjtën çështje, në ishte e vërtetë se ai dhe gruaja e tij kishin ndërtuar një altar në shtëpinë e tyre dhe tani faleshin për Wotan? – Ludendorff më telegrafoi: ALLES ERLOGEN UND ERSTUNKEN-LUDENDORFF. (Përkthehet, “një deng gënjeshtrash, që kutërbojnë erë të qelbur.”)

Menjëherë e vura telegramin tek dritarja e zyrës së Tribune, e para në të djathtë të hyrjes për në Hotelin Adlon dhe aty u mblodhën turma me njerëz për ta parë.

Ludendorff nuk ishte kurrë aq i çiltër si Hindenburg që të besonte ushtrinë amerikane me thyerjen e ngecjes, por ai njëherë u bë përgjysmë njeri i ndershëm dhe në Kujtimet, Vol. II, 1919, e pranon përgjysmë humbjen e tij. Ai shkruan: “Në historinë e luftës, 8 gushti 1918, ishte ditë e zezë për Ushtrinë Gjermane.”

Por askush, asnjeri në pushtet, asnjë udhëheqës partie politike, asnjë pronar shtypi gjithandej ngjitjes së Hitlerit në diktaturë, falë legjendës së thikës-pas-shpine, e sajuan këtë thënie, e cila ishte pothuaj një pranim.

Shtypi e përmend për herë të parë jashtë vendit një ish-rreshter gjerman, që ka organizuar një forcë të armatosur për të marshuar në kryeqytetin e Bavarisë, Munih, e quan atë “Otto Hitler.” Një gazetë shkruante se Otto Hitler udhëhiqte tre mijë njerëz, një tjetër thonte se ai kishte një flamur të ri, flamurin e vjetër monarkist i kuq, i bardhë dhe i zi me një simbol indian, një kryq i thyer, i përmbysur në qendër.

Konti Hugo Lerchenfield dhe kontesha e tij, Ethel Louise Wyman, ishin zgjedhur për t’i shpjeguar lëvizjen e re popullit amerikan. (Një shembull tjetër i marrëdhënieve të mira publike; çdo korrespondent i huaj zakonisht kërkonte “këndvështrimin amerikan,” dhe kjo ishte kontesha.) Ajo i tregoi shtypit amerikan më 1923:

 

Dogma e parë dhe më e rëndësishmja në bindjen e Hitlerit që nga fillimi fare ka

qenë anti-semitizmi. Influenca çifute është thelbi i gjithë të këqijave shoqërore

dhe morale. Zhdukni çifutërinë nga kapitalizmi dhe kapitalizmi nuk do të jetë më  një e kërcënim për njerëzimin...

Hitleri e vështronte socializmin dhe internacionalizmin si shpikje të mirëfillta çifute.

Partia Naziste (Partia Nacional Socialiste Punëtore) është shtuar nga 5.000 në korrikun e shkuar (1922) në 50.000... dhe po përhapet si zjarri në pyll...

Kthehemi, kur Hitleri marshoi në Nuremberg, në atë kohë francezët pushtuan Ruhrin dhe vlera e një marke ra pesëdhjetë mijë ndaj dollarit, Hitleri kishte në anën e tij një tjetër mbështetje amerikane, një tjetër zonjë me titull, Baroneshën von Vrede, e quajtur më parë, Ray Beveridge, e bija e guvernatorit të Ilinoisit, veteran i një shoqërie aksionere e prodhimit të veprës Burgu i vejushës, origjinali i statujës së njohur “Venusi amerikan,” ish-korrespondent lufte, monarkist i pasionuar, hitlerian i pasionuar. Berlini nuk i kushtoi fort vëmendje bëmave të burrit të vogël, tani e quante me korrektesë Adolf, por ende e kundronte si të padëmshëm. Veçse shumë nga korrespondentët britanikë shkuan në Munih kur në muret e qytetit ishin ngjitur pllakate që njoftonin për takime në bodrumet e birrës. Në njërin lexohej:

SOCIALISTË NACIONALISTË!ANTISEMITË
Takimet e turmës 14
Të enjten më 27 shtator, mbrëmjeve ora 8 në sallat e Mynihut
si vijojnë do të mbahen:
Bodrumi Burgerbrau  Thomasbrau
Bodrumi Franziskaner  (Kapuzinerpl.)
(Hochstr.)  Bodrumi Hofbrauhaus
Bodrumi Lowenbrau  Bodrumi Salvator
(Nockerberg)
dhe disa të tjerë
Fyrheri ynë
ADOLF HITLER
do të flasë në të gjitha grumbullimet...

Këto takime të 27 shtatorit janë bërë të njohura si Sallat e famshme të Birrës të Grushtit të Shtetit, të cilat ne i raportonim tërësisht si një farsë të stërmadhe.

Të armatosur me revolverë, Hitleri dhe dy nga njerëzit e tij u futën në Bodrumin Burgerbrau, nuk ua vari njeri, ata hipën mbi tryeza dhe qëlluan me armë në tavan, Hitleri ulërinte se ky ishte Revolucioni Nazist: “Pesë vjet më parë filloi Revolucioni. Sonte mbaroi. Një qeveri e re po e merr Pushtetin.”

Shumë nga ata, që pinin birrë, nuk i kushtuan vëmendje. Atëhere Hitleri e shkrepi revolverin e vet përsëri; kjo shkaktoi rrëmujë dhe protestë, e kështu atë e nxorrën përjashtë nga klubi i birrës.

I ndjekur nga pasuesit e tij besnikë, treqind veta të fortë dhe me ithtarin e tij udhëheqës, komandantin e dikurshëm të ushtrive gjermane, Ludendorff, Hitleri marshoi drejt Ministrisë së Luftës të Bavarisë. Por tani pesëdhjetë policë me uniformë i kishin zënë udhën. “Unë ju urdhëroj t’i dorëzoheni Ushtrisë Nacionaliste,” u bërtiti Hitleri. Atëherë policët qëlluan në ajër.

Që me të shtënën e parë Hitleri e flaku revolverin e vet dhe ia mbathi të shpëtonte kokën. (Të tjera raportime e tregojnë duke u zvarritur këmbadoras nëpër rrugë, duke u përpjekur për t’u futur në ndonjë qoshe.) Edhe Ludendorff vrapoi duke i mbajtur duart përpjetë e duke kërkuar dikë që të dorëzohej. Dy policë e arrestuan.

Kështu përfundoi i famshmi Grusht Shteti Nazist i Klubit të Birrës.

Sa për Ludendorff, për rastësi, kjo nuk ishte hera e parë që ia kishte mbathur. Në përpjekjen monarkike për të vendosur Kaiser-in, Grushti i Shtetit më 1920 në Berlin kur sindikatat e shkatërruan përfundimisht duke deklaruar një grevë të përgjithshme. Gjenerali Ludendorff ia mbathi për në Suedi, me syze të errëta, i maskuar nën emrin “Erik Lindstrom.” Më tej u kthye në Munih dhe zbuloi Wotan e Hitlerin.

Në gjyqin e tij për tradhti, më 26 shkurt 1924, Hitleri tha: “Nuk është asgjë e tillë si tradhtia kundër tradhtarëve të 1918-tës.”

Në burg Hitleri i diktoi Mein Kampf shokut të qelisë, Rudolf Hess, përveç ftillimit të teorisë të vlerës së Gënjeshtrës së Madhe, ajo përmban edhe thënie si kjo: “Çdo komb i cili nuk ka qëllim të hapë luftë është pa ndjenja dhe pavlerë.”

Sa për vetë Hitlerin, para se të përmend takimin tonë, e ndiej se duhet të them një fjalë të mirë si shpjegim, ose mbrojtje, për kolegen time të Berlinit dhe Vjenës, Dorothy Thompson e Sindikatës Ledger. Recensuesit e librit, shtypi, bota politike qeshnin dhe talleshin me këtë gazetare të mrekullueshme kur Hitleri mori fuqinë, ndërsa pak më parë ajo kishte shkruar librin Unë e pashë Hitlerin, dhe e pat futur në shtyp. Në paragrafin e parë të Zonjushës Tompson lexojmë: “Kur po shkelja nëpër sallonin e Adolf Hitlerit në Hotelin Kaiserhof isha e bindur se do të takoja diktatorin e ardhshëm të Gjermanisë. Në më pak se pesëdhjetë sekonda nuk isha edhe aq e sigurt. M’u desh pikërisht kjo kohë për të matur ngritjen e papritur nga hiçi të këtij njeriu, që kishte futur tërë botën në ankth.”

Gabimi i madh i Zonjushës Tompson, më duket mua, ishte se mbivlerësonte masat e popullit që ndiqnin pas Hitlerin, pa e nënvlerësuar vetë udhëheqësin. Po ashtu është fakt se në ato ditë të hershme shtypi nuk e dinte se industrialistët më të mëdhenj, bankat më të mëdha kishin vendosur të ardhmen dhe paratë e tyre tek Hitleri. Menken i tha një herë ndihmësit të tij redaktor, “Askush nuk ka mbetur pa parà ndonjëherë duke nënvlerësuar inteligjencën e popullit amerikan” – ai i referohej suksesit të mundshëm të revistës Readers Digest, e cila sikurse Daily News e Nju Jorkut, u jepte lexuesve një shkallë të ulët inteligjence. Por sado e ulët që të jetë shkalla e inteligjencës së popullit amerikan nuk mund ta akuzojmë se e ka humbur plotësisht ndjenjën e humorit. Një njeri mund ta përfytyrojë Huey Long duke thirrur Gardën e tij Kombëtare për qëllimet e veta, por a mund ta përfytyroni një Huey Long duke vrapuar pasi ka ndodhur diçka e tillë si Grushti i Shtetit në Lokalin e Birrës, duke zbrazur revolverin në tavan e duke ia mbathur apo duke u zvarritur nëpër rrugë?

Kaluan shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore dhe ne korrespondentë të dikurshëm në Berlin u ndodhëm në një takim të papërgatitur, kur unë thashë se e kam parë Hitlerin shumë herë nëpër mbledhjet e publikut, por nuk e kam takuar asnjëherë, ndërkaq Pierre Loving, që tani punonte në agjencinë e Hearst në Uashington, më korrigjoi: “Nuk të kujtohet pritja e madhe në Wilhelmstrasse dhënë nga Baroni von Maltzan?” më pyeti. Unë thashë po. “Atëhere duhet të të kujtohet,” vazhdoi Loving, “ai udhëheqësi i partisë me fytyrë të thartuar, që rrinte vetëm dhe nuk fliste me askënd, përveç se u jepte dorën njerëzve që vinin e shkonin duke thënë ‘Guten Abend’ – ai burri me mustaqe si të Çarli Çaplinit...”

Paskam qenë me Hitlerin dy apo tri orë më 1925-ën dhe e pata harruar plotësisht. E kuptova përse Dorothy Thompson për dyzetë e tetë sekonda me Hitlerin pat arritur në frazën përmbyllëse, “për të matur ngritjen e papritur nga hiçi.”

Në qoftë se është e vërtetë se Hitleri në vitet e para pas Grushtit qesharak të Shtetit në Klubin e Birrës ishte lënë pas dore, i zhvlerësuar dhe i harruar nga shtypi, është më tepër e vërtetë se njëri nga njerëzit më të mëdhenj të Gjermanisë e të shekullit, bashkëshpikësi i procesit Haber-Bosch për nxjerrjen e azotit nga ajri, nuk përmendej kurrë, as në atdhe as jashtë tij dhe kështu mbetet i panjohur për botën edhe sot përkundër faktit se ka marrë Çmimin Nobel për kiminë në vitin 1918 dhe ka qenë i vendosur dy herë në listën e nderit të Shoqatës Kimike Amerikane për njëqind vitet e kaluar.

U ndodha në historinë e pabesueshme të një arritjeje tjetër të panjohur të tij. Pat ndodhur një shpërthim në një impiant në Oppeln ku procesi i nxjerrjes së azotit Haber-Bosch ishte në veprim. Të gjitha qeniet njerëzore dhe kafshët aty afër, më shumë se gjashtëqind burra, gra dhe fëmijë u vranë, por edhe fabrika, kështu nuk mbeti shtëpi e dru aty afër pa u shkatërruar. Gjithçka u bë shkrumb e hi me një plasje të vetme, në një sekondë, apo ashtu siç ndodhi në kohën kur ra bomba në Hiroshima dhe Nagasaki, por kjo ngjau më 1922 ose 1923 dhe jo më 1945.

Vajta për ta intervistuar Fritz Haber, i cili më priti në shtëpinë e tij në Berlin. I dashur dhe i çiltër, ai më rrëfeu se ishte bashkëshpikës i procesit Haber-Bosch, dhe se azoti, 500.000 tonët në vit do ta shtonin prodhimin e drithit e do të shmangnin urinë në vend që të ishin një armë kryesore për luftë. Aleatët e patën ditur këtë dhe nxituan për sulmin e tyre më 1918, i cili bëri të fitohej lufta. Aleatët gjithashtu patën dëgjuar thashetheme se Haber po eksperimentonte me eksplozivë “njëqind herë, a ndoshta një mijë herë më vdekjeprurës se çdo eksploziv tjetër i njohur deri më tani.”

Fjalët e para që më tha Haber ishin: “Kurrë më parë nuk ka ndodhur ndonjë shpërthim në ndonjë impiant të nxjerrjes së azotit. Nuk e di çfarë e shkaktoi atë shpërthim. Në rast se ne mund të zbulojmë shkakun e shpërthimit në Oppeln ne mund të gjejmë një forcë të re dhe më të tmerrshme, deri më tani të panjohur prej njeriut. “ (Ky pohim u bë ca kohë para se Ajnshtajni të shkruante formulën e tij të bombës atomike.) Në se gjermanët e kishin mësuar të fshehtën e shpërthimit të Oppeln, ata nuk ia treguan askujt. Haber nuk e dinte.

Ndërsa po largohesha nga zyra e tij, më tërhoqi vëmendjen një fotografi në kornizë, sepse mbi të ishte shkruar me gërma të mëdha WILHELM R (R për Rex {mbret}, ose Kaiser. Ishte një faqe nga koha e luftës e revistës Illustrated London News, që tregonte sulmin e parë me gaz mbi ushtarët kanadezë, në Ipres, në prill të vitit 1915. përse Kaiser-i ia pat dërguar këtë fotografi me autograf Profesorit Haber?

“Sepse” u përgjigj ai, “unë e kam zbuluar më 1914, lëngun, i cili rëndom u quajt gaz.”

Pastaj ai më rrëfeu sesi Kaiser Vilhelm, Ludendorf dhe shtabi i përgjithshëm nuk pranuan ta përdornin gazin për shkaqe të ndryshëm e më së fundi ranë në një mendje për një eksperiment në shkallë të vogël, në vend të një sulmi në shkallë të gjerë në disa kilometra të frontit që do t’u sillte fitoren.

“Unë nuk e pata menduar kurrë ‘gazin’ si armë lufte,” vazhdoi Profesori Haber “në qoftë se nuk do të kisha lexuar shkrime në shtypin francez dhe atë britanik rreth një francezi i quajtur Turpin, i cili thoshte se mund ta fitonte luftën me një armë të re ‘e cila vriste pa prekur, por linte një erë.’ Kjo nënkuptonte se ishte një lëng që avullohej dhe vriste.” Ai iu fut punës që atë ditë.

Kur u përpoqa ta mbërtheja Profesorin Haber se cili ishte përgjegjës për humbjen e Gjermanisë, ai nuk pranoi të ishte i saktë. Kaiser-i, Ludendorf? Ai nuk mund ta thoshte. Veç këmbëngulte se britanikët kishin qenë aq budallenj me tanket e tyre. Komanda britanike nuk i besonte tanket. I përdori në shkallë të vogël. Për të terrorizuar gjermanët. Po të kishin pritur që të ndërtonin me mijëra, t’i përdornin gjerësisht në front, ata mund ta kishin fituar ndonjë ditë luftën.

“Çdo armë e re është e aftë për të fituar një luftë,” tha Haber.

Në krye të Ditarit të Berlinit të Ambasadorit Dodd, më 28 korrik 1933, shkruhet:

“Dr. Fritz Haber, ndoshta kimisti më i rëndësishëm në Gjermani më pruri një letër prej Henry Morgenthau i Riu, nga Nju Jorku ku më tregonte historinë më pikëlluese që kam dëgjuar ndonjëherë për persekutimin çifut. Ai është gjashtëdhjetë e pesë vjeç, ka shqetësime serioze me zemrën dhe e kanë larguar nga puna pa i dhënë pension sipas ligjit nazist në fuqi.”

Haber donte të shkonte në Shtetet e Bashkuara.

Dodd i telegrafoi Uashingtonit për t’i dhënë një vizë.

Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara u përgjigj se pjesa për gjermanët ishte plotësuar.

Haber vajti në Spanjë dhe vdiq.

Shkëputur nga libri ”Dëshmitar i një shekulli”

Përktheu nga anglishtja: Meri Lalaj



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora