E diele, 22.12.2024, 11:42 AM (GMT)

Faleminderit

Bardhyl Selimi: At Nikollë Marku - trim dhe atdhetar

E merkure, 29.04.2015, 06:41 PM


At Nikollë Marku- një burrë trim dhe atdhetar

Nga Bardhyl Selimi

Kisha dëgjuar për At Nikollën vetëm nga shtypi, por e takova për herë të parë në avion, gjatë një udhëtimi për Prishtinë, shumë vite më parë. Ishte vërtet një burrë tërheqës, i thjeshtë dhe i lirshëm si bashkëbisedues. M'u bë qejfi, atëhere, që ai po vizitonte Kosovën ku ortodoksia shihet si sinonim i sllavofilisë. Prania e tij do dëshmonte se ekzistojnë ortodoksët shqiptarë dhe jo "ortodoksët e Shqipërisë" sikurse shprehet hirësia e tij, Janullatosi.

Isha i lumtur që e takova atë sërish në Tiranë dhe Elbasan vitin e kaluar, në shoqërinë e bacës Adem Demaçi, biseduam me orë të tëra, madje edhe drekuam. Ai na tregoi jetën e tij, sidomos përiudhën pas 1990, kur vendosi të shugurohej prift. Në seminarin, ku ai studioi në Athinë, u ndesh me qendrimet shoviniste të drejtuesve grekë, të cilat e bënë të ngrinte krye dhe të shkëputej përfundimisht nga Kisha jo autoqefale që u vendos në Shqipëri nën kryesimin e hirësisë së tij Janullatos.

20 vjet më parë ai mundi të shugurohej prift në Maqedoni dhe të marrë nën kujdestari një nga kishat ortodokse më të vjetra të vendit, atë të Shën Mërisë në Elbasan ku mesha dhe gjithça kryehet në gjuhën shqipe.

Që atëhere, përkundër pengesave të panumurta, sulmeve, kërcënimeve dhe poshtërimeve që i bëhen nga drejtuesit e Sinodhit Ortodoks Shqiptar, por edhe të emisarëve të dërguar nga Greqia, At Nikollë Marku ka mundur ta mbajë gjallë idealin e Kishës Autoqefale Shqiptare të themeluar nga Imzot Theofan Stilian Noli. Më pak se një vit më parë, busti i themeluesit të kësaj Kishe nuk u qas në Kishën Ortodokse të Durrësit, por u pranua bujarisht dhe me gjithë zemër nga Kisha e Shën Mërisë në Elbasan, që ndodhet pranë ish Normales  dhe varrit të rilindasit Kostandin Kristoforidhi.

Jo shumë kohë më parë, një djalosh shqiptar, që hyri në një kishë në Tiranë duke mbajtur me vete një bust të vogël të Nolit, u nxuar përdhunisht jashtë nga katër priftërinj të asaj kishe. Përse?  Sepse Hirësia e tij Janullatos nuk mund ta honepsë themeluesin e Autoqefalisë ortodokse shqiptare.

E takova sërish At Nikollën disa ditë më parë në Elbasan, në kishën që ai drejton dhe biseduam bashkë për shumë probleme kishëtare, sociale dhe kulturore. Ai vuan, qe disa vjet, nga sëmundja e Parkinsonit që ja vështirëson shumë lëvizjen, por ka ende një vullnet të paepur për punë. Meraku i tij i madh është e ardhmja e Kishës sonë Ortodokse, mezi pret që atë ta drejtojnë shqiptarët, sikurse e kërkonte Statuti i saj themeltar dhe jo sikur thonë amendamentet që po i fusin tani përdhunisht, ku thuhet se atë mund ta drejtojnë edhe të huajt.

Kisha, sipas At Nikollës, ka qenë kurdoherë një mbështetëse e kulturës dhe e traditës shqiptare, e atdhetarizmit dhe e përparimit kombëtar të shqiptarëve. E tillë ajo duhet të mbetet edhe në të ardhmen. Për këtë ai ka nevojë për përkrahje sa më të gjerë, jo vetëm nga shteti, por edhe nga Shoqëria Civile, nga mbarë ortodoksët dhe populli shqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora