E enjte, 26.12.2024, 04:04 PM (GMT)

Kulturë

Ilir Muharremi: Zhgënjimi dhe revolta e artistit

E merkure, 08.04.2015, 06:41 PM


Zhgënjimi dhe revolta  e artistit

Nga Dr. Ilir Muharremi

Njeriu nuk ndryshon, individualiteti i tij është i përcaktuar nga natyra, sado i keq, apo qesharakë është duhet pranuar si të pandryshueshëm. Këtë e ka në shpirt.  Nëse kërkojmë nga i keqi të sillet ndryshe, ne bëjmë padrejtësi. “Do ta nxisë tjetrin në luftë të përgjakshme”, thotë Shopenhauer. Dënimi ndaj qenies së tij e obligon të na luftoj si armik të përjetshëm. Ne i japim kusht të jetojë, me qëllim të ndryshoj, kusht i pamundur për shkak pandryshueshmërisë. Nëse kërkojnë të jetojnë në mesin e njerëzve, duhet t’i lëmë ashtu siç janë me individualitetin e tyre. “Jeto dhe lëri të jetojnë”, pëshpëritë ky filozof vetëkuptimin e ekzistencës dhe hapësirën e lirisë me harmoninë e të jetuarit. Ka të drejtë, por ta zgjidhim këtë problem nuk është aq lehtë. I lumtur është ai njëri që shmang takimin me njerëz të këtij lloji. T’i durojmë, atëherë bëhemi të pashpirt. Ata janë të detyruar të sillen kështu për shkak nevojës së rrënjosur thellë në ekzistencën e tyre. Takohen dy njerëz me karaktere të ndryshme. Bisedën që e zhvillon njëri, nuk i pëlqen tjetrit, duke nxitur zemërim. Për një moment bisedat përputhen dhe lind një harmoni e përsosur. Te shpirti jeton ngjashmëria dhe ndryshueshmëria. Thellësisht e para është e përkryer derisa e dyta varet nga objektivja e që në esencë është e njëjta gjë, vetëm se rivalizohet për shkak larmive të ndryshme. Nëse takohen dy zuzarë, ata do ta njohin njëri tjetrin. Do të bien dakord të kryejnë ndonjë hile. Në rastin e aktorit i cili përpiqet të njësohet me personazhe dukshëm shprehë ngjashmërinë shpirtërore me të tyret. Kur merr gotën, ndodh të veprojë si Hamleti kur ngre kupën. I bartë me vete dhe vetë kjo shprehë absolutizmin i cili jeton me ngjashmërinë.

Përse revoltohet artisti tek ne? Në këtë qorrsokakë ku jetojmë vetëm ajo mundëson shpresën e ardhmërisë. Artisti kosovar jeton ndërmjet zhgënjimit dhe revoltës. E para ka të bëjë me kolektivin i cili përpiqet të vret edhe shpresën e individit. E dyta ngritë të drejtën individuale, por edhe kërkon të barazohet me ndëshkuesit, pastaj t’i tejkaloj. “Nuk ka zgjidhje tjetër, ose lart, ose poshtë” thotë Nietzsche. Formulë e cila na bënë krimb të përqeshur, shkatërruar dhe të shkelur. Nëse i kemi kundër vetës tiranët, atëherë bëhemi tiranë, jemi të lirë. Ky avantazh nuk është i vogël, ngaqë t’i kesh sipër njëqind shpata “injorantësh”, mësohesh të vallëzosh dhe të arrish te liria absolute. Krijimit i artistëve në vetvete mohon botën e zotëruesve, por edhe të robërve. Shoqëria e tiranëve ku artistët tanë mbijetojnë gjen vdekjen vetëm në shndërrimin e krijimit. Nëse artisti barazohet me tiranët për arsye përfituese, bëhet edhe vetë tiranë, ndoshta edhe pa dëshirë nën ndikimin e përfitimit personal. Nëse beson në krijimin e sinqertë, kjo do të thotë se është i mundshëm. Rrëmuja e kësaj kohe definon stilin dhe individualitetin e artistit. Formësimi bëhet mbi pasione dhe për krijuesin nuk mjafton ta përsërisë Van Goghun apo Modiglianin. Edhe pse jeta që e bënë artistët pak ka ndryshuar në rendin shoqëror. Sot pasionet kolektive marrin hov mbi ato individuale. I pamundur është sundimi i pasioneve kolektive, historike, neveritëse shtypëse që bien mbi individin. Artisti si individ provon edhe ta vë në lojë botën me qëllim për ta sunduar përmes krijimit fatin. Ai është i shtypur i vënë në rrezik ndaj shoqërisë dhe çdo gjë brenda tij ata e vrasin, forca përballuese, sfiduese shterohet nëse përpiqet të barazohet. Vetëm krijimi në vetvete sfidon këtë forcë. Të krijosh sot do të thotë të krijosh me rrezik. Të kërkosh të jesh pjesëmarrës për një shpërblim, pozicionohesh si objekt talljeje. Nëse je i fortë, vetë shpërblimet duhet të të kërkojnë. Për t’i sunduar pasionet kolektive duhet ndjerë ato. Pas kësaj artisti gllabërohet nga to. Epoka jonë është më shumë e shtypjes, presionit, asgjësimit se e artit. Ndoshta i mungon përdorimi i qëlluar i kohës. “Artistët e sotëm” mund të vrasin shpirtërisht individin - artist, por nuk mund të krijojnë. Artistët e sinqertë dinë të krijojnë por nuk mund të vrasin. Pse gjejmë vrasës midis artistëve? Përjashtimisht t’i asgjësojnë, t’i sundojnë, pra ata kërkojnë që arti i tyre të vdesë. Individi këto i lufton me tërë forcat  kundër tyre, por edhe kundër vetes nëse bëhet si këta tiranë. Nëse arti i tyre vdesë, revolucioni jeton shkurt. Këta pushtues tentojnë që botën ta vënë nën ligjin e tyre, nuk do dëshmojnë mbretërinë, por ferrin. Vetë Van Goghu kërkoj triumfin e lirisë dhe kërkimin e dashurisë, mënjanimin e kolektivit. “Kërkoj vetëm një gjë: ca njerëz, të cilëve nuk ua di as emrat, të mos fusin hundët në punët e mia, të më lënë të qetë të merrem me pikturë”, shkruan ky piktor. Ata nuk lënë gurë pa lëvizur kundër tij. Ferri i tij zgjatë vetëm një kohë, përsëri fillon jeta. Rreziku paraqitet me atë se i tërë ky presion nga turma mund të shndërrohet në sëmundje kronike. Pastaj jeta e tij vazhdon me shpresë, kjo shpresë rregullon marrëdhënien në shterpësinë e saj. Kjo ngacmon ekzistencën e këtij piktori, por edhe rregullon të vazhdoj më tej.

Piktorët tonë kosovar durojnë presionin dhe heshtin duke lënë hapësirë pushtuesve. Këtu duhet të vazhdoj revolta. Njohë një piktor të cilit në vetvete tentuan t’ja vranë shpresën. Në këtë tentim asgjësimi dhe të ftohtë, në mesin e mjerimit të leckosur ai kompozon vepra arti të cilat i përjeton vetëm ai. Kështu, i tronditur ndërmjet vrasjes dhe bukurisë, i hedhur në ferr, imazhet misterioze dhe ato të bukurisë së ikur, do të na sjellin gjithmonë jehonën e kryengritjes së harmonishme e cila dëshmon madhështinë e këtij artisti. Duhet të mendojmë se njeriu nuk përmblidhet në histori dhe të këqija, por në rendin e natyrës. Nëse artisti afirmon dinjitetin e përbashkët me të gjithë, revolta kërkon një pjesë të paprekur, dukja e së cilës është bukuria. Tërë pasurinë që kishte piktori Pikaso binte në humnerë, në momente vetmie ku ndjente mërzinë ekstreme dhe qante si një foshnje. Por, shkallmimi i Van Gughu nga shoqëria në krahasim me Pikason nuk arrin atë shkallën e njerëzores. Rënkimi i Van Goghut radhitet në zhgënjimin më të madh të të gjithë artistëve. Edhe në këto ditë jete ai shtyn forcën e të jetuarit, vetëm se një ditë të gjitha përmbysen dhe vetëshuhet duke shpresuar për një vetëlindje më të mirë. Edhe Nietzsche-ja vuante nga tregu-kolektivi. “Atje ku mbaron vetmia, fillon tregu, dhe ku fillon tregu, fillon edhe zhurma e komedianëve të mëdhenj dhe zhuzhurima e roitja e mizave helmuese” shkruan ky filozof pa ju dridh dora. Për këta shpirtra edhe sot është e lirë toka, ka vende bosh për vetmitarët, të shtypurit, të zhgënjyerit për të cilët frynë aroma e deteve të qetë. Qetësinë e arrijnë vetëm në dashurinë e krijimit. Këta shpirtra të mëdhenj i nënshtrohen gjithnjë lirisë. Por, liria ky emër nuk do përmendet pa epitetin e pushtuesit. Nuk po flasë për harmoni, por revoltë që duhet të shpërthejë, fatkeqësisht në Kosovë heshtja trashëgohet tek artistët individë. Nga heshtja del heshtja. Pol Sezani refuzohet, por nuk heq dorë nga arti i pikturës, si një Sizif, ndjenë forcën e triumfit dhe afirmimin. Kjo është ajo e fundit që duhet menduar. Për së gjalli jetoj me zhgënjimin, vuajtjen, pas vdekjes u ngritë në piedestal. Artisti ose mbetet i zhgënjyer dhe i pakuptuar, ose përpiqet të vetëvritet të vazhdoj së shpresuari amshimin drejt hiçit. A mund të refuzohet apo anashkalohet padrejtësia? Po dhe natyra e njeriut duhet të pushojë së përshëndeturi. Nëse e mbështesim bukurinë, përgatitet dita e rilindjes dhe njerëzimi gjithnjë do ta pozicionoj në përsëritje larg degradimit dhe poshtërimit, ky virtyt i gjallë i unitetit të njeriut konkretizohet dhe veçohet përballë universit së poshtëruar. Artistët e shtypur kosovar përballë këtij universi duhet të jetojnë me zhurmë plotë duke ulur kokën dhe punuar me instinktet që janë për vete në të njëjtën kohë edhe për njerëzimin. Prapë artisti përjashtohet dhe do të jetoj në botën e zhgënjyer dhe të revoltuar. “Sapo godet, i revoltuari e pret botën në dysh” thotë Kamy. Ngritja e identitetit të njeriut me njeriun sakrifikon këtë identitet duke e përjetësuar. Në mjerim dhe shtypje vetë qenia e tij ishte brenda në këtë identitet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora