Mendime
Sejdiu: Takimi me presidentin Bush, moment historik
E enjte, 17.07.2008, 08:44 PM
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka cilësuar si një moment historik dhe shumë të rëndësishëm takimin e tij dhe të kryeministrit Hashim Thaçi, me presidentin amerikan George Bush të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Në një intervistë për BBC-në, z. Sejdiu tha se takimi shënon një nivel të ri të zhvillimit të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës.
Presidenti Sejdiu ka shprehur besimin e tij se takimi në SHBA do të përbëjë një moment shtytës për njohjen e mëtejme të pavarësisë së Kosovës nga vendet që kanë hezituar ta bëjnë këtë deri tani.
Zoti Sejdiu ndërkaq i ka bërë thirrje Serbisë që t'i ndalë veprimet e saj në raport me Kosovën dhe ka shtuar se nuk do të ketë kurrfarë rivlerësimi të shpalljes së pavarësisë së Kosovës as nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, as nga OKB-ja.
Kërkesa për vlerësim të pavarësisë së Kosovës pritet të bëhet nga Serbia në prag të takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të këtij viti.
Presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, do të takojnë në fillim të javës së ardhshme, me ftesë të tij, presidentin e SHBA-së, ndërkohë që më 18 korrik do të bisedojnë fillimisht me sekretaren amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice.
Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me presidentin e Kosovës, para nisjes për në SHBA.
BBC: President, do të takoni presidentin amerikan, George W. Bush. Cila është tema konkrete e bisedimeve me të?
Presidenti Sejdiu: Së pari unë dua ta falenderojë presidentin e SHBA-së për qasjen që ka ai dhe gjithë qeveria amerikane, tash e një kohë të gjatë në mbështetjen e përgjithshme që i është dhënë Kosovës në mbështetjen për lirinë dhe pavarësinë, në mbështetjen për zhvillimin e Kosovës në këtë ecje të shpejtë që kemi nevojë ta bëjmë.
Ky është një moment tepër i rëndësishëm dhe do të them historik i takimit në nivelin më të lartë, të kësaj natyre, ku do të bisedohet në relacionet ndërmjet dy shteteve.
Për ne është me rëndësi që të shprehim vizionin tonë për të gjitha zhvillimet që kemi në Kosovë, edhe atë që e kemi ambicie të zhvillimit të mëtejmë dhe atë që e kemi pjesë të shqetësimeve normale, që e ka çdo shtet në lindjen e tij, krahas sfidave që ka, dhe po ashtu për qasjet që kemi të bëjmë për proceset e tjera që lidhen posaçërisht me integrimet euro-atlantike.
Në këtë kuadër ne çmojmë lart këtë moment historik, mundësinë që të bisedojmë me presidentin Bush, mundësinë që të bisedojmë me sekretaren e Shtetit, zonjën Condoleezza Rice.
Në këtë moment po them se është mirë që jemi bashkë me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe kjo shënon edhe në këtë aspekt një rrafsh të ri të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona.
Po them se është moment i jashtëzakonshëm që të shprehim edhe garancitë tona për Kosovën e gjithë qytetarëve, për Kosovën që do të ketë një kujdes të vecantë edhe për komunitetet pakicë që i ka brenda vetvetes dhe për Kosovën që është në gjithë qasjen e saj, në elementin e plotë, të përkushtimit që të jetë faktor i rëndësishëm i stabilitetit rajonal.
BBC: President, SHBA-ja ka qenë përkrahësi më i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës. Kohët e fundit ndërkaq ka patur diskutime nëse ka ngecur procesi i njohjes së pavarësisë nga një numër vendesh. Mund të cilësohet ky takim me presidentin Bush si një shtysë e re për procesin e njohjes së Kosovës?
Presidenti Sejdiu: Unë mund të them se ne nuk kemi dilema asnjëherë në angazhimet që SHBA-ja ka patur, ka dhe do të ketë në mbështetje të Kosovës por edhe në mbështetje të procesit të njohjes edhe të shumë vendeve, që këto mund të bëjnë një influencë të drejtpërdrejt meqë kanë raporte të gjata dhe shekullore me to.
Besojmë se edhe ky moment do të jetë një moment shtytës edhe më tepër dhe besoj se në këtë kuadër ne në radhë të parë duhet të falenderojmë SHBA-në për rolin që kanë pasë dhe edhe BE-në dhe se ato do të vazhdojnë me këtë qasje jashtëzakonisht aktive për mbështetje të mëtejshme në njohje.
Ne mund të themi se këta shembuj që janë dhënë deri tash, apo këto prova të jashtëzakonshme që janë dhënë në mbështetje të Kosovës janë shembuj të dëshmimit të veçantë se Kosova është e pjekur që të vazhdojë jetën e saj si shtet sovran dhe i pavarur.
Po ashtu mund të themi se do të jetë një pjesë e shpalosjes së identitetit të saj të plotë karshi vendeve të tjera dhe në këtë rast edhe mundësia jonë e madhe tek zyrtarët më të lartë të SHBA-së, siç është presidenti Bush, sekretarja Rice etj.
BBC: Serbia ka paralajmëruar një aktivitet të dendur që deri në shtator të këtij viti, kur pritet të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, për të paraqitur rastin e Kosovës para një Gjykate të Drejtësisë. Pra për të rivlerësuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë? Si i përgjigjeni ju këtij veprimi?
Presidenti Sejdiu: Së pari mund të them se këto janë lojëra që Serbia i vazhdon tash e sa kohë dhe natyrisht se ka "një borxh" para qytetarëve të vet që të shpërlajë ose të mundohet ta arsyetojë këtë retorikë të ashpër dhe të keqe që e ka në qasjen ndaj Kosovës.
Ne do të vazhdojmë me qasjen tonë dhe dëshirojmë që Serbia njëherë e përgjithmonë të largohet nga një ecje e tillë që është në dëm edhe të popullit serb brenda vetë Serbisë, dëshirojmë që të kemi raporte të mira mes dy shteteve sovrane.
Neve nuk ka bën shqetësim të veçantë kjo mënyrë dhe kjo arrogancë, po them drejtpërdrejt, që ajo ka në raport me Kosovën. Nuk është as Gjykata Ndërkombëtare që do të merret me ndonjë sesion përkushtuar temës së Kosovës, sepse Kosova ka vendosur për vetveten.
Nuk janë as Kombet e Bashkuara në këtë nivel që të vendosin se Kosova duhet të bëjë ose s'duhet të bëjë shpalljen e pavarësisë së vetvetes.
Kjo është çështje e vullnetit politik të popullit të Kosovës, është vullnet politik i gjithë qytetarëve me një pjesë të vogël hezituese në kuadër të pakicës serbe.
Ne do të vazhdojmë rrugën tonë të dëshmimit se vërtetë Kosova është një vend i qëndrueshëm, se ajo do të përmbushë kërkesat dhe pritjet e gjithë qytetarëve të saj dhe së është e gatshme, natyrisht, të ecë në proceset e tjera integruese, që paralelisht të jetë edhe faktor i stabilitetit por edhe i marrjes së përgjegjësisë sikur vendet e tjera sovrane.
BBC: Pra ju nuk frikësoheni se Serbia po provon ta paraqes Kosovën si një konflikt të ngrirë në rajon?
Presidenti Sejdiu: Absolutisht jo. Serbia do të bëjë përpjekje të tilla që edhe me nxitje, sikur që i bën në pjesë të caktuara të Kosovës, flas për pjesën veriore të saj, por ajo nuk do të mund të ndal këtë ecje të Kosovës.
Ajo që thuhet vazhdimisht, ka perënduar ajo kohë dhe rrota e historisë nuk mund të kthehet prapa. Ajo që është me rëndësi të thuhet është se edhe në periudhat e mëhershme ne nuk kemi qenë pjesë përbërëse e Serbisë.
Dihet konteksti juridiko-kushtetues që ka patur Kosova në kuadër të një Federate që është zhbërë dhe kjo zhbërje ka ndodhur me një përgjakje të madhe që Serbia e ka shkaktuar dhe besoj se nuk e ka atë të drejtë, asnjëherë, që të vendos për dikë tjetër.
BBC: Dhe më lejoni zoti president t'i kthehem edhe njëherë pjesës së parë të bisedës. Çfarë më konkretisht do të kërkoni nga presidenti Bush?
Presidenti Sejdiu: Krahas falenderimit do të kërkojmë mbështetje të mëtejme, që nuk e kemi dilemë fare.
Do të japim provat tona se cili është vizioni apo qasja themelore që Kosova do ta ketë në këtë rrugë të mëtejme, në radhë të parë për përmbushjen e pritjeve për qytetarët e saj dhe edhe në pjesët e tjera që lidhen edhe me bashkëpunimin rajonal apo qenia e Kosovës si faktor i rëndësishëm i stabilitetit, në raportet me fqinjët tanë në radhë të parë, por edhe në raportet me vendet e tjera duke e pasur po ashtu nevojën e mbështetjes për integrime, si në pjesën e mekanizmave ndërkombëtare e deri në nivelin e OKB-së.