E diele, 22.12.2024, 05:15 PM (GMT)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Hamit Boriçi - doajeni i gazetarisë

E merkure, 25.03.2015, 07:57 PM


PROF.DR.HAMIT BORI?I - DOAJENI I GAZETARISË DHE PUBLICISTIKËS SHQIPTARE

NGA GJEKË GJONAJ

Në pamundësi të jem i pranishëm në kremtimin e 85-vjetorit të lindjes së doajenit të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare prof.dr. Hamit Boriçit, më 20 mars, ditë kjo kur edhe unë kam ditëlindjen po i shkruaj këto radhë për nder të jetës dhe veprimtarisë së tij të suksesshme, sepse ky pedagog shkodran e meriton. Në vënd se të takojmë përzemërsisht gotat e urimit me njëri-tjetrin si kolegë, bashkëpunëtorë dhe tashmë miq të sinqertë shpreh urimin tim nga thellësia e zemrës: Gëzuar përvjetorin e 85'të të lindjes, profesor Hamit Boriçi! Edhe shumë përvjetorë të tjerë të ditëlindjes tënde i dashur miku im i shtrenjtë - Hamit. Të rroni sa të dojë zemra e juaj!

Ditëlindja e këtij personaliteti të njohur është një ditë e gëzuar dhe e hareshme për ne, një ditë feste për familjen tonë, sepse profesor Hamit Boriçi vazhdon të jetë i shëndetshëm e energjik edhe pas tetëdhjetë e pesë vjet jete. Jeta e këtij pedagogu shkodran, publicisti dhe studiuesi të palodhur është e gjatë dhe e begatë, në disa fusha të jetës dhe veprimtarisë, si pedagogjike, publicistike e shkencore. Është një emër i madh i cili nuk do të harrohet në fushën e gazetarisë dhe kulturës shqiptare. Mençuria e këtij njeriu fisnik, ndihmesa e tij më se 40 vjeçare në përgatitjen dhe aftësimin e gazetarëve shqiptarë, në të gjitha universitetet ku ka punuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, puna e tij voluminoze për publikimin e 28 veprave të Dr. Vasfi Samimit, dhe shumë libra (tekste) universitare të publicistikës dhe monografike do të mbeten të përjetshme.

Profesor Boriçin e njoha në vitin 2003. E takuam në Ulqin, në kohën kur ishte në përgatitje të botimit të Fjalorit Shqiptar Enciklopedik “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë”. Pas shkëmbimit të mendimeve të para njohëse më shpalosi idenë e këtij botimi me karakter enciklopedik mbi median shqiptare dhe më bëri me dije se Redaksia e fjalorit të përmendur ka planifikuar të përfshijë emra të njohur të gazetarisë nga viti 1848 e këtej nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora. Më tregoi se edhe unë do të përfshihem në këtë botim dhe më dorëzoi një formular, të cilin ia dërgova në afatin e kërkuar nga ai. Unë kujtoj se më pyeti çfarë kam në dorë. I thashë se kam një dorëshkrim me intrevista me personalitete të shquara të kombit tonë. Ai më ofroi ndihmesën e tij, të marrë përsipër redaktimin e kësaj vepre. Aq sa u ndjeva krenar para tij po aq më kaploi frika se si do t’i pranonte dhe vlerësonte intervistat e mia, pasi asnjëherë më parë nuk kisha pasur rastin të shkëmbeja mendime profesionale me një personalitet kaq të shquar dhe me kompetencë në fushën e gazetarisë. Por profesor Boriçi në konsultimet e para, pasi e kishte lexuar veprën në dorëshkrim më çliroi nga ai ankth që ndjeja brenda vetes time. Me këshillat e tij të frytshme më krijoi një ndjesi shumë të afërt dhe më dha kurajo. Puno, puno dhe vetëm puno! Mos u ndal së shkruari. Këto ishin fjalët e tij nxitëse që ndikuan shumë në krijimtarinë time.

Nga ana tjetër kur vinte fjala për pjesën e redaktimit të dorëshkrimit, për pjesën e shtruarjes së pyetjeve ka qenë shumë i rreptë e profesionist. Një institucion në vete në fushën e gazetarisë, komunikimit dhe në planin njerëzor. Njeri imirë, modest, fisnik e punëtor, shumë aktiv në jetën pedagogjike e publicistike e tjerë. Nuk mund të lë pa përmend rastin kur profesor Boriçi nga Tirana erdhi vetë në Ulqin për të më sjellë dorëshkrimin e redaktuar, në vend se unë të shkoja në Tiranë. Madje nuk pranoi as shpënzimet e udhëtimit, e jo më pagesën e redaktimit të librit. Unë gjithmonë jam përpjekur t’u ndihhmojë kolegëve të mi të rinj krijues, më thoshte.

Nga takimet e mia të mëvonshme me profesor Boriçin, në shoqërim të miqëve tonë të përbashkët me akademik Gjovalin Shkurtaj dhe Gjovalin Gjeloshaj në Ulqin, ruaj kujtimet më të mira. Mendimi dhe bindja ime është se prof.dr.Hamit Boriçi është një intelektual i mirëfilltë, një qytetar i kulturuar, një njeri me virtyte të larta njerëzore, një punëtor me vullnet të fortë, një gur i çmuar që ndriçon e rrezaton pozitivitet, ndër të parët që ka vu gurthemelin e zhvillimit të mendimit kulturor e shkencor ndër shqiptarët, njeri model për t’u ndjekur. Ky është profesor Hamit Boriçi. Për mua ishte dhe mbetet mik dhe bashkëpunëtor shembullor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora