Mendime
Vangjush Saro: Pse kaq e palumtur Shqipëria!
E diele, 08.02.2015, 04:03 PM
Dy çika vend, s’e mbajmë dot…
N/Titull: Pse kaq e palumtur Shqipëria (!)
Nga Vangjush Saro
E shkuara
Dy çika vend dhe na e merr lumi; në të gjitha kuptimet. S’jemi në gjendje ta mbajmë, ta mbrothësojmë. Por nga llafet dhe zënkat s’heqim dorë. Si tha ai i mënçuri, që dinte ç’do të thotë ekuilibër dhe qytetari: “Shqipëri, të kam… ndjerë, s’të kuptova asnjëherë…” Ndoshta përmbytjet e këtyre ditëve dhe problemet e rënda që iu janë imponuar qytetarëve, edhe shtetit të tyre, si dhe kakarisjet e pareshtura politike, të çojnë menjëherë te një sërë zullumesh në të shkuarën. Me të vërtetë, pse kaq e palumtur Shqipëria? Duke folur për zullume, nuk mendoj se të gjitha fajet na i ka e shkuara dhe, doemos, nuk duhet të kërkojmë vetëm andej… Por lipset të jemi sa më të qartë në lidhje me disa momente të rëndësishme. Nëse janë dashur dhe duhen ende më shumë vlera monetare për të dëmshpërblyer ish-të persekutuarit, po ashtu ish-pronarët, kjo do të thotë (dhe topi s’e luan) që të përndjekurit dhe pronarët e shkatërruar kanë qenë (si raporte) shumë më tepër se në çdo vend tjetër të Evropës Lindore dhe Ballkanit, ku gjithashtu për disa dekada sundoi komunizmi. Por ndryshe nga e gjithë lindja komuniste - flasim për Evropë e Ballkan - te ne, më egër, më mbyllur, më gjatë. (Tani… do mbledhur rripi edhe për shpërblime të tjera, që vijnë pas përmbytjeve më të fundit.)
E gjithë
e shkuara flet për teprime, vuajtje të mëdha nga njëra anë dhe kapadaillëk nga
ana tjetër. Edhe moskuptim. Grindje me dhe pa shkak.
Por ja tek vjen viti ‘60 dhe Shqipëria sërish përpiqet të tregojë se sa “krenare” dhe e “pavarur” është. Në fakt, ajo u mbyll, u rrudh, u varfërua gjer në skaj. Ka plot që prapë duan të shohin lavdi dhe heroizma në atë kohë. Heroizëm ishte vetëm puna e rëndë, jo gjithnjë e paguar, e prindërve tanë, edhe jona. Të tjerat, janë emocione. Në vitin ‘97 patëm sërish një zullum, prej nga pothuaj nuk kemi dalë akoma. Sërish u fol për mëvetësi dhe se sa të këqinj janë… të huajt. Por armët i shkrepnim ne… E në këtë ndërkohë, janë prerë pyje e korije dhe janë bërë ndërtime abuzive pa fund. Por mbase prapë kemi kohë të mësojmë nga historia dhe e sotmja.
Tranzicioni
Le të sjellim në këto radhë disa detaje të thjeshta. Në disa prej udhëtimeve në Maqedoninë fqinje, përgjatë rrugës për në qytetet më të afërta, në krah udhëton edhe Drini; ajo që më bënte përshtypje më shumë, ishte se në lumë nuk shikoje qese plastike, shishe a mbeturina të tjera… Tani edhe atje ka përmbytje, se këto kohë natyra është tjetërsuar. Por gjithsesi, ky është një shembull korrekt për të treguar se çfarë kemi bërë dhe çfarë na kanë lejuar të bëjmë gjatë këtij çerek shekulli, përfshi ndërtimet mbi kolektorë e anës brigjeve, në lumenj e dete… Si askund. Ka shumë argumente pra, që na tregojnë se niveli ynë i qytetarisë dhe i zhvillimit shpirtëror, ka lënë dhe lë për të dëshiruar. Në çdo vend, edhe në ato më të zhvilluarat e më të sigurtat, ndodhin fatkeqësi e katastrofa. Problemi është se te ne, në të gjitha zullumet, aspekti njerëzor, zyrtar, qytetar, është apo renditet ndër shkaqet kryesore. Ne duhet të fitojmë mbi vetveten, të ndryshojmë, më së pari të shpallemi qytetarë…
Gjatë
publikimit të pjesshëm të këtij shkrimi, shumë miq e lexues më dhanë të drejtë,
por kishte asi që mendonin se po kërkojmë shumë. Qytetarinë (!) Duhet të jetë e
qartë se ajo nuk fitohet vetiu; masat dhe zbatimi i ligjeve, rritja e
autoritetit të shtetit dhe institucioneve të tij, shkojnë krahas zhvillimit të
ndjenjës qytetare, që do të thotë përmirësim i vizionit që kemi për jetën dhe
qytetet tona, rishikim i çdo hollësie e ndryshimi në raporte me natyrën dhe
shtetin, mandej ndryshim dhe imponim.
Nesër…
Ndonjëherë, kur shikon e dëgjon sa shumë hapësirë zë garda e vjetër e rendit të vjetër në media, në zyra, në institucione, ende, orë e çast, gjer në stërlodhje, pyet veten: More, ne jemi apo bëjmë si budallenj? Mund të duket si utopi, por nuk kemi rrugë tjetër përveçse t’i besojmë më të rinjve politikën, ekonominë, qytetarinë. T’ua lëmë në dorë atyre. Janë të shkolluar, janë të qetë dhe larg ideologjive më shumë se disa breza vuajtësish e hipokritësh. Duhet t’u bëjmë atyre të qartë se më së pari na duhet të krijojmë qytetarin, atë që jeton pa bakshishe, pa sekserë, pa frikën se do ta heqin nga puna. Natyrisht, kjo është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Nga natyra, ne jemi një popull i politizuar, që veç të tjerave, i ka për zemër thashethemet, që kur e shtypin hesht dhe kur e lënë të lirë, bën edhe zullume; (si shumëkush fundja).
Por nëse duam të kemi një ndryshim, më shumë ekuilibër, më shumë siguri, sot - si kurrë më parë ndoshta - është koha që përkundër përzgjedhjeve politike e provincialiste, gjithnjë zullumqare, të kërkojmë burokratët dhe pjesën e më të rinjve që kanë logjikë të ftohtë. Na duhet t’iu besojmë të rinjve dhe të sjellim nëpër zyra e ofiqe njerëz teknikë, me kulturë dhe dije, që e respektojnë politikën, por si institucion, jo si Sezam, që hapet për t’u pasuruar një pakicë e për t’u përplasur si peshku në zall pjesa tjetër pa pushtet e popullsisë. E kemi apeluar edhe në një tjetër analizë, do të ishte fundosje nga e para nëse nuk kuptojmë sa emergjente është ndarja me të shkuarën. Në të gjitha dimensionet e sjelljes dhe mentalitetit anadollak. Rasti më i parë, janë zgjedhjet vendore.