Mendime
Vangjush Saro: Sa do vazhdojnë rrëfimet e Bllokut
E marte, 27.01.2015, 08:07 PM
Sa do vazhdojnë rrëfimet e Bllokut (!)
Nga Vangjush Saro
Kohë pas kohe, e shkuara ngrihet dhe zë kryen e vendit në median shqiptare, në letra, në debate gjithfarësoj, në dëshirën për të sulmuar përpjekjet aktuale për mirëqenien dhe qetësinë e qytetarëve shqiptarë, patjetër edhe në jetën e tyre të përditshme, me gjithë ngarkesat apo episodet intime. Sapo që ndodh ndonjë gjë e re, individë të caktuar, klane që anojnë harbutërisht nga njëri apo tjetri krah, sulen të ndërtojnë analogji, bëjnë digresione në të shkuarën, ngrihen me ëndrra për të ritreguar gjëra të dëgjuara (dhe të botuara) dhjetra here; e kështu më tej. Duket sikur ne nuk ia dalim dot pa këto digresione, që më së shumti prodhojnë emocione për disa breza e komunitete të caktuara apo thjesht urrejtje e moskuptim për breza e komunitetet të tjera.
Njëfarësoj, duhet të ndahemi nga e shkuara. Por si? Çdo vend ka një të shkuar. Çdo vend ka pastaj edhe periudha me të cilat nuk mund të mburret. Veçmas, katër dekadat e rendit komunist, ishin një përvojë shumë e hidhur edhe për shqiptarët, që ndërkohë punuan, krijuan dhe ndërtuan sa mundën; dhe ky episod assesi nuk mund të merret nëpër këmbë. Për më tepër, në dekada të caktuara, ka pamje që nuk janë gjithnjë njësoj. Është detyra e historianëve profesionistë t’i shkruajnë apo t’i rishkruajnë ato. Bie fjala, nuk ka pse t’iu lihet dorë e lirë amatorëve; është detyra e institucioneve, e kritikëve letrarë dhe të specializuar të hedhin dritë mbi dukuritë letrare dhe artistike, si dhe mbi botimet e kësaj kohe.
Problemi ynë është se fanatikët dhe ekstremistët mëtojnë ta përdorin këtë pjesë të trishtë të historisë sonë për interesa që as ata vetë nuk i kanë të qarta. Dhe kështu, mund të thuhet se nuk merret vesh përse nuk kanë të mbaruar historitë e Bllokut, të lagjes (së izoluar) ku ka jetuar dikur udhëheqja e lartë e partisë-shtet. Protagonistë të ndryshëm të asaj kohe dhe banorë të lumtur a të vuajtur të asaj lagjeje, por edhe qeflinj historish me “Bllok” nga mediat, si të ishin dirigjuar nga një buketë e fshehtë, shpërthejnë heraherës në histori të njohura e të panjohura, gjithsesi të anshme. Njëherë del në skenë njëri, njëherë tjetri; bie i pari, ngrihet i dyti; harrohet për një kohë i treti, hop (!) ngre në këmbë mediat i katërti…
Blloku paska ende shumë për të thënë e për të rrëfyer; ai qenka tamam si një thes me miell i boshatisur, që prapë ka ç’të shkundë. Përpara disa ditësh, bashkë me laboratorin e drogës, u vu në qendër të lajmeve e të kureshtjeve të ditës, nipi i Enver Hoxhës, atij që e ideoi Bllokun dhe drejtoi me dorë të hekurt në rendin e mëparshëm, (duke lënë… litarin përjashta). Pastaj, doli e shoqja, që çuditërisht nuk ndjeu asnjëherë as faj as gabim, por prodhoi vetëm justifikime për dekada të tëra në një jetë plot brutalitet dhe pasiguri. Pasi mbaruan kujtimet e saj e të Xhelil Gjonit, si dhe debatet për detaje të caktuara, tash shpërthyen kujtime e detaje të tjera. Për të njëqindën herë, mediat u mbushën me kuriozitetin se Enver Hoxha na paska pasur sozi; pastaj që e shoqja (apo kushedi kush e në ç’rrethana) na paska zhdukur një fallxhore… Dhe më e keqja është se në çdo rast shpërthejnë polemikat, debatet, zënkat; në TV e gazeta e rrjete, njerëzit përfyten, a thua ky vend nuk ka tema të tjera shumë të rëndësishme për të ftilluar.
Ndërkaq, në rrëfim e sipër, duket sikur njëra palë mbetet ende dhe gjithmonë e verbuar nga “shkëlqimi” i asaj “epoke” e lagjeje. Pala tjetër ngatërron me atë lagje tërë Shqipërinë dhe e shikon atë si të kishte jetuar epokën e gurit. Këto histori e këto rrëfime, përleshje ndonjëherë, që shpesh shfaqen të shoqëruara edhe me terma, ndër të cilët më të përdorshmit janë partizan e ballist, po hedhin rrënjë e po krijojnë dyzime të paqena. Madje po pengojnë zhvillimet e sotme shoqërore, letrare dhe politike, duke iu vënë përpara brezave të tërë, një çorbë derri. Mendoj, dalëngadalë shoqëria, ata që po vijnë në letra, në politikë, në jetën reale, duhet të dalin nga kuzhina e çorbës dhe të shijojnë më në fund një temë pa delire, pa ideologji, pa anësi të turpshme. Mendoj, sot më shumë se kurrë, interesat aktuale të qytetarëve shqiptarë, edhe të Shqipërisë, kërkojnë drejtpeshim dhe thjeshtësi në përcjelljen e episodeve nga buron kaq shumë zhurmë.
Për të ftilluar edhe më tej këtë argument, përtej mungesës së modestisë, po bie më poshtë një fragment nga libri im në proces me titujt provizorë “Soc-realizmi dhe stinët e tij të çngjyrosura”/ “Soc-realizmi, alias... gogoli”. Në fragment, bëhet një përpjekje për ta rrëfyer në mënyrë shteruese dhe të drejtë njërën prej temave të shumta të së shkuarës, atë të botimeve të huaja. Fragmenti është si më poshtë:
“Deri në mesin e viteve ‘60, për shumë arsye - njëra prej të cilave qenia e vendit në një komunitet të gjerë, ku gjendeshin edhe Rusia (atëherë Bashkimi Sovjetik), Polonia, Çekosllovakia, Gjermania (Lindore), etj. - botimet nuk ishin gjëja më e qortueshme. Një pjesë e mirë e klasikëve të letërsisë botërore, sipas rymave dhe epokave, u përkthyen ose u risollën. Duke mos marrë përsipër të gjithë emrat dhe titujt, nga Letërsia Antike greko-romake u botuan: Homeri, Eskili, Aristofani, Safo, Virgjili, Marciali, etj. Nga Rilindja Evropiane: Dante, Petrarka, Servantesi, Shekspiri, Bokaçio, Lope De Vega, Volter, etj. Nga Klasiçizmi: Molier, Rasin, etj. Nga Romantizmi: Hygoi, Bajroni, Lermontovi, Pushkini, Miskieviç, Gëtja, Shileri, etj.; (Lëvizja letrare e atëhershme homonime me romantizmin, në Gjermani u quajt “Stuhi dhe vrull”). Nga Realizmi: Zolai, Balzaku, Stendali, Mopasani, Ibseni, Tolstoi, Çehovi, Dikensi, Gollsuorthi, Gogoli, Anderseni, Mark Tueni, Londoni, Pirandelo, Esenini, Uitmani, Ricosi, etj. Nga Brezi i Humbur: Remarku, Heminguej.
Nuk bëhej
fjalë për të botuar autorë të epokës së Modernizmit - një oqean i vërtetë -
përfshi shkolla si Përroi i Ndërgjegjes, Simbolizmi, Ekzistencializmi, Teatri
Absurd dhe disa rryma e shkolla të tjera, (më pak të zhurmshme). Bën përjashtim
Flober, (që në disa tekste e gjejmë si një ndër shkrimtarët e parë modernistë).
Nga Dostojevski, cilësuar si
ekzistencialist, u botua vetëm novela (realiste) “Njerëz të varfër”. Pati
interes për Man, Breht, Lorka, që gjithsesi cilësohen modernistë. Por nuk
“kishte” asnjë interes për emra si Prust, Xhojs, Uajlld, Kafka, Beketi, dhe shumë shkrimtarë, poetë dhe estetë të
tjerë të rëndësishëm. Drama “Pamje nga ura” e Milerit, që u vu në skenë në
Korçë nga Piro Mani, u ndalua shpejt. Jo pak autorë të tjerë të “padëshiruar”,
përfshi Drajzerin, Joneskon, deri edhe Kuazimodon, më pas pse jo dhe Eluarin,
(kur të cilësohej “revizionist”), lexoheshin fshehurazi. Nga Realizmi Socialist
(krahas shumë autorëve bërtitës) erdhën emra që s’kishin asnjë lidhje me atë që
sot e quajmë soc-realizëm, si Gorki, Shollohovi, Hasheku, etj. Ndërkaq, të
pakta ishin përmbledhjet me proza të shkurtëra, ku janë përfshirë edhe autorë
që nuk erdhën dot më vete, si Stajnbek,
Shpresoj
se në këto radhë e përgjithësisht përgjatë këtij shkrimi, kishte diçka që e
vlen.
Për ta
përmbyllur, në përmasat reale të termit ekuilibër, bota dhe shoqëria njerëzore,
vende e komunitete të shumta, kanë gjetur frymëzimin dhe qetësinë për të
klasifikuar çështje të rëndësishme dhe probleme të mëdha. Ne assesi nuk kemi
pse të bëjmë përjashtim e t’i vidhemi përvojës që përcjell ndjeshmëri reale dhe
zgjidhje të mençura për të shkuarën dhe tema të tjera luftëbërëse. Faik Konica,
një nga shkrimtarët, diplomatët dhe publicistët shqiptarë që kanë kuptuar herët
defektet (tona), pra edhe kanë inspiruara ekuilibër, ka thënë: “Dhe meqë
historia nuk ecën kurrë së prapthi dhe ne nuk mund ta zhbëjmë të kaluarën,