E enjte, 26.12.2024, 11:33 AM (GMT)

Mendime

Arbana Xharra: Një uverturë e rrezikshme

E hene, 19.01.2015, 07:54 PM


Një uverturë e rrezikshme

Nga Arbana Xharra

Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, nuk i mjaftuan rreth 20 mijë protestues që dolën në rrugët e Gjakovës për të shkarkuar ministrin Jabllanoviq, për shkak të deklaratave të tij fyese jo vetëm ndaj qytetarëve të komunës së Gjakovës.

Protesta si kjo në Gjakovë lehtësisht mund të zhvendoset edhe para zyrave të Mustafës nëse vazhdon të tolerohet edhe më tutje Jabllanoviqi. Kryeministrit duhet t’i bëjnë përshtypje protestat qytetare, sepse sharja që Jabllanoviqi ua bëri viktimave është vetëm uverturë dhe paralajmërim se si do të sillet Lista “Srpska”, e themeluar si rezultat i negociatave mes paraardhësit të Mustafës, Thaçit dhe mbështetësve të tij në dialog me Beogradin.

Mes tyre ishte edhe Mustafa dhe partia e tij, LDK. Së pari Jabllanoviqi i quajti “egërsira” familjarët e të vrarëve, të masakruarve dhe të zhdukurve në Gjakovë. Dhe një ditë pas protestës është pikërisht partia e Jabllanoviqit që përdor fjalor kafshëror, e cila po bën plane nga zyra e Aleksandar Vuçiqit për asetet e Kosovës. “Serbia e ka obligim të mbrojë pasurinë e saj, Prishtina duhet të heqë dorë nga “Trepça””.

Ky është selami që nga Beogradi ia dërgojnë ministrat e tij Isa Mustafës, por edhe Hashim Thaçit. Sinjali është i qartë: ministrat e “Srpska Listës” e shohin veten si përfaqësues të Partisë Progresive të Vuçiqit në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Për Mustafën dhe shefin e tij Hashim Thaçin shtrohet pyetja e pakëndshme sa i përket lojalitetit të ministrave serbë: A mund të jenë ata ministra të Kosovës dhe të punojnë kundër interesave të Kosovës?

Zhelko Sertiq, ministri i Ekonomisë i Serbisë, mbajti konferencë për medie në Beograd për të kumtuar lajmin se ata janë bartësit e procesit të shitblerjes së gjigantit metalurgjik të Kosovës, “Trepçës”. Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovë (“dhe Metohi”) në Qeverinë e Serbisë, e tha qartë se “nuk do të lejojmë Prishtinën që të na vjedhë “Trepçën””. Vjedhësi thotë: kapeni hajnin!

A thua e ka menduar Isa Mustafa se të jesh kryeministër nuk mjafton vetëm të thirresh në “njohuritë ekonomike si profesor i lëndës”? Përtej kësaj kërkohet guxim për t’u ballafaquar me shumë sfida e provokime. LDK-ja deri më tani nuk është dëshmuar se ka kapacitet të ballafaqohet me problemet e vështira të vendit. Kjo është pasojë e seleksionimit negativ shumëvjeçar të kuadrove në parti. Dhe rezultati shihet edhe te cilësia e personelit të LDK-së të deleguar për qeverisje. Me ndonjë përjashtim bëhet fjalë për figura anonime dhe pa përvojë.

Mustafa do të duhej të ballafaqohej jo vetëm me provokatorët e Beogradit në Qeverinë e tij, por edhe me ata që kanë kapur shtetin dhe që deri dje kanë qenë agjentë të shërbimit ilegal sekret të PDK-së, SHIK. Gjatë qeverisjes nga viti 2008 PDK-ja ka arritur të fusë nën kontroll të hekurt shumicën e ndërmarrjeve publike, t’i instalojë militantët në çdo sektor dhe të zhvatë miliona euro. Shkatërrimi i këtij sistemi do të duhej të ishte preokupimi kryesor i Mustafës.

Por, duket se supet e tij të dobëta dhe mungesa e ekipit do ta bëjnë vetëm spektator të zhvillimeve në Kosovë. Sepse në vend të ekipit energjik, Mustafa mbahet në këmbë nga ekipi i Ismet Beqirëve dhe Lutfi Hazirëve, të cilët janë të lumtur që marrin ndonjë rrogë apo aset nga shteti. Andaj deklaratat e krerëve të LDK-së se do të luftohet korrupsioni tingëllojnë veçse humoristike ende pa u bërë 100 ditë nga zgjedhja e Qeverisë. Fatkeqësia është që më nuk e merr kush seriozisht as hajnin, kur ai sheh se kush mund të jetë “dënuesi i tij”.

Ç’është edhe më e rëndë, Mustafa me të ardhur në pushtet ka filluar të përdorë fjalor fyes dhe totalitar ndaj çdo kritikuesi. Padurimin e tij nuk mundi ta kontrollojë as në kabinetin e tij dhe ia ndali mikrofonin lehtësisht ministrit të Diasporës, Valon Murati, vetëm pse ai i kërkonte sqarim mbi deklaratën e Jabllanoviqit. Sikur të kishte këtë guxim edhe me vetë Jabllanoviqin!

Çfarë po dominon në qeverisjen Mustafa është paaftësia e tij e dukshme politike. Faji për këtë nuk është vetëm i tij. Ai ka marrë trashëgim nga Thaçi një barrë të rëndë, por, siç e ceka, LDK-ja vetëm u ka bërë amin negociatave me Serbinë. Pasiviteti ka një çmim të shtrenjtë. Kryeministri i vendit, me sa duket, nuk është në gjendje të shkarkojë Jabllanoviqin, deklarata e të cilit nxori me mijëra qytetarë në rrugë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora