Mendime
Sabri Godo: Pa u ngutur me dosjet, qeverinë, gjyqësorin
E enjte, 10.07.2008, 06:36 PM
Pa u ngutur me dosjet, qeverinë, gjyqësorin
Kreshnik Kuçaj
Analiza e ish-kryetarit të Partisë Republikane për zhvillimet në vend përmblidhet shkurt me frazën “pa u ngutur”, në veprimin tërësor mbi debatin për hapjen e dosjeve, ripërfshirjen në nivel ministri të forcës së tij politike dhe marrëdhëniet ndërinstitucionale. Sabri Godo sqaron pozicionin republikan, se përse duhet rikthimi brenda korrikut dhe se përse pas këtij muaji “do të krijohej një situatë e pakëndshme”, sikurse shprehet ai. Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme republikane, Godo, shpjegon në intervistë me “Korrierin” marrëdhëniet me Partinë Demokratike si dhe disa çështje që kanë rritur debatet në vend, përfshi ndryshimin e Rregullores së Kuvendit.
-Si janë aktualisht marrëdhëniet e koalicionit mes Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike?
Sabri Godo: “Këto marrëdhënie nuk kanë pësuar ndonjë çarje. Priten zhvillimet të mëtejshme dhe kjo është e natyrshme tani, pasi pothuajse edhe pak dhe do të hyjmë në atë që quhet periudha preelektorale. Domethënë, për të shkuar në zgjedhje. Sepse në zgjedhje do të shkojmë së bashku dhe po të fitojmë prapë, do të qeverisim së bashku”.
-Partia Republikane ka kërkuar të futet sërish në qeveri. Nga ana tjetër, akoma nuk ka një qëndrim zyrtar për ndryshime në qeveri. Në rast se kjo nuk ndodh, çfarë do të ndodhë?
“Unë nuk kam pse të bëj parashikime të këqija. Unë them që kryeministri i ka hyrë kësaj pune dhe do ta zgjidhë. Këto nuk janë punë që bëhen nga darka deri në mëngjes, duhet pak durim. Dhe neve durimi nuk na mungon”.
-Kush mund ta përfaqësojë PR-në si ministër?
“Ne kemi disa njerëz që mund të ofrojmë. Natyrisht nuk mund të themi se kemi njerëz që mund të mbulojnë të tëra ministritë. Gjithçka ka kohën e vet për t’u bërë. Pasi të shikojmë se me cilën ministri kemi të bëjmë, atëherë duhet zgjedhur edhe njeriu që i përshtatet asaj pune. Ne mund të japim dy-tre emra si kandidatura në momentin e duhur, që të ketë më tepër hapësirë kryeministri për të zgjedhur atë njeri që i sjell bindjen se është më i përshtatshmi”.
-Do të jenë një figurë politike e juaja, apo një figurë profesionale?
“Ministri është një funksionar politik. Por, personalisht, kam menduar gjithnjë atë që ka disa dikastere, që kanë një profil specializimi të theksuar dhe atje është mirë që të gjesh një njeri ku kombinohen pak a shumë të dyja. Një njeri që të mbajë përgjegjësinë politike dhe, në të njëjtën kohë, për ta thënë me fjalë të thjeshta, të marrë vesh edhe nga zanati. Për mua, një ministër i Drejtësisë doemos duhet të jetë një njeri që ka një karrierë në fushën juridike. Ministri i Bujqësisë duhet të jetë një njeri që njeh diçka nga ajo punë. Ministri i Shëndetësisë e mira është të jetë mjek. Domethënë, të mos jetë një njeri që hyn në një zyrë, ku i duhet të marrë njohuri për gjërat nga e para, por të dijë se cilat janë problemet e sektorit nga aktiviteti i tij i mëparshëm. Kjo i jep dorë atij që të zotërojë në një kohë më të shkurtër ministrinë dhe të qëndrojë në krye të saj ashtu si duhet”.
-Pse PR-ja e refuzon postin e zëvendëskryeministrit? Kjo do të ishte një zgjidhje për kryeministrin, i cili mund të evitonte ndryshimin e qeverisë.
“Unë shpesh dëgjoj njerëz që thonë se nuk do ta pranonin atë apo këtë punë pa ia ofruar kush. Këto janë llogari që bëjnë në mendjen e tyre disa njerëz. Neve nuk na është ofruar ndonjëherë ky vend, ndaj nuk kemi pse të mendojmë për të”.
-Cila ministri ju përshtatet më shumë?
“Ne nuk mund të jemi aq pretendiozë sa të themi duam atë ministër apo këtë. Nuk duam të marrim tonin e një njeriu që imponohet, sepse do të më dukej krejt e pamoralshme një gjë e tillë. Por, natyrisht që do të donim një ministri që të kishte peshë në jetën shoqërore, dhe kjo përputhet me kontributin dhe gjendjen e PR-së. Cila ministri? Unë nuk mund të them, sepse qeverinë e drejton tjetërkush. Dhe ai e di se cilin ministër ka nevojë të lëvizë dhe ku i duhet të bëjë ndonjë ndryshim. Këto janë punë në të cilat nuk mund të imponohet një njeri nga jashtë”.
-Flitet se do t’u përshtatej Ministria e Shëndetësisë... Madje, ju keni bërë kërkesë që për 10 ditë të përfshihet PR-ja në qeveri. Kjo do të thotë se PR-ja ka bërë plane dhe disa synime të qarta?
“Për sa i takon Ministrisë së Shëndetësisë, nuk kemi bërë ndonjë kërkesë. E thashë, që ne nuk përcaktojmë apriori se cili dikaster na bën më mirë, sepse nuk varet nga ne. Kështu që unë e quaj të mbyllur këtë çështje me kaq. Për sa i takon atij afati 10-ditor që thoni ju, pashë në një gazetë se “Godo vendos ultimatum”. Unë nuk jam njeriu i ultimatumeve, unë jam njeriu i marrëveshjeve. Thashë se ndoshta brenda 10 ditësh, nëse më kujtohet mirë ajo që kam thënë. Sepse nisem nga ajo që ka një afat të përcaktuar për sa i takon mundësisë së bërjes së ndryshimeve në qeveri, dhe mbyllja e legjislaturës është më 30 korrik. Nëse nuk bëhet deri atëherë, krijohet një situatë me të vërtetë disi e pakëndshme për ne, sepse nuk mund të themi tani që do të vijmë në qeveri në tetor, duke qenë se qeveria vihet në diskutim në qershorin e ardhshëm. Mbetet një afat shumë i shkurtër që një ministër të bëjë diçka atje. Nisur nga kjo, kam thënë që ndoshta në 10 ditët e ardhshme”.
-Flitet se PR-ja do të përfaqësohet në qeveri nga Arian Madhi. Në rast se kjo ndodh, kush mund ta zëvendësojë atë në krye të grupit parlamentar, mbase Fatmir Mediu?
“Ju them që këto janë hamendje, me të cilat merren gazetarët dhe kjo është e drejta e tyre. Unë ju them pak a shumë në mënyrë zyrtare, se nuk është diskutuar asnjë emër dhe nuk është bërë asnjë lloj supozimi. Të gjitha mbeten për t’u diskutuar në momentin e duhur, dhe kjo varet nga oferta që do të na bëhet”.
-Parlamenti ndryshoi rregulloren për të shqyrtuar ndër të tjera edhe dekretet e presidentit. A ka cenim kompetencash nga parlamenti në shqyrtimin e kandidatëve?
“Nuk më duket. E kam thënë gjithnjë në mënyrë të ngulitur, se institucionet duhet të ruajnë pavarësinë e tyre, por kjo kurrsesi nuk duhet të përjashtojë bashkëpunimin. Sepse atëherë do të ngriheshin mure, ku do të pengohej komunikimi, do të pengohej ecja e shtetit përpara. Është një gjë me shumë rëndësi. Domethënë, kontrolli dhe balanca duhet të jetë gjithnjë në ekuilibrin e duhur. Kuvendi e gjeti të nevojshëm të bëjë këtë ndryshim, që deputetët të marrin më tepër dijeni për votën që japin. Kam qenë edhe unë dikur në parlament dhe, të them të drejtën, kur kanë dalë emra atje, kam ngritur dorën pa pasur asnjë ide se ç’është ky person. Kjo nuk është e drejtë. Duhet që Kuvendi të jetë më tepër i informuar për personat që propozohen nga institucione të ndryshme, për Gjykatën e Lartë, për Gjykatën Kushtetuese, për prokurorinë, për institucione të tjera qendrore që miratohen nga parlamenti. Është e drejta e Kuvendit që të marrë më tepër informacion. Por unë e thashë që në fillim, që ky ndryshim i rregullores duhet të bëhet me konsensusin më të gjerë parlamentar. Më duket se kjo kështu u bë dhe unë e quaj fare në rregull. Kurrsesi nuk mund të flitet këtu për kufizim apo cenim të kompetencave të presidentit ose të tjetërkujt. Me këtë ndryshim që u bë atje, Kuvendi është brenda atributeve të tij. Dhe u bë shumë mirë, sepse gjërat më në fund duhet të jenë të hapur. Jo të kalojnë emra të panjohur, sepse pastaj na del diçka dhe mbetemi të habitur e themi: “P:se votuam për këtë njeri, ku e patëm mendjen?!” Kështu që gjërat filtrohen më mirë dhe është më mirë për të gjithë. Është gjithnjë më mirë që të bëhen konsultime paraprake, që palët të mos bien në konflikt. Por, edhe nëse bie poshtë një dekret i presidentit, fjala vjen, nuk bie qielli në tokë, ashtu sikurse presidenti refuzon një ligj nga parlamenti. Nuk duhet ta marrim si një konflikt, sikur këta tani morën pushkët dhe i bien njëri-tjetrit. Puna është të mos jenë të shpeshta dhe të mos bëhen flagrante”.
-Nuk e di se sa jeni njohur me emrat e rinj të dekretuar nga presidenti? Njëri nga të dekretuarit ka marrë pjesë në gjyqin e ish-presidentit Ramiz Alia, ndërsa një tjetër njihet si avokate e familjes Nano. Sa mund t’i pranojë mazhoranca këto emra?
“Për sa u përket emrave të rinj, unë njoh vetëm njërin prej tyre, zonjën Ariana Fullani. Them se është një zgjedhje e përsosur. Ka përgatitjen e duhur dhe ka një kusht themelor: ndershmërinë e duhur. Ku ta gjesh të kesh një gjyqtare si ajo në Gjykatën e Lartë! Do të doja të thosha të njëjtën gjë edhe për të tjerët, por janë emra të panjohur për mua, përfshirë edhe këtë zotërinë që përmendët ju më parë”.
-Një debat i fundit, që zakonisht hapet para zgjedhjeve, është edhe ai i hapjes së dosjeve. Mendoni se është një lojë politike, apo vullnet i mazhorancës?
“Kjo ka qenë një lojë politike për 17 vjet dhe është banalizuar për gjithë këto vite. Në rast se nuk finalizohet edhe kësaj here, parlamenti do të mbetet në turp. Do të thotë që ky parlament englendiset me gjëra, por nuk ndjek seriozisht objektivat e veta. Prandaj nuk duhet të ndodhë që kësaj here të mos bëhet një ligj i mirëfilltë dhe të bien dakord palët mbi atë që duhet bërë. Gjithë problemi qëndron se për kë dhe si duhet të hapen dosjet. Unë them që me këtë duhet të merret një komision parlamentar. Të përcaktohen më mirë kriteret dhe jam pothuajse me një mendje me atë që dëgjova se kishte thënë Berisha në grupin parlamentar. Unë atë tezë kam mbrojtur që nga vitit 1992”.
-Për kë duhet të hapen dosjet?
“Duhet të hapen dosjet për ata që qeverisin vendin në pozicione të ndryshme. Të mos merremi me një nëpunës të thjeshtë atje në një komunë, sepse atëherë do të krijonim një ngatërresë të madhe për veten tonë. Të merremi me funksionarët e lartë politikë, të merremi me ata që bëjnë ligjet, të merremi me kryetarët e partive. Nuk është mirë që një ish-agjent i sigurimit të krijojë një parti politike dhe të ketë ndikim në jetën e vendit. Ashtu sikurse nuk është mirë që një kryetar gjykate apo një prokuror i rrethit, fjala vjen, që dikur ka qenë në sigurim, të kthehet prapë në pozitën e njërit që mund të penalizojë qytetarët. Kjo është e papranueshme. Por edhe ekzagjerime nuk duhet të ketë. Ç’punë kemi me gazetarët?! Ju keni një rol të madh në informimin e opinionit publik, në dhënien e informacionit etj., por prapëseprapë ju jeni qytetarë privatë. Edhe ai që ka gazetën, është një privat që ushtron, në fund të fundit, një veprimtari fitimprurëse për veten e vet. Nuk mund t’i them atij tani, se unë të heq licencën për arsye se ti ke qenë dikur në sigurim. Kjo është një gjë që mua nuk më shkon edhe aq”.
-Megjithatë, kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera...
“Thuhet se këto i kanë bërë vendet e tjera. Unë ngul këmbë në atë që gjërat e kësaj natyre në Shqipëri duhet t’i bëjmë duke pyetur sesi i kanë bërë të tjerët, por duke vendosur në fund sesi i bëhen brenda kuadrit të shoqërisë shqiptare, mentalitetit tonë, bindjeve tona morale. Sepse si shqiptarë kemi veçoritë tona si popull dhe këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Prandaj them që mënyra sesi do të procedohet më vonë, pasi të përcaktohet se për kë duhet të hapen dosjet, duhet të kalojmë në atë sesi duhet të hapen dosjet. Nuk jam për atë që thotë, që duket sikur kanë një ide radikaliste, që ta hapen të tëra dosjet dhe të hidhen në internet etj. Këtu nuk jemi as në Gjermani e as në Çeki. Këtu tjetri të vret për një fjalë goje. Në qoftë se atij tjetrit i nxjerr emrin dhe i krijon një problem me familjen e tij, me krushqit e tij, me rrethin miqësor etj., këtu në Shqipëri krijohet një dramë shumë e madhe. Atëherë, prandaj them që mënyra sesi duhet të procedohet, duhet parë me shumë kujdes. Sipas meje, duhet të merren ato të dhëna që kanë mbetur, të shikohen se sa janë manipuluar, në mënyrë që të jemi në një terren më të sigurt, kur të ngremë gishtin mbi dikë dhe t’i themi: “Ti ke qenë agjenti i sigurimit, ti ke bërë keq dhe ti për këtë duhet të penalizohesh. Dhe penalizimi më i pakët që mund të të bëhet, është që të mënjanohesh nga aktivitetet që kanë të bëjnë me jetën publike”. Këta njerëz duhet të trajtohen me kujdes, jo t’u shpallen emrat në mënyrë sensacionale. Mund të thirret dhe t’i thuhet: “Shiko, ti ke këtë problem. Në bazë të ligjeve që janë në fuqi, ti nuk mund të mbash funksione publike, prandaj duhet të shkosh dhe të gjesh një mënyrë tjetër jetese për veten tënde”. Në rast se dikush ngul këmbë me doemos të qëndrojë, atëherë duhet të hyjnë në fuqi masat administrative, sepse pastrimi duhet të bëhet me patjetër”.