Mendime
Kim Berisha: Mëso shqip në daç me mësu', Davutoglu!
E shtune, 27.12.2014, 06:00 PM
Mëso shqip në daç me mësu', Davutoglu!
Nga Kimete Berisha
2 milonë shqiptarë jetojnë në Turqi.
Nuk kanë të drejtë të flasin shqip, ligjet ua ndalojnë të shkollohen shqip, si gjatë gjithë Perandorisë osmane, shqiptarëve u mohohet shkollimi në gjuhën amtare, u mohohet tradita, u mohohet kultura, me ligje diskriminuese i turqizojnë, nuk i lejojnë të jenë shqiptarë!
E, ambasadorët shqiptarë, Kryeministrat shqiptarë, Presidentët shqiptarë, inferiorë deri në asht, as nuk guxojnë t'u ankohen 'vëllezërve' të tyre turq, nuk guxojnë të kërkojnë nga Turqia që të shikojë mundësinë që t'ua lejojë shqiptarëve të jenë shqiptarë, që t'i lejojë të shkollohen në gjuhën shqipe.
Kryeministri turk Davutoglu ka thënë se qeveria e tij do ta rilind dhe do ta përhapë kulturën turke gjithkund ku ka shqiptarë e boshnjakë, duke shpërndarë falas fjalorë e sende tjera midis shqiptarëve.
Mësimi është vullnetar, kureshtja është vullnetare, ne mësojmë çfarë duam vetë, e jo çfarë na imponohet.
Rilindja e pasionit neo osman për të dominuar mbi kulturat tjera, sidomos tullusumin e kanë mbi kulturën shqipe të cilën e kanë paralizuar për 500 vite, na kanë lënë të prapambetur për 500 vite, na kanë marrë në qafë.
Nëse duam të mësojmë turqisht, do të mësojmë, është punë e jona a mësojmë a jo!
Ne mësojmë kulturat që duam, e jo kulturat që na imponohen.
Pse u dashka që turqit ta imponojnë kulturën e tyre, e ne ti këqyrim seri e të sillemi si budallenj, si gjatë historisë.
Le të mësojnë turqit shqip. Në daçin. Në jo, ne nuk po kërkojmë rilindjen e perandorisë. Kemi fjalorë digjitalë, anglisht-turqisht, dhe nëse na intereson naj shprehje turke e mësojmë vet.
Ne s'po bëjmë propagandë midis turq've që t'ua imponojmë kulturën shqiptare.
Bile ne as s'po i vajtojmë dy milionë shqiptarët tanë që Turqia i ka privuar nga e drejta për të qenë zyrtarisht shqiptarë.
P.S. Turqia është vendi, ligjet e të cilit edhe këngëtarit Ibrahim Tatlises ia ndalojnë të këndojë në gjuhën e tij kurde.