E enjte, 26.12.2024, 10:58 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Disa veçori gjuhësore në Sulovë

E diele, 21.12.2014, 08:08 PM


DISA VEÇORI GJUHËSORE NË KRAHINËN E SULOVËS
NGA PËLLUMB GORICA

Gjuha shqipe i ngjan një mozaiku shumëngjyrësh.  Pasuria leksikore si dhe prania e dialekteve, por edhe e nëndialekteve të krahinave, i japin asaj jo vetëm një begati interesante, por edhe një specifikë. Megjithë lëvizjet e shumta demokrafike, pushtimet, të shoqëruara nga presioni asimilues ndër shekuj edhe  zhvillimi i vrullshëm i teknikës, informacionit, kontaktet e shpeshta të njerëzve  me intelekt e bindje të ndryshme  kanë ndikuar disi në anën sipërfaqësore. Ato nuk kanë mundur të ndryshojnë thelbin e saj. Gjuha jonë ka ditur të mbijetojë këtyre presioneve, duke udhëtuar në shekuj, por edhe për të ruajtur veçoritë karakteristike të secilës krahinë.

Në krahinën e Sulovës të zonës së Elbasanit flitet dialekti jugor i shqipes, duke ruajtur pak e më pak edhe elementë të dialektit verior. Gjuha që flasin banorët e kësaj krahine ka ngjashmëri me krahinat në jug të saj, që janë  edhe më afër gjuhës letrare si: Berati, Lushnja, Skrapari. Kjo lidhet edhe me ndarjen, të cilën e bën lumi Devoll, për shkak të izolimit që krijonte me krahinat fqinje të Dumresë, Shpatit e Vërçës. Dijetari dhe diplomati gjerman Johan Georg Fon Hahn në veprën e tij “ Studime Shqiptare ”, faqe 48, viti 1854, duke përcaktuar kufirin gjuhësor në Shqipëri shkruan: “ Rrugës prej Beratit për në Elbasan, që zgjat 8 orë në këmbë, 4 orë larg prej këtyre qyteteve shkon një lumë që derdhet në veri të Semanit: Ky është lumi i Sulovës. Thuhet se në veri të këtij lumi njerëzit flasin gegërisht, kurse në jug të tij toskërisht ”.  Shkrimtari dhe studiuesi erudit,  Dhimitër Shuteriqi, që ka qëndruar  në krahinën e Sulovës për disa vite. Ai u njoh me gjuhën e folur të kësaj treve, në studimet e tij të herëpasherëshme dhe  ka pohuar vazhdimisht se ka zbuluar një pasuri të madhe gjuhësore. Në parathënien e botimit historik “ Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare në Gramsh e më gjërë ” të autorit Kadri Musai, ai shkruan: “ Në këtë krahinë flitet dialekti jugor i shqipes, duke ruajtur pak e më shumë e sa më pak që zbret drejt jugut elementë edhe të dialektit gegë.”

Ja disa nga këto veçori: 
    E quaj të domosdoshme të them se ata që janë sulovarë kur flasin, në mes të disa fjalëve shpesh herë bashkëtingëlloren “ h ” në fillim dhe në mes të fjalës zakonisht nuk  e shqiptojnë. Për shembull thuhet “arruar për harruar, erë për herë, anin për hanin, boej për bëhet, koën për kohën, bear për behar, menjërë për menjëherë, etj. 
Po kështu në disa raste në vend të bashkëtingëllores “ dh ” përdoret “ th ” sidomos në fund të fjalës, si mbeth për mbledh, heth për hedh, keth për kedh etj.
  - Në vend të bashtingëllores “ g ” përdoret “ k ” përshembull: barg për bark, bakti për bagëti etj. 
  - Në vend të mbaresave “ i ” dhe “ u ”, të vetës së tretë, në kohën e kryer të thjeshtë janë përdorur mbaresat “ vi ”, si lavi për lau, përshembull shkovi për shkoi, punovi për punoi, kërkovi për kërkoi etj. 
- Vërehet një mënjanim pothuajse i plotë i tingullit “ t ”, në mes të fjalës për shembull aherë për atëherë, etj. Në vend të bashkëtingëllores “ d ” ndonjëherë theksohej “ t ” për shembull vent për vend, math për madh, shkunt për shkund, ndothte për ndodhte etj. 
- Ndesh fenomenin e disa fjalëve që në vend të zanores “ i ” të patheksuar është në përdorim bashkëtingëllorja “ j ” si: gëzoj për gëzoi, vëllaj për vëllai, babaj për babai etj; si dhe në vetën e tretë të foljes, në kohën e kryer, si punoj për punoi, gëzoj për gëzoi etj. 
     Gjuha e folur e sulovarëve është e pasur edhe me fjalë të vjetra, që koha nuk i ka zhdukur. Një pjesë janë fjalë të huazuara nga turqishja. Natyrisht sot nuk fliten shumë, por para 60 vjetësh ishin karakteristike në komunikim. Për ilustrim ne po sjellim disa fjalë më të përdorshme: Dërdëllis (flet ), ujdi ( marrëveshje ), gjollë ( vend ku u hidhet kripë bagëtive ), fërtele ( copa-copa ), shtëllungë ( tufë leshi ), trokë ( s’ka gjë ), tartakut ( grindavec ), radake ( mblidh mendjen ), meit ( i zbehtë), menderos ( prish ), kërcit, ( ik ) krisi ( iku ), kalipeç ( krahqafë ), thekem, ( ngrohem në diell, në zjarr ) zhallamyt ( bëhet pis ), vogali ( fëmija ), si u qelle, ngryse ( si e kalove mbrëmjen ), fyçkë ( mëndje bosh ), harrakat( harron ), kuçkë ( dredhaluqe ) kësmet ( fat ), hyzmet( kujdesje ), gajret ( durim ), fakiri ( i varfër ), adet( zakon ), byrazer( vëlla ), llaf ( fjalë ), shamatë ( zhurmë ), aksham ( mbrëmje ),sabah ( mëngjes ), sevda ( dashuri ), haber ( lajm), sahat ( orë ), xhevap ( përgjigje ), sene ( vit kalendarik ), tefter ( letër ) qafir ( i pabesë ), rixha ( lutje ), sadaka ( lëmoshë ), selam ( të fala ), e shumë të tjera.
     Në krahinën e Sulovës përmenden shumë epitete, fjalë të rralla, urime, betime e mallkime. 
Kanë tingëlluar ndër shekuj,duke përballuar mugëtira, kohëra, sistemeve, pushtime me kulturat e tyre e nuk kanë humbur. Më tepër se çdo gjë, janë mençuri e përcjellë brez pas brezi, çka përbëjnë veçori dhe traditë të vjetër. Me një gjuhe aq të pasur krijojnë një buqetë të tërë kuptimore fjalësh, aq shumë shprehëse  në çdo kohë, rrethanë e çdo moshe.

Urimet. Të marrtë e mira! / Të mos gjeç e keqja! Të lumshin duart!/ Të dëgjofsha zonë e mirë! / Qofshi të gëzuar me trashëgime! / Të qoftë rruga e mbarë! / Tu bëftë rruga dritë! / Në të mira e gëzime ua shpërblefshim!/U trashëgofsh e me këmbë të mbarë!/ Me trashëgime e jetë të lumtur!/ Vafsh e ardhsh shëndoshë!/Rrugë të mbarë dhe u kthefsh shëndoshë e mirë! / Punë e mbare e të vaftë mbarë!/ Të lumtë krahu!/Marrsh një nuse të mirë! / Marrsh një burrë të mirë!/ U trshëgofshi e u shtofshi, u bëfshi një mëhallë! /Mirë se ardhët, në të mira e gëzime!/ Bujrëm e mirë se ardhët! / Mirë se erdhe dhe ju lumshin këmbët! / Për të mira u ardhshim! /Me bukë të ëmbël!/ Paç fat! / Paç dorën e mbarë! / Pastë jetë të lumtur! /T”ju rrojë vogali! (fëmija)./Bukanik me nga një djalë! / Pafsh hair nga fëmija!

Ngushëllime!/ në raste fatkeqësie. Ju lëntë pas uratën!/Të rroni e ta kujtoni!/T’u rrojnë fëmijët!/Miqtë shëndoshë!, etj. Apo ngushëllime në raste sëmundjesh.”Të shkuara të harruara!” /Mos lëngofshi më!, etj.

Betime. Akoma, sidomos të vjetrit betohen për zjarrin: “Për këtë zjarr!”. Zjarri në vatër është gjë e shenjtë. Një tjetër prej betimeve të zakonshme të sulovarëve është edhe “Më zëntë sytë buka ”. Apo edhe “Për këtë bukë!”. Sulovari si i gjithë shqiptari betohet për bukën e gojës. Betime të tjera të njohura janë edhe: “Më vdekshin të gjithë!”, “Kur të mos i kem të gjithë!”, “Më plaçin sytë!”, “Për kokën e djalit”, ”Për shpirt të babait!”, “Për atë diell!” etj.

Mallkimet nuk kanë qenë shumë të shprehura, por bashkëudhëtare të jetës së banorëve. Më tepër një pjesë e tyre përdoreshin thjesht si shprehje. Të zëntë kolera!/ Të rëntë një damlla!/ Të rëntë flama! (sëmundje) /Të ardhtë mandata! / T’u shoftë emri!/ Mos e gëzofsh të ritë!/ Mos gjetsh derman!/ Mos të zënte darka!/ Të bëfsha gropën!/Të futsha në gropë për së gjalli!/Të bëfsha gropën!/Të futsha në dhe me duart e mia!/ Kush i vodhi pulat e mia i mbifshin pendët syve!/ Mos ta pafsha surratin!/ Thefsh qafën!/ Mos të pafsha më! /Të zëntë buka! /Plaç të preftë! / Vafsh e mos ardhsh! / Mos bëfsh kurrë prokopi! etj.

Fjalët e urta dhe shprehjet popullore, me të cilat qëndisin bisedat sulovarët, janë gdhendur në kujtesën e brezave në konakët gëzimet apo hidhërimet e tyre, që nga kohët që s’mbahen mend, duke sjellë përvojën dhe urtësinë. Disa nga më të përdorshmet: E bën natën ditë./ Rri urtë se ta kërcita./Kush s`ka kokë ka këmbë./Ka frike nga hija e vet./Të ha bukën e të përmbys kupën./Shkon pas berihasë./Po grin lakra kot. /U ka zënë derën./Foli plakës të dëgjoje nusja. /Kur pi ujë, kujto burimin. /Të jep ujë me bisht të lugës./Merre shtruar si gomari ngarkuar. /Vjen vërdallë si pordha nëpër brekë./Ku del tym ka edhe zjarr./Të jep ujë me bisht të lugës./Ç’të duhen tre qe mbajë pendën që ke./S’ngryset dita me të përmjerrë./S’kane çù ha miu pas darke. /Edhe të rreh, edhe s`të le të qash./Sikur i ka ngrënë bukën gomari./Rrimë të ndarë si gjysma qepe./Ç’ka komshija e gjen tek shtëpia. /Erdhi të kërkojë brirët, por la dhe veshët. /Shiu beharit si vrapi i gomarit./Leku shkon te leku. /Hija nuk të thotë kurrë ngrihu./Jetëgjati nuk bëhet kurrë jetëshkurtër. /Miku harrohet po të largohet./Takat s`kemi po s`na le nepsi./ Miku i mirë të zgjidhë halle./Me i madh bishti se sqepari. /Humbe si sëpata pa bisht./Mik të vente e mik të mos i vinte./Ke ardhur për fjalë a për mall. /Humbe si sëpata pa bisht./

Me interes është një mori nofkash, që u vendosnin njëri vendbanim tjetrit, që dikur në krahinën e Sulovës kanë qarkulluar me humor të këndshëm, të cilat kur binte fjala përmendeshin dhe kurrë nuk merreshin për keq. Mollasakëve u thoshin longaxhi, bresku, dhe mjekërrpipëz selitarëve, sherrxhi dhe trastëkuq linarakëve, dajakaxhi-kamunasakëve, shallvaregjerë - dragotasve, çomgaxhi - topojanasakëve, haxhiasve – kompërpjetë, klosarakëve - sqepar Tunje, - selviarëve, morraxhi, domfasule – qyrkanakëve, lumarakëve -kokëqeros, floqarëve - shoshagrisur, banjarakëve - fajdexhinj etj.  Le të përmendim edhe nofkat si: delenxhi, çalaman, lamash, sypalarë, qafërrjepur, kokëmadh etj. por edhe ato për disa familje si: Larushi, Xhobo, Lutaj, etj.

Marrëdhëniet e ndërsjellta mes krahinave të ndryshme të trojeve tona, jo vetëm e kanë bërë gjuhën e folur një kolorit interesant, që dallon shumë nga njëra krahinë tek tjera. Brenda këtij koloriti nuk fshihet vetëm psikologjia e një krahine, por edhe një përvojë e tërë gjuhësore e gdhendur me mjeshtëri ndër kohëra dhe breza njerëzish dhe gjuha letrare u ndihet borxhlije bagazheve të tilla.  Veçoritë e përmendura dhe dinjiteti i fjalës shqipe në krahinën e Sulovës janë ruajtur prej shekujsh e cila meriton studime më të thella dhe më të detajuara.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora