Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Vogëlsira turke

| E enjte, 04.12.2014, 08:15 PM |


Vogëlsira turke

Nga Elvi Sidheri

Turqit e sotëm, ndër të tjera, e ndoshta mbi të gjitha (për mirë flas), njihen për ushqimin e tyre përrallor.

E në fakt, ndër përbërësit më të nderuar të kuzhinës së pasur dhe madhështore turke, bëjnë pjesë me krenari të theksuar, edhe “llokumet” për shembull.

Gjithësesi, ky shkrim që po ngjizet në këto çaste, nuk ka aspak në mend që të merret apo të shërbejë si ndonjë guidë “gojëlëngëzuese” ushqimore, prandaj po dal menjëherë në temë tashmë...

Për ta plotësuar sidoqoftë idenë që pata nisur më lart, këto llokumet e shijshme, mënjanë faktit që të shkrihen në gojë, mund të quhen po ashtu, edhe si një lloj “vogëlsirash”, në detin (po ç’det mor aman, në oqeanin e paanë) të kuzhinës turke.

Por ato megjithatë mbeten “vogëlsira” me peshë specifike tejet të theksuar.

Ashtu si edhe disa nga ngjarjet e ditëve të fundit, të ndodhura ose të lidhura direkt apo tërthorazi, me Turqinë, liderët dhe poltikat e saj gjeopolitike e strategjike.

Së pari nuk mund të harrohet, të kalojë pa vëmendjen e duhur, apo të mos merret parasysh, vizita e Papa Françeskut fundjavën e shkuar në këtë vend.

Vizitë që sipas të gjitha gjasave, por edhe duke gjykuar nga fjalët e vetë Papës Bergoglio, gjatë fluturimit të kthimit për në Romë, u realizua, u pat menduar dhe u krye (me sukses).

Vizitë që ish përgatitur me një qëllim e mision fisnik, atë të takimit të sërishëm, dhe të konfirmimit të faktit themelor, që i shikon dy kishat e mëdha të krishtera, atë Katolike të Romës, dhe atë Ortodokse të Patriarkanës së Fanarit në Stamboll, si dy motra të ndara prej një mijëvjeçari, të cilat po rigjejnë bashkimin (në pavarësi e barazi midis tyre) dhe mirëkuptim, në këto kohë të vrenjtura për të krishterët anembanë planetit, e sidomos në rajonin e Lindjes së Mesme.

Lindje e Mesme, ku pasuesit e Krishtit, që aty kanë jetuar prej dymijë vjetësh papushim, po rrezikojnë të zhduken (apo shfarosen përdhunshëm) nga harta dhe faqja e dheut përfundimisht, të gjendur mes luftërash të tmerrshme civile vëllavrasëse, nën kërcënimin e hapur të elementeve ekstremistë, që demonizojnë, s’i pranojnë dhe i luftojnë gjer në çrrënjosje totale, njerëzit që praktikojnë një religjion tjetër, të ndryshëm nga i tyri.

Jo rastësisht, shumica e të krishterëve të Lindjes së Mesme, qysh nga koptët e Egjiptit, e deri tek maronitët e Libanit, tek kristianët e Sirisë, ata të mbeturit e Irakut, Jordanisë e Palestinës, i përkasin ritit ortodoks lindor.

Për këtë arsye madhore, vizita dhe mirëkuptimi e sjellja vëllazërore midis Papa Françeskut dhe Patriarkut Ekumenik Ortodoks Bartolomeu i I-rë (dy njerëz të mëdhenj, dhe njëkohësisht, dy liderë botërorë fetarë këta, që kryeqyteti ynë Tirana, pati fatin që t’i presë me rradhë, njërin në shenjtërimin e Katerdales së hijshme Ortodokse Shqiptare “Ngjallja e Krishtit”, dhe tjetrin gjatë vizitës historike papnore, të dielën e 21 shtatorit të kaluar), shërbejnë si një mesazh i qartë për botën dhe shoqërinë e qytetëruar, se kishat e krishtera janë të bashkuara, sa i përket, mirëqenies dhe mbrojtjes e ruajtjes së pranisë (dhe jetëve) të banorëve të krishterë të Lindjes së Mesme.

Vetëm brenda këtij viti, dy krerët e kishave më të mëdhaja e të lashta të krishtera, takohen për të dytën herë, pas takimit historik në Jeruzalem pak muaj më parë.

Për të tjera, Turqia e sotme, është një vend praktikisht tërësisht mysliman (99,98% i tillë, pra jo “me shumicë myslimane”, siç cektësisht, me një mendjelehtësi therëse e duke mëtuar të bëjnë paralelizma komplet të paqena e pa asnjë kuptim solid mes shtetit tonë dhe Turqisë, shumë media, e përcaktojnë tejet gabimisht këtë vend).

Për fat Turqia është ende mjaft laike, dhe kjo kryesisht falë kushtetutës, traditave dhe ligjeve e mbi të gjitha, falë trashëgimisë së Mustafa Kemal Ataturkut, e jo për shkak të humorit dhe synimeve prapanike fondamentaliste e autokratike të Presidentit aktual, ish kryeministrit Erdogan.

Një vend ku supozohet të banojnë akoma rreth 120 mijë të krishterë, brenda një popullsie që kap shifrat e plot 80 milionë banorëve.

Popullsi joturke e krishterë, që në vitet pas rënies së Perandorisë Osmane, në Turqi ka rënë me shifra të frikshme, si pasojë e shtypjes, përzënieve masive, asimilimit (etnik dhe fetar), shkëmbimit të popullsive, genocidit ndaj armenëve e shumë shkaqeve të tjera.

Nuk qe fare e rastësishme, që Papa Françesku foli me një gjuhë tejet elokuente e të zgjedhur, duke e peshuar secilën fjalë, lidhur me gjendjen e mjeruar të popullsive të krishtera në Siri e Irak (ku kjo pakicë fetare, përndiqet dhe gjuhet, sikur të qenë kafshë gjahu, e jo njerëz, nga kalifatistë të marrë e njëlloj-mendues si ata), por edhe për vuajtjet dhe sakrificat e pafundme të gjithë banorëve të Sirisë apo Irakut, që masakrohen përditë nën thundrat e një lufte civile që nuk kursen askënd, myslimanë, të krishterë, jazidë, gra, fëmijë, pleq e këdo.

Kurse nga ana tjetër, përgjigja e kreut të freskët (të sapozgjedhur dhe të porsahyrë në “Megapallatin e tij të ëndërrave”, për ta perifrazuar si një titull kapital i Kadaresë sonë të madh)... të shtetit turk, Rexhep Taip Erdoganit, ishte veçse që në Perëndim, sipas mendjes së tij të shtrembër, po shtohej “fobia” ndaj fesë së vet.

Kaq!

Asnjë fjalë për kalifatin fondamentalist, për fatin e qytetit tanimë martir të Kobanes në Siri, për masakrat ndaj popullsive civile në Siri e Irak, asgjë prej gjëje.

S’ishte gjithaq aspak për t’u habitur, që ndërsa Papa Françesku ndodhej akoma në Turqi duke dëgjuar “mufkat” dhe pallavrat pa pikën e kripës, që vërshonin plot me fantazira “fobish” nga goja e Erdoganit, e ndër të tjera, teksa ai po takohej dhe shikonte me sytë e vet, gjendjen e refugjatëve sirianë në Stamboll..., qyteti i Kobanes, i mbrojtur gjithmonë e më tepër me një heroizëm të pashoq nga forcat e bashkuara kurde (nga Siria dhe Kurdistani irakian, ashtu si edhe nga bombardimet e pareshtura amerikanë nga qielli), sulmohej nga kamikazë të kalifatit, nga brenda territorit turk !

Pohime këto të bëra njëkohësisht si nga përfaqësuesit kurdë të Kobanes, ashtu edhe nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, por edhe nga Guvernatori turk, i provincës së Urfas.

Këto sulme kamikaze të kalifatistëve, fundjavën e kaluar, patën ardhur nga ana turke e kufirit me Kobanen, në një zonë që “zyrtarisht” do të duhej të ish e kontrolluar centimetër për centimetër, nga ushtria turke.

“Vogëlsira” të tjera me rëndësi relative, në Turqi, pati edhe më sidoqoftë.

Presidenti agresiv dhe autoritar rus Putin, u takua me kolegun e tij autoritarist Erdogan gjithashtu.

Putini dhe Erdogani sapo vunë në skenë aleancën e tyre, si një demonstrim të qartë force përballë Europës.

Jo rastësisht, Putin dhe Erdogan, janë dy eksponentët më të lartë të qeverisjeve autoritare që kufizohen me Europën në fakt.

Të dy këta njerëz, qenë pandehur për reformistë, kur erdhën në pushtet, njëri në 99-ën, e tjetri në 2002-in, por tashmë të dy ata, janë zhytur në fjalime dhe sjellje nacionaliste, që synojnë të mbysin krejtësisht, zërat opozitarë brenda vendeve të tyre.

Përtej kufijve të shteteve të tyre, këta dy liderë autoritarë, përbëjnë alternativën e dyshimtë ndaj Perëndimit liberal.

Erdogani përçapet të jetë i tillë në botën myslimane, ndërsa Putini është duke rrezatuar më fort ambientin amerikano-latin, atë aziatik dhe në ish republikat sovjetike që i kanë mbetur ende besnike Moskës (në Azinë Qëndrore).

Megjithë disfatat e shumta (Egjipti, ku Erdogani mbajti krahun e përmbysur të ish presidentit fondamentalist Morsi, apo Siria ku lideri turk, mbështet tërthorazi kalifatin kundër kurdëve) nga ana turke, dhe për rusët Ukraina, Moldavia, Republikat Balltike, apo së fundi edhe Bullgaria, që iu bind BE-së për suspendimin e gazsjellësit “Southstream”, Turqia dhe Rusia mbeten “zotërit” e rajonit të Detit të Zi.

Kjo pavarësisht faktit, se të dy këto shtete, nuk janë sot as sa gjysma e Perandorive Ruse (Sovjetike) dhe Osmane të shekullit të XX-ë.

Gjithësesi, të dyja këto reminishenca pushtuese, janë ricikluar në përfytyrimet respektive të krerëve të Kremlinit dhe Ankarasë, që tashmë i janë vënë punës së ethshme, për t’i kthyer nën kontroll zonat e dikurshme të influencës së tyre.

Kjo ringjallje e vonuar e dëshirës për madhështi, u ka shërbyer këtyre dy liderëve, për t’i varrosur revoltat dhe protestat qytetare në vendet e tyre (në 2012-ën në Rusi, dhe në 2013-ën në Turqi), që patën shpërthyer si pasojë e adhurimit të pakufizuar të Putinit dhe Erdoganit, për “kolltuqet” e tyre përkatëse të pushtetit.

Në këtë mënyrë, Putini iu shmang ndalimit kushtetues për të qenë më tepër se dy herë president, duke u bërë kryeministër, e duke u rikthyer në këtë post, kurse Erdogani e bëri këtë rrugë në drejtim të kundërt, duke kaluar nga shef i qeverisë, në president (megjithë një pallat megalloman presidencial, fryt i një përpjekjeje për t’u vetëkrahasuar sa me Ataturkun, aq edhe me Mbretin Diell)

Por mënjanë këtyre zhvillimeve që tregojnë sërish hapur dyfytyrësinë (apo pse jo, edhe pafytyrësinë) e autokracisë erdoganiste, një tjetër ngjarje mua, por edhe neve si shqiptarë, do të ish dashur të na bënte shumë përshtypje.

Ishte ai momenti hyjnor, gati magjik, kur Papa Françesku, pasi shkeli këmbëzbathur, dhe ndenji për një kohë të gjatë në heshtje krah imamit brenda Xhamisë Blu, më pas vijoi udhën e tij drejt Kishës së Shën Sofias pak hapa më tej, në zonën muzeale të SulltanAhmetit pranë Bosforit, Urës së Gallatës dhe Bririt të Artë.

Papa Françesku pra, brenda kishës së Shën Sofias në Stamboll !

Në librin e përshtypjeve të kësaj kishe kaq fort të lidhur me kujtesën e krishterë, po aq sa edhe me trashëgiminë historike, iliro-bizantino-shqiptare, Papa pati shkruar: “Tek sodis hijeshinë dhe harmoninë e këtij vendi të shenjtë, shpirti im lartësohet drejt të Plotfuqishmit, ai që është burim dhe origjinë e cilësdo shfaqje të së bukurës, dhe i kërkoj Hyjit që t’i drejtojë përherë zemrat e njerëzimit në rrugën e së vërtetës, të së mirës dhe të paqes.”

Një kishë kjo (dikur më e madhja e imponentja e tërë krishtërimit), e ndërtuar së pari nga perandori romak me origjinë ilire Kostandini i Madh, dhe e rikonstruktuar më vonë nga perandori tjetër ilir i Bizantit, Justiniani dy shekuj më vonë.

Kishë e plaçkitur nga latinët gjatë kryqëzatave, e pushtuar nga turqit osmanë (dhe e shndërruar në xhami) pas rënies së Kostandinopojës, e në fund e shpallur si muzé laik nga një tjetër gjysëm-shqiptar, Mustafa Kemal Ataturku !

Ky Papë, është i lidhur fort me shpirtin dhe qenësinë historike të shqiptarëve duket!