E premte, 27.12.2024, 03:48 AM (GMT)

Mendime

Elida Buçpapaj: Kujdes LDK!

E marte, 18.11.2014, 07:22 PM


KUJDES LDK, JE MES VLAN-IT DHE HASHIMIT!

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Në këta gjashtë muaj katrahurë pas 8 qershorit, e vetmja gjë që të jepte shpresë ishte koalicioni VLAN – ku LDK-VV-AAK dhe Nisma, pavarësisht nga ofertat e majme për pushtet ofruar nga Hashim Thaçi, nuk u dorëzuan dhe qëndruan bashkë.

Megjithë presionet e kriptothaçistëve, VLAN qëndroi stoik dhe i vendosur në qëndrimet e tij, duke krijuar një bllok të pathyeshëm me qëllim shpëtimin e Kosovës nga katastrofa ku e ka degjeneruar një regjim antidemokratik.

Se në çfarë udhëkryqi gjendet sot Kosova, e tregon fakti se Hashim Thaçi kërkon pushtet me çdo kusht, me të gjitha mjetet, me të gjitha mënyrat, me të gjitha çmimet duke shkelur parimin themelor të demokracisë, ku fitues është shumica. Dhe VLAN është shumicë.

Për të tejkaluar bllokadën e Thaçit, me qëllim konstituimin e parlamentit dhe institucioneve, dhe duke respektuar kërkesën e SHBA, VLAN hapi rrugë që vendi i kryekuvendarit t‘i kalojë PDK.

Ky lëshim që u bë për hir të interesave të vendit, nuk e ndryshonte marrëveshjen e VLAN.

Por ky lëshim do t’u shërbente kriptothaçistave brenda LDK-së që të rifillonin fushatën e tyre! Se gjoja e duan Isa Mustafën kryeministër. Këta që gjatë këtyre 6 muajve kanë bërë fushatë anti Isa Mustafa, tani po u djeg zemra për Isa Mustafën! Rrenë klluqe! Ata po digjen për Hashim Thaçin!

Prandaj, mjaft më! Mjaft më klanit brenda LDK-së, mjaft më probatimave të Hashimit në LDK, që e duan Isa Mustafën kryeministër me qëllim që ata të vazhdojnë aferat që kanë pasur me Hashimin. Klani i njohur brenda LDK-së për lidhjet me Hashim Thaçin, është armik i VLAN-it, sepse VLAN ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe do të ndërtojë shtetin ligjor.

Ky është misioni historik i VLAN-it. Të shpëtojë Kosovën.

Natyrisht që LDK në koalicionin katër-partiak është partia e parë dhe nga kjo i gëzon të gjitha privilegjet si e tillë por në kontekstin e koalicionit – ajo nuk i ka votat që t’i imponohet VV-AAK dhe Nismës. LDK ka 30 deputetë – VV 16 – AAK 11 dhe Nisma 6. Dmth janë 30 me 33! Edhe sikur t’i kishte. Me votat e saj nuk krijon shumicë.

Gjatë marrëveshjes së koalicionit të 10 Qershorit u vendos formati i njohur. Ky format do të ruhej nëse do të kishte rrjedha normale, të cilat nuk i lejon Hashim Thaçi.

Tash LDK është midis VLAN-it dhe Hashimit!

Në marrëveshjen e 10 qershorit mund të qe vendosur që Isa Mustafa të bëhej kryeministër dhe Ramush Haradinaj kryeparlamentar. Por u vendos që të jetë Isa Mustafa. Po të qe vendosur Ramush Haradinaj, atij do t’i duhej ta lëshonte këtë post dhe nuk do të kishte të drejtë të kërkonte vendin e kryeministrit, por do të kompensohej. Edhe për Isa Mustafën humbja e vendit të kryeparlamentarit duhet të kompensohet. LDK ka të drejtë të ketë postin e presidentit të Kosovës dhe deri atëherë ka të drejtë që Isa të jetë nënkryeministër i parë dhe të ketë postin e Ministrit të Financave, për shembull.

Kjo arrihet me një shtesë aneksi në marrëveshjen e 10 qershorit të VLAN.

Por mos harroni se qëllimi i partive nuk është akaparimi i pushtetit, por shpëtimi i vendit dhe ndërtimi i shtetit. Pra LDK kujdes!

Sepse LDK e ka provuar aleancën me PDK! Dhe prej kësaj aleance LDK-së i ka kushtuar shumë shtrenjtë, pasi ka humbur çerek milioni votues, ndërkohë që qeverisja me Thaçin ia humbi fytyrën, sepse u pa qartë që LDK e humbi identitetin dhe u kthye në parti vasale të Hashim Thaçit!

Nëse LDK, për hir gjoja të Isa Mustafës kryeministër, del nga VLAN, prishja e aleancës me bllokun është krejtësisht në interes të Hashim Thaçit, paçka se Hashimi do ta gradojë Isa Mustafën kryetar qeverije, duke mbajtur për vete postin e presidentit të Kosovës, PDK do të ketë shumicën dhe do t’i luajë zarat vetë Hashimi. Ashtu si veproi me Fatmir Sejdiun!

Natyrisht, nëse LDK me pretendimet e Isa Mustafës kryeministër, rikalon në aleancë me PDK, kjo do të jetë humbja përfundimtare e saj.

Ndërsa nëse dëshiron që të ruajë fytyrën, LDK duhet të mos krijojë asnjë barrierë dhe të operojnë si bllok me VLAN-in.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora