Kulturë
Besim Perjuci: Faik Mustafa - ”Dergja e shpresës”
E diele, 16.11.2014, 05:12 PM
VEPRA “Dergja e shpresës”- EPIGRAME/ autor FAIK MUSTAFA,
“Simfonia e të vërtetave që ushqen ritmin e vargut”
/Poezi vrulli artistik, me stil e gjuhë të veçantë origjinali, që mëton karaktere personazhesh të gdhendura me kulturë e urti njerëzore e në gjykim të kohës/
“Pjesa më e madhe e njerëzve më shumë parapël-
qejnë të ndihen të qetë, se sa të njohin të vërtetën.
Epo, mirë, unë jam ai që do ta prish qetësinë tuaj,
duke jua thënë të vërtetën”
Robert Kenedi
Shkruan: Besim Perjuci
Këto ditë doli nga shtypi edhe një vepër tjetër letrare që, pa dyshim, e plotëson opusin krijues të autorit tetovar Faik Mustafa, tashmë i njohur dhe i lexuar me shumë sens edhe në letrat shqipe të nënqiellit kosovar, por edhe përtej.
Frymëmarrjen e veprës më të re”Dergja e shpresës”e ndjeva deri në thellësi kur po i lexoja katrenet e vargëzuara, të cilat sikur rrinë zgjuar karshi gjithë atyre që harojnë të vërtetën e jetës dhe njerëzorën e përditësisë.
Prandaj, e pashë si mundësi reale e kulturë qytetarie, hiq velin e subjektivizmit, të shkruaj hollë e pak për këtë vepër, si shtesë modestie e mendimit tim të sinqertë.
Sidoqoftë, përshtypjet e mia për veprat e mëhershme të z.Mustafa, i kam mjaft të freskëta, kurse përmbajtjet brumore dhe stilin e të shkruarit, i mbaj si kapital me vlerë cilësie për thesarin tim të kujtesës.
Natyrisht, me pretencë sinqeriteti, duhet pranuar se, shumë më herët, para meje, është thënë e shkruar për veprat e mirëpritura nga audienca intelektuale, të autorit Mustafa, i cili me shumë sens arti, do të pozicionohej në mesin e të rrallëve të këtij lloj shkrimi, që me aq përkushtim e nuhatje, përmes vargut të rimuar, paraqet kundërshtitë shoqërore që po e shkallmojnë këtë popull.
Poeti Mustafa, me punën e vet krijuese, qëndron vertikalisht e pa u lodhur fare, sikur përherë është në përmbushje të krijimeve të veta artistike, sikur përherë ia fillon për diçka të re e me vrull, sikur në “kasetën e tij”- kujtesë i mban të stisura e me bollëk ato të pathëna e të pashpërndara mendime që drejtojnë vetëdijen dhe ndërgjegjën e poetit kah mesazhet e mëdha.
Pa dashur të shkoqit domëthënien e termit epigramë, /sepse për te është shkruar më herët/ Shih“Fjalorth termash letrare”, NGB Rilindja, 1968/, do të doja të përmend vetëm disa emra të poetëve të mëdhenj të epigrameve, si: Marciali/shek.I,pas e.r./, La Fonteni, Lesingu, Bërnsi, Bajroni, Pushkini etj.etj. Atëherë, nëse këta kolosë të letrave botërore e kanë pasur në dijeni rëndësinë dhe vlerën artistike të shkrimit të epigrameve, logjikisht na shtrohet pyetja: Sa dimë ne, dhe ç’rëndësi i kushtohet kësaj forme letrare në letërsinë shqipe? Dhe, nëse mendohet, e pa mëdyshje se po, se edhe te ne lëvrohet e shkruhet, atëherë, ma thotë mendja, është bërë shumë pak në
studimin e kësaj forme shkrimore. Prandaj, studiuesit e interesuar për këtë lloj lëvrimi artistik, mund t’i rreken hulumtimeve të thella, për ta ekzaminuar esencialisht thelbin
domëthënës të epigramit, edhe pse mendohej se ishte vazhdimësi e hershme e proverbave, urtisë popullore ose sentencave proverbiale, dalëngadalë po bëhet një krijesë e domosdoshme letrare me shumë vlerë në letrat tona.
Vargje që bartin qëllimin e shprehur
Të shumtë janë ata faktorë që nxjerrin në spikamë energjinë e poetit Mustafa, drejt ndërtimit të vargut katrenë, të filtruar e të kulluar që, tingëllueshëm e me jehonë thërrasin ndreqjen e harmonisë njerëzore. Me gjasë, e pa dyshim, këto thirrje, si ftesë për mirëqenie, dalin nga thellësia dhe shpërndahen, gjithandej, me shpejtësinë e dritës, për të arritur edhe tejpërtej preokupimeve përditore.
Ai, me vargun e vet saktësisht shpreh qëllimin e bartur me sjellje e kulturë emancipuese, mbase edhe edukativo-pedagogjike që sendërtohet me vargje estetikisht të vendosur në kohë e hapësirë, pa spekulime përmes fantazisë, si:/ ”Qëllimi në jetë është ushqim shpirtëror/të jep forcë t’shpërthesh si lumi përpara/je i dobishëm për vete e rrethin shoqëror/mbështetesh në vepra e jo në përralla”/Poezia”Qëllimi”/.
Gjithçka del nga zemra e poetit. Formësohet zëshëm e kreativisht dhe merr me vete vlerat e mendimit artistik të peshuar, nga njëra anë, kurse nga ana tjetër përdor shtesat për t’i bërë ballë kohës së katrahurtë e me plotë gjemba shtruar. Sfidohen koha, pazarët e pelimta me ndërskamca, tenderët dhe tenderistët, manipulimet dhe manipulantët, komplotët dhe komplotistët, “bosët” e privatizimit të çdo gjëje për gjallesë, mendjezitë, bashibozukët dhe matrapazët, fitimet marramendëse e pa djersë të pushtetarëve etj.P.sh./Etja për të pasur nuk ka kufi/ sa më shumë ke, më shumë kërkon,/fillimi është i ëmbël, n’fund humb liri/ as gjumin gjum s’e bën, si pula pa kry’vepron”/Poezia“Etja për të pasur”/,/”Paraja pa djersë”/,/”Paraja dhe pushteti”/etj.
Autori Mustafa, është vetë syri dhe veshi i vargut, të cilin e gjen kudo; në shtëpi, në dhomë të gjumit, në kopsht, në rrugë, te gurgullima e ujit, në kafene, në ekran e libra, në ndeja shoqërore me miq dhe ata që s’e duan e s’kanë nderim për te, me një fjalë, atij çdo gjë e në çdo kohë i fanitet në mendje e në lëvizje, duke e shndërruar atë në diçka artistike tërheqëse me motivacion. Fuqinë e fjalës e nxjerrë nga brenda, për ta hedhë të metaforizuar më pak humor e me më shumë sarkazëm mllefi jashtë vetvetes, destinuar mendësisë njerëzore, të cilën ka gjasë të mos e blej askush, shkaku: apetitsëmurët për luks të dëshiruar, fotelistët, burokratët, aparatçikët, tagramble-dhësit, strucët etj.etj. Ato zbërthejnë, me një dozë shqetësimi pikëpamjet përmes vargut sarkastik, për të vënë në lojë të metat me shtrembërime mjaft të dhëmbshme të shoqërisë apo të individit. Historitë e dëmtimeve të mëdha, autori nuk do t’i mbyllë asnjëherë. Atë e shohim t’i ringjallë burimet e aktualitetit dhe ndërmerrë hapa për t’i mposhtur falsitetet njerëzore që fundosin të mirat. Nëpërmjet këtyre dallgëzimeve
poetike, ai do t’i shigjetojë të këqijat e mbarsura tejmase, do t’i vë në shenjestër dhe s’do t’i lë të qetë pa iu nxjerrë të fshehtat e qëllimeve orgurzeza.
Përndryshe, është e guximshme të rrëmihet nëpër levat e një shoqërie që kalon me vështirësi tranzicionin, pa ndonjë parim e koncept të mirëfilltë. Sepse, edhe argumentet më faktike mund të shtrembërohen me ndërhyrje të përcipta e denigruese. Ai spikatë frymën e kundërshtive evidente të shoqërisë, fërfëllazat rrënqethëse, gjithmonë me mundësinë që rezultatet të dalin nga ky gogolizëm i strukturave që e kanë humbur kredibilitetin aktual. Zhbiron në thellësi të mendësisë dhe i kthehet gjurmëve historike të urtisë sonë popullore, ruajtjes së zakoneve e adeteve për kujtesë të fatit të këtij populli, të dashurisë vëllazërore, prindërore e farefisnore. Ai e kursen njeriun e mirë që vepron drejtë e me më pak gabime, sepse fragmentet jetësore me bindje e pa njolla rrisin forcën morale të njeriut, kurse nga ana tjetër izolojnë mjetet që sjellin fatkeqësi. Ërrësira duhet të kapërcehet. Mjegulla duhet të çmjegullohet. Kjo sikur i bëhet parim i arsyes dhe lajtmotiv i vargut. Drita duhet të shkëlqejë në zemrat që ushqejnë dashuri e njerëzi. Ngerçët duhet të zgjidhen me epilogun e dashurisë e sipas modelit; edhe ne dimë ta duam atdheun, vendin shtetin, njeriun dha fatin tonë. Kështu, me dashuri të vazhdohet historia jonë deri në pambarim/”Syri i dashurisë”/
Poezi me rëndësi frymëzimi të spikatur
Përvoja e derdhur në më shumë se tetë vepra, me përmbajtje e theksime epigramore, të firmosura me vlera jo vetëm artistike, por edhe me refleksione të një misionari me frymëzim të spikatur, guximshëm hapëron edhe në tejskutat e mbyllura nga lakmiçarë e karrieristë të egjër, që e kanë katandisur vendin në pellgun kaotik. Gjykimet, për këto devijime, përherë i gjen në natyrën e bindjeve të veta për arsye parimore që, parreshtur e ushqejnë poetin tonë.
Imazhi me koncept të fjalës së qartë, bartë me vete veçoritë e një shkrimi që bëhet lajtmotiv në transmision që ngërthen me ndrydhjen reale shpirtërore, më shumë se sa aktualiteti i djeshëm, që emërtonte shkaqet e një degradimi fundamental apo më mirë të themi të një ndëshkimi të dhimbshëm gjithëshoqëror.
Poeti Mustafa nuk shkëputët nga bota reale e lexuesit. Nëpërmjet metaforës së fuqishme zgjon tek lexuesi kërshërinë për gjetjen e së vërtetës që, vetvetiu shndërrohet në jehonë simfonie që, mjeshtërisht, ka ushqyer ritmin e vargut dhe vendosjen e ngjarjeve aty ku domosdoja e vetëdijes së njeriut e saktëson të vërtetën si produkt të përditësisë/”Ai që në jetë përpiqet dhe guxon/në mes të territ dritë gjenë, /mbi prush këmbëzbathur kalon/hekurin me dhëmb ka forca ta brenë//Poezia”Ai”/.
Paraprakisht, lexuesi do të mjaftohet me idenë e vargut, me enigmën e zbuluar, synimin dhe porosinë që, mëpastaj ta merrë të qartë mesazhin për zgjidhjen e suksesshme të problemit të shtruar kaq domëthënës/”Koha i ha parimet”/.
Me melmesat e një stili shprehës estetiko-artistik, e intrigon atë deri në atë masë, sa në një moment këlthet zëshëm ndaj padrejtësive shoqërore, duke iu bashkangjitur, padiskutueshëm, vetvetes në shqetësim. Ndërkaq, gjërat interesante i mban brendapërbrenda vetes, për të shpërthyer me reumatizmin e viteve të pleqërisë, si një meteor goditës që shembë gjumin e thellë dhe çjerrë e demaskon publikisht maskat e maskarenjve duke kërkuar përgjigje në shumë pyetje jetike e me peshë. Ndaj edhe përgjigjet i ka të shpejta, me kuptim dhe modesti humori metaforik.
Vazhdimësia e jetës, poetit i jep udhë me shkas për t’i përmbysë të errëtat dhe ligësitë shoqërore, klikën e krimit, kastën e lartë politike pa politikë të mirëfilltë, që virtytet i shndërroi në vese nga më të këqijat që njeh historia jonë./”Politika se njeh mëshirën”/,
/”Varrëmihësit e vendit”/,/”Katërlog”/.
Autori mban në heshtje dhuntinë për kategorizimin e karaktereve njerëzore, që kanë për shtesë, herdokurdo, gjykimin e kohës, si hije e ndjekjes. Këto karaktere personazhesh të gdhengura me kulturë të një urtaku, do t’i shpreh herë si shablon
modelesh të stërkequra, herë si model i kritikut modern, me gjasë pa cinizëm të tepruar, por paksa më i rreptë. Në jetën normale, autori na shfaqet i moderuar me
porosi, për ata që
dëshirojnë ta dëgjojnë e të kapin nga ai diçka të vlefshme e të bukur./poezia”
Veç këtyre, autori udhëton nëpër kohë, duke kujtuar më shumë të tashmën se të djeshmëm apo të dyja bashkë, për t’jua bërë me dije se nesër nuk guxohet të veprohet kësisoj. Nesër do të jetë vonë e me tërsllamë, sepse ngulfatjet duhet zhbërë, përpara së të godasin kuptimin e jetës./”Plagët e vjetra”/,/”Dikur dhe sot”/.
Pra, dëshmitë dhe dëshmitarët mbesin personazhe të gjalla, kurse aktualiteti i tyre ndërton skenarin më të keq në kohën e tranzicionit të madh.
“Marifetët” e
këtilla, si ajo e famshmja”Pronto” e bashkëdyzuar me marrëzi egomane dhe
padrejtësi ashiqare, vështirë mund të pranohen nga qenia njerëzore.
Gënjeshtra, mashtrimi, dyfytyrësia dhe
shpifja janë mjete të përdorura nga ana e pakurrizorëve e antipodëve dhe
apetitsëmurëve. Apetitet e paturpshme nuk shihen, as preken, por ato janë këtu
të kamufluara mes nesh, mes të pafajshmëve. Kjo të nxitë, të rrënon në
kemi shumë nevojë/ta zbulojmë vaksinën kundër tërbimit politik/të zgjedhurit e popullit s’pritojnë të bëjnë plojë/për apetite të sëmura, vendin e shtynë n’rrezik” /Poezia”Vaksina”/.
Koha dhe situatat, në të cilat reflektohet mendimi i vargëzuar, me zbërthim në thellësi e gjerësi, krijojnë mundësi për prurje metaforike të lëndëzuar, që shpërfaqen, gjithsesi, me nofka mashtruese të llojeve më perfide, si në kohën e “lëndimit shpirtëror e moral”.
Pushtetshëm e me grushtin e forcës mendore do të goditën të pandreqshmit, të cilët sorollatën kafeneve e restoranteve mondane, të shtruara me të kuqtë e kadifenjtë e deri të tsunamët me përmasa përbytëse të “miletit” të plaçkitur me mbetje në varfëri të skajshme. Dhe, kur të analizohet vepra vëmendshëm , dalin haptas provat faktike që rrahin jetën e përditshme, pa pushuar as dhunën e heshtur mbi kurrizin e varfërisë. Kjo do të rezultojë me fshikullim kamxhiku, që lë vragë e plagë mbi të molisurit veçmas.
Konspiracioni dekonspirohet hapur e pa gafe, si dëshmi e pranisë së dështimit të pushtetarëve fodull, por edhe e zhurmaxhinjëve dhe demagogëve të ditës. Mëtutje, poeti e kapitalizon vargun me dëshmi e të vërteta të paluejtshme,/poezia ”O grusht, o ngusht”/,/”Gjykata speciale”/etj.
Të pafajshmit ndëshkohen padrejtësisht për pafajësi. Kjo rrezikon tolerancën njerëzore, humanizmin shoqëror, rregullat jetësore, pëndryshe mbytë përditësinë tonë/”Sinqeritet politikani”/,/”Katërlog”/etj.
Z.Halil Matoshi, shkrimtar, në një prononcim të vetin, do të shprehet: “Tek ne shqiptarët me shtysë apo pa te ende jeton “Kodi i heshtjes së një sekreti unik”./”Koha ditore,dt.07.6.2014/. Nga kjo sajesë filozofike, që defilon në tekstin tonë, mbase e qëlluar, nuk e përjashton mendimin se; me gjithë pendesat tona, askush e askurrë s’mund të lirohet nga përgjegjësia morale e qytetarisë, qoftë edhe si e vonshme, ajo do
ta arrijë akëcilin/”Korrigjimi”/,
/”Kultura”/,etj. Prandaj, heshtja duhet të thyhet, të
Arkitektura e vargut, e ndërtuar me fizikun e katreneve dhe prezenca e saj në artin poetik, dëshmon për një hulumtim racional të së drejtës njerëzore, e cila është e paluejtshme dhe e pamohueshme në patosin e përditësisë. Ndonëse, kjo shpesh i tejkalon, vetëdijshëm, aftësitë njerëzore dhe iracionalizohet duke e shmang ndërgjegjën me përgjegjësi që, bashkërenditet në ndërdijen e njeriut, si përsonazh i drejtpërdrejtë në ndërtimin e rrethanave në të cilat duhet të veprojë.
Megjithatë, nuk është vështirë të komunikosh me veprën dhe vargun e z.Mustafa, sepse temat e prekura në to, si; ngjarjet, situatat, periodat e ngulfatura, idetë, besimi, dashuria dhe njerëzit, janë të përditësisë sonë, por edhe të shkruara në gjuhën e
përdorshme të ditës. Të gjitha këto e veçojnë për nga gjuha dhe stili i të shkruarit prej të tjerëve. Fjalën e menduar e mban të gjallë e me mision të paracaktuar. Se, këtë e dëshiron poeti paskajshmërisht, mbetet një e vërtetë e pahile. Çdo mendim tjetër hileçar, është i pakapërdijshëm, i pakalueshëm për te.
Vargje të krijuara me mendësi shpirti e jo për epitete
Autori në këtë amfiteatër, sakaq të hapur e me plotë personazhe e, me më shumë spektatorë inertë e të palëvizshëm, me motivacion të fuqishëm i diagnostikon dhe i vë në skenë, pa skenar të domosdoshëm, sepse prania e tyre, me të gjitha të palarat dhe fodullëqet e matrapazëve dhe intrigantëve cinik, tashmë, është shumë e tejdukshme. Jo për faktin se, tehu i kritikës nga ana e autorit, duhet të mbizotërojë e të bëhet pjesë e artit krijues, vetëm si përmendje ose shënim që nuk zë vend, sa për faktin që, natyrshëm e me mençuri, njeriut t’ia kthejë besimin e humbur në dashurinë dhe mirëqenien njerëzore, qoftë edhe përmes artit dhe fjalës së bukur e të matur artistike.
Ai, nuk dëshiron që përmes kësaj vepre, të ndërtojë karrierë shkrimtari apo t’i thurrën lavde e epitete poeti. Ai nuk e dëshiron një gjë të tillë, sepse në shprehjen e tij të herëpashershme gjejmë të thotë: “ Mendësinë time të vargut e kam krijuar përmes shpirtit e zemrës, dashurisë ndaj njerëzve e dheut të lindjes, por, asnjëherë, mbase, si poet a shkrimtar i mirëfilltë, ngase e ndjej se jam larg bërjes poet.” Këtu, mbase, shihet modestia e njeriut që ua lëshon vendin atyre me fuqi poetike e shkrimi, gjithsesi, më të spikatur në letërsinë tonë mbarëshqiptare. Megjithatë, pa dashur që ta përdor reminishencën për lavde e epitete, duhet pranuar se për punën e tij krijuese artistike, për vargun e komponuar sigurtë e me mjeshtrinë e artit, zotit Mustafa mund t’i ndahet një vend meritor në mesin e shumë shkruesve të letrave shqipe, me theks të veçantë në ndërtimin e epigrameve me frymëzim të dëshiruar.
Në ecje e sipër mëtova shumë për veprën në fjalë për të nxjerrë më në fund pikëpamjen time, kështu edhe më parapëlqen të them se, kjo është një vepër e mendimit të thellë, me koncept ideor të qartë, me estetikë ritmi e intonacioni
muzikal, por edhe me porosi të paracaktuar si lëvizje me shumë dijeni për rastet më jetike të mbijetës. Pra, pa dyshim, mund të thuhet se është një vepër me prurje të reja nga aktualiteti, e ndërtuar nëpër ecje të kujtesës dhe imagjinatës vetjake, por edhe e vrojtimit të përhershëm, duke e vrarë, patjetër, neglizhencën lineare të njeriut tonë deri në pafundësi e në ndriçim të raporteve njerëzore, ku e keqja, e liga dhe zhgënjimi i nënshtrohen interesit personal të një shtrese njerëzish keqpërdorues e poshtërues të dinjitetit njerëzor.
Poeti është vetë argumenti ditor që, pasojat e përjetuara mundimshëm, por me guxim dëshiron t’i zbythë e t’i varrosë përjetësisht deri në pakthim. Qëndron këmbëngulës në perceptimet e veta që përplotësojnë mozaikun artistik të shprehur në këto vargje mendimesh.
Përndryshe, vepra meriton të lexohet kujdesshëm e me vëmendje, sepse përfundimet mund të dalin të përdorshëm me shumë porosi e mesazhe që zbukurojnë jetën dhe përditësinë tonë.