Kulturë
Kostaq Duka: Divorc
E merkure, 12.11.2014, 07:11 PM
Kostaq Duka
Divorc
Natës i kërkova divorcin.
Jo me të nuk mund të jetoja më tej.
Fillimisht, vite më parë më ndolli, më nanurisi,
më përkëdheli pa fund,
më shëtiti në livadhe të errëta me bar të helmatisur
ku të gjallë e të vdekur ulen bashkarisht….
Pastaj kokën ma rëndoi,
ma rrëzoi mbi tavolinë.
Kujtesën e sterlodhi në një udhëtim pa adresë.
Më talli
dhe më qeshi,
kur mëngjesit më përcillte
nën mëshirën tronditëse të dritës.
Natës i kërkova divorcin,
për të qënë mes të gjallëve të ditës
një udhëtar i natyrshëm.
Jemi në lojë.
Jemi në lojë
për sa kohë pohojmë
jo atë që na thotë shpirti
por atë që të tjerët dëshirojnë.
Jemi në lojë:
Shkojmë aty, shkojmë atje
me“vullnet të lirë”
paçka se dritën jeshile e të kuqe
superliderat komandojnë.
Jemi në lojë…..
Jashtë loje është ose i marri
ose i tejmençuri,
që të tjerët s’e kuptojnë.
Sinorët
-Nipit që porsa u ngrit më këmbë-
Të vumë sinorë në ecje:
Nga divani në divan
nga televizori në tavolina e bukës.
Një këmbë këtu, një atje
ti patoku i vogël i’a arrite.
Buzëqeshe
ne të falëm bravo, duartrokitje.
Por
kur trupi në tokë gjeti drejtpeshim
sinorët i braktise
kërkove me veten të tjera shtigje.
U rrëzove,
u ngrite,
u godite,
u gërvishte,
qave , qeshe
gjersa hapësirën e dhomës si qënie e lirë
e vure të tërë nën vete.
Heshtje
As do flas e as do të shkruaj një varg për vdekjen.
Dhimbjen
për bashkëmoshatarët e mi
që ikin si pa u ndjerë do ta mbaj nën vete.
Gjithcka do ta lë në heshtje për të mos u sjellë mërzitje e trishtim të tjerëve.
E megjithatë
unë thellë, thellë e di
hidhërimi i ndrydhur të afron më pranë vdekjes.
Nëntor 2014