Kulturë
Qazim Shehu: Pritja
E hene, 10.11.2014, 07:20 PM
PRITJA
QAZIM D. SHEHU
Bukuroshe e hareshme si një mollë,
Si një mollë që pret ta hajë dikush,
Ndërsa pluhur i rrugës derdh një fjollë,
Mjafton një erë ,faqet t`ia përskuqë.
Bukuroshe e hareshme si një dardhë,
Pjekur në majën më të lartë,
Kur të biesh ,lodhur nga pritja e gjatë,
Krahët do kem thyer,zhgënjyer në inat…
PREJ BOTËS
Prej botës që gatuan me një mijë hile,
Njerëzit shpikën poezinë,
E shpikën, apo ajo tek ta ishte,
Kur u frenonte dredhinë?
Prej syrit të djallit që ndrin,
Në vorbull terri pa mbarim,
Një gur i çmuar shkëndijon poezinë,
Ëndrra më e pastër aty vetëtin…
Vargjet rreshtohen e ngrenë,
Murin e pakalueshëm kinez,
Në thellë-zi të qenies zbërthejnë,
Flakën që këputet në mes…
PROPAGANDË
Nën plojën ndjellëse të propagandës
Njeriu pushton njeriun,
Pa ndjenja përmes ëndrrës.
Ajrin ia rrëmben metali me gërvimë,
Hapësirat ia derdh në beton,
Propaganda bëhet më e dashur
Asgjë tjetër s`re rrëzon…
NJOMËSI
Ne u pamë sikur s`ishim parë kurrë,
Shikimet ia vodhëm njëri tjetrit,
Dhe pamjet i rrëmbyem si re,
Që nuk thahen prej pleuritit.
Për inat, s`di pse, një mjegull,
Dështoi format e reve,
Kjo njomësi na nxirrte tepër,
Na zvogëlonte herëpas here.
Gjersa diell i ditëve erdh,
Hidhte rreze pa kursim,
Kur më shikime nuk vodhëm,
Kujtuam mjegullën me mallëngjim…