E shtune, 21.12.2024, 02:40 PM (GMT)

Kulturë

Ndue Ukaj: Don Lush Gjergji- në vazhdën e historisë

E merkure, 29.10.2014, 07:12 PM


Don Lush Gjergji-në vazhdën e historisë dhe kulturës shqiptare

Nga Ndue Ukaj

-Dishepull i kulturës

Nga përvoja e dimë se çdo ndërtesë që të ngrihet lartë, duhet të vihet mbi themele të forta. Ngjashëm është edhe puna me kulturën e një kombi-këshillojnë të diturit.

Popullit tonë, në shumë periudha historike, ju rrezikuan mu këto themele. E mu në këso situatash dramatike, nga gjiri i tij dolën titanë, që ndihmuan mbijetesën, në njërën anë, dhe lartësuan vlerat kombëtare e universale, në anën tjetër.

Kështu ngjau në historinë tonë të lashtë. Kështu ishte në historinë tonë më të vonshme. Kështu është me historinë tonë më të re. E këtyre përmasave është figura e Don Lush Gjergjit.

Krijimtaria dhe veprimtaria e tij e pasur, është e gjerë, shumëdimensionale, e krijuar dhe përkthyer në disa gjuhë, si dhe me një shtrije në disa fusha: psikologji, religjion, teologji, histori, monografi, biografi, historiografi, publicistikë. Ndaj, të flasësh për të, aq sa është nder, aq është sfidë e përgjegjësi. Sepse kemi të bëjmë me një figurë dhe vepër të përmasave ndërkombëtare; një personalitet, që me punën dhe veprën cilësore, është bërë aset i rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar. Don Lushi, në planin e brendshëm, është figura më reprezentative e Kosovës në botë, vepra e të cilit është përkthyer dhe vlerësuar lart kudo, duke përftuar kështu lexues e admirues nga gjuhë, etni e kultura të ndryshme. Prandaj, e pohojmë me bindje: vepra e tij ka tagrin e fuqishëm të jetë referencë e patejkalueshme dhe dobiprurëse në fushën e kulturës shqiptare, sepse thërret, ndërgjegjëson, jep dituri e informacion, ka cilësi, kompetencë, fuqi e bukuri.

Për ta kuptuar mirë vepra e tij komplekse, kërkohet studime shumëdimensionale, kohë dhe ekipe, mirëpo, në suaza të limiteve që kanë këto aktivitete të bukura si ky  i sotmi, do të përpiqem të analizoj disa aspekte të veprës dhe figurës së tij.

Pikësëpari, që ta përthithim veprën shumëdimensionale të Don Lush Gjergjit, kërkohet që ta njohim historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare, veçmas prelatët e shumtë, që vepruan nën petkat e klerikëve, por që ishin shumë më shumë së klerikë.

Autori i parë i librit shqip, Gjon Buzuku, e shkroi Mesharin e tij (1555), për dashuri ndaj popullit të tij dhe për të sforcuar popullin, që t’i qëndronte përballë furtunës së padijes dhe shkatërrimit që e godiste.

E një klerik tjetër, patriark i kulturës dhe letërsisë shqipe, Pjetër Bogdani këtë filozofi, do ta lartësoi në një shkallë tjetër. Thënia e tij e famshme: “Fati i popullit tim, është fati im”, nga mesjeta e vonshme, deri në ditët e sotme, u shndërrua në formulë besimi për shumicën e kolosëve të kulturës shqiptare. Për më tepër, pikënisja bogdaniane, do të shndërrohet në kod kulturor e identitar. E ai këtë formulë e vulosi përjetësisht me jetën dhe veprën e tij, sepse u mishërua me idealet e popullit të tij, deri në vetëflijim.  Me një thes me libra në krah, ai bridhte nga vendi në vend, duke përhapur dije e kulturë. Në këtë mënyrë, ai e sfidonte errësirën e mëkatit dhe mosdijes; dhe me tërë qenien vihej në shërbim të fatit të popullit të tij. E dihet, fati i popullit të tij ishte skajshmërish i rëndë, tragjik- ai ndodhej buzë humnerës.

Maksimë bogdaniane, kështu me kohë, do të bëhet paradigmë aksiomatike, sidomos sa i përket rolit të klerit katolik në jetën e kulturore e kombëtare të shqiptarëve.

Historia e kulturës shqiptare, është ngjizur nëpërmjet Formulës së Pagëzimit (1468). Kjo frazë, edhe në qoftë se është rastësi, s’mund të kuptohet e tillë, së paku, nëse analizojmë shekujt e mëvonshëm të kësaj kulture. Formula në fjalë, rezulton sikur të jetë shkruar, me destinimin e epërm, të përtejmë: të pagëzoi gjithë kulturën shqipe dhe proveniencën e saj të paluajtshme oksidental.

E më vonë, janë B-të e famshme: Barleti, Buzuku, Budi, Bogdani dhe Bardhi, ata që vunë themelet e identitetit shqiptar. Pa këta klasikë, kultura shqiptare është pa themele, ndërkaq filozofia e tyre do të pasohet nga klasikët e mëvonshëm: Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Vingjenc Prendushi, Justin Rrota, Anton Harapi, Lazër Shatoja dhe një çetë e tërë veprimtarësh e dijetarësh, që punuan me përkushtim, sakrificë e dije, në shërbim të kulturës, dijes e përparimit.  Kjo kulturë e traditë, do të përcillet deri në ditët e sotme. Kështu, nga Shqipëria gjeografike, si një feniks, u shkëput nga qielli i errësuar shqiptar, i urti At Zef Pllumi dhe jetoi për të treguar. Gjithë e dimë se pa tregimin e tij, bota jonë do të ishte shumë më e varfër.

-Portreti intelektual e krijues

Në vazhdën e kësaj panorame sinjifikative, duhet parë dhe studiuar portretin krijues dhe intelektual të don Lush Gjergjit. Ai është klerik dhe dishepull besnik i etërve të sipërpërmendur. Mu nga fermentimi i ngjarjeve dhe fenomeneve që karakterizuan jetën tonë kombëtare e kulturore, shfaqet edhe portreti i tij, vepra e të cilit mëkon popullin e tij me dashuri, duke i dhënë forcë, dije, kulturë e kurajo; dhe duke e nxit në humanizëm e mirëbërësi.

Don Lush Gjergji, është një nga emrat e dallueshëm të kulturës shqiptare. Ai është njeri i kohës sonë, kolos i vërtet i fjalës së lirë, i besimit dhe humanizmi, që rrezaton si dielli, për të gjithë, pa dallime.  Si gjithë titanët e sipërpërmendur, ai s’do të përulet asnjëherë përball të keqes, por, me punë të palodhshme, do të punon dhe vepron për idealet e tij dhe të popullit të tij; punë të cilën vazhdon ta bëj edhe sot.

Këshut, Don Lushi është bekim për kishën shqiptare, së cilës i shërben, bekim për popullin shqiptar, së cilit i dha shumë kryevepra, bekim për kulturën shqiptare, të cilën e pasuron vazhdimisht dhe i jep njohje botërore. Pra, një njeri i duhur, në kohë të duhur, ai do të lartëson dinjitetin e popullit të tij, kur ai përbuzej. Ai lexoi me shumë kujdes shenjat e kohës dhe u vu në shërbim të idealeve të popullit, duke lartësuar flamurin dashurisë përballë atij të urrejtjes.

Don Lushi iu gjend popullit të tij, në çastet më vendimtare, kur qenia e tij rrezikohej seriozisht, sepse ai ndoqi dhe ndjek me veprime konkrete maksimën: fati i popullit tim, fati im. Kështu, ai do ta ndihmon popullin e tij në rimëkëmbje kulturore, duke ndihmuar në shpalosjen dhe njohjen e rrënjëve të tij, të figurave të tij identifikuese, siç është Nënë Tereza.

-Vepra

Intelektuali duhet të jetë si kandili dhe të ndriçon në errësirë. Ai ka detyrë, që me forcën e arsyes, t’i sfidon të këqijat, që gjithmonë kërkojnë me ngulm të rrënjosën në shoqërinë njerëzore. Don Lushi, i edukuar dhe shkolluar në teologji, filozofi e psikologji, me një taban të shëndosh kombëtar, ndoqi filozofinë e trasuar nga paraardhësit dhe si kandili, qëndroi stoik përball të keqes dhe errësirës. Mirëpo, ai s’u kufizua në kaq, sepse predikoi dhe predikon kudo alternativën e vetme që ka njerëzimi për të jetuar në paqe: dashurinë.

Sa herë përmendet ky autor i shquar, kjo figurë poliedrike shqiptare, aty nënkuptohet Nënë Tereza dhe anasjelltas, sa herë që përmendet Nënë Tereza, nënkuptohet Don Lush Gjergji. Këto dy figura janë dy binome të pandashme, që kanë rrezatuar dhe ndriçuar jetën shqiptare, tashme e disa dekada. Prandaj, e themi me plotë gojën, fal Don Lushit dhe erudicionit të tij, Nëna Tereze, ka arritur të thadrohet në jetën tonë kombëtare, kulturore e identitare, duke u bërë simbol i identitetit modern shqiptar.

Don Lush i ka kushtuar ikonës shqiptare, disa vepra, ndër të cilat do të përmendja monografinë “Nëna jonë Tereze”, botuar më 1980, vepër kjo që do të përkthehet në disa gjuhë dhe do të përjetoi disa botime.

Është me rëndësi të potencohet se Don Lush Gjergji, është hartues i antologjisë së “Lule për Nënën” – monografi kushtuar Nënës Tereze (1986), në të cilën, përmblidhen krijime në poezi, prozë, nga krijuesit më të shquar shqiptarë, si Azem Shkreli, Mark Krasniqi, Ali Podrimja, Fahredin Gunga, e shumë të tjerë.

Veprat e Don Lushit kushtuar Nënë Terezës janë të shumta, por me këtë rast, do të veçoja monografinë shumëdimensionale “Nëna e dashurisë” botuar në vitin 2000 dhe ribotuar disa herë. Në librin Nëna e dashurisë, të shoqëruar me fotografi domethënëse dhe të punuar me një shije të hollë estetike, autori, si teolog, si biograf i informuar deri në detaje, si psikolog dhe autor me përvojë të shkëlqyer, hulumton jetën e Nënë Terezës, duke gjurmuar në zanafillën e saj, në thesaret që e bëjnë atë Shenjtëreshë të botës dhe Shenjtëreshë të dashurisë. Këto thesare, autori i hulumton dhe gjen te tradita shqiptare, të familja dhe të rrethi i saj, elemente këto që motivuan dhe sforcuan veprën e saj gjigante. Ky libër nga kritika është vlerësuar të jetë libri më i kompletuar lidhur me Nënë Terezën. Vlen të theksohet se me iniciativë të Papa Gjon Palit të Dytë, ky libër u botua në polonisht dhe pati një jehonë të madhe, ndërkaq me rastin e Lumnimit të Nënë Terezës, nga vetë Papa u vlerësua si libri më i ploti për të.

Libri, përcjell momentet e jetës së Nënë Terezës, që nga thirrja, largimi nga familja, rrugëtimi nëpër vende të ndryshme, nga Shkupi, drejt Kroacisë, Irlandë drejtë Indisë, ku ajo përhapi shkëndijat humanizmit, ato shkëndija të vogla që me kohë u bënë rreze ndriçuese në çdo skaj të botës. Një analizë të thellë Don Lushi i bënë fesë së Gonxhes, mishërimit të saj me Jezu Krishtin dhe fjalën e tij dhe shpërthimin e vullkanit të dashurisë brenda saj dhe përhapjen në botën e varfërisë, në botën e të nëpërkëmburve, në botën e mjerimit, prej nga rrezatoi mirësi, për t’u bë shembulli më kuptimplotë, figura më e dashur e 2000 vjetëve të civilizimit tonë. Libri Nëna e dashurisë,  u botua  shqip,  italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanisht, polakisht, kroatisht, sllovenisht, me rastin e 100 - vjetorit të lindjes së Nënës Tereze.

Veç fokusit në  ndiçmin e veprës së Nënë Terezës, don Lush Gjergji është edhe autor i monografisë studimore “Roli i femrës shqiptare në familje dhe shoqëri” (1977), një nga studimet e rralla të këtij lloji, ku me një qasje multidisplinare, ai e trajton rolin e femrës në jetën shqiptare, duke e analizuar në kontekst të kulturës, traditës, kanunit dhe letërsisë shqipe.

Kur kemi parasysh veprat monografike të don Lushit, s’ka sesi të mos përmendim edhe monografinë e tij kushtuar Atanagorës-profetit të bashkimit (1995), kreut të Kishës Ortodokse, duke spikatur këtu rrënjët e tij shqiptare, ekomenizmin dhe mesazhet që përçon personaliteti e tij universal. Kjo vepër, në Shqipëri është futur si literaturë në studime të ndryshme.

Libri  i fundit i Don Lush Gjergjit, botuar në shqip, është monografia “Dashuria që nuk vdes - Të mëdhenjtë e shekullit XX“, një libër, për të cilin kam thënë se ndihmon në zgjatimin dhe ripërtëritjen e kujtesës dhe për ma tepër, një libër që ndihmon në luftimin e harresës.

Libri përfshin 26 personalitete të shquara të shekullit XX dhe vjen si jehonë e zërave të përvuajtur që ngadhënjyen përballë kohëve plotë mynxyra e tmerre. Nën trysninë e katrahurës së luftërave, diktaturës, shtypjes, varfërisë dhe padrejtësive, shfaqen këta engjëj rojës, që me dashuri luftuan për drejtësi dhe ngadhënjyen mbi të keqen, varfërinë, luftën dhe padrejtësitë. Mjafton për ilustrim këtu të përmendin Gandin, Martin Luter Kingun, Nënë Terezën, Edit Stein apo Mikel Koliqin. Gjitha këto figura, janë me ndikim planetar- influenca e të cilëve, shtrihet në fushën e kulturës, artit, dijes, humanizmit, politikës, religjionit etj. Vepra e don Lushit është e pasur, por me këtë rast, vlen përmendet fakti se ai ai, pas një ndërprerje të gjatë, është autor i parë katekizmave për nxënës nga klasa e parë, deri në të tetën.

-Veprimtaria shoqërore dhe humanitare

Veprimtaria shoqërore, politike dhe humanitare e Don Lushit është e gjerë. Ai shkroi libra, artikuj, dha intervista dhe sensibilizoi komunitetin ndërkombëtar  në mbrojte të kauzës së Kosovës. Bashkë me Imzot Nikë Prelën dhe Ibrahim Rugovën, përbënin një trini, tek të cilët shqiptarët e Kosovës kishin sytë. Ai ishte një bashkudhëtar i Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, me të cilin tok marshuan drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë.

Tronditjet politike në Ish Jugosllavi, sidomos pozita e rënduar e shqiptarëve, ishin indikacione se Kosovën e priste një kalvar i vështirë. Don Lush Gjergji, i vetëdijshëm dhe vigjilent, s’heshti, por shtroi rrugën për lëvizjen gjigante paqësore, të drejtuar nga Ibrahim Rugova. Në fillimvitet e 90-ta, kur Kosova po kalonte nëpër këtë kalvar, ai bashkë me Anton Çettën dhe shumë veprimtarë të tjerë, nisen aksionin gjigant të pajtimit të gjaqeve, ngjarje kjo që unifikoi shqiptarët politikisht dhe kulturalisht. Kjo ndërmarrje, hapi shtigjet që Kosova të rrugëtoi e çliruar nga një plagë e rëndë, drejt lirisë dhe pavarësisë. Njohësit e mirë të rrethanave politike e shoqërore, thonë se pa këtë ngjarje, s’mund të kuptohet as periudha e presidentit Ibrahim Rugova, mikut të Don Lush Gjergjit dhe as liria e pavarësia e jonë.

Kosova në këto vite, përjetoi iluminim ma të madh në historinë e saj dhe kjo fal figurave markante si ajo e Don Lush Gjergjit, që në sintoni me idetë bashkëkohore, ndihmoi  dhe orientoi kauzën e shqiptarëve të Kosovës.

Të flasësh për don Lushin dhe të mos përmendet kontributi i tij i  madh në Shoqatën Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” është e pamundur, sepse përgjatë viteve të rënda, kjo shoqatë, si një nënë e mirë, e mëkoi me dashuri, përkujdesje dhe ndihmë, çdo familje shqiptare. Në të vërtet, formimi i kësaj shoqatë ishte një kryevepër në Kosovën e viteve të 90-ta, sepse bëri të mundur që asnjë familje kosovare, të mos përulet para pushtuesve serb. Jo vetëm kaq, nëpërmjet kësaj shoqate, u institucionalizua shteti paralel i Kosovës dhe ju dëshmua botës se shqiptarët janë jo vetëm të gatshëm, por  edhe të aftë për demokraci, liri e pavarësi.

-Një vepër me porosi

Shkrimi është zgjatim i kujtesës, thonë të diturit. E vepra e pasur e don Lushit,  na armatosë me ato çka na duhet më së shumti: me armët e kujtesës dhe s’na le ta harrojmë.

Postulatet themelore i veprës së tij, është dashuria- temë e madhe kjo që e përshkon fund e krye, qoftë kur flet për histori, psikologji, fe, personalitete të ndryshme apo kur shkruan biografi e monografi. Vepra e tij kumbon fuqishëm e frymëzuar nga kjo frymë dhe me përmasën që ka, nxit lexuesin kah idealet e larta dhe sublime: kah e mira dhe e vërteta, ka dashuria dhe mirëbërsia. Të tilla janë veprat e autorëve të mëdhenj që shkruajnë historinë dhe bëhen protagonist të saj. Don Lushi e ka realizuar mjeshtërisht këtë punë.

Don Lushi, s’e mori kamxhikun për t’i goditur të këqijat e popullit të vetë, por, i identifikoi ato, i trajtoi me shumë dashuri e kompetencë dhe gjithmonë ia tregoi portat e mëdha të hyrjes në qytetërimin e dashurisë.

Emri dhe vepra e tij, janë mishëruar me historinë më të re të Kosovës. Në vijimësi të filozofisë së hershme të këtij kleri, në kohën kur errësira plandosi vendin tonë, ai me tërë forcën e tij u vu në shërbim të popullit. Me gjuhën e tij publike të sofistikuar, ai përçon mesazhe drite, paqe, mirësie e dashuri dhe flak stigmat ndaj mentalitetit të mohimit, përbuzjes, glorifikimit. Si askush e ndoqi shembullin e Nënë Terezës.

Njëherë, duke mbajtur ligjërata në Harvard, një student e kishte pyetur Hose Luis Borgesi, ndoshta shkrimtarin ma të ditur i të gjitha kohërave: A i ka shkruar shpirti i Hyjit librat e Shenjtë? E Borgesi, iu  përgjigj studentit: çdo libër është shkruan një shpirt i shenjt.

Unë besoj se vepra e Don Lushit është shkruar nga një shpirt i tillë, nga një shpirt i shenjt.

Shoqëria jonë nganjëherë e molepsur nga zymtësia politike, ka nevojë për veprën e tij, të hapet ndaj ideve të tij dhe të mësoj nga shembulli i jetës së tij. Po ashtu humanizmi ynë, ka nevojë të sforcohet nga idetë dhe mesazhet e tij. Prandaj, ky rast dhe prezantimi i figurës dhe veprës së tij në Gjilan, ka një domethënie dhe përçon një mesazh: e mira triumfon mbi të keqen, drita mbi errësirën, mirësia mbi shpirtngushtësinë dhe dashuria përball urrejtjes.

Don Lushi s’e ka përmbyllur veprimtarinë dhe as veprën e tij, ndaj  frytet e punës së tij, do t’i shijojmë edhe në të ardhmen.

Duke marrë shembull nga vepra e tij, ne mund ta lartësojmë mbi të këqijat tona, flamurin e dashurisë dhe humanizmit, të cilin për dekada të tëra e mbajti lart me nder e krenari. Unë uroj që ta lexojmë dhe studiojmë, sa më shumë, sa ma shpesh, sepse krijimtaria e tij është gurthemel në identitetin e ri të Kosovës, në identitetin e ri modern e europian të shqiptarëve. Në këtë drejtim, e pohojmë me zë të lart: Don Lushi ka shkruar historinë, sepse është vetë historia e këtij vendi.

Gjilan, 25 tetor 2014

(Fjala e mbajtur në kuadër të Panairit të Librit)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora