E merkure, 13.11.2024, 06:29 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Say “NO” to UEFA and especially to monsieur Platini!

E premte, 24.10.2014, 05:54 PM


Say “NO” to UEFA and especially to monsieur Platini!

Nga Elvi Sidheri

“Ra ky mort e u pamë”, ka pas shkruar dikur i madhi shkrimtari i yni Ismail Kadare (i cili, sipas të njëjtit rregull treshi tepër të dyshimtë të komisionit të Nobel-it, është ngaherë kandidat, e kurrë nuk e fiton dot këtë çmim prestigjioz aq të merituar prej tij)...

“Ra kjo borë e parë e kësaj vjeshte dhe ia pamë turinjtë racistë UEFA-s dhe zotit Platini” – i bie të themi ndërkohë, pas vendimit të sotëm më tepër sesa skandaloz të komisionit të disiplinës së organizmit europian të futbollit.

Në fakt, është nevoja ta pranoj se “po më hanin duart” për të shkruar sërish lidhur me këtë temë të nxehtë, prej ditësh, por gjithësesi, desha të isha i drejtë, apo siç ka qejf ta quajë UEFA në fushatat e saj patetike që gjasme promovojnë sportivitetin në fushat e blerta të lojës së futbollit... të isha pra “FAIR”, e të prisja njëherë vendimin përfundimtar mbi këtë ndeshje.

Dhe vendimi u mor!

0-3 e humb ndeshjen në tavolinë ekipi ynë kombëtar, nja 100 mijë euro gjobë merr si dënim federata jonë e futbollit (se nga do shkojnë këto lekë gjobitës ndërkohë, kushedi... të paktën t’i jepnin këta racistët e UEFA-s për bamirësi, për të pastrehët apo në luftën kundër Ebola-s...).

Serbëve, për ta bërë në dukje sa më të barabartë këtë “FARSË” të turpshme të gatuar paturpësisht në kuzhinat e qelbura të salloneve të korruptuara të UEFA-s, u hiqen në sekondë tre pikët që sapo kanë marrë nga ndeshja me ne, e po ashtu edhe ata dënohen me 100 mijë euro të tjera (200 mijë euro “qyl” fare në xhepat e thella të zyrtarëve të UEFA-s kështu), si dhe dënohen me mosprani të tifozëve të tyre në dy ndeshjet e ardhshme të ekipit serb në shtëpi.

Kaq ishte!

U zgjidh kjo çështje për UEFA-n dhe “Tutti vissero felici i contenti” (Jetuan të tërë të lumtur e të gëzuar).

Po mirë, po kush janë eventualisht këta “të tërë” që paskërkan jetuar të lumtur e të gëzuar pas kësaj “pocaqie” që bëri UEFA me këtë palo vendim tejet racist e asfare sportiv?

I pari i shumëlumtur për këtë vendim, është askush tjetër përveç monsieur Platinisë.

Ky njeri që u duk qartazi qysh natën e batërdisë antishqiptare dhe totalisht antisportive të Beogradit, se e kishte fjetur e ndarë përfundimisht mendjen, për t’ia veshur komplet “fajin” e asaj ngjarjeje të rëndë, vetëm Shqipërisë.

“Droni” ishte një superprovokim politik...!

“Droni” mund të kishte mbajtur edhe ndonjë bombë bërthamore teksa i avitej në rrugë ajrore stadiumit të Partizanit të Beogradit...!

Nga ana tjetër, vetë UEFA dhe organet e saj disiplinore, gjithaq e kishte treguar mendjen, fytyrën dhe prirjet e veta, duke marrë në hetim palën shqiptare për provokim (gjithnjë puna e “Dronit”), dhe për “mosvazhdim të lojës”,

Kjo ndërsa serbët, akuzoheshin për gjithçka, përveçse për dy elementët kryesorë dhe themelorë të kësaj çështjeje, pra për Racizëm të theksuar, të ushtuar anembanë gjithë atij stadiumi, nga gojët e 32 mijë tifozëve të çakërdisur që kënduan me zell të përflakur për 42 minuta: “Vritini dhe pritini e shfarosini shqiptarët”, (por edhe kroatët, gjithmonë sipas ofertës “merr dy paguaj një”, vrit dhe shfaros njëkohësisht shqiptarë e kroatë)

“Ubi šiptara” dhe “ubi šiptar da hrvat nema brat” (“Vritini shqiptarët” dhe “Vritini shqiptarët, që kroatët të mos kenë vëllezër”), për UEFA-n, janë këngë normale, aspak shenja dhe shfaqje të përzishme të një racizmi të kulluar e të papranueshëm jo vetëm për një kompeticion sportiv, por edhe për të ashtëquajturin “qytetërim” europian së vitit 2014.

Ky është kulmi!

Këtu janë kaluar të gjithë kufijtë e durimit!

Është shkelur me prapanicë (dhe jo vetëm), çdo parim sportiv, çdo rregull i statutit të vetë UEFA-s, kjo është dita që “Drejtësia Sportive” ka vdekur përfundimisht, ka ngordhur, ka cofur fare.

Në këtë ditë të zymtë për sportin dhe mbi të gjitha “shpirtin sportiv”, zorrët e drejtësisë të UEFA-s janë ngatërruar “kukurec” dhe nga plënci i organizmit europian të futbollit, ka dalë një llum i ndotur, që është formësuar në trajtat përçmuese, sa edhe raciste, të këtij vendimi që të gjithë tanimë e njohim.

Është koha që ta kuptojmë tashmë, se si në botën ku jetojmë, ashtu edhe tek UEFA, vlen e sundon vetëm “Ligji i Xhunglës”.

Aty ku mbretëron më i forti, ku peshku i madh ha të voglin e kështu me rradhë.

Jemi një vend i vogël, një popull jo aq i madh dhe kemi një skuadër kombëtare, që rrallëherë ka fituar ndonjë ndeshje, e jo më të flitet për trofe e kështu gjërash, ndaj dhe, është e logjikshme (sipas “Arsyes së mosarsyes” së UEFA-s), që dënimet në të tilla raste të koklavitura, të bien në mos ekskluzivisht, kryesisht mbi ne.

Përballë kishim kombëtaren serbe, që trashëgon emrin dhe sukseset në fushë, të ish ekipit jugosllav.

Kuptohet që preferenca e UEFA-s dhe komisioneve të saj “të paanshme” ... do të prireshin drejt shfajësimit të Serbisë, dhe ngarkimit të fajit mbi kurrizin tonë.

Se fundja ne jemi mësuar!

Kurrizin të butë e kemi.

Kurse kurrizi i serbëve, është i ndjeshëm, ata vetë se ç’janë cazë të prekshëm lehtë, prandaj UEFA dhe Platinia, këtë “Lule mos më prek” që janë serbët, pikërisht “nuk e prek”, apo vetëm e ledhaton njëçikë sa për t’u dukur, dhe neve ndërkohë, na bie me vare, me grusht të hekurt kokës.

Po mendoja natën e “Betejës së Beogradit” (se kështu do cilësuar tani e tutje), se shpesh në këto situata ku shqiptarët janë në syrin e ciklonit (racist), më qëllon të kthjellohem se “Nuk na duan”...!

Por, pas këtij ftillimi, po ashtu mendova se kësaj rradhe, nuk na deshën, na përçmuan, na nënçmuan, na u vërsulën kundër, pas atyre shtazëve anakronike e të dhunshme të stadiumit të Beogradit, vetë UEFA, monsieur Platinia, bashkë me gjithë kompaninë e gjerë e të shumanshme të njerëzve që shqiptarët një Zot e di përse, i kanë përherë “halë në sy”, për shkak se “i dolëm vetes për Zot”!

Sepse ishim të zotët e vetes pra!

Sepse lojtarët tanë në mes të Beogradit qëndruan stoikisht si burra, mbrojtën flamurin tonë kombëtar dhe nuk e ulën për asnjë çast kokën, edhe kur një stadium i tërë (megjithë presidentin sheshelist Nikoliç në tribunën e nderit) uronte dhe kërkonte me epsh vdekëtar, vdekjen e tyre dhe të çdo shqiptari që “frymon” (ky është mëkati ynë origjinal, kryesor dhe themelor për serbët) mbi faqen e dheut.

Është më e pranueshme që mos të të duan se je i zoti i vetes, sesa që të të përçmojnë, ngaqë je i pazoti në fund të fundit.

Djemtë e kombëtares sonë, qëndruan në fushë dhe u përballën me kokën lart, me falangat e barbarisë primitive të së ashtëquajturës “tifozeri” serbe, me kujdestarët serbë të sigurisë në stadium dhe me vetë policinë serbe.

Për ta mbyllur, shqiptarët po atë natë dolën rrugëve, dhe festuan këtë “FITORE” historike!

Sepse lojtarët e skuadrës sonë përfaqësuese u sollën me dinjitet në fushë dhe e mundën me lojë e burrëri, burracakërinë serbe aty në Beograd.

Kjo ishte fitorja jonë dhe atë s’mund të na e mohojë asnjë komision disipline i UEFA-s apo i kujtdo qoftë!

Aty fituam ne dhe humbën serbët!

“Tutto il resto e noia” siç ka pas thënë një këngë italiane dikur, pra gjithçka tjetër është “E mërzitshme” e asgjë më tepër.

Justifikimi, apo për ta thënë shqip, “përligjia” që UEFA përçapet sot më kot (këta e hanë turpin me bukë, s’e kanë fare problem, për sa kohë që ngopen me miliardat e aferave tejet të dyshimta që i majmin buxhetet stratosferike të UEFA-s dhe FIFA-s)... të sjellë si argument për dënimin e pashembullt dhe fyes të Shqipërisë, është që gjasme ekipi jonë paskërka refuzuar të kthehet në fushë.

E këtë gjë e ka shkruar e zeza në të bardhë, vetë arbitri anglez i ndeshjes së turpshme në fjalë!

“Lëri djemtë e mi të shkojnë, se ju skuq, ju bëj me bojë”- thuhet për Çerçizin që buçiste ndaj turqve tek Rrapi në Mashkullorë.

Epo more miq të nderuar, lexues të dashur, ky anglezi që as emrin s’ia kujtoj, pikërisht me atë bojën e stilolapsit të tij, me anë të të cilit paska shkruar këtë gënjeshtër, këtë mashtrim monstruoz të pafalshëm, duhet lyer mirë, duhet ngjyer fare!

Lojtarët tanë refuzuan të kthehen në fushë kështu ore zotërinj të UEFA-s?

Ku të ktheheshin vallë?

Në të njëjtën fushë që ishte pushtuar nga një turmë masive gjakdashëse, ku me karrike, gurë, hekura e ç’të mundeshin huliganët çetnikë serbë, sapo qenë goditur me një dhunë të padëgjuar para syve të gjithë botës lojtarët tanë?

Të ktheheshin në një fushë ku përgjatë një pjesë të tërë loje, ekipit tonë i ishte dhunuar himni kombëtar (sipas direktivave të njohura të modelit “Respect” të UEFA-s), ku tifozët vendas (se vetëm vendas kishte në stadium, jo për gjë) qenë çjerrur si qënie të egra të xhunglës më të errët dhe u ishte ngjirur zëri duke gërthitur me ovacione “Vdekje shqiptarëve”?

Ah po, nëse plani i arbitrit të ndeshjes dhe zyrtarëve të UEFA-s, ka qenë që ekipi ynë, i dhunuar fizikisht dhe moralisht, të kthehej formalisht në fushë, sa për ta mbyllur ndeshjen (dhe për të bërë këta zotërinjtë racistë të UEFA-s sikur s’kish ndodhur asgjë serioze), për t’ua lënë (nën kërcënimin e një pushtimi të ri të fushës nga Bogdanov & CO) fitoren me detyrim serbëve po 3-0, atëherë është e qartë pse ky vendim është marrë.

UEFA dhe të përkëdhelurit e saj serbë, në mungesë të planit A (3-0 me dhunë në fushë), vunë në zbatim planin B (3-0 me dhunën e racizimit zyrtar antisportiv, në tavolinë).

Kur UEFA-s nuk i mjaftojnë pamjet, xhirimet, fotot, dëshmitë e panumërta okulare, të dhunës dhe racizmit të pashoq të tifozëve dhe autoriteteve shtetërore e sportive serbe, atëherë asgjë nuk duhet që neve të na habisi paskëtaj.

UEFA (dhe shefi i saj), të kishin marrë pak shembull nga kryeracisti i historisë, Adolf Hitleri, që në vitin 1936, gjatë Lojërave Olimpike të Berlinit, sidoqoftë u ngrit në këmbë dhe e përshëndeti me dorë atletin amerikan me ngjyrë Jesse Owens, i cili përkundër pseudo-dominimit të racës ariane naziste, fitoi katër medalje të arta (100 metra, kërcim së gjati, 200 metra dhe stafetën 4x100 metra).

As në këtë nivel s’janë këta?

Sportiviteti i UEFA-s së vitit 2014, mënjanë pallavrave me “Respect” e “NO to Racism”, është më dobët se Berlini i 1936-ës.



(Vota: 32 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora