E premte, 27.12.2024, 06:42 PM (GMT)

Mendime

Shkullaku: Pse Rama nuk duhet të shkojë në Beograd

E merkure, 15.10.2014, 07:22 PM


Pse Edi Rama nuk duhet të shkojë në Beograd

Nga Armand Shkullaku

Kryeminsitri shqiptar duhet ta anullojë vizitën e tij në Beograd jo si revansh ndaj asaj huliganizmit që serbët shfaqën kundër shqiptarëve. Ai duhet të refuzojë takimin me homologun Aleksandar Vuçiç, sepse nuk mund t'i japë Serbisë një imazh që kjo e fundit nuk e ka. Serbët nuk mund të kërkojnë natën të vrasin shqiptarët dhe ditën të shfaqen si tolerantë dhe europianë.

Autoritetet serbe nuk lejuan që qytetarët shqiptarë të shkonin në Beograd për të parë ndeshjen si në çdo vend normal të botës, dhe kryeministri Rama përfaqëson shqiptarët që për serbët janë të padëshirueshëm. Jo vetëm kaq, por gjithçka që ndodhi më pas ishte një manifestim racizmi i pashembullt, pordukt jo i një turme tifozësh por i një mentaliteti shtetëror ndaj shqiptarëve. Kryeministri Rama duhet të peshojë mirë ndjenjat e miliona shqiptarëve në momentet kur ekipi i tyre u sulmua në fushë dhe gjithçka ndodhi më pas. Shprehja e krenarisë apo e keqardhjes nëpërmjet facebookut është personale, ndërsa pergjegjësia si kryeministër diçka shumë më e madhe. Në emër edhe të kësaj përgjegjësie, Edi Rama nuk duhet të shkojë në Beograd. Në vend të rekordit si kryeministri i parë pas Enver Hoxhës që shkel në Serbi, Rama duhet të vendosë një rekord të ri. Atë të dinjitetit dhe të refuzimit për të qenë fasada që i duhet Serbisë për në Bruksel. Serbët nuk mund t'i dhunojnë shqiptarët e më pas t'i përdorin për t'u dukur si promovues të fqinjësisë së mirë. Serbia nuk është një fqinj i mirë, përkundrazi është armiqësor në tërë dimensionet ndaj shqiptarëve dhe kryeminstri shqiptar duhet t'ua tregojë të gjithëve këtë.

Një shtërngim duarsh me Vuçiç i shërben vetëm Beogradit për konsum të jashtëm, ndërkohë që brenda mbizotëron urrejtja ndaj shqiptarëve. Nuk ka rast më flagrant se sa ndeshja e dhunuar e futbollit për ta ilustruar këtë. Nuk ka nevojë për predikimet e Brukselit apo politikat e marrëdhënieve të mira rajonale, për të kuptuar Serbinë. Nëse Europa ka interes ta afrojë Serbinë, ne nuk kemi arsye të bëhemi rrota mbi të cilën të eci ajo. Edhe për këtë arsye Edi Rama duhet të refuzojë të shkojë në Beograd.

Ai duhet të refuzojë edhe si shenjë ndjese për lehtësinë snobiste me të cilën sikur i pati dhuruar çelësin e Tiranës, Goran Bregoviçit. Jo për t'i përgjigjur serbëve me të njëjtën monedhë, por për të treguar se shqiptarët nuk kanë arsye të jenë kompleksivë apo tolerantë të shtirur ndaj një fqinji që i trajton ata si armiq. Reciprociteti në këtë rast është dinjitet.

Problemi në marrëdhëniet rajonale qëndron tek serbët dhe jo tek shqiptarët. Ne kemi dhënë boll prova që jemi të gatshëm ta tejkalojmë të kaluarën, ndërsa fqinjët se janë robër të saj. Edhe pas asaj që ndodhi në stadium, kryeminstri serb me gjuhën që të kujton Millosheviçin, akuzoi ekstremistët shqiptarë dhe mbrojti krenarinë serbe. Krenarinë shqiptare e mbrojtën lojtarët në fushë dhe miliona të tjerë jashtë saj. Kryeministri duhet të ndjekë zemrat e tyre dhe arsyen. Të dyja nuk e çojnë në Beograd. /lapsi.al/



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora