Kulturë
Murat Gecaj: Të lumtë, Shqipëria ime!
E diele, 21.09.2014, 02:19 PM
Skicë:
TË LUMTË, SHQIPËRIA IME!
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë
Tani, kur po i shkruaj këto pak radhë, është mesdita e datës 21 shtator 2014. Të gjithë bashkëkombësit e mi, që ndodhen në Sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit, por dhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e kudo në Shqipëri e trojet tjera amtare, me sy e mendje të përqëndruar kanë ndjekur dhe po ndjekin me interes të jashtëzakonshëm mbërritjen në vendin tonë të Papa Françeskut. Ndërkaq, ata po përcjellin me shumë vëmendje Meshën e Shenjtë, që ai po drejton, bashkë me ndihmëtarët e vet.
I zbritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, në mengjesin e kësaj të diele, përmes rrjeteve të fuqishme audivizive, ne pamë që kreu i Vatikanit e përshkoi “Rrugën e Durrësit” i pritur me gëzim e brohoritje nga qindra veta. Por, në saj të mjaft gazetarëve të ardhur nga vende të ndryshme të Europës e botës, kjo ngjarje historike u përcoll për miliona besimtarë katolikë dhe të interesuar të tjerë.
Në Tiranën tonë, Papa Francesku u ndodh ndërmjet një befasie shumë të këndshme, emocionuese dhe, ndoshta, të papërjetuar ndonjëherë më parë prej tij. Kështu, duke “prishur” dhe portokollin e hartuar, ai hyri nëpër “tunelin” e madh njerëzor dhe të stërgjatë, ku binin në sy portretet e martirëve të fesë katolike, i shoqëruar me lule e brohoritje të fuqishme nga besimtarët e të gjitha feve, të cilët kishin dalë për ta pritur dhe nderuar atë. Ishte ky një rit i njohur e traditë shumëshekullore e shqiptarëve, për ta pritur mikun në shtëpinë e tyre.
Sapo mbërriti në afërsi të Sheshit “Nënë Tereza”, Papa Françeskut iu ofrua një pritje e paharruar, nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Pas fjalës mireseardhëse të tij në mjediset e Presidencës, Papa Françesku iu drejtua shqiparëve me fjalë zemre e dashamirëse. Ai i bekoi ata për paqe, harmoni fetare dhe përparim të pandalshëm, drejt Europës së Bashkuar.
Gëzimin dhe lumturinë e tij ne e pamë të shprehur aq natyrshëm, kur i përshendeste parreshtuar mikpritësit e zjarrtë shqiptarë, të moshave e feve të ndryshme. Papa Francesku u përkul nga makina e tij e hapur, i përqafoi dhe i bekoi disa fëmijë. Me siguri, kjo gjë do të jetë lumturi e gjatë për ata dhe një kujtim, që rrallë u përsëritet në jetë.
Emocionuese ishte edhe kur, para Meshës së Shenjtë, kryebashkiaku Lulëzim Basha i dorëzoi atij, simbolikisht, Çelësin e kryeqytetit Tiranë.
Nuk e di as se çfarë mendojnë besimtarët katolikë të Romës e më gjerë, në Italinë fqinje, por mendoj që, me pritjen madhështore që iu rezervua Papa Françeskut dhe me Meshën e Shenjtë, që u mbajt në Sheshin “Nënë Tereza”, u konkurrua me dinjitet me atë, në Sheshin “Shën Pjetri” të Vatikanit.
Mesazhi i të gjitha veprimtarive të deritanishme dhe i atyre, që do të organizohne deri në mbyllje të tërë vizitës afër 12-orëshe të Papa Franceskut në Shqipëri, është: Paqe, vëllazërim e mbarësi për të gjithë shqiptarët.
Sonte, por edhe nesër e më gjatë, nuk do të reshtin komentet e shkrimet rreth kësaj vizite historike të Papa Françeskut në Shqipëri, e cila e pason atë të Papa Gjonpalit II, në vitin 1993. Bazuar në ato çfarë panë e dëgjuan, ata nuk kanë si të mos shkruajnë me nota pozitive e dashamirëse për Atdheun tonë, për tërë këtë pritje të shumëpritur dhe e cila do të ruhet gjatë, në kujtesën e bashkëkombësve të mi.
Prandaj, si gjithë të tjerët, kam arsye që sot të ndjehem krenar dhe nga zemra të shprehem: “Të lumtë, Shqipëria ime, vendi i paqes e përparimit dhe i bashkëjetesës shembullore fetare!” Në këtë udhë, “çelësin” e hyrjes në Bashkësinë e Europiane e kemi në duart tona.
Tiranë, 21 shtator 2014
Ora, 13.00