| E merkure, 17.09.2014, 06:04 PM |
EDHE
QAZIM SHEHU
Edhe po të na ndajnë male të lartë,
Fusha të gjëra të kemi në mes,
Do hap mes tyre një shteg të artë,
Rreze midis telave do ec.
Malet do ulen porsi kali,
Tek sheh të zotin e plagosur,
Dhe fushat do i zhbëjë oqeni,
Nëse kjo s`ka për të ndodhur.
RRËNOJA
Sytë, pllanga vuajtjesh,
Në një trup biskojë.
Si tufa e luleve
Nën rrënojë.
Sytë, shërim i shpirtit,
Mbi fytyrën shebojë,
Ato e mbledhin ditën,
Si flaka mbi rrënojë…
Në Gjakovë e pashë si shpatë,
Gati për të prerë vijën e kufirit,
Kur i afrohem duket i lartë,
Më gënjen rreze e syrit.
Ia shoh fytyrën rrudha rrudha,
Gurët e bardhë shkëlqejnë në diell,
Rrezet i ulen flutura flutura,
Në heshtjen që dhimbje ndjell
+++
Më ngjan ky mal i lartë,
Rri enkas gjithë madhështi,
Të kundrojë malet shqiptare,
Kurrizë, kurrizë , dasmorë në shi.
në ecjen e tyre të palodhur,
Ata kurrë nuk iu afruan,
Ai ngrihet më lart që ta shohin,
E bash për këtë vuan…
VALBONA
Nën sqetulla malesh të djersitur,
Ngaqë borën dot s`e heqin,
Në djep të saj Valbona rrit,
Një bukuri që ta pataks mendjen.
Dhe rrjedh një lumë , o ç`lumë,
Herë i kaltër, herë i bardhë,
Nga dashuria bën shkumë ,
dashurinë kërkon ta shprazë.
Prej bukurisë që dashurohet,
Nga vizitori, nga gjithë ne,
Ky lumë gjithnjë betohet,
Të sjellë një kaltërsi të re…