E diele, 22.12.2024, 03:43 AM (GMT)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Stop klanizimit dhe privatizimit të -DK-së!

E diele, 14.09.2014, 04:59 PM


STOP KLANIZIMIT DHE PRIVATIZIMIT TË LDK-SË!

Shuarja, amshimi i kryezotit të LDK-së, dr. Ibrahim Rugovës,

i vuri në lëvizje lakmitarët, në pritje për t'i zënë vendin.

Klani i formësuar brenda kryesisë në qendër,

rekrutoi edhe argatë nga provinca, urrejtës të

dr. Rugovës qysh në gjallje të Tij.

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Etja për karrierë, sakrifikoi LDK-në

Kuvendi i 6-të u organizua me shumë hile, me nënshkrime paraprake, për kreun e partisë, me premtime e joshje, larg frymës demokratike. LDK-ja, tashmë, doli nga binarët e traditës. Lista e Këshillit të Përgjithshëm ishte një seleksionim tërësisht negativ, tërësisht klanor, tipik komunist e hiç objektiv dhe as demokratik.

Veprimet me fodullëk, arrogancë e mujshi të klanit karrierist fitues, irrituan deri në tepri votuesit e akademik Nexhat Dacit. Provokimi i ndërsjelltë, vuri në lëvizje grushtimet dhe karrikët. LDK-ja u bë "përrallë me tupan"! Ndarja e LDK-së nuk kishte asnjë shkas parimor, por, thjesht, karrierizëm të shfrenuar.

Organizata ilegale e kriminale, SHIK-u, kishte depërtuar në Kryesinë Qendrore të LDK-së. Shantazhimi me dosjet kompromentuese, i tmerronte disa nga bosët e LDK-së. Me justifikimin bajat dhe banal se Amerika kërkon koalicionin PDK-e - LDK-e, kjo e fundit u fut nën tutelën e vrazhdët të halabakëve kriminelë të LPK-së, projektuese dhe ekzekutuese e vrasjeve seriale, madje me emra të hedhur në letër, me nismë Presidentin historik, dr. Ibrahim Rugovën, me bashkëpunëtorët e Tij dhe ushtrarakët e FARK-ut.

Shantazhimi dhe mujëshia e PDK-së, e përtoku LDK-në në koalicion

Edhe nëse miqtë amerikanë imponuan koalicionin, veprimet provokuese të PDK-së ishin të bollshme, cinike dhe të turpshme, gjë që është në natyrën e ideologjisë të sojit sllavo-komunist, siç janë stalinistët lëpëkeistë, ishin rast e shkas i mjaftueshëm, për ta prishur atë palo koalicion. Ta kujtojmë zënkën e Limaj me Osmanin në Parlament:

- Naser Osmani: "Ta pëshurrsha qeverinë"!

- Fatmir Limaj: "Ta q... nanën"!

Dhe, përjashtohet nga qeveria zëvendës-ministri Osmani, por jo edhe ministri Limaj!!

Telefonata nga "Zanzibari" e zëvendës-kryeministrit Hajredin Kuqi, nga ku do ta poshtëronte LDK-në: "Koalicionit me LDK-në i japim fund", - kumtonte tellalli i Hashimit, Kuqi!

Për koalicionin me PDK-në, klani i LDK-së shpërfilli bazën, anëtarësinë, e cila asnjëherë nuk u dakordua. Zhgënjimi i anëtarësisë ishte i madh, jo vetëm në Kryesinë Qendrore, por edhe nëpër degët e saj në komuna. Qëndrimi i LDK-së, brenda koalicionit të PDK-së, ishte tej mase pajtues dhe Hashimi fliste, vepronte dhe vendoste, sikur të gjithë të ishin PDK-e! Megjithatë, zoti Sejdiu, duke qenë edhe në cilësinë e Presidentit, pretendon se ka kundërshtuar 6 pikëshin e Ba Ki Munit, ndërkohë që Hashimi i pranoi pa rezerva. Dhe, këtë kundërshti e quan fatale për karrierën e tij, përkatësisht, shkarkimin nga pozita e Presidentit. Por, kësaj ai i shton edhe intrigimin sekret të Isës me Hashimin, akuzë kjo tejet e rëndë për njeriun që vet e rehabilitoi, duke e bërë shef të Prishtinës, prej nga kërceu në kupolën e LDK-së, tashmë, me votë legale, demokratike, duke premtuar reforma të thella, të cilat kurrë nuk i bëri!

Është krejt i besueshëm pretendimi i Fatmir Sejdiut se kundërshtia e 6 pikëshit ka irrituar ndërkombëtarët. Por, zoti Sejdiu, duke qenë në pozitën e Presidentit, bëri edhe akuzën tjetër të ndieshme për Hashimin me shokët-bandë se: "Veprimtarët e LDK-së dhe ushtarakët e FARK-ut nuk i kanë vrarë jashtëtokësorët": Dhe kjo, thënë troç: Ju, zoti Hashim, me kryebandën tënde, keni ekzekutuar, të paktën, 1.800 veprimtarë dhe luftëtarë të lirisë. Pra, jeni vrasës, kriminelë!

Gjithashtu, është krejt i besueshëm shpjegimi i zotit Sejdiu se ka ekzistuar një mirëkuptim gojor i faktorit ndërkombëtar dhe Hashim kryeministrit, për mbajtjen e funksionit të kryetarit të LDK-së dhe të postit të Presidentit - njëherësh.

Kompromiset fatale të Kuvendit të 7-të të LDK-së

LDK-ja, si parti, erdhi hallakamë, e rrëmujshme në Kuvendin 7-të. Profesor Fatmir Sejdiu, në vend që të mendonte për një pasues me integritet, të përkushtuar e trim, për t'u përballur me partitë-banda, provoi sërishmi vet ta vazhdonte kryetarllëkun. Dhe, me kandidatin e rehabilituar dhe të sjellur në LDK-e nga vet ai, e humbi betejën. Humbja e zotit Sejdiu ishte rrejdhojë logjike e një koalicioni të paparimtë me partinë kryebandë - PDK-në si dhe sjellja inferiore ndaj halabakëve fodullë, injorantë, të pashkolluar, të paedukuar, të paemnacipuar, prepotentë, mujshorë të vrazhdët dhe, mbi te gjitha, vrasës serialë të djemëve dhe të burrave të zgjedhur të Kosovës, me qëllimin e vetëm për ta marrë dhunshëm pushtetitn. Larg më atdhetare, më intelektuale dhe më e përgjegjshme në qeverisje ka qenë qeveria e viteve '70-a, se sa kjo e djeshmja dhe e sotmja e PDK-së.

Në prag të Kuvendit të 7-të, u shpërfaq turpshëm intrigimi dhe hipokrizia klasike, e gjithmonshme e shqiptarëve të Kosovës. Të lindur dhe të rritur në robëri e padinjitet, edhe në liri nuk bënë asnjë hap për ta flakur hipokrizinë, për ta bërë moto e normë sinqeritetin, për të dëshmuar një fije integriteti dhe dinjiteti. Njësoj, si në Kuvendin e 6-të, edhe në Kuvendin e 7-të, kryetarët e Degëve të LDK-së, premtonin, njëherësh, votën e delegatëve njërit dhe tjetrit kandidat për kryetar të LDK-së. Shkurt, për arsyet që u cekën më parë, profesor Sejdiu e kishte "davanë" e humbur. Zoti Sejdiu nuk do duhej të kandidonte në Kuvendin e 7-të, ashtu siç nuk duhet të kandidojë akademik Isa Mustafa në Kuvendin e 8-të për kryetar të LDK-së.

Salla e mbledhjeve në Hotel "Grand" numëronte 359 delegatë ledekeistë, nga 365 të llogaritur. Kishte edhe mysafirë si dhe mediet, të cilat i larguan më vonë. Qysh në nismë binte në sy diçka që nuk i kishte hije një Kuvendi zgjedhor, të një partie me parime demokratike, siç është LDK-ja jonë. Rrethi vicioz i Kryesisë të vjetër ishte koracuar fort tribunën e Kuvendit! Pse?! Në një Kuvend zgjedhor të gjithë janë të barabartë. Dhe, nga Kryesia e vjetër mund të jetë vetëm një "qatip", posedues i planit, rendit të ditës, i cili mund të ndryshohet nga grupi drejtues i Kuvendit, qysh në hapje të punimeve të tij.

Kryetari në largim i LDK-së, zotëri Fatmir Sejdiu mbajti fjalën e rastit, që nuk mund të quhej as raport, sepse nuk u bë analizë e mirëfilltë në mes të dy kuvendeve, u anashkalua ndarja dhe shkapërderdhja e LDK-së. Por, nuk harroi të përmend, madje me mëllef, sulmet e medieve dhe të rrugës kundër tij. Shqetësimi, frika e humbjes lexohej qartazi në fytyrën e tij, ndërkohë që zotëri Isa Mustafa ndjehej më i qetë.

Në Kuvendin e 7-të delegatët u ndodhën para një dileme të madhe bjeshkë. Zoti Sejdiu kishte përsëritur humbjet, madje ishte në krye kur u nda  partia dhe rizgjedhja e tij nuk ishte zgjidhja. Zoti Isa Mustafa vinte si i katapultuar, pa stazh partiak, pa asnjë provë të dhënë për ta besuar si prijes të partisë. Kishte vetëm alibinë e fitores të pushtetit komunal dhe atë në bastionin qendror dhe kryesor të LDK-së. Andaj nuk mund t'i faturohej si fitore ekskluzive e tij.

Delegatët në Kuvendin e 7-të u ndodhën të papërgaditur. Kandidatura e parë dihej, ndërsa e dyta u mbajt sekret deri në çastet e fundit. Alternativa e tretë mungoi qellimshëm. Dhe, prandaj zgjedhja e zotit Mustafa ishte e rastësishme, pothuajse, aksidentale.

Pas shpalljes të rezultatit zgjedhor,  kryetari i ri i LDK-së, akademik Isa Mustafa mbajti fjalën programore, me premtimin e madh të fillimit të reformave, të cilat kurrë nuk i bëri! Pastaj lexoi listën emërore prej 107 anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, e cila u votua me aklamacion, pa asnjë kundër-kandidatë! Ky biçim votimi ishte skandaloz, tërësisht kundra-demokratik. Dhe, këtu mbaroi farsa zgjedhore e Kuvendit të 7-të të LDK-së!

Si delegat i Mërgatës, përkatësisht, i Gjermanisë, që kisha bërë gadi 2000 km rrugëtim, prisja një analizë të thuktë dhe të çiltër nga krerët e LDK-së në qendër dhe në bazë. Duke parë Kuvendin e LDK-së, si një kopje të keqe të dy partive - banda, PDK-së dhe AAK-së, reagova tri herë radhazi, duke theksuar se kjo rrjedhë e Kuvendit nuk është demokratike. Por, njëri nga drejtuesit e Kuvendit ma ktheu se "edhe marrja e fjalës pa leje nuk është demokratike". Por, kush të jipte lejen e fjalës?! Dhe, kush foli, përveç atyre që drejtonin "Kuvendin"?! Askush! Heshtja kishte pllakosur të 359 delegatët në sallë!

Gjithçka shkoi "halamruk", përshpejtueshëm, përveç se bredhja e delegatëve të Kuvendit, në mjediset e hotel "Grand-it", ishte e bollshme në kohë. Vetëm votimi për kryetar të LDK-së ishte i rregulltë, me votim të fshehtë, transparent, në ekran dhe demokratik. Pra, 15 minuta aktive dhe 6 orë bjerrakohë! Në kujtesë më erdhi Burgu i Burrelit dhe Kaçaniku i Kushtetutës. U ndjeva me i prangosur se sa dikur në atë burg që kishte 7 dyer të hekurta, me 7 dryna të mëdhenj deri në dalje dhe shefat drejtues të këtij Kuvendi ishin shumë më në "siklet", të shqetësuar, se sa delegatët e Kaçanikut, në ato kohëra të mugëta të pushtimit të egër armik, serb! Ata, klani i Kryesisë së vjetër, i bartur në Kryesinë e re, gjithçka e kishte paravendosur, me kompromise të pista e hiç parimore, me qëllimin mjeran dhe të poshtër, që klani të mbijetojë, duke qenë të vetëdijshëm se kjo është fatale për të ardhmen jo vetëm të LDK-së, por edhe të Kosovës. Ndërsa të 359 delegatët u keqpërdorën në mënyrën më kriminale, duke legalizuar dhe "ligjësuar" te paligjshmen!!!

KOMPROMISI JO PARIMOR ASFIKSOI PARTINE

Kuvendi i 6-të i LDK-së shënon aktin më të turpshëm në historinë e LDK-së. Dy mësues Universiteti, Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci, me grada shkencore, përkatësisht, profesor dhe akademik, për karrierizmin personal, sakrifikuan partinë, ndanë LDK-në, duke e hedhur në opozitë. Ishte në rrjedhën logjike se, nëse më parë nuk u bë analiza e ketij Kuvendi dhe kjo nuk mund të bëhej nga bllokimi i partisë nga klanet, Kuvendi i 7-të duhej ta bënte gjithësesi. Mosbërja e analizës të Kuvendit të 6-të, rrjedhimisht të ndarjes të LDK-së, fajtorët e kësaj ndarjeje mbetën anonimë!

Pse nuk u bë analiza e Kuvendit të 6-të të LDK-së?!

Në mes shkrimeve të shumta për Kuvendin e 6-të, shquhen dy sosh: "Pse humbi LDK-ja", me autorë dy ish-kuadrot e lartë të LDK-së, profesorët Zejnullah Rrahmani dhe Rexhep Gjergji si dhe shkrimi: "Mbetemi në LDK-e, por nuk mbështesim Kryesinë  Qendrore", me autorësi të Kryesisë të Nëndegës të LDK-së për Rheinland Pfalz, Gjermani. Zotërinjtë Rrahmani dhe Gjergji masën e fajësisë e llogarisin në masën e fitores të dy kandidatëve karrieristë, gjë që rezulton se LDK-ja, me zotin Sejdiu bartin peshën më të madhe në fajësinë për ndarjen dhe humbjen e LDK-së.

LDK-ja jo peng i Sejdiut dhe Mustafës

Profesorët Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa ishin miq, përkatësisht, president dhe këshilltar ekonomik i presidentit. Pa hyrë në analizën se kush i rregulloi këto punë, më sakt, delegatët e Kuvendit, u ndodhën para të papritures, u zunë në befasi: ke të votonin, meqë nuk kishin alternativë të tretë. I pari, zoti Sejdiu kishte dështuar me humbjet e përsëritura; i dyti, zoti Mustafa nuk ishte brum i mirëfilltë i LDK-së, më sakt, ishte i vonshëm, madje me komplikime që thartonin hundët e anëtarësisë, sepse sjellja e shefit të tij me Presidentin Rugova ishte unikale për kohën dhe rrethanat. Nëse asgjë të mos jetë varur nga zoti Mustafa, të paktën, dorëheqja nga posti i ministrit të financave ishte  në dorën e tij. Alternativa e tretë mungoi, edhepse LDK-ja është minierë kuadrosh për drejtimin e partisë.

Që nga Kuvendi i 7-të LDK-ja vazhdon të jetë peng e Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës. Kompromisi i bërë në Kuvendin e 7-të ishte ogurëzi për LDK-në. Kompromisi, hiç parimor e mafioz, asfikësoi partinë dhe në vend të analizës e llogaridhënies për dështimet seriale partiake, vazhdoi seleksionimi dhe diferencimi i kuadrove, të cilët ishin dëshmuar si besnike të rugovizmit dhe të LDK-së.

Rivaliteti Sejdiu - Mustafa u shtua me humbjet që pësoi LDK-ja dhe vet Mustafa. Për ta përballur Fatmirin, Isa ftoi në ndihmë Kryesinë Qendrore të LDK-së, kryetarët e degëve dhe, në fund, edhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së!!! Kuota e përkrahjes arriti në 99 %  dhe, në fund, 100 %! Ky ishte votimi më skandaloz në të gjithë historinë e pas monizmit.

Rivaliteti Sejdiu - Mustafa vazhdon ta mbajë peng LDK-në. Dhe, kjo është një barrë e rëndë, nga e cila LDK-ja duhet të lirohet sa më parë. Nëse Fatmir Sejdiu, duke qenë kundër vazhdimit të kryetarllëkut të LDK-së nga Isa Mustafa, thoshte se "nëse nuk ka alternativë tjetër, jam gadi të marrë përgjegjësinë", pra, të vihet në krye të partisë, Isa Mustafa mblidhte Kryesinë dhe kryetarët e degëve, për ta konfirmuar besimin dhe liderizmin e mëtejmë, në vend që t'i përgjigjej se: "Ti ishe kryetar, dështove, ashtu siç dështova edhe unë , duke mos realizuar bërjen e reformave të premtuara, për arsye të kompromisit të arritur në Kuvendin e 7-të. Alternativë ka, sepse LDK-ja nuk ka mbetur në fatin e ne të dyve".

Dhe, kjo do të mjaftonte, pa pasur nevojë për të bërë mbledhje maratonë, duke dëmtuar rëndë personalitetin e Kryesisë, të kryetarëve të Degëve dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, të cilët votonin vërbërisht, hipokrizisht dhe krejt padinjitetshëm, duke qenë të bindur se po bëheshin argatë servilë të kryetarit. Dhe, e gjithë kjo lojë e pistë ishte e panevojshme, ku klani i dikurshëm i Sejdiut, i angazhuar në përtokjen e akademik Dacit, tani, po ai klan, me ca mungesa e ca shtesa, po turrej në asgjësimin total të profesor Sejdiut. Ja se me çfarë janë marrë strukturat qendrore dhe ato të bazës të LDK-së për muaj të tërë!!!

LDK-ja nuk mund dhe nuk duhet të jeteëpeng e Isa Mustafës dhe e Fatmir Sejdiut. Në dukje zoti Sejdiu u mund. Por, në fakt, kjo nuk është krejt e saktë. Nëse disa Nëndegë të LDK-së të Prizrenit i dërguan "selame" Isa Mustafës se "nuk do ta votojme kandidatin tënd për kryetar komune dhe as për deputet", gjë që e mbajtën fjalën, përkrahësit e shumtë të Sejdiut në Prishtinë, pa paralajmërim, nuk e votuan Mustafën. Dhe, dëmi është, në radhë të parë, në adresë të partisë.

Klanizimi - paraprijës i privatizimit të LDK-së

Lakmia për pushtet vetjak dhe qendrim sa më gjatë në krye të partisë, i joshi pasuesit e dr. Rugovës të krijojnë klane brenda Kryesisë Qendrore. Klanët dobësuan bazën, shkëputën lidhjet me anëtarësinë e gjerë dhe përqendruan pushtetin në qendër. Sistemin zagjedhor e dobësuan, e formalizuan, duke i zgjhedhur njerëzit e tyre, me votë aklamative dhe, duke i ngritur në pozita partiake jo meritore. Përkujdesja më e madhe iu kushtua përzgjedhjes të delegatëve të Kuvendit, ndërsa Këshilli i Përgjithshëm u bë zgjedhje ekskluzive e kryetarit të partisë. Një votim aklamativ, me ngritje dore, pa asnjë kundërkandidatë, d.m.th. një votim formal, pa votim të fshehtë. Nga ky Këshill i Përgjithshëm i paligjshëm, zgjidhet një Kryesi jolegjitime. Kryetari e bën edhe përzgjedhjen e deputetëve. Nga kjo rezulton se strukturat qendrore nuk janë më të partisë, por pronë personale e kryetarit të partisë! Thënë troç: Partia është privatizuar pa tender fare!

Kryetari aktual i LDK-së nuk u mjaftua me kaq. Ai, në përballjen me rivalin e tij, Sejdiun, i futi në lojë edhe kryetarët e degëve, të cilët votuan në tufëzim në mbështetjen e kryetarit të tyre, duke e quajtur edhe lider, sikur ai të ishte themelues i partisë! Nga vëzhgimi i bërë rezulton se kryetarët e degëve, kanë votuar në emër të nëndegëve të tyre, pa i konsultuar fare ato! Me këtë akt, edhe nëse ndonjëri syrësh të jetë zgjedhur me votim të fshehtë, tanimë, ka humbur legjitimitetin, duke shpërdoruar pozitën. Të gjitha këto flasin për një lëngatë dhe krizë të thellë partiake. Terapia e vetme efikase, për shpëtimin e pacientes LDK-e, është bisturia. Është koha për veprim dhe jo për pritje e vegjetim!

Studiusi, profesor Vehbi Miftari, në librin e tij: "RUGOVA - Mendimi, Kultura, Politika", dëshmon bindshëm se vënia e dr. Rugovës në krye të Lëvizjes Kombëtare, për çlirim, liri dhe demokraci, në vitet '90-a, nuk ishte rastësi, siç duan ta paraqesin ndoca kalemxhinj ideologjikë, por rrjedhoj logjike e përgaditjes së Tij solide intelektuale, me ndjenjen e fortë të kombëtarizmit.

"Libri i Tij, "Refuzimi estetik", i shërbeu si premisë për refuzimin ideologjik", - thotë Miftari. Ne mesin e viteve '80-a dr. Rugova, duke parë se shoqëria shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe trojet tjera arbërore, ishte lodhur e ngulfatur nga "kolektivizimi i intelektualit", për dekada radhazi, hodhi idenë e "dekolektivizimit të intelektualit". Qëllimi ishte i qartë: Duke dekolektivizuar intelektualët, nisë beteja kundër ideologjisë së mykur komuniste dhe fillon epoka e frymëmarrjes demokratike.

Prof.dr. Vehbi Miftari shpreh bindjen e pamëdyshur se "Ai (dr. Rugova) qe shqiptar i vendosur, burrë i vendosur, i cili për asnjë moment nuk hoqi dorë nga parimet."

Deklarata e Kryesisë të LDK-së kundër Familjes Geci, është një dëshmi vetëfolëse se derikumund të arrijë një klan cinik e burokratik, i cili vazhdon t`ia bëjë gjëmën partisë, dikur, famëmadhe të Presidentit Rugova. Klani namkeq thotë se qenia kandidat për deputet të LDK-së kushtëzohet me kontributet paraprake!

Vallë, cili nga klanorët ka kontribuar, dhënë për LDK-në dhe Kosovën sa Gecët e Familjes të Bajraktarit të LLaushës?!? Ata "kanë hyrë edhe në gjak", më sakt, "kanë marrë gjak" për LDK-në. Ndërkohë që klanorët "kanë qendruar në podinë", pa "i zbritur kalit" kurrë, pa e "bërë as lavrën e miut"! Dhe, pas gjithë kësaj, a mjafton një shprehje gojore e kryetarit: "Kam gabuar"?! Ndërkohë, askush nga anëtarët e Kryesisë të LDK-së, në emër të të cilëve u emetua deklarata marroqe publike, nuk reagoi, nëse ishin konsultuar apo jo!?

SHANTAZIMI I ORGANIZATES ILEGALE E KRIMINALE - SHIK, KA QENE I GJTHMONSHEM DHE KUDO

Për ironi, LDK-ja bëri regresin paradoksal, duke iu kthyer kolektivizimit të intelektualëve! Tri dekada më parë gjeniu Rugovë lëshonte kushtrimin për "dekolektivizimin e intelektualit". Dhe, sot, pas 30 vjetësh, jemi më të kolektivizuar, më të tufëzuar se kurrë më parë, me të vetmin qëllim për ta mbajtur një klan në kupolë!!! Shifrat 99 dhe 100 % të votimit, janë dëshmi e marrëzishme e këtij kolektivizimi. "O tempora! O mores! (O kohë, o zakone!, - thërriste, dikur, deri në kupë të qiellit, latini i vjetër!

Pse e duan të gjithë koalicionin me LDK-në?!

Për habi, LDK-ja është e pranueshme për të gjithë, sepse të gjithë të koalicionuarit livadhisin me emërime dhe veprime si të duan. Shembull: Një kuadër kishte kullotur ndër vite favoret nga LDK-ja. Ideologjia dhe lakmia e tërhoqi për të kaluar në një parti - bandë të së majtës. Kishte kaluar viti dhe ai, edhepse tani kuadër i lartë partiak, shef i partisë në një qytet të madh, vazhdonte të ishte drejtor.

Një miku im i mirë, një ditë më tha: "Po vjen nga Kosova për vizitë filan drejtori dhe ka kërkuar t'ia organizojmë një takim me mërgimtarët e dy qyteteve tona".

- Jo, - i gjegjëm unë prerazi. Ai jo vetëm që nuk është pjesë e subjektit tonë politik, por edhe ka dezërtuar dhe tani është kuadër fanatik i partisë - bandë.

" - Por, drejtori shoqërohet nga një amerikan", - ma ktheu shoku im.

- Ani, lë ta mësojë edhe miku ynë amerikan se me ke sholqërohet, - i thashë unë. Dhe, pritja e drejtorit nuk u bë.

Stalinisti Shpend Ahmeti thotë: "Hashimi është dinak, Ramushi është naiv", që do të thotë  se Thaçi është i poshtër, Haradinaj është budalla. Por Shpend komunistin nuk e pengon as poshtërsia e të parit dhe as budallallëku i të dytit, për të bërë punë të ndyra, siç është rasti i mohimit të FARK-ut, mosaprovimi i amandamentëve të LDK-së!

Dinakëria e Hashim kryeministrit është aplikuar mjeshtërisht në kompromentimin e Kryesisë Qendrore të LDK-së. Ministria e Jashtme, kinse institucion jasht partiak, ka shërbyer si monedhë për joshje dhe kyçje-goje për Kryesinë e LDK-së, duke ua punësuar familjarët e tyre. Dhe, kjo vazhdon të funksionojë sot e gjithë ditën.

Budallallëku i Ramushit relativizohet me veprimet profitabile në favor të tij. Në koalicion e raporte "miqësore" me LDK-në, ka qenë gjithëherë shfrytëzues dhe përfitues. Ministrat e tij vepronin shpengueshëm përgjatë koalicionit me LDK-në. Ata organizonin ikjen e militantëve të tyre partiak, të cilët, "rastësisht", kishin qenë në gardën personale të kryetarit të tyre, madje nga burgu i Sigurisë së Lartë, për te vazhduar haraçin edhe duke qenë në arrati!! Dhe, trofeja e këtij haraçi begatonte arkën e kryetarit dhe të partisë.

LDK-ja - opozite anemike, e shantazhuar nga SHIK-u

LDK-ja, në raport me forcën që ka, nuk ka dëshmuar, as për së afërmi, rolin e saj opozitar. Edhe në ndoca deklarata, në dukje bombastike, të kryetarit të saj, nuk pasoheshin me veprime adekuate. Pra, mungonte serioziteti, përgjegjësia e përfaqësimit partiak. Numërohen dhjetra raste ku LDK-ja bënte një opozitë anemike dhe hiç të dinjitetshme. Shantazhimi i organizatës ilegale e kriminale - SHIK, ka qenë i gjithmonshëm dhe i kudoshëm. Mohimi që i ka bërë kësaj të vërtete Isa Mustafa, nuk ka bindur askënd.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, edhepse është vënë në dijeni se disa anëtarë të Kryesisë janë në shërbim të SHIK-ut, ai ka heshtur, pa e pasur guximin të ballafaqohet me problemin. Një anëtar Kryesie mbron vrasësit SHIK-as dhe akuzon dëshmitarët; një tjetër, i cili është edhe kryetar i degës të LDK-së, humbës në vijimësi, ngrihet kundër Gjykatës Speciale, lavdëron organet  e drejtësisë më shumë se sa PDK-ja; një tjetër anëtar Kryesie, ish-kuader lufte, për të njëjtën çështje, është shumë konfuz dhe "i mban ison krimit!

SHIK-u nuk është pronë vetëm e PDK-së. Partia tjetër bandë është po aq kriminale sa edhe e para. Edhe dy partitë tjera staliniste kanë hisen e tyre në krimet, përkatësisht, vrasjen e veprimtarëve të LDK-së, përgjakjen e Kosovës. Kur kryetari aktual i Pejës adresoi krimin dhe haraçin dhe ata që "e kishin mizën pas veshit", e hodhën në gjyq, kryetari Isë, në vend të mbështetjes për kryetarin komunal, deklaroi " problemi është tejkaluar", duke e lënë kuadrin e lartë partiak në mëshirën e bandave. Çuditërisht, të njëjtin sllogan, edhe pas disa muajve, e përsëriti, në një intervistë televizive, anëtarja më e votuar  e Kryesisë! Dhe, ky është tregues i qartë se Kryesia e LDK-së nuk është e gatshme, nuk e ka guximin për t'u përballur me bandat e SHIK-ut! Atëherë, deri kur duhet të mashtrohet dhe të manipulohet anëtarësia numerike e LDK-së?!?

Kryesia e LDK-së lidhur me bisedimet Kosovë - Serbi zhurmoi në etër, nuk e bëri detyrën që i takonte karshi Kosovës. Kryetari dhe Kryesia kishin dy argumente bazë, për ta penguar Hashimin në bisedime:

E para, Hashimi, duke qenë kreu i SHIK-ut, ka fajësinë për ekzekutimin e 1.800 kuadrove dhe të veprimtarëve të LDK-së. Rrjedhimisht, është i shantazhuar nga Serbia për krimet makabre ndaj shqiptarëve të pafajshëm, në Kosovë dhe Shqipëri.

E dyta: Në krye të bisedimeve u vu një lëvriçkë Editë, e cila e kulloti LDK-në, pastej provoi të krijojë parti dhe nuk arriti të bëjë as kryesi. Kjo karrieriste, e marrë nga rruga, gënjeu, mashtroi dhe u tall me shqiptarët në vite, kinse "bisedimet jane vetëm teknike", nderkohë që ato rezultuan tërësisht politike dhe fatale për Kosovën.

LDK-ja, e cila kishte edhe aleatë dhe e lusnin për bojkot, i kishte të gjitha mundësitë e shmangies, të pengimit të këtij binomi shpirtshitur, Hashimi - Edita dhe vënien e bisedimeve nën kontrollin, mbikëqyrjen e Kuvendit. Dhe, rrjedha e bisedimeve Kosovë - Serbi do të ishte krejt ndryshe, duke mos rrezikuar e humbur atë që, tashmë, është vonë ose e pamundur të korrigjohet, të fitohet.

Amnistia e panevojshme

Kërkesa e ndërkombëtarëve për t'i amnistuar një seri krimesh dhe kriminelësh në Veriun e Metrovicës, për serbët e atjeshëm, ishte rast i mirëpritur për PDK-në dhe aleatët e saj ideologjikë, për ta shtrirë amnistinë në tërë Kosovën. I gjithë qëllimi ishte: Të amnistohen krimet dhe kriminelët e SHIK-ut. LDK-ja bëri sikur kundërshtoi, por, në fakt, u bënë vetëm disa retushime, ndërkohë që duhej ta kundërshtonte shtrirjen këtej Ibrit, madje deri në anulim. Kjo amnisti ishte krejt e panevojshme. Presidentët që pasuan dr. Rugovën, e kanë tepëruar me amnistime individuale e grupore. Fundja, në Kosovë askush nuk ka marrë dënim meritor, në raport me krimet e bëra. Për individë dhe grupe, të cilët kanë bërë me shumë se një vrasje, janë dhënë dënime simbolike, në veçanti për krimet e organizuara politike.

Kosova - me një zonë votimi, është vepër e SHIK-ut, sepse ata ishin të fituarit e parë, merrnin dhe marrin karrikën e deputetit. Kjo është shumë shqetësuese, sepse Legjislatura e kaluar, sipas dosjes ndërkombëtare, kishte 27 deputet kriminelë! Edhe konstituimi i Legjislaturës së tanishme nuk do të këtë më pak kriminelë deputetë! Rrjedhimisht, Kosova ka Parlamentin më kriminal në botë! Klani karrierist i LDK-së e heshtë këtë fakt, sepse klanorët në Kryesinë e LDK-së e kanë të siguruar deputetllëkun dhe, për ata, pak rëndësi ka fitorja apo humbja e partise!

A KA DEPERTUAR SHIKU- U EDHE NE KRYESI TE LDK-SE?

Kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa, kohë më parë deklaroi publikisht dhe mendjelehtësisht se "jemi gadi edhe për zgjedhje të reja"!? Shtrohet pyetja: Cila është mbulesa e kësaj deklarate paushalle? Asfare. Çfarë ka bërë dhe çfarë mund të bëjë zoti Mustafa  për ta rritur kuotën e numrit të votuesëve nga zgjedhjet paraprake, me këtë përformancë që aktualisht ka LDK-ja e kryesuar nga ai? Asgjë. Pikërisht nga konsumimi i tij dhe i klanit që e rrethon ngeli në numrin humbës. Dhe, pa një qasje tjetër, madje fort rinuese, ai dhe LDK-ja e tij do ta numërojë humbjen e radhës. Megjithatë, uroj të jem i gabuar!

Qysh në nismë të koalicionit të partive humbëse, për ta hequr qafe një qeverisje aventuriere, despotike e kriminale, me elemente të dukshme të tradhtisë kombëtare, kreu i partisë dhe Kryesia e LDK-së duhet të mendonin për zgjedhjet e reja. Dhe, të fillonin zgjedhjet partiake, me mesazhin e qartë se ndryshimet do të jenë të thella, klanet brenda LDK-së do të shpërbëhen dhe zëri i bazës do të jetë vendimtar për udhëheqjen e re partiake. Dhe, për përgaditjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve brenda partiake duhej te angazhohej një shtab mikst, i përzier, ish-veprimtarë të vjetër dhe të rinj, por jasht pretendimeve për t'u zgjedhur vetë ata në organet vendimmarrëse të partisë.

Alternativa: Donikë Gërvalla në krye të LDK-së

Ndërkohë, kryetari aktual Isa Mustafa dhe Kryesia e tij do të vazhdonin, pa u penguar, kalkulimet me koalicionin shumë të përfolur. Përndryshe, arsyetimi se zgjedhjet partiake nuk mund të mbahen pa mbaruar afati 4 vjeçar i kryetarit të partisë, do te ishte idiotizëm i llojit të vet! Me rrethanat e krijuara, brenda një gjysmë-vjetori  flitet të mbahen zgjedhjet qendrore, parlamentare. Atëherë, çfarë pritet, kur dihet pesha e zgjedhjeve nacionale, në raport me ato partiake?! Pra, duke pritur përmbylljen e afatit të kryetarit të partisë, njëkohshëm presim edhe humbjen e serishme të LDK-së, në zgjedhjet e pritshme  kombëtare. Dhe, e gjithë kjo do të ishte një krim në adresë të LDK-së

Pse Donika është alternativë e pranueshme?

Për afro një dekadë LDK-ja vazhdon të jetë peng dhe viktimë e klaneve. Klani i koracuar brenda Kryesisë e ka ngulfatur LDK-në, duke penguar reformat aq të nevojshme për partinë. Kuvendet formale janë klishe të përsëritura, me retushime e arnime anësore, duke ruajtur bërthamën klanore me fanatizëm. Kompromentimi i organeve vendimmarrëse të LDK-së është aq i thellë, sa që edhe për shkelje e faje të rënda të kuadrove partiake, Kryesia Qendrore nuk është në gjendje jo të largojë nga pozita, por as të japë ndonjë qortim.

Agjentë të SHIK-ut vazhdojnë të veprojnë e rrënojnë brenda partisë dhe Kryesia, edhepse e dinë këtë, heshtë dhe e bënë të paditurin. Edhe kur veprimtarët e LDK-së i denoncojnë rastet, duke sjellur edhe fakte konkrete, Kryesia injoron denoncimet dhe faktet, duke i marrë në mbrojtje të infiltruarit e SHIK-ut kriminal. Bilëz, një anëtar Kryesie shprehet se "po të shihet sa ka depërtuar SHIK-u në Kryesi, atëherë duhet shkarkuar e gjithë Kryesia Qendrore e LDK-së"!

Ani, edhe sikur të shkarkohet e gjithë agjentura e SHIK-ut brenda Kryesisë, nuk bëhet nami. Me hafije nëpër këmbë nuk ka ecje para, nuk ka progres, përparim të partisë. LDK-ja është  parti akademike dhe është mal kuadrosh. Është diç tjetër që klanorët, ndër vite vazhdojnë të seleksionojnë, anashkalojnë dhe të godasin kuadrin e përkushtuar të vijës dhe të vizionit të Ibrahim Rugovës.

Cfarë reformash dhe risirash do të sillte në LDK-e Donikë Gërvalla?

Donikë Gërvalla i përket brezit themelues të LDK-së në vitet '90-a. Si studente u aktivizua në themelimin e aktivave dhe të nëndegëve në Mërgatë. E përkushtuar për lirinë dhe demokracinë e Kosovës, ajo do ta humbiste edhe një familje, pa u penduar për këtë. "Parësi për mua është Atdheu, Kosova e roberuar. Te punosh dhe të luftosh për lirinë e Atdheut, nuk është sakrificë, është detyrë", -  do të thoshte ajo, duke kërkuar edhe nga të tjerët ta bëjnë këtë. Pra, Donikë Grvalla ka dhënë provimin si anëtare, veprimtare dhe drejtuese e LDK-së.

Donikë Gërvalla është kuadër e sprovuar e LDK-së. Duke qenë nënkryetare e LDK-së, Dega në Gjermani, ajo është shquar në organizimin partiak dhe në veprimtaritë e shumta të LDK-së, madje jo vetëm brenda Gjermanisë, por në tërë diasporën, Mërgatën shqiptare. Intervistat dhe debatet në përballjet me pushtetarët e Serbisë dhe të satelitëve të saj, kanë qenë të një niveli, cilësie të veçantë. Donikë Gërvalla duke mos qenë pjesë e klaneve dhe të interesave klanore, do të shpërbente rrjetet klanore brenda LDK-së.

Donikë Gërvalla, e cila është kopje origjinale e karakterit dhe e parimeve të babait të saj Jusuf Gërvalla, veçse më shpërthyese në reagimin ndaj së keqes, do të përjashtonte veprimet mafioze brenda partiake, duke i dhënë hapësirë debatit, fjalës së hapur dhe demokracisë të mirëfilltë partiake;

Donikë Gërvalla do t'ia kthente fuqinë partiake bazës, duke e vartësuar Qendrën nga baza, duke e konsultuar anëtarësinë e gjerë në përzgjedhjen e kuadrove, ashtu siç vepronte lideri partiak e shtetëror, Presidenti historik dhe i përjetshëm, dr. Ibrahim Rugova;

Donikë Gërvalla ka qenë dhe mbetet shume kritike karshi dy kryetarëve, Sejdiut dhe Mustafës, për luftimin, shpërfilljen, anashkalimin e kuadrit të përkushtuar në vijen dhe vizionin e kryetarit Rugova. Duke qenë brez i asaj gjenerate heroike dhe të dinjitetshme, ajo do t'i kthente në origjinë, në partinë e tyre, në LDK-në zëmadhe të Ibrahim Rugovës shumë mijëra anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së të viteve '90-a.

Donikë Gërvalla do ta kthente në origjinë votimin demokratik, me votën e fshehtë në aktiva, nëndegë, degë, Këshill të Përgjithshëm, Kryesinë Qendrore, përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë e deri edhe qeveritarët, drejtuesit komunalë dhe të dikastereve të tjera vitale, jetësore;

Donikë Gërvalla renditjen emërore, për të gjitha kategoritë zgjedhore : të kryesive lokale e qendrore partiake, të Këshillit të Përgjithshëm, të kandidatëve për deputetë do ta bënte me renditje emërore, sipas alfabetit të gjuhës tonë, duke mos privilegjuar askënd;

Donikë Gërvalla kur do ta shihte se ka një alternativë më të avancuar, për drejtimin e LDK-së, nuk do ta priste afatin e rregulltë zgjedhor, por do të hapte rrugën e zëvendësimit, duke mos u bërë pengesë e bllokade e partisë, siç po ndodhë aktualisht, edhe pas humbjeve seriale.

E gjithë këtë e mbështes nga njohja dhe bashkëpunimi prej tej një çerek shekulli  me Donikë Gërvallën. Thirrjet e zëshme protestuese, madje në vijimësi, të Donikë Gërvallës, kanë për motiv dhe bazë fatin e LDK-së dhe të vet Kosovës. Dhe, asnjë qëllim të dytë, absolutisht asnjë. Injorimi frikacak e qyqar që i bëhet thirrjeve të saj të përsëritura dhe absolutisht të sinqerta nga Kryesia aktuale, dëshmon tejdukshëm për papërgjegjësinë kriminale të Kryesisë të LDK-së, kur dihet se përformanca aktuale e kësaj Kryesie është zvetënuar, konsumuar dhe nuk mund të japë rezultate dhe as të pretendojë për një kthesë pozitive. Dhe, kjo papërgjegjësi, që ka në bazë karrierizmin individual e klanor, po i kushton shumë LDK-së dhe Kosovës.

Megjithatë, uroj të jem i gabuar, edhepse parashikimet e mia të deritanishme kanë rezultuar të sakta.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora