E shtune, 28.12.2024, 08:46 AM (GMT)

Faleminderit

Vasil Bozo: Azgan Haklaj dhe ora e shqiptarisë

E hene, 08.09.2014, 05:36 PM


AZGAN HAKLAJ DHE ORA E KURDISUR E SHQIPTARISË

- “Burrat e fortë lëvizin vetë zembrekun e kohës” –

Nga Vasil BOZO, Poet – Lushnjë

Sa herë takoj Azgan Haklajn, emri i të cilit përkon aq shumë me pamjen e tij të jashtme dhe cilësitë vetjake të karakterit të tij, kujtoj një thënie të hershme të Niçes, kur thoshte në mënyrë figurative se burrat e fortë lëvizin vetë zembrekun e kohës. Duket se në një farë mënyre kjo ka ndodhur dhe me birin e shquar të Tropojës së bukur, Azgan Haklajn, i cili duke ndjekur gjurmët historike të të parëve të tij atdhetarë fisnikë e luftëtarë të sprovuar në kalvarin e qëndresës sonë kolektive, ka lëvizur me ritmin e vetë ëndrrës së tij për një Shqipëri Natyrale, kryeçështja e tij, qoftë në veprimtarinë si publicist, analist e kulturolog, qoftë si politikan e veprimtar shoqëror e atdhetar.

Prania e tij e përhershme në shtyp dhe media, është pjesë e lëvizjes së tij në drejtim të vetëdijësimit të atyre për të cilët shkruan, për misionin e pambaruar kombëtar, për devizën e mbetur në mes, e cila nuk mund të jetë e plotë, pa bashkimin e të gjithë vektorëve të hapësirës sonë mbarëkombëtare. Haklaj ka ndjekur me kurajë dhe guxim të pashembullt rrugën e korifejve të shtypit të lirë, Konicës, Fishtës, Gramenos, Merxhanit, Kadaresë, rrugën e atyre gazetarëve që rilindin si Feniksi pas çdo shkrimi e ideje, në një rrugë të vështirë, që ndonjëherë shkon drejt sprovave të kalvarit. Haklaj ka shkuar gjithmonë drejt këtyre sprovave, aq sa për fjalën e lirë në shtyp dhe në podiumet politike, është sulmuar me tritol duke synuar eleminimin e tij, por ai ka mbijetuar dhe deviza e tij e lirisë vazhdon, më e fortë dhe më kuptimplote se kurrë.

Përveç angazhimit të tij si deputet në periudhën e ndezur 2001 – 2005, Azgani ka krijuar dhe drejton Unionin Artistik të Kombit Shqiptar, të cilin sikurse shprehet, synon ta shndërrojë “në një Parlament shpirtëror ku flitet me gjuhën universale të artit për hallet dhe plagët e kombit.” Dhe pa drojë mund të pohojmë se ai e ka realizuar më së miri këtë me një sërë veprimtarish brenda dhe jashtë vendit, duke na bindur se Seferisi nuk e kishte fjalën vetëm për grekët kur thoshte: “Ngado që shkoj atdheun e marr me vete”. Haklaj e merr atdheun në çdo ritëm e lëvizje të valles, në çdo shkronjë e fjalë të derdhur në libra e gazeta, në çdo lëvizje kulturologjike, që synon t’i bëjë të papërfillshëm dhe inekzistues kufijt midis shqiptarëve.

Autori Haklaj, pa u përkujdesur për ekuilibrat e brishtë dhe atrificet që ta hapin shpejt dhe me lehtësi rrugën drejt karrierës dhe suksesit fiktiv, me vrullin që e karakterizon në jetë, u vërsul shpatëzhveshur në logun e dueleve kalorsiake, ndërkohë që rivalët dhe kundërshtarët e tij përdornin mjete të dyshimta, të fshehur pas strukturave të dyshimta të një shteti të brishtë dhe të ndërtuar jo dhe aq mbi principe morale e jurdike se sa mbi konjukturat e çastit. Këto përballje të drejtëpërdrejta dhe kurajoze vijnë në katër librat e Haklajt me gjuhën e ftohtë të dokumentit të shkruar, të stivosur në raftet e arkivit të Kuvendit të Shqipërisë ose të mbetur si dëshmi e shkruar e zeza mbi të bardhë në shtypin e përditshëm të asaj kohe. Janë përballje dinjitoze, të denja për një politikan të kalibrit të lartë, i cili nuk di ta ndajë fjalën me veprimin dhe e konsideron aksionin politik në dobi të atyre që e kanë votëbesuar, të përkrahësve por dhe të kundërshtarëve të tij, si e vetmja rrugë për të ndërtuar realitete progresive politike dhe njerëzore.

Për Haklajn si veprimtar i shquar shoqëror e kombëtar, si politikan, si publicist dhe njeri i aksionit atdhetar, i cili pas gjashtë atentateve të dështuar dhe sulmit me tritol në banesë, jo vetëm nuk është dekurajuar, por e ka ngritur aksionin gjithëpërfshirës intelektual e njerëzor në kuota të reja, kanë shkruar figura të tilla të artit e kulturës shqiptare si Dritëror Agolli, Preç Zogaj, politikanë të njohur, shkrimtarë e analistë si Shpend Topullaj, Ramiz Lushaj, Dukagjin Hata, Qazim Shehu etj.

Ai është bërë objekt i kancelarive të larta ruse dhe amerikane, me letrat e tij të forta, drejtuar këtyre kancelarive, ku kërkon vënien përfundimisht në tryezën e zgjidhjes së plotë të çështjes shqiptare.

Artisti tek Azgani është një tjetër dimension i figurës së tij, ndoshta ajo pjesë e personalitetit që bën sa të fortë e stoik, aq të ndjeshëm para halleve të të tjerëve, para dhimbjeve të njerëzve të thjeshtë, të cilët e duan dhe e respektojnë.

Kur kërcen, ai duket sikur flet njëherësh me tokën e qiellin, sikur flet me zanat e Eposit të Kreshnikëve e thërret në ndihmë fuqinë magjike të Mujit e Halilit, sikur dehet me rrjedhën e ujëvarave të Valbonës e rilind tek çdo gjethe ahu e shushurimë pranvere në bjeshkë.

Për njerëz si Azgan Haklaj vjen ora e veprimit dhe evidentimit të vlerave vetëm kur vjen dhe Ora e Shqiptarisë, kur kjo orë kurdiset dhe punon normalisht, në drejtimin e duhur, në kohën e duhur dhe për kombin e duhur, siç po ndodh tash disa kohë me orën e fatit mbarëshqiptar.

Haklaj si parlamentar i fjalës, mendimit e besimit të lirë, si artist i shquar, si korife i aksionit kombëtar, është gjithmnonë në ballë; si politikan e kulturolog i veprimit ecën shqiptarisht, duke lënë pas gjurmë të bukura, nga Presheva në Gostivar, nga Shkodra në Tiranë, nga Prishtina në Artë e Filat, me Flamur Kombëtar Shqiptar, drejt kryeqëndres së tij të kahershme, Shqipërisë Natyrale.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora