E hene, 23.12.2024, 12:20 AM (GMT)

Mendime

Imer Mushkolaj: Sulltan Rexhepi

E merkure, 27.08.2014, 05:53 PM


Sulltan Rexhepi

Nga Imer Mushkolaj

Qeverisja me dorë të hekurt e Rexhep Taip Erdoganit në Turqi nuk është shembull që duhet kopjuar për të mirë. Pavarësisht se dikush në Kosovë ka provuar të zbatojë ndonjë praktikë qeverisëse të “vëllait” turk, e të tjerë ëndërrojnë se një ditë sulltani i ri do ta qeveris gjithë rajonin. Kosovës i nevojitet partneritet, e jo vazalitet

Kur më 28 gusht Rexhep Taip Erdogan do të marrë postin e presidentit të Turqisë, për shumëkë ky akt do të jetë një “déjà vu”.Ai vetëm do të ndërrojë karrigen dhe do të synojë të qeverisë i pamposhtur, si deri më tash.

Për 12 vjet në pushtet, Erdogan me Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka fituar nëntë palë zgjedhje radhazi, për nivele të ndryshme të pushtetit. Para më pak se tri javësh, kur iu drejtua simpatizantëve të vet me rastin e fitores në zgjedhjet presidenciale, ai tha se do të jetë president i të gjithëve dhe se Turqia po hyn në një fazë të pajtimit të shoqërisë. Por, a mund të merret kjo si e vërtetë? Bazuar në qeverisjen dhe veprimet e tij të deritashme, vështirë të thuhet.

Të paktën gjatë viteve të fundit, ishte vetë Erdogan ai i cili kontribuoi që ndarjet ekzistuese në shoqërinë turke të thellohen edhe më shumë. Gjatë fushatës parazgjedhore ai nuk ngurroi që kundërshtarët politikë t’i diskreditojë publikisht, madje me kualifikime shoveniste e raciste, duke përfaqësuar politikën e llojit “ai që nuk është me ne, është kundër nesh”. Në të njëjtën kohë, premtim parazgjedhor e kishte “Turqinë e re”.

Është ironik fakti se si dikush, i cili hap pas hapi plotësisht është larguar nga trashëgimia e Ataturkut - Turqisë sekulare dhe i cili gjatë gjithë karrierës politike angazhohet për riislamizim të vendit, mund të bëhet një president që përfaqëson unitetin e popullit. Kështu që, fjalimi i tij me rastin e fitores tingëllon vetëm si “zbutje” e çastit e një lideri gjithnjë e më shumë arrogant.

Qeverisja me dorë të hekurt nga Erdogan dhe qasja ndaj lirisë së shprehjes e ka sjellë Turqinë në shënjestër të kritikave nga organizata të ndryshme ndërkombëtare. Komisioni Europian e ka kritikuar vendin për qëndrim jokorrekt ndaj disidentëve dhe dështimin për të mbrojtur të drejtat fundamentale, si liria e shprehjes dhe e tubimit. Në një raport të KE’së thuhet se Turqia nuk mund të ecë përpara vetëm më fuqinë e shumicës, por se edhe pakicat duhet të përfshihen në proceset në vend. Raporti kritikon edhe kornizën ligjore të vendit dhe sistemin gjyqësor.

Këto dhe të tjera kritika nuk i kanë bërë fort përshtypje Erdoganit. E rëndësishme për të ka qenë që të qeveris me dorë të hekurt. Dhe ia ka dalë. Si një sulltan.

* * *

Për ta pasuar në postin e kryeministrit, Erdogan zgjodhi Ahmet Davutoglunë, një politikan aspiratat neootomane të të cilit nuk konsiderohen vlerë e duhur për postin që do të mbajë.

Me zgjedhjen e Erdoganit president, pushteti i vërtetë tash bartet në pallatin presidencial. Por, ai pritet të ballafaqohet me sfida të tjera, në qoftë se dëshiron të zbatojë deri në fund planin e tij.

Së pari, ai duhet që sistemin politik të Turqisë ta përshtatë me dëshirën dhe vullnetin e tij dhe nga një demokraci parlamentare ta kthejë në sistem presidencial, sipas shembullit të Francës apo SHBA-ve. Për ta arritur këtë duhet ndryshuar kushtetutën, për ç’gjë nevojiten dy të tretat e parlamentit. Këtë shumicë parlamentare, partia e tij AKP nuk e ka. Mbetet të shihet se si do të veprojë në këtë rast.

Së dyti, duhet pritur për të parë se cilat janë ambiciet e ish presidentit Abdullah Gul, i cili menjëherë ka filluar të aktivizohet në parti, pas largimit nga posti. Shumë më i qetë dhe jo radikal si pasardhësi i tij, ai është parë një kohë të gjatë si i vetmi që mund t’i bëjë ballë fuqisë së Erdoganit, por në fund vendosi të heq dorë nga përplasja direkte me të. Mbetet të shihet nëse Gul tash kur është liruar nga funksioni më i lartë, por i dobët politikisht, shtetëror do të pozicionohet si opozitë brendapartiake e presidentit të ri.

Në fjalimin e tij pas fitores në zgjedhje, Erdogan anjëherë nuk e përmendi emrin e Gulit. Kjo shihet si një uverturë në një fazë të re rivaliteti mes tyre. Ndonëse fitorja e Erdoganit në zgjedhje ishte çëshje rutinore, e tillë ka mundësi të mos jetë qeverisja e tij.

* * *

Rexhep Taip Erdogani e ka shfrytëzuar religjionin të shoqëruar me para të mëdha dhe biznese miliardëshe për të shtrirë ndikimin e tij kudo në Ballkan ku ka myslimanë. Në Kosovë, ai njihet si “vëlla” i Hashim Thaçit dhe ia ka dalë t’i fusë në dorë dy asete strategjike të vendit.

Po ashtu, ish-qeveria e tij ka bërë çmos që të ndryshojë tekstet e historisë dhe të ndërhyjë edhe në trashëgimi kulturore, krejt me logjikën e një “ripushtimi” të butë e “demokratik”.

E sa për sundimin e demokracisë dhe pushtet demokratik, Erdogani nuk është shembulli i duhur për t’u kopjuar, pavarësisht se Hashim Thaçi mund ta ketë lakmuar dhe mund të ketë zbatuar diçka nga “shkolla” e tij dhe të tjerë mund të ëndërrojnë e besojnë se një ditë sulltani i ri mund ta qeveris krejt rajonin.

Por koha e sulltanëve ka marrë fund, ndonëse aspiratat hegjemoniste janë kthyer sërish në agjendë. Kosovës i nevojitet partneritet, e jo vazalitet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora