E merkure, 13.11.2024, 06:22 AM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Bajram Dabishevci

E shtune, 23.08.2014, 05:44 PM


Bajram Dabishevci

TË MOS GDHINI ENDE PALUAR PAKOVE

 

“Rruga të mos hapet e vepër me mend shqyej,

mishra stine gjithë kollitje e të vjella ha me grushte”.

Zbardhë e nxinë e lehura, një unazë nate,

nga një e varrosur duarve të përlyera

e një e lerosur e dekoruar me magjira.

Rezistenca do shtuar me tërbim e trupat e gjarpërinjve

edhe më zi nxjerrin shkronja: “Si të ngritet ky rend”.

 

Ç’fat patëm për një ç’pushtet! Vetura e të të vdekurve

na e solli mbi prag. “Ja shpagimi, ja ç’quhet dhe dinjitet,

për sa verbërisht rrëshirën e sakrificës e faljes llupni”.

Por verbërisë së zjarreve që s’dinë ç’forcë fshehin,

ç’duan që çka të llumtë nuk kapërdijnë?

Verbërisë së poetëve kështu thjeshtë horizontit

i vunë dhe mandallin. Flutur e kundërshtimit s’kalon,

por ndryshku i planetit me qejf lustron hapësirën.

 

Pse s’sheh që t’i ngopësh me çka jo dritaret,

tavolinat, kornizat gjer në një pushtetit,-

i ngrisin në kierarki të shenjtë idiotët e lëpirë,-

të qëllosh me çdo mjet të kapur mendjeje, posi, të lirë,

ndryshe evolucioni i amebës, skrodhit, skrasë,

si te kolera, me perëndi e nëntokë, gaforet ha darkë

dhe të bëhen yll Davidi në shpinë, në krah e vendi të dergjet,

si xhep solemn për një blokfyrer. Flakët arteziane të mallit

verbërinë e zjarreve s’i nënshkruan kurrë nënshtrimin mjaltit.

Apo nuk dilni policisë së pagojë, pa sy

me qindra nofulla katarosh fjalë, krekosje, nam?

 

Fjala protestë, rezistencë, pikëllim që s’lë kodër në këmbë,

vrull i pafiltruar i derdhur damarëve të heshtjes…Ku vajmë?

Ku i fshehu gjuha? Me karakatinë gojësh kaq gjigante

gjithçmos pse nxjerrin e një të mos e thonë?

 

Ku i humbi dhe mesazhet e gjakrave të hetuesive

të kësaj mynxyre përmbytëse, të këtij që quhet dhe ag?

A do t’i zënë duart e punës së kësaj rinie me thonj mirë

qafën e përdredhjes…humbellës.

Liritë-plumb të tre-katër gjysmë-njerëzve

t’i kllasin në varr?

 

Liria, ndryshk i qullur, të mos tërheq pas gjuhën e njomë.

Tezgat e perëndive të mos e shtrojnë motiv të tharë,

të mos shpëtojnë nga falimenti ankandet

duke i kapërdirë mëlçi e zorrë paragrafeve që s’janë

e faqeve të reja askund. Ku vajmë? Ku janë? Kur vijnë?

Por pse gjëkundi njeri s’i sheh e ngado kërdi ata,

të mos shkrihen në të pista e myk të trurëve.

 

O të mos gdhini ende paluar pakove me buqeta, fjalë

që zonjat, zonjushat, zotërinjtë pushtetarë

i gjuajnë shportave të njëri-tjetrit:

Edhe sa herë do pyetur se ku mbetën fjalët:

“Alarme, lotsjellës, gjendje e jashtëzakonshme,

s’u arritë një situatë e kënaqshme,

helmeta të rrokullisura rrugëve”?

 

Përse vonojnë, kur nuk kanë skaj të shenjtat e nxjerra

nga pusi i pafund i plagëve të shtypura?

Si s’doli një poet që dhe kësaj lirie tash,

t’i shqyej me thonj gjithçka shtëllungat e reve

dhe kundërmimet e krimit, që nga maja e piramidës

i derdhë gjakrat e zeza plisit të zi e shkallareve tatëpjetë

me xhelatin e hurit e të litarit mbi kokë të bëjnë moral,

tekqë njerëzit kositen e s’mbesin as si zhabili i grurit.

 

Kur zbardhë një kaçarrenë e nxinë një ultra fakt

mbi paçavure qeverirash të lëpira, ngul shtizën, i vrarë,

si midis vrimave - shpellë të plumbave në trup

me sa bekim ngul, ngul: “Edhe ca më tutje të vani, prapë”!

 

 

MERCHANT ADVENTURIER

 

Jeta na ka mashtruar sot e vdekjen do mashtruar sonte,

unë në duar këtë thesar edhe ta shoh,

si të më lejohet tash?

O skllevër të mjaltit të lirisë së huaj e kaq të bujshme,

lejuakeni këtë seç luks?

 

Tmerr më të shenjtë të natës botërore

të sundimit të dëlirë ndër shqiptarë,

se, veprat e autorët, si të mos futen

dhe më me festë në dorë të xhelatit,

në gjellë të ministrit…

kush ka parë? E ç’është vdekja?

“Kjo, cila është, të botohet këtë vit!

Tjetrin zhduk, harresën i shpik”!

 

Bën të të krijojnë sfunxher dhe eshtrat,

mbamendjen, ekzistimin,

por babëzisë ekstreme, të veshur me ulurimë të ndritur,

s’bën dardhës gjëkundi t’i dalë bishti

as në tharkun e politikës,

pale dhe masës i ardhtë fundi.

“Pashkëputshëm shpirtëra, vepra dhe fate

drejt në kësmete humnere;

pashkëputshëm trupi i turmës

i zier gjelle të pronarit”-

a thua nuk shkruan këtij flamuri

të çdo liridashësi të mirëdhjamur:

“Ndodhtë kjo për së dyti?…”

 

 

ILUZIONET IKIN

 

S’pushoi koha, ushtarë të mi shpirtërorë, e sprovës së gjatë,

t’i ngulen armët njëherë e mirë thellë

syrit të shqyer së qeshuri e të paparë,

mëshirë s’u poll mbi bimë e njerëz nata botërore,

si qepë me lëkurë të gjallë harta lecka-lecka, panteon tregtie.

Vatra e fikur është ushqim i tyre, magjistarët e ndritur, rrezet - gjarpërinj,

nuk ua thonë të mbarën armëve të fjetura, ushtarë, lufta s’do mjergull,

gjithçka ka në pronësi nata botërore, dhe e nesërmja jonë gjithçka ka.

Paqja, jo veç qerre mesjetare, por dhe fantazma e trabantë,

partalla ding mellan ventuzash të ligjit - ujkdhelpër

sa shiti gjymtyrë populistësh! Gjymtyrë lufte, ah, në çengel kasapësh,

po qëndruan heshtur mbi cung zotash,

me këto aureola djalli modern

ka ngulur dhëmbët zorrëve të Shqipërisë

që dhe surratin e mordjes tejkaloi lehtësisht,

ka hedhur zarin mes poetëve, perëndive,

të shtypurve, dëshmorëve

dhe u thotë me krekosje, gjithë sa janë:

“Zgjidh ti, pastaj ti, zotërote,

cili çka të dojë”!

 

Mbesin pa mend që të gjithë me rend

kur pikërisht njeriu i thjeshtë shqiptar del nga varri

e, gjithë sorollatje mes tyre, fjalën nxjerr:

“Unë zgjas duart e pa hamendje kap”!

 

Kupa e hënës u përmbys në ferr,

erdhe deri te ky varg. Nëntoka e llumtë - jo më majë.

Lufta jote këtu nis qëkur, me hije mëngjesi të mos matesh,

ca fakte mes rreshtash shpikur, kavaletë me kërma citë,

vëlla-lexues, millin e tët arme qëkurthi hodha në lumë,

Shqipëria robërie në copëra e intrigash sterrë

të ngritet, të thotë:

“Që i mbarë dielli të lind,

do lindur nga ky pellg”!

 

SHËNIME PËR AUTORIN

 

Bajram Dabishevci u lind më 1953 në Prishtinë. Shkollimin fillor dhe të  mesëm i kreu në Prishtinë,  kurse studimet filologjike në Universitetin e Prishtinës. E kishte një jetë tej të rëndë, në gjendje privimesh, duke përjetuar shtypjen dhe diskriminim, edhe nga okupatori, edhe nga të mikluarit e artit që koketonin mizorisht me oborrin dhe shkulnin e eliminonin këdo që arrinin. Punoi hera-herës edhe punë të ndryshme fizike, por edhe punë të kulturës. Qe, mes tjerash, drejtues i revistave, “Albi”, “Kosova e lirë”, anëtarë redaksie në një revistë tjetër, gazetar në të përditshmen “24 orë” etj. Qe dhe kryeredaktor I disa revistave dhe gazetar në dy radio. Punimin e parë e botoi më 1973.

Më 1978, me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në temën-konkurs letrar mbi këtë ngjarje dhe për nivel Kosove, organizuar nga KK i Prishtinës, ai zuri vendin e parë.  Më 1980 iu pranua në konkursin e Radio-Prishtinës drama “Të vdekurit pa shërbëtorë”. Në vitin 1980, në konkursin letrar të “Botës së re”, zuri vendin e parë për poezi etj.  Kështu, nën sistemin selektiv diskriminues kolonsllav, nga i cili mikloheshin jo pak krijues egosh të adaptueshme për gjithçmos të përfitimit, nuk u ndihmua dot të nxirrte në dritë veprat e tij. Pra, ata të ngjashmit, dhe fryma e tillë gangrenosi dhe marrëdhëniet e sotme dhe vetëm më 2010 i nisën botime, duke i dalë në dritë këto vepra: “Perpetual”, përmbledhje me poezi, SHB “Faik Konica, 2010, Prishtinë. “Pehlivanët e baba Qemos”, përmbledhje prozash satirike, SHB “Faik Konica” 2010, Prishtinë. “Fundi i gjeneral Maskarilit”, roman, SHB “Faik Konica”, 2011, Prishtinë; “Tepër vonë të mos udhëtojmë për Babilon”, përmbledhje me poezi, SHB “Faik Konica”, 2012, Prishtinë.“Trotuari përballë portës”, përmbledhje me tregime, SHB “Faik Konica”, 2013, Prishtinë. “Lidia, këtu s’të pret askush”, përmbledhje me tregime, SHB “Faik Konica”, 2014, Prishtinë. Jeton e vepron në Prishtinë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora