E hene, 23.12.2024, 02:37 PM (GMT)

Mendime

Arbana Xharra: Qeveritarë, apo aksionarë në KEDS?

E marte, 19.08.2014, 10:35 AM


Qeveritarë, apo aksionarë në KEDS?

Nga Arbana Xharra

Edhe unë i bashkohem iniciativës së shoqërisë civile kundër rritjes së çmimit të rrymës.

I jemi bashkuar edhe protestës kundër rritjes së tarifave të mëhershme, fryrjen e faturave, dhe mashtrimet e konsumatorëve. Kemi reaguar qysh nga shitja e kësaj ndërmarrjeje për vetëm 26 milionë euro kompanisë “Çalik&Limak”, ku hise ka edhe dhëndëri i Erdoganit, “vëllait” të kryeministrit Thaçi.

Kemi protestuar dhe do të vazhdojmë të jemi kundër mashtrimeve e kundër plaçkës që kjo kompani po i bënë qytetarit të Kosovë.

Kemi nxjerrë në shesh skandalin me instalimin e njehsorëve të rrymës që kanë faturuar kilovatë më shumë sesa është shpenzuar, e plot manipulime të tjera. Por në fund të ditës, “investimeve strategjike të Ankarasë”, pushtetarët ia kanë hapur dyert, sepse ata po i bashkon një e përbashkët shumë besnike. Hajnia!

Në fund të fundit kjo është fryma erdogane që po shtrihet pa ndalur në Kosovë. Duke e ditur sesa i përshtatshëm është terrenin për mashtrim, mentaliteti i njëjtë i plaçkës së instaluar në pushtet, lehtësisht i zgjedh format më efikase të shtrirjes në Kosovë.

Kujtoj rrenat e pushtetit për të bindur qytetarin pse duhet shitur Distribucioni, mjaftojnë tri pikat e para ku Ministria e Zhvillimit Ekonomik arsyeton shitjen e kësaj ndërmarrjeje http://mzhe.rks-gov.net/?page=1,249.

1.

“Investimet e sektorit privat në Distribucion dhe në Furnizimin e KEK-ut do të përmirësojnë infrastrukturën, efikasitetin në operim, inkasimin, sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për sektorin që po privatizohet, por ka ndikim direkt në gjithë zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

2.

“Me investimet nga sektori privat do të sigurojnë besueshmëri më të madhe, përmirësojnë infrastrukturën, do të krijojnë sisteme dhe praktika efikase të operimit, do të përmirësojë shkallën e inkasimit me teknologji të re si dhe faturim të përmirësuar, do të reduktojë humbjet komerciale dhe do të eliminojë subvencionet qeveritare”.

3.

“Zyra e Rregullatorit të Pavarur të Energjisë është kompetente për të rregulluar tarifat, të cilat reflektojnë çmimet e energjisë në përputhshmëri me koston dhe investimet. Tregu është i lëvizshëm, ashtu siç janë edhe shkallët e tarifave. Megjithëkëtë, privatizimi i Distribucionit dhe i Furnizimit të KEK-ut nuk ndikon në rritjen e tarifave”.

Këto janë tri gënjeshtrat më të mëdha të Qeverisë për privatizimin e Distribucionit, të cilat sot lehtësisht dëshmohen para nesh.

E para: investimet në Distribucion janë duke u bërë me parat tona, sepse çdo investim i saj reflekton me rritjen e tarifave të energjisë.

E dyta: nga investimet e KEDS-it deri më tani gjithë çfarë mbajmë mend janë njehsorët e instaluar që kanë “vjedhur” qytetarin.

E treta: që nga shitja e Distribucionit tarifat vetëm kanë shënuar ngritje. Dhe tash praktikat më të reja të plaçkës, arsyetohen më prishjet në KEK. Kushedi se sa “avari” në KEK do të shpërthejnë, e dertin duhet ta mbajë qytetari, sepse do të detyrohet ta paguajë nga xhepi i tyre.

Komoditeti i kompanisë turke nuk përfundon me kaq. Nga janari i vitit 2015 hyn në fuqi Marrëveshja për Tregti të Lirë më Turqinë, e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës. Nga kjo datë të gjitha investimet “Limak” për 15 vjet të ardhshme do t’i bëjë pa paguar asnjë tarifë-doganë për futjen e mallrave në Kosovë. Nga të gjitha këto lehtësira për “Limak” të servuara nga pushteti, të bëjnë të shtrosh vetëm një pyetje. Kush janë aksionarët e saj vendorë?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora